ATV

Author: K.B.

  • Kryetari i degës së LDK-së në Klinë kundër kërkesave publike për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut

    Kryetari i degës së LDK-së në Klinë kundër kërkesave publike për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut

    Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Klinë, Alban Raci, ka reaguar ndaj thirrjeve publike për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku duke i cilësuar ato si joetike dhe proceduralisht të papranueshme.

    Përmes një postimi në Facebook, Raci tha se kërkesa të tilla mund të vijnë nga analistë, qytetarë apo simpatizantë të partisë, por jo nga drejtues të degëve të LDK-së, të cilët sipas tij kanë pasur mundësi që çështjen ta ngritin në forumet partiake.

    “Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK‑së “prej së largu” nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK‑së”, shkroi ai.

    Ai veçoi degët e Pejës dhe Lipjanit, duke thënë se nuk ka qenë e pritshme që thirrjet për dorëheqje të vijnë nga drejtuesit e tyre, sidomos kur, sipas tij, një kërkesë e tillë mund të parashtrohej “sy më sy” në Kuvend apo Kryesi të partisë.

    “Prej së largu – në studio të debateve televizive, në postime në rrjetet sociale – thirrje të tilla mund t’i bëjnë analistë politikë, qytetarë apo simpatizantë të LDK‑së, të cilët nuk janë të kyçur drejtpërdrejt në strukturat partiake. Por që thirrje të tilla të vijnë nga udhëheqës të dy degëve të fuqishme të LDK‑së (Pejë, Lipjan) nuk ka qenë e pritshme, aq më pak kur nuk ka shumë kohë që një kërkesë të tillë kanë mundur ta parashtrojnë në forumet partiake (Kuvend, Kryesi), pra sy më sy”, shkroi Raci.

    Ai vlerësoi se thirrjet për largimin e kryetarit dobësohen edhe nga fakti se ato vijnë nga degë ku “rezultati i zgjedhjeve në favor të LDK‑së është në disproporcion të madh krahasuar me fuqinë e tyre politike në komunat përkatëse”.

    Sipas tij, debatet e tilla të brendshme po zhvillohen në një kohë kur qytetarët presin formimin e institucioneve shtetërore, ndërsa tha se “çdo goditje e tillë ndaj lidershipit aktual të LDK‑së e dobëson pozicionin e partisë në negociatat e mundshme për krijimin e institucioneve, apo edhe në pozicionimin e saj si një opozitë e fortë”.

    “Për momentin, LDK ka kryetar, ka kryesi; na duhet të ulemi dhe këto çështje t’i diskutojmë brenda shtëpisë”, shkroi Raci.

  • Kreu i Degës së LDK’së në Suharekë thirrje për maturi: Të mos iu hidhet poshtë kontributi njerëzve me reagime të vrullshme

    Kreu i Degës së LDK’së në Suharekë thirrje për maturi: Të mos iu hidhet poshtë kontributi njerëzve me reagime të vrullshme

    Kreu i Degës së LDK’së në Suharekë, Ardian Shala, ka reaguar për përplasjet e fundit të nxitura nga kërkesat e Degëve të Pejës e Lipjanit për dorëheqje të Lumir Abdixhikut pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Shala ka thënë se nuk duhet nxituar me reagime. Ai ka thënë se në LDK ka figura që kanë kontribuar shumë dhe s’mund t’iu hidhet apo zhbëhet kontributi me reagime të vrullshme e të pamenduara mirë.

    “Natyrisht, në LDK ka figura të rëndësishme që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim, por nuk duhet të zbehet apo të hidhet poshtë nga reagime të vrullshme e të pamenduara mire”, ka shkruar Shala.

    Postimi I plotë:

    Maturi, jo nxitim:

    LDK-ja duhet t’i qëndrojë besnike traditës së saj.

    Si kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë, dhe si anëtar i Kryesisë së LDK-së por edhe si nje veprimtar i hershëm i LDK-së, i përcjell me shqetësim disa vlerësime të nxituara që po bëhen pas rezultatit të fundit zgjedhor, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.

    LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e maturisë politike. Prandaj, nuk është në traditën tonë që të marrim vendime të nxituara nën ndikimin e emocioneve të momentit.

    Duhet të kemi parasysh se brenda vetëm 16 muajve vendi ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore nacionale dhe sot Kosova ndodhet në një krizë institucionale. Në rrethana të tilla, nuk është e udhës të ndërmarrim hapa të tjerë që mund ta thellojnë edhe më shumë paqëndrueshmërinë politike.

    LDK-ja gjithmonë është dalluar për përgjegjësi shtetërore. Shpeshherë ka sakrifikuar edhe rritjen e vet politike për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale dhe stabilitet. Kjo është tradita jonë dhe kjo duhet të mbetet rruga jonë.

    Natyrisht, në LDK ka figura të rëndësishme që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim, por nuk duhet të zbehet apo të hidhet poshtë nga reagime të vrullshme e të pamenduara mirë.

    Kosova është e përhershme, ndërsa partitë politike duhet t’i shërbejnë Kosovës. Kjo ka qenë filozofia e LDK-së që nga themelimi i saj dhe kjo duhet të jetë busulla jonë edhe sot.

    Prandaj, le të shmangim gjykimet e nxituara, të ruajmë unitetin dhe maturinë politike, dhe t’i qasemi çdo vlerësimi me përgjegjësi, dinjitet dhe interes shtetëror.

  • Gecaj i reagon Mihalit: Përparim Rama është rreziku i VV’së, ua prish gjumin e rehatinë

    Gecaj i reagon Mihalit: Përparim Rama është rreziku i VV’së, ua prish gjumin e rehatinë

    Bajram Gecaj këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, ka reaguar rreth sulmeve që i janë bërë këtij të fundit nga ana e Dejona Mihalit nga VV.

    Gecaj në postimin e tij, ka thënë se duket se Rama i vetmi rrezik ndaj VV’së, dhe se kryetari i Prishtinës, është ‘’personi që ua prishka gjumin e rehatshëm në shtratin e autokracisë’’.

    Gecaj, ka thënë se VV’ja tek Rama, e ‘’shohin rrezikun ekzistencial’’.

    ‘’ Ndërkohë, nuk merren shumë me liderët e tjerë që ua kanë dhuruar fitoret me politika katastrofale. Madje, po të kishin mundësi, do t’ua ndanin edhe ndonjë dekoratë për “shërbime ndaj pushtetit” dhe do t’i mbanin si vasalë politikë të përhershëm, tip Lista Guxo dhe Alternativa’’, ka shkruar Gecaj.

    Postimi:

    TELLALLI MIHALI ME STRAJCË E TUPAN…

    E paska marrë strajcën në krah e paska dalë me tupanin e tellallit nëpër sokakë Dejlalli Mihali. Me alarm, panik e dramë, sikur po shpall gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, e jo vetëm një postim kundër Përparim Ramës. Natyrisht, sepse “i ka ra shiu në kallamoq” dhe tash po i bie tupanit me të dyja duart.

    Hyxhym, ofensivë, sulm operativ, mu aty ku ju dhemb më së shumti. Dhe ironia është se krejt kjo luftë epike bëhet kundër Përparim Rama-s, i cili nuk ka të bëj fare me këtë punë. Por duket se u ka mbetur vetëm ai rrezik për ta dhe personi që ua prishka gjumin e rehatshëm në shtratin e autokracisë.

    Sepse problemin nuk e kanë me dështimet, me premtimet e tretura apo me realitetin që u troket çdo ditë në derë. Jo. Armiku kryesor paska dalë Përparim Rama. Aty e shohin rrezikun ekzistencial, tek një foto, një deklaratë, një paraqitje, një intervistë.

    Ndërkohë, nuk merren shumë me liderët e tjerë që ua kanë dhuruar fitoret me politika katastrofale. Madje, po të kishin mundësi, do t’ua ndanin edhe ndonjë dekoratë për “shërbime ndaj pushtetit” dhe do t’i mbanin si vasalë politikë të përhershëm, tip Lista Guxo dhe Alternativa.

    Dhe sa për ironi, ajo na fton sërish të flasim për gazin, sepse ata që për herë të parë kanë futur në shoqërinë kosovare sentimentin anti-amerikan vetëm ushqehen me diskutime dhe diskurse të tilla. Kosova, marrëdhëniet me miqtë dhe e ardhmja e ndritur janë çështjet e fundit që u interesojnë.

  • Funksionalizohet Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit

    Funksionalizohet Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për garantimin e të drejtave të viktimave dhe forcimin e mbështetjes institucionale që u takon atyre sipas legjislacionit në fuqi.

    Sipas saj, ky vendim vjen si pjesë e angazhimit institucional për të siguruar funksionimin e pandërprerë dhe efikas të mekanizmave që kanë për detyrë trajtimin dhe mbështetjen e viktimave të krimit.

    “Duke reflektuar angazhimin tonë për respektimin e të drejtave të viktimave dhe për garantimin e mbështetjes institucionale që u takon, kemi marrë veprimin e domosdoshëm për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Kemi parasysh rëndësinë e zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë dhe efikas të institucioneve që shërbejnë në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të tyre”, ka deklaruar Gërvalla-Schwarz gjatë mbledhjes së Qeverise.

    Ajo ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe në koordinim të plotë për të siguruar që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në drejtësi dhe në mekanizmat mbështetës që parashihen me ligj.

    “Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë transparencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional në ushtrimin e përgjegjësive të saj. Ky proces është pjesë e vizionit tonë për një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, ku të drejtat e viktimave mbrohen dhe garantohen në praktikë, jo vetëm në letër”, është shprehur ajo.

    Duke folur për rëndësinë e këtij hapi, Gërvalla-Schwarz ka nënvizuar se krijimi dhe funksionalizimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit kontribuon në ruajtjen e standardeve kushtetuese dhe në zbatimin e plotë të legjislacionit.

    “Ky veprim synon të ruajë standardet kushtetuese dhe të sigurojë zbatimin e mirëfilltë të së drejtës dhe ligjeve në fuqi. Përmes këtij komisioni, ne po forcojmë mekanizmat institucionalë që garantojnë trajtim të drejtë dhe mbështetje për viktimat e krimit, duke dëshmuar përkushtimin tonë për një sistem drejtësie që i shërben qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet”, ka përfunduar ministrja në detyrë e Drejtësisë.

    Emërimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

  • Taulant Balla takohet me Endrit Thaçin: Shpresoj që sot një muaj ta kemi edhe presidentin mes nesh

    Taulant Balla takohet me Endrit Thaçin: Shpresoj që sot një muaj ta kemi edhe presidentin mes nesh

    Deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, ka takuar Endrit Thaçin, të birin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Balla këtë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku ka shpresuar në lirimin e ish-presidentit gjatë muajit të ardhshëm, kur edhe pritet një verdikt nga Gjykata Speciale.

    “Një kafe sot në Tiranë me Endrit Hashim Thaçin, shpresoj shumë sot një muaj ta kemi edhe Presidentin Thaçi”, ka deklaruar Balla.

  • Katër raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar katër raste të dhunës në familje.

    Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Graqanicë dhe Pejë.

    Rastet e raportuara:

    Prishtinë / 23.06.2026 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se kishte sulmuar fizikisht viktimen femer kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Graqanicë 23.06.2026 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi qe dyshohet se deri sa ishte në gjendje të dehur kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 23.06.2026 – 12:30. Viktima femër kosovare raporton se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare.Pas intervistimit të palëve me vendim të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Pejë 23.06.2026 – 08:30. Është raportuar se ka ndodhur rasti I lartcekur ku i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka kanosur viktimat kosovarë dhe ka dëmtuar me thikë një derë dhe dritare të shtëpisë. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.

  • Qeveria në detyrë ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

    Qeveria në detyrë ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

    Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet do të shërbejnë për zbatimin e masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, duke filluar nga muaji korrik e tutje.

    “Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, tha ai.

    Në mbledhjen e Qeverisë, janë miratuar edhe 13 pika të rendit të ditës, përfshi shqyrtimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit për projektin e qasjes gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor, e edhe ndarje buxhetore për financimin e disa projekteve kapitale në jug të Mitrovicës, Shtime, Pejë dhe Podujevë.

  • Reagon Hykmete Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë

    Reagon Hykmete Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në parti dhe kërkesave për përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhje.

    Ajo tha se LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme dhe të reflektojë për rezultatet zgjedhore.

    “Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme. Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, ka shkruar ajo.

    Ajo ka përmendur edhe Kuvendin e fundit të LDK-së, duke theksuar se rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së kryetarit,.

    “Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim. Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme. Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”, tha ajo.

    Bajrami shtoi se LDK ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi.

    “Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”, ka shkruar ajo.

  • Shoqata “Çamëria”-Kosovë hap ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike për tragjedinë çame

    Shoqata “Çamëria”-Kosovë hap ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike për tragjedinë çame

    Shoqata “Çamëria”-Kosovë ka organizuar një ekspozitë me fotografi, dokumente dhe materiale historike që pasqyrojnë tragjedinë dhe vuajtjet e popullsisë shqiptare të Çamërisë.

    Ekspozita synon të kujtojë ngjarjet historike të spastrimit etnik dhe dëbimit të shqiptarëve çamë nga trojet e tyre, duke sjellë para publikut dëshmi, fotografi arkivore dhe dokumente që hedhin dritë mbi këtë periudhë të dhimbshme të historisë kombëtare.

    Organizatorët theksuan se ruajtja e kujtesës historike dhe informimi i brezave të rinj për çështjen çame mbetet një mision i rëndësishëm, ndërsa ekspozita shërben si një mundësi për reflektim dhe ndërgjegjësim mbi padrejtësitë e së kaluarës.

  • Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

    Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishin të nevojshme dhe se rezultati i tyre e dëshmon këtë, duke theksuar se qytetarët kanë folur sërish qartë.

    “Në të parën në të cilën po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë para se ato të ndodhnin. Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet dhe të respektohet”, ka thënë Kurti në mbledhjen e parë fizike të Qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme.

    Ai shtoi se pas certifikimit të rezultatit do të nisin punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

    “Andaj, porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, u shpreh ai.