ATV

Author: K.B.

  • Nesër nisin punimet në kyçjen e Mazgitit, priten kufizime në trafik

    Nesër nisin punimet në kyçjen e Mazgitit, priten kufizime në trafik

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër, më 25 qershor 2026, duke filluar nga ora 11:00, do të nisin punimet për sanimin e dëmtimeve në pjesën e kyçjes në Mazgit.

    Sipas njoftimit, punimet do të kryhen nga një operator ekonomik i kontraktuar nga ministria dhe kanë për qëllim riparimin e dëmtimeve në këtë segment rrugor.

    Për shkak të zhvillimit të punimeve, pritet që të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të përdorin rrugë alternative gjatë kohës së punimeve, me qëllim shmangien e vonesave dhe ngarkesës në trafik.

    Po ashtu, apelohet respektimi i sinjalizimit të përkohshëm rrugor dhe udhëzimeve të personelit në terren, për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

  • Haziri del me sqarim për deklaratën e tij: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente

    Haziri del me sqarim për deklaratën e tij: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dalë me një sqarim publik lidhur me interesimin e opinionit për qëndrimet e partisë rreth zhvillimeve politike dhe procesit paszgjedhor.

    Haziri ka theksuar se qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar sa i përket nominimit për president.

    “Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”, ka deklaruar Haziri.

    Ai shtoi se në kuadër të debatit paszgjedhor ka paraqitur vetëm parime gjithëpërfshirëse dhe modalitete për bashkëpunim të mundshëm politik, me qëllim të krijimit të stabilitetit institucional.

    “Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka thënë ai.

    Haziri ka potencuar gjithashtu se kryetari i partisë mbetet adresa kryesore për proceset e ardhshme politike.

    “Kryetari Lumir Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ai.

    Në fund, Haziri ka theksuar se çdo kërkesë politike do të trajtohet brenda strukturave të partisë, duke shtuar se demokracia nënkupton liri dhe pavarësi të Republikës.

    “Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka thënë Haziri.

    Sqarimi i tij vjen pas një deklratate të dhënë në REL, ku Haziri theksoi se LDK po kërkon postin e presidentit në kuadër të negociatave politike, ku si emra të mundshëm ka përmendur kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku dhe vetën.

    “Në rast se ky emër është Lumiri Abdixhiku, kryetar i partisë ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë”, theksoi Haziri më herët.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër. Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një gruaje të dyshuar për vjedhje

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një gruaje të dyshuar për vjedhje

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Policia ka publikuar fotografinë e gruas së dyshuar dhe ka bërë apel që kushdo që posedon informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij, të kontaktojë autoritetet.

    Qytetarët mund të lajmërojnë Policinë e Kosovës përmes numrit të telefonit 192 ose përmes adresës elektronike [email protected].

  • Çfarë ndodhi në mbledhjen e LDK-së në Lipjan? Grajqevci zbulon detaje të reja

    Çfarë ndodhi në mbledhjen e LDK-së në Lipjan? Grajqevci zbulon detaje të reja

    Armend Grajqevci nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në parti, duke sqaruar se kërkesa për dorëheqjen e Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga anëtarët e kryesisë apo kryetarët e nëndegëve, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes strukturave të partisë.

    Në reagimin e tij, Grajqevci ka theksuar se Imri Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

    Sipas tij, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Degës dhe të kryetarëve të nëndegëve, Ahmeti ka ofruar edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Lipjan, por kjo është refuzuar unanimisht me insistimin e të pranishmëve.

    “Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së”, ka deklaruar Grajqevci.

    Postimi i plotë:

    “Të nderuar miq, si anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Lipjan, ndjej obligim që kjo situatë të sqarohet.

    Si parti që në themelin e saj ka demokracinë, në mbledhjen e kryesisë së degës dhe të kryetarëve të nëndegëve u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Kërkesa për dorëheqjen e z. Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga këta anëtarë apo kryetarë nëndegësh, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes kësaj strukture.

    Kryetari Imri Ahmeti, siç e dini, ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të kryetarëve të nëndegëve, ai ofroi edhe mundësinë e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Degës, por kjo u refuzua unanimisht me insistimin e të pranishmëve.

    Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, Kryesia e Degës vlerësoi unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së.

    Andaj, kjo shtëpi e vjetër e demokracisë respekton fjalën e aktivistit dhe fjalën e votuesit të saj tradicional. Respektojeni edhe ju.”

  • Përplasjet e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së: Së shpejti do të mblidhen organet e partisë

    Përplasjet e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së: Së shpejti do të mblidhen organet e partisë

    Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ilir Ferati, ka thënë se së shpejti do të thirren mbledhje të organeve të partisë.

    Në një intervistë në FRONTAL ai ka thënë se do të ketë mbledhje të Kryesisë dhe Kolegjiumit të kryetarëve të Komunave, e ku do të mund të diskutohen të gjitha shqetësimet.

    “Shumë shpejt kanë me u thirrë organet e partisë, kryesia edhe pjesa tjetër e kolegjiumit të kryetarëve të Degëve ku është vendi me i shpreh këto qëndrime, e pastaj dalim me qëndrime për mediat dhe pjesën tjetër të strukturës”, ka thënë Ferati në FRONTAL.

  • Vetaksident në rrugën Pejë-Prishtinë, lëndohet një person

    Vetaksident në rrugën Pejë-Prishtinë, lëndohet një person

    Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur pasditen e së mërkurës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:40.

    “Sot rreth orës 14:40 është raportuar një vetaksident në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë. Si pasojë e aksidentit, një person ka marrë trajtim mjekësor”, deklaroi Krasniqi.

    Ajo shtoi se njësitet e trafikut rrugor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.

    “Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e hetuar rastin deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij vetaksidenti”, tha Krasniqi.

    Shkaqet që çuan deri te aksidenti nuk janë bërë ende të ditura.

  • “Shkova t’i kërkoj falje, më shkelën kokën me këmbë”, Cllevio zbulon prapaskenat e sherrit me Noizy-n

    “Shkova t’i kërkoj falje, më shkelën kokën me këmbë”, Cllevio zbulon prapaskenat e sherrit me Noizy-n

    Reperi i njohur Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si “Cllevio”, ka dëshmuar sërish në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut, në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO).

    Sipas dëshmisë që ka publikuar Klan News, ai ka sqaruar se “nuk ka asnjë lidhje me të pandehurit”. Ka veçuar Haxhiun, njëjtë si më herët, duke thënë se e ka pasur shok që fëmijë.

    “Jetoj në Lushnje dhe Laerti është jo më larg se 150 metra nga shtëpia ime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha, rrija në Lushnje. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë nuk e kam takuar fare. Kam ardhur nga SHBA në vitin 2013 dhe në vitin 2014 rashë në burg. Kam dalë në vitin 2020 dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin”, ka thënë Cllevio para hetuesve.

    Ndërsa për këngëtarin e famshëm Rigels Rajku, ose siç e njohim të gjithë Noizy, ka deklaruar se “ky i fundit ka nisur me sharjet, jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj një reperi tjetër”. Kështu, edhe për të marrë famë, ka argumentuar se i ka bërë diss-e.

    “Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 vitesh ia ktheva edhe unë me muzikë, duke e sharë Noizy-n. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në vitin 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova ta ngacmoja në mënyrë artistike, që quhet diss. Kur bëra këngën, u bëra i famshëm dhe kjo po më pëlqente.”

    Por pavarësisht përplasjeve mes tyre virtuale dhe jo vetëm, ka rrëfyer se në një moment i ka kërkuar falje. Akt, që siç tregon Cllevio, përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme për të.

    “Një ditë i thashë vetes: boll me diss dhe shkova t’i kërkoja falje. Atë ditë ishte i shoqëruar në Durrës. Kur shkova te lokali “Zins” në Currila, parkova dhe u thashë shokëve të mos dilnin nga makina. Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe rreth 12 veta të tjerë. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe më pas u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.”

    “Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin live, ku thoja se po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali, ishte një roje. I thashë: “Ma thirr Noizyn”. Ai erdhi për rreth 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh personat që e shoqëronin Noizy-n. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më goditi me grusht. Më pas më goditën edhe 6-8 veta të tjerë. Në sherr u përfshinë edhe dy shokët e mi, ku njërit iu thyen dhëmbët. Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe në brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklarim kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër e familjes ishte në Amerikë. Ngjarja është dokumentuar me pamje filmike dhe aty shihet se më godasin. Nuk kam menduar të hakmerrem ndaj Noizy-t”, ka shtuar reperi.

    Sa i takon shpërthimit në lokalin e Noizy-t, ka thënë se e ka marrë vesh nga shokët e burgut.

    “Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, pasi isha në burg. E mendova me vete se kush mund ta kishte bërë dhe mendova se mund ta kishte bërë “Baba”. Nuk më ka ardhur asnjë fjalë që Laerti ta ketë bërë këtë gjë”, ka përfunduar ai.

  • Drama në LDK, hipoteza e Blerim Latifit: Duket se kjo parti po i afrohet fundit të ekzistencës

    Drama në LDK, hipoteza e Blerim Latifit: Duket se kjo parti po i afrohet fundit të ekzistencës

    Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku, dy degë të këtij subjekti kanë kërkuar dorëheqjen e kryetar Lumir Abdixhiku.

    Latifi, në reagimin e tij, ka shtruar ‘’një hipotezë’’, duke thënë se, duket që, LDK’ja po ‘’afrohet fundit të ekzistencës së saj historike’’.

    ‘’Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit’’, ka shkruar mes tjerash ai.

    Postimi:

    Dua të jem i qartë që në fillim: mendimi im i mëposhtëm nuk shpreh dëshirat e mia, por vetëm një vëzhgim krejt neutral. Ose thënë me gjuhën filozofike: një hipotezë.

    Më duket se LDK-ja po i afrohet fundit të ekzistencës së saj historike.

    Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit.

    Partitë politike historike jetojnë për aq kohë sa arrijnë ta lidhin të kaluarën me të ardhmen. Ato vdesin kur kjo lidhje këputet. Kur kujtesa shndërrohet në një arkiv të nostalgjisë, por pushon së qeni burim frymëzimi e shprese, atëherë fillon procesi i tretjes historike.

    Kam përshtypjen se pikërisht këtë proces po e përjeton sot LDK-ja. Mund të gaboj, sepse historia na mëson për raste të shumta rikthimesh të papritura dhe ringjalljesh që duken të pamundura. Por, për momentin, nuk më duket se po shohim thjesht një krizë të radhës, por simptomat e një fundi të ngadaltë historik.

  • Kosova nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës përmes pullave postare

    Kosova nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës përmes pullave postare

    Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim një emision të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një nga jubileet më të rëndësishme në historinë moderne të demokracisë.

    Ky emision filatelik është realizuar në shenjë respekti dhe vlerësimi për shpalljen e pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776, një ngjarje që shënoi fillimin e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, vetëvendosjes dhe demokracisë.

    Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare që shënojnë dy shekuj e gjysmë nga kjo ngjarje historike.

    Në njoftimin e saj, Posta e Kosovës vlerëson kontributin historik të SHBA-së në promovimin e paqes, lirisë dhe zhvillimit demokratik në botë, duke theksuar gjithashtu marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Emisioni përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale prej 2.10 euro, e vendosur në një tabak të dizajnuar me katër pulla, si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë. Ky i fundit, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë, përbën një koleksion të veçantë për filatelistët dhe dashamirët e historisë postare.

    Me këtë emision përkujtimor, Posta e Kosovës nderon idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, vlera që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë dhe që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

  • Netanyahu përfundon dëshminë në gjyqin për korrupsion pas 98 seancash

    Netanyahu përfundon dëshminë në gjyqin për korrupsion pas 98 seancash

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dëshmuar për herë të fundit në gjyqin ndaj tij, duke përmbyllur marrjen në pyetje dhe kundërpyetjet në 98 seanca dëgjimore lidhur me tre çështjet e korrupsionit për të cilat po gjykohet.

    Dita e parë e dëshmisë së Netanyahut ishte më 10 dhjetor 2024, por procesi u shty vazhdimisht për shkak të problemeve shëndetësore, udhëtimeve diplomatike jashtë vendit dhe kërkesave të shumta për anulimin ose shkurtimin e seancave për shkak të çështjeve urgjente të sigurisë dhe diplomacisë që kërkonin vëmendjen e kryeministrit.

    Në përfundim të dëshmisë së tij, Netanyahu sulmoi ashpër prokurorët, raporton timesofisrael.

    “Qëllimi ishte të kontrollonin gjithçka me imtësi, të gjenin diçka; por nuk gjetën asgjë. Morën në pyetje të gjithë të afërmit dhe familjarët e mi, me metoda hetimi të pabesueshme. Shkatërruan familje. Ata nuk po kërkonin një krim, po kërkonin një person dhe nuk gjetën asgjë”, citohet të ketë thënë Netanyahu sipas Channel 13.

    Netanyahu akuzohet për tri vepra mashtrimi dhe shpërdorimi të besimit në çështjet 1000, 2000 dhe 4000, si dhe për një akuzë për marrje ryshfeti në formën e mbulimit pozitiv mediatik në çështjen 4000.

    Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë edhe për disa muaj të tjerë, ndërsa dëshmitarët e mbetur do të japin dëshmitë e tyre.

    Seancat për dëshminë e Netanyahut u zhvilluan në Gjykatën e Qarkut në Tel Aviv, pasi Gjykata e Qarkut në Jerusalem nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për kryeministrin. Tashmë procesi do të rikthehet në Jerusalem.