ATV

Author: K.B.

  • Tragjedia në Kavajë ku vëllai vrau vëllanë: Dyshohet se gjithçka nisi për rrugë

    Tragjedia në Kavajë ku vëllai vrau vëllanë: Dyshohet se gjithçka nisi për rrugë

    Pas krimit të rëndë në një familje në Kavajë, ku një person vrau vëllanë e tij, tashmë janë zbardhur detaje të reja.

    Bazuar në raportimet e mediave shqiptare, autori i dyshuar është Muhamet Rreshka, 76 vjeç, i cili ka therur për vdekje vëllanë Eqrem Rreshka, 74 vjeç.

    Sipas raportimeve të Euronews.al, 74-vjeçari kishte shkuar në arë për të marrë dengje bari me zetor (traktor). Pasi kishte ngarkuar bazën ushqimore për blegtorinë, ai ishte nisur për t’u kthyer, por gjatë rrugës është përballur me vëllanë e tij më të madh.

    Sipas burimeve të Euronews.al, mes dy vëllezërve ka nisur një debat pasi 76-vjeçari i kishte kërkuar vëllait të mos kalonte në atë segment rruge. Raportohet se gjatë përplasjes, 74-vjeçari e ka shtyrë të vëllanë me zetor, çka ka përshkallëzuar konfliktin.

    Pas debatit verbal, 76-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllanë e tij disa tri ose katër herë. I plagosuri u transportua menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

    Siç raportohet në media, autori i dyshuar ka shfaqur pendesë pas ngjarjes. Mësohet gjithashtu se 76-vjeçari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit Agonas.

    Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

  • Çfarë dihet deri tani për tërmetin më të madh në Venezuelë në më shumë se një shekull

    Çfarë dihet deri tani për tërmetin më të madh në Venezuelë në më shumë se një shekull

    Venezuela u godit të mërkurën në mbrëmje nga dy tërmete njëri pas tjetrit – i dyti prej tyre, me magnitudë 7.5, është tërmeti më i madh që ka goditur vendin në më shumë se një shekull.

    Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 700 janë lënduar, ndërsa presidentja në detyrë Delcy Rodriguez tha se numri i viktimave pritet të rritet.

    Shkalla e plotë e dëmeve po bëhet e qartë ngadalë, ndërsa po publikohen video të ndërtesave të shembura, njerëzve që po shpëtohen nga rrënojat dhe të mbijetuarve që përshkruajnë arratisjet e tyre të tmerrshme.

    CNN shkruan se çfarë dihet deri tash:

    Dy tërmete: Tërmetet ndodhën brenda një minute nga njëri-tjetri në bregdetin verior të Venezuelës. I pari kishte magnitudë 7.2. Ishte ditë feste zyrtare, ndaj shumë njerëz ndodheshin në shtëpi. Tërmeti u ndje në të gjithë vendin, si dhe në pjesë të tjera të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë. Sipas Qendrave Amerikane të Paralajmërimit për Cunami, nuk ka më rrezik për cunami.

    Dëmet: Sipas Rodriguez, ndërtesa janë raportuar të shembura në mbarë vendin, nga kryeqyteti Karakas deri te qyteti bregdetar Catia La Mar. Deri tani, shteti bregdetar La Guaira ka qenë zona më e goditur, sipas presidentit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës.

    Venezuelasit e tmerruar: Video të lokalizuara gjeografikisht dhe të verifikuara nga CNN tregojnë banorë që evakuphej me shpejtësi nga shtëpitë e tyre, vrapojnë në rrugë dhe mblidhen me familjet dhe kafshët e tyre shtëpiake. Një video e shpërndarë nga një ish-ligjvënës në aeroportin ndërkombëtar pranë Karakasit tregonte njerëz duke vrapuar, ndërsa disa zona brenda aeroportit ishin të mbuluara me rrënoja dhe pluhur.

    Bilanci i viktimave: Ekspertët i thanë CNN-it se disa faktorë mund të çojnë në një numër të lartë viktimash dhe dëme të mëdha – afërsia e tërmetit me zonat e banuara dhe prania e shumë ndërtesave të vjetra në Venezuelë.

    Përgjigjja: Rodriguez shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe krijimin e një force të posaçme për kërkim-shpëtim. Mësimi në shkolla është pezulluar në të gjithë vendin për një javë, ndërsa shërbimet hekurudhore dhe aktivitetet jo thelbësore janë anuluar përkohësisht. Aeroporti ndërkombëtar i Karakasit mbetet përkohësisht i mbyllur. Qindra persona, përfshirë forcat venezueliane të sigurisë, ndodhen tashmë në terren duke iu përgjigjur krizës.

    Reagimi ndërkombëtar: Presidenti amerikan Donald Trump tha se Washingtoni “është i gatshëm, i vendosur dhe në gjendje të ndihmojë”, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se SHBA po “dërgon menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare në Venezuelë”. Edhe disa vende të tjera, përfshirë Kolumbinë, Meksikën, Perunë, Argjentinën, Turqinë dhe Panamanë, kanë shprehur ngushëllime dhe kanë ofruar ndihmë.

  • Konflikti në Lipjan: 15 të arrestuar – 11 kërkojnë ndihmë mjekësore

    Konflikti në Lipjan: 15 të arrestuar – 11 kërkojnë ndihmë mjekësore

    Një përleshje mes disa personave në Lipjan, ka rezultuar me 11 të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

    Sipas të dhënave të policisë, 15 persona janë arrestuar, ku dhjetë nga ta janë dërguar në mbajtje.

    “Janë arrestuar 15 persona pasi që dyshohet se, të njëjtit pas një mosmarrëveshje rreth një prone janë rrahur mes vete. Lëndime trupore kanë pësuar 11 persona të cilët kane pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit 10 nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Helmohen sërish nga ushqimi 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri

    Helmohen sërish nga ushqimi 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri

    Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, vetëm pak javë pas incidentit të ngjashëm të regjistruar në këtë institucion.

    Burime të A2CNN bëjnë me dije se mbrëmjen e së mërkurës, kursantët kanë shfaqur simptoma të tilla si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.

    Disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar me serum.

    Sipas të njëjtave burime, simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, ku në menu kanë qenë salçiçe, fasule dhe kos.

    Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë ushqimore në Akademinë e Sigurisë, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar të helmimit brenda një periudhe të shkurtër kohore.

    Më 7 maj, 56 kursantë të kësaj akademie u paraqitën me simptoma të ngjashme, në një ngjarje që u hetua nga autoritetet përkatëse./A2NN

  • Çmimi i derivateve në Kosovë: Nafta bie, benzina rritet

    Çmimi i derivateve në Kosovë: Nafta bie, benzina rritet

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimoren e re për derivatet, e cila vlen për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.36 euro për litër, një cent më lirë se një ditë më parë.

    Ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.35 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është caktuar i njëjtë sikur ditën paraprake, për 0.67 euro për litër.

  • BDI të premten protesta në sheshin “Iliria” në Tetovë

    BDI të premten protesta në sheshin “Iliria” në Tetovë

    Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi, njofton se në mbledhjen e strukturave që kanë pasur sonte, kanë sjellë vendim që të premten të dalin në protestë në sheshin Iliria.

    Rexhepi në një postim në Facebook shkruan se Komuna e Tetovës është bashkautore në lidhje me anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve.

    “Sot, në mbledhjen e strukturave partiake të BDI – Dega Tetovë, në prani të liderit Ali Ahmeti, u vendos qartë: Tetova nuk do të heshtë përballë këtij akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të saj. Pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës sonë për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dëshmohet se për gati një vit Komuna katër herë nuk i është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se kjo nuk është pakujdesi, por bashkëautorësi”.

    “Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”.

    “Të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, ftojmë çdo qytetar, çdo intelektual, çdo zë të lirë dhe çdo atdhetar, pa dallim bindjeje politike, të bashkohet në Marshin Protestues. Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!”, ka shkruar Rexhepi.

  • Shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica” në veri, katër persona shoqërohen në polici

    Shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica” në veri, katër persona shoqërohen në polici

    Katër persona janë shoqëruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se kanë tentuar të shkruajnë grafite në një mural në sheshin e këtij qyteti.

    Të njëjtit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

    Sipas tij, personat janë ndaluar pasi në një mural në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit kishin shkruar disa mbishkrime si “Kosovska Mitrovica”, “Millan”, “Luka”, “Petar Pavle” dhe të tjera.

    Elshani ka bërë të ditur se për njërin prej tyre është shqiptuar gjobë për vandalizëm, pasi kishte shkruar mbishkrimin “Kosovoska Mitrovica”.

    “Kanë qenë duke u përgatitur për ta bërë një mural. I kemi sjellë në stacion të Policisë. Njërit ia kemi shqiptuar një tiketë për vandalizëm për shkak të mbishkrimit ‘Kosovoska Mitrovica’”, ka deklaruar Elshani për Telegrafin.

    Ai shtoi se çfardo vendimi i kuvendit komunal apo i kryetarit të Komunës që mund të shkaktoj dyshime tek ne se ekzekutimi i tij mund të shkaktoj prishje të rendit dhe qetësis publike atëhere ne si Polici e Kosovës e dërgojm në MAPL për interpretim para se vendimi të mund të ekzekutohet.

    Sipas tij, asnjë aktivitet i tillë nuk mund të realizohet pa miratimin e institucioneve kompetente.

  • VV pranon president konsensual, Nagavci: Nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër

    VV pranon president konsensual, Nagavci: Nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të diskutojë për një president konsensual dhe jopartiak, por ka theksuar se aktualisht nuk mund të flasë për një marrëveshje konkrete qeverisëse me ndonjë subjekt tjetër politik.

    Në Debat Plus në RTV Dukagjini, Nagavci ka bërë të ditur se LVV-ja mbetet e hapur për dakordim rreth emrit të presidentit, nëse kjo do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik dhe institucional.

    Ajo ka theksuar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim dhe mbështetje më të gjerë politike.

    “Sot është e gatshme që të bisedoj shumë seriozisht, LVV sot në këtë moment që po flasim dhe është mendim i imi dhe jemi të gatshëm dhe të interesuar që të dakordohemi për një emër konsensual jopartiak për president apo presidente të Kosovës. Sepse praktika po na dëshmon çdo ditë që se kandidatët partiak nuk janë shembulli më i mirë… për shkak edhe të rolit unifikues që duhet të ketë”, ka deklaruar ajo.

    Megjithatë, e pyetur për mundësinë e një koalicioni me ndonjë parti tjetër, Nagavci ka deklaruar se në këtë fazë nuk mund të japë garanci për një marrëveshje të tillë.

    Sipas saj, prioritet mbetet krijimi i institucioneve dhe gjetja e zgjidhjeve që sigurojnë stabilitet politik, ndërsa diskutimet me subjektet e tjera politike vazhdojnë.

    “Kjo është çështje që nuk mund t’i përgjigjemi sot. I kemi numrat e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë. Gjithsesi, unë nuk mund të them sot që do të qeverisim me një parti tjetër”, deklaroi ajo.

    Deklaratat e Nagavcit vijnë në kohën kur skena politike vazhdon të përballet me diskutime rreth formimit të institucioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje për postin e presidentit.

  • Begaj reagon për herë të parë për protestën në Tiranë: Qytetarët po i shprehin në mënyrë paqësore shqetësimet

    Begaj reagon për herë të parë për protestën në Tiranë: Qytetarët po i shprehin në mënyrë paqësore shqetësimet

    Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për protestën qytetare, duke deklaruar se po shprehin shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore.

    Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se “e drejta për t’u shprehur në pajtim me Kushtetutën është vlerë e mbrojtur”.

    “Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

    Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.

    Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit.

    Të nderuar pjesëmarrës, Ky jubile na fton të mendojmë për rëndësinë që administrata publike ka për qytetarët.
    Të kërkojmë më shumë nga vetja! Të kërkojmë më shumë dhe nga njerëzit e shërbimit publik. Të rrisim cilësinë, sepse duke rritur cilësinë të forcojmë besimin!”, tha Begaj./TCH

  • Specialja ia rrëzon Haxhi Shalës kërkesën për pushim në Shqipëri

    Specialja ia rrëzon Haxhi Shalës kërkesën për pushim në Shqipëri

    Gjykata Speciale i ka rrëzuar kërkesën e Haxhi Shalës për të udhëtuar drejt Shqipërisë për një pushim të shkurtër, duke vlerësuar se një lëvizje e tillë bie ndesh me kushtet e lirimit me kusht.

    Sipas vendimit të Kryetares Trendafilova, kërkesa për udhëtim është refuzuar me arsyetimin se bie ndesh me kushtet e dënimit dhe lirimit me kusht.

    “Ky udhëtim bie ndesh thelbësisht me dënimin e dhënë dhe lirimi me kusht nuk mund të ndryshohet, nëse nuk është për arsye bindëse ligjore apo humanitare”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

    Në të njëjtën kohë, gjykata ka miratuar kërkesën e tij për rinovimin e letërnjoftimit dhe dokumenteve të udhëtimit.

    Haxhi Shala është liruar me kusht më 2 shkurt 2026, ndërsa dënimi i tij pritet të përfundojë më 11 dhjetor 2026.