ATV

Author: K.B.

  • KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare sapo të përfundojë shqyrtimi i ankesave

    KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare sapo të përfundojë shqyrtimi i ankesave

    Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se institucioni është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

    Elezi tha se KQZ-ja do të vlerësojë nëse vendimet për ankesat përmbajnë obligime konkrete që duhet të zbatohen nga ky institucion.

    “KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”.

    Sipas tij, nëse vendimet nuk përmbajnë kërkesa të tilla, KQZ-ja është e gatshme që menjëherë pas plotfuqishmërisë së tyre të shpallë rezultatet përfundimtare.

    “Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotëfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”.

    Ai theksoi se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton edhe përmbylljen e procesit zgjedhor, pasi subjektet politike dhe palët e përfshira kanë të drejtë të paraqesin ankesa edhe ndaj këtyre rezultateve.

    “Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyllë procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”.

  • Gjykata Speciale: Aktualisht s’ka vendim të ri për shtyrje të aktgjykimit

    Gjykata Speciale: Aktualisht s’ka vendim të ri për shtyrje të aktgjykimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës muaj më parë kanë njoftuar se Trupi Gjykues e ka zgjatur afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026, ndërsa kanë lënë të hapur mundësinë e një shtyrjeje tjetër vetëm nëse kjo konsiderohet “absolutisht e nevojshme”.

    Në një përgjigje për lajmi.net, lidhur me afatin e nxjerrjes së vendimit, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik.

    “Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.

    Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.

    Gjykata ka theksuar se vendimi për një afat shtesë mbetet në diskrecionin e Trupit Gjykues, i cili vlerëson nëse rrethanat e rastit e bëjnë të domosdoshme një masë të tillë.

    “Nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

    Aktualisht, nuk ka asnjë vendim të ri për shtyrje përtej datës 20 korrik 2026. Kjo do të thotë se, bazuar në informacionet e deritanishme, aktgjykimi pritet të shpallet brenda afatit të përcaktuar, përveç nëse Trupi Gjykues vendos ndryshe në ditët ose javët në vijim.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas aktakuzës dyshohet se janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë pasur përgjegjësi në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, përmes së cilës janë kryer ndalime arbitrare, keqtrajtime, tortura, zhdukje me forcë dhe vrasje të personave që konsideroheshin kundërshtarë politikë, bashkëpunëtorë ose persona të dyshuar për mosmbështetje të UÇK-së.

    Të katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Mbrojtja ka argumentuar gjatë gjithë procesit se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, ndërsa ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për përgjegjësi penale individuale të të akuzuarve.

    Procesi gjyqësor nisi në prill 2023 dhe konsiderohet një nga rastet më të mëdha që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria, Mbrojtja dhe përfaqësuesit e viktimave, Trupi Gjykues është në fazën e përgatitjes së aktgjykimit, që pritet të shpallet gjatë këtij muaji.

  • Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e një veture në Prizren, automjeti i kthehet pronarit

    Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e një veture në Prizren, automjeti i kthehet pronarit

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhjen e një veture në Prizren, pas hetimeve që kanë çuar në identifikimin e tij.

    Sipas policisë, rasti i vjedhjes së veturës ishte raportuar më 17 qershor 2026. Pas veprimeve hetimore të zhvilluara nga ekipet policore, më 24 qershor është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa vetura e vjedhur i është kthyer pronarit të saj.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Talibanët e zbatojnë bartjen e “hixhabit të duhur” duke i arrestuar dhe rrahur gratë

    Talibanët e zbatojnë bartjen e “hixhabit të duhur” duke i arrestuar dhe rrahur gratë

    Frika e ka kapluar qytetin e tretë më të madh të Afganistanit së fundi, sepse Qeveria talibane po e zbaton me dhunë një kod më të rreptë veshjeje për gratë.

    Anëtarët e policisë famëkeqe të talibanëve, e ashtuquajtura policia e moralit, kanë arrestuar dhe madje kanë rrahur publikisht gra në qytetin perëndimor të Heratit, duke i akuzuar ato për shkeljen e një urdhri të ri të lëshuar në fillim të qershorit.

    Ky urdhër ua ndalon grave të shfaqen në publik pa atë që grupi islamist i linjës së ashpër e përshkruan si“hixhab i duhur”. Gratë që nuk e përfillin këtë urdhër, përfshirë ato që e shfaqin fytyrën ose mbajnë makijazh, do të përballen me masa ndëshkuese, thuhet në direktivë.

    “Gratë në Herat tashmë mbanin hixhab”, tha një grua në qytet për RadionAzadi të Radios Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar shamisë islame që mbulon kokën dhe qafën.

    Gruaja, e cila kërkoi të mbetet anonime nga frika e hakmarrjes, shtoi: “Por, tani talibanët kërkojnë që gratë të mbajnë edhe maskë për fytyrën dhe ta mbulojnë fytyrën plotësisht”.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, forcat e sigurisë së talibanëve arrestuan të paktën 30 gra gjatë javës së parë të urdhrit.

    Kufizimet çuan në protesta të rralla publike në Herat më 9 qershor, të cilat u shpërndanë me dhunë nga forcat talibane. Të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën gjatë demonstratës, sipas OKB-së.

    Goditje në kokë me kondakun e pushkës

    Zbatimi i dhunshëm i kodit të veshjes nga talibanët ka rritur frikën dhe pasigurinë mes grave në Herat.

    Disa kanë aq shumë frikë saqë nuk guxojnë as të dalin nga shtëpitë, ndërsa ato që dalin përballen me zemërimin e grupit ekstremist.

    Anëtarët e policisë së moralit të talibanëve ndalojnë dhe kontrollojnë rregullisht gratë në rrugë, tregje dhe në hyrjet e ndërtesave publike, thanë disa gra për REL-it.

    “Edhe ato që janë të mbuluara siç duhet ndalohen nganjëherë dhe merren në pyetje”, tha një grua nga Herati për Radion Azadi të REL-it.

    Një grua tjetër në qytet tha se talibanët përdorin klerikë nëpër xhami për t’i përhapur mesazhet e tyre.

    “Në një urdhër thuhej se janë vendosur oficere gra për t’i ndaluar ato që nuk binden”, tha ajo. “Dhe, paralajmërohej se nëse anëtarët e familjes ose të tjerë përpiqen të ndërhyjnë, edhe ata do të arrestohen”.

    Grupi i ka zbatuar këto kërcënime.

    Në zonën JadaeAbresham të Heratit, policia e moralit e talibanëve ndaloi së fundmi një grua në rrugë. Kur të afërmit e saj u përpoqën të ndërhynin, edhe ata u ndaluan, tha një dëshmitar për Radion Azadi.

    Në Kvaja Kalla, një zonë tjetër e qytetit, talibanët u përpoqën t’i ndalonin dy vajza të reja edhe pse ato mbanin hixhab, tha një dëshmitar.

    “Kur njëra prej grave kundërshtoi, oficerët e goditën në kokë me kondakun e një pushke, duke i shkaktuar gjakderdhje. Ajo u dërgua në një spital aty pranë, por policia e moralit e ndoqi brenda dhe urdhëroi mjekët të mos e trajtonin”, tha dëshmitari për REL-in.

    “Më pas, oficerët e morën me vete derisa ajo ende po gjakosej”, tregoi ai.

    Banorët thonë se Herati, një qytet me rreth 1 milion banorë pranë kufirit me Iranin, është bërë i heshtur sepse gjithnjë e më shumë gra qëndrojnë brenda nëpër shtëpitë e veta.

    “Këto janë ditë tepër të vështira për gratë dhe vajzat në Herat”, tha një grua tjetër. “Qyteti ka rënë në heshtje. Vajzat e reja kanë shumë frikë të dalin nga shtëpitë e tyre”.

    Një version ekstrem i islamit

    Gratë kanë bartur barrën më të madhe të përpjekjeve të talibanëve për ta zbatuar me forcë versionin e tyre ekstrem të Islamit në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

    Grupi pothuajse i ka fshirë gratë nga jeta publike dhe ka vendosur kufizime të rënda mbi pamjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe studiuar.

    Si talibanët censurojnë jetën e afganëve?

    Në vitin 2024, talibanët miratuan një ligj mbi moralin që kërkon që gratë të mbulojnë plotësisht fytyrën dhe trupin kur ndodhen në publik. Megjithatë, zbatimi i ligjeve të grupit ka qenë i çrregullt dhe i pabarabartë në të gjithë vendin me rreth 40 milionë banorë, duke e lënë shpesh në dorën drejtuesve lokalë talibanë të vendosin.

    Shumë gra afgane mbajnë hixhab. Përveç kësaj, disa gra mbajnë maskë për fytyrën për të fshehur hundën dhe gojën.

    Gra të tjera veshin burka ose abaja islame dhe nikab, që mbulojnë flokët, trupin dhe pjesën më të madhe të fytyrës. Kjo e fundit është e zakonshme në vendet arabe të Gjirit Persik.

    Gratë afgane, veçanërisht ato në zonat urbane, e konsiderojnë burkën dhe nikabin si elemente të huaja për kulturën afgane.

    Para rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, shumë gra mbanin shamia të lirshme që mbulonin vetëm flokët e tyre. /REL

  • KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e Termocentralit Kosova B

    KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e Termocentralit Kosova B

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar dhënien e kontratës për realizimin e punëve që kanë të bëjnë me demontimin, furnizimin, montimin, lëshimin në punë dhe komisionimin e sistemit të monitorimit të vibrimeve, zgjatjeve diferenciale, zhvendosjeve aksiale dhe zhvendosjes absolute në Bllokun B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B.

    Sipas njoftimit zyrtar, vlera e përgjithshme e kontratës është 265,712.40 euro, ndërsa në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë.

    Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Bionics Sh.P.K. dhe TURBOCOM d.o.o., me adresë në Prishtinë.

    Data e dhënies së kontratës është 17 qershor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 24 qershor 2026.

    Sipas dokumentit, kontrata nuk parashihet të nënkontraktohet.

    Projekti synon avancimin e sistemit të monitorimit dhe kontrollit të pajisjeve në njësitë prodhuese të Termocentralit Kosova B, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit operacional të tyre.

    Njoftimi është publikuar nga KEK në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

  • Himni që nuk këndohet: Pse i Kosovës, i Bosnjës dhe i Spanjës nuk ka tekst?

    Himni që nuk këndohet: Pse i Kosovës, i Bosnjës dhe i Spanjës nuk ka tekst?

    Kur këndohet himni i Bosnje e Hercegovinës, lojtarët shpesh qëndrojnë në heshtje, jo në shenjë proteste, por sepse himni nuk ka tekst.

    Arsyeja lidhet me ndarjet politike dhe etnike të pasluftës. Por, Bosnja nuk është rasti i vetëm në rajon: edhe Kosova, që nga shpallja e pavarësisë më 2008, ka një himn zyrtar pa fjalë, të zgjedhur si simbol i karakterit shumetnik të shtetit.

    Në Evropë, edhe Spanja është ndër vendet e pakta me himn instrumental. Por, ndryshe nga Kosova dhe Bosnja, rasti i saj lidhet më shumë me historinë e himnit sesa me ndarjet e brendshme politike.

  • Pesë persona përfshihen në një rrahje në aeroportin “Adem Jashari”, dërgohen në mbajtje

    Pesë persona përfshihen në një rrahje në aeroportin “Adem Jashari”, dërgohen në mbajtje

    Pesë persona pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete në aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:30.

    “ANP ‘Adem Jashari’ 24.06.2026-20:30. Raportohet se pas një mosmarrëveshje pesë të dyshuar meshkuj kosovare janë rrahur në mes veti. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Bie nga një lartësi në Fushë në Kosovë, ndërron jetë një person

    Bie nga një lartësi në Fushë në Kosovë, ndërron jetë një person

    Një person ka ndërruar pasi në rrethana të panjohura ka rënë nga një lartësi.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 15:32, në Fushë Kosovë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Fushë Kosovë 24.06.2026 – 15:32. Raportohet se në rrethana të pa njohura nga një lartesi ka rene viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Çfarë i duhet çdo skuadre për të arritur në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026?

    Çfarë i duhet çdo skuadre për të arritur në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026?

    Me raundin e fundit të ndeshjeve në fazën e grupeve tashmë në zhvillim, panorama e fazës nokaut të Kupës së Botës 2026 po bëhet gjithnjë e më e qartë.

    Megjithatë, me 48 skuadra pjesëmarrëse dhe 32 vende të disponueshme në fazën eliminatore, llogaritë mbeten të ndërlikuara.

    Përveç dy vendeve të para në secilin grup, në fazën tjetër do të avancojnë edhe tetë kombëtaret më të mira që e mbyllin grupin në vendin e tretë.

    Aktualisht, disa skuadra kanë siguruar tashmë kualifikimin, ndërsa të tjera do të vendosin gjithçka në ndeshjet e fundit.

    Si funksionon kualifikimi?

    Dy skuadrat e para nga secili prej 12 grupeve kalojnë automatikisht në fazën e 1/32-ave.

    Tetë vendet e mbetura plotësohen nga tetë ekipet më të mira të renditura të tretat.

    Në rast barazimi me pikë, kriteri i parë është përballja direkte.

    Më pas llogariten diferenca e golave, golat e shënuar, rekordi disiplinor dhe në fund renditja e FIFA-s.

    Grupi A

    Meksika ka siguruar vendin e parë me tri fitore në po aq ndeshje.

    Afrika e Jugut mposhti Korenë e Jugut dhe siguroi vendin e dytë, duke arritur për herë të parë në fazën nokaut.

    Koreja e Jugut e mbylli grupin e treta me tri pikë dhe pret rezultatet e grupeve të tjera.

    Çekia eliminohet si e fundit.

    Grupi B

    Zvicra fitoi grupin me shtatë pikë.

    Kanadaja u rendit e dyta dhe siguroi kualifikimin.

    Bosnja dhe Hercegovina përfundoi e treta me katër pikë dhe tashmë ka siguruar kalimin si një nga vendet e treta më të mira.

    Katari eliminohet.

    Grupi C

    Brazili kryeson grupin falë fitores 3-0 ndaj Skocisë.

    Maroku siguroi vendin e dytë pas triumfit 4-2 ndaj Haitit.

    Skocia mbetet në pritje me tri pikë dhe golavarazh -3.

    Sipas parashikimeve të Opta-s, shanset e saj për kualifikim janë rreth 38%.

    Haiti eliminohet pa asnjë pikë.

    Grupi D

    Shtetet e Bashkuara kanë siguruar vendin e parë.

    Australia dhe Paraguai përballen direkt për vendin e dytë.

    Australianëve u mjafton një barazim, ndërsa Paraguait i duhet fitore.

    Turqia është eliminuar.

    Gjermania ka fituar grupin.

    Bregu i Fildishtë kualifikohet me një barazim ndaj Curacaos.

    Ekuadori duhet të mposhtë Gjermaninë dhe të shpresojë në humbjen e Bregut të Fildishtë.

    Curaçao mund të kalojë nëse fiton dhe Ekuadori nuk fiton.

    Grupi F

    Holanda ka siguruar minimalisht vendin e dytë.

    Japonisë i duhet një pikë ndaj Suedisë për të kaluar automatikisht.

    Suedia duhet të fitojë për të siguruar një nga dy vendet e para.

    Tunizia është eliminuar.

    Grupi G

    Egjipti kualifikohet nëse nuk humbet ndaj Iranit.

    Irani siguron kalimin me fitore.

    Belgjika kalon nëse mposht Zelandën e Re.

    Zelanda e Re duhet të fitojë dhe të shpresojë në një rezultat të favorshëm nga ndeshja Egjipt-Iran.

    Grupi H

    Spanja siguron kualifikimin me një barazim ndaj Uruguait.

    Uruguai kalon nëse fiton.

    Kepi i Gjelbër hyn në dy vendet e para nëse mposht Arabinë Saudite.

    Arabia Saudite duhet të fitojë dhe të shpresojë që Spanja të mos humbasë.

    Grupi I

    Franca dhe Norvegjia kanë siguruar tashmë kualifikimin dhe do të luftojnë vetëm për vendin e parë.

    Senegali dhe Iraku mund të shpresojnë vetëm te një vend si të tretët më të mirë.

    Grupi J

    Argjentina ka fituar grupin.

    Austria dhe Algjeria përballen direkt për vendin e dytë.

    Austrisë i mjafton barazimi, ndërsa Algjerisë i duhet fitore.

    Jordania eliminohet.

    Grupi K

    Kolumbia ka siguruar një vend në fazën nokaut.

    Portugalia ka nevojë për fitore ndaj Kolumbisë për të marrë kreun e grupit.

    RD Kongo mund të arrijë vendin e dytë vetëm me fitore të thellë dhe kombinim rezultatesh.

    Uzbekistani mund të përfundojë vetëm i treti.

    Grupi L

    Anglia kryeson grupin dhe përballet me Panamanë.

    Gana siguron një vend në dyshen e parë nëse fiton ose barazon ndaj Kroacisë.

    Kroacia duhet të fitojë për të siguruar kualifikimin direkt.

    Panamaja është eliminuar.

    Si kualifikohen skuadrat e vendeve të treta?

    Tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë do të avancojnë në fazën e 1/32-ave.

    Renditja përcaktohet sipas:

    Pikëve të fituara.

    Diferencës së golave.

    Golave të shënuar.

    Rekordit disiplinor.

    Renditjes së FIFA-s.

    Ndërsa ndeshjet e fundit po afrohen, shumë kombëtare ende nuk e kanë të sigurt fatin e tyre.

    Disa kërkojnë vetëm një pikë për të vazhduar rrugëtimin, ndërsa të tjera janë të detyruara të fitojnë për të mbajtur gjallë ëndrrën e Kupës së Botës 2026.

  • Mosmarrëveshja në çift në Ferizaj: Burri e bën gruan për spital

    Mosmarrëveshja në çift në Ferizaj: Burri e bën gruan për spital

    Një 41-vjeçar është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim trupor”.

    Sipas të dhënave të policisë, i dyshuari, pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar bashkëshorten e tij, e cila është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.

    I njëjti, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48-orë, ndërsa po vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje.

    “Viktima është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor, ndërsa më vonë është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim trupor”, ndërsa i dyshuari, 41 vjeç është ndaluar për 48 orë, për hetime të mëtutjeshme nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje”, thuhet në njoftim.