ATV

Author: K.B.

  • Pas Merdares, Dogana e synon vendosjen e skanerëve X-Ray në të gjitha pikat kufitare

    Pas Merdares, Dogana e synon vendosjen e skanerëve X-Ray në të gjitha pikat kufitare

    Dogana e Kosovës pritet që shumë shpejt të zgjerojë përdorimin e skanerëve mobilë X-Ray edhe në pikat e tjera kufitare të vendit, përfshirë ato me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pas vendosjes në funksion të skanerit të parë në pikën kufitare në Merdare.

    Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, pas instalimit dhe funksionalizimit të skanerit në Merdar, synim mbetet mbulimi gradual i të gjitha pikave kryesore kufitare me pajisje moderne të kontrollit të mallrave dhe automjeteve.

    Skaneri mobil X-Ray në Merdar ishte siguruar si donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit EXBS dhe është vlerësuar si një ndër pajisjet më moderne për kontrollin e ngarkesave dhe identifikimin e rreziqeve në kufi. Pas instalimit, Dogana e Kosovës ka realizuar trajnimin e stafit dhe testimin e pajisjes para vendosjes së saj në operim.

    Kjo teknologji mundëson kontrollimin e kamionëve dhe ngarkesave pa nevojën e hapjes fizike të tyre, duke reduktuar kohën e procedurave doganore dhe duke rritur kapacitetet për zbulimin e kontrabandës, armëve, drogës dhe mallrave të padeklaruara.

    Vendosja e skanerëve në kufijtë e Kosovës ka qenë temë diskutimi prej disa vitesh. Në vitin 2024, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se hapja e plotë e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave nga Serbia do të kushtëzohej me sigurimin e skanerëve modernë për kontrollin e ngarkesave. Në atë kohë, Dogana e Kosovës kishte nisur procedurat për blerjen e skanerëve mobilë, ndërsa partnerë ndërkombëtarë kishin ofruar mundësinë e donacioneve për këto pajisje.

    Po ashtu, në tetor të vitit 2024, autoritetet kishin bërë të ditur se pikat e tjera kufitare do të hapeshin dhe do të pajiseshin me skanerë sapo të sigurohej infrastruktura e nevojshme teknologjike.

    Sipas Doganës së Kosovës, me zgjerimin e rrjetit të skanerëve në pikat kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendkalimet e tjera ndërkombëtare, pritet të rritet siguria kufitare, të përshpejtohen procedurat doganore dhe të lehtësohet qarkullimi i mallrave në hyrje dhe dalje të vendit.

  • Gjilan: Rrënohet një objekt me rrezikshmëri të lartë

    Gjilan: Rrënohet një objekt me rrezikshmëri të lartë

    Drejtorati i Inspekcionit, ka rrënuar një objekt të rrezikshmërisë së lartë, në lagjen Livadhet e Arapit apo sheshi jugu 2 në Gjilan.

    “Ky objekt paraqiste rrezik të lartë për banorë dhe pas ankesave të qytetarëve dhe konstatimit se paraqiste rrezik dhe, është rrënuar”, tha Isa Agushi, drejtor për Inspekcion.

    Sipas tij ky objekt-gërmadhë në fund të sheshit jugu 2 në lagjen Livadhet e Arapit paraqiste rrezik jo vetëm për banorët e asaj ane, por edhe për qytetarët e shumtë sidomos fëmijët që ecin në shëtitore.

    “Pas konstatimit të rrezikshmërisë nga organet kompetente, inspektorët u kujdesen që të bëhet rrënimi i kontrolluar dhe të pastrohet hapësira”, tha drejtori Isa Agushi.

  • Auditori gjen shkelje në Ministrinë e Bujqësisë: Grante pa program, përfitues të fshehur dhe vonesa në pagesa

    Auditori gjen shkelje në Ministrinë e Bujqësisë: Grante pa program, përfitues të fshehur dhe vonesa në pagesa

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë mangësish dhe shkeljesh në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë auditimit të pajtueshmërisë për vitin 2025.

    Sipas raportit të auditimit, ministria nuk kishte hartuar dhe miratuar Programin Vjetor për Grante për vitin 2025, ndonëse kjo kërkohet me legjislacionin në fuqi.

    Auditorët vlerësojnë se mungesa e programit rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jotransparente të fondeve publike, si dhe krijon pasiguri për fermerët dhe përfituesit potencialë të mbështetjes financiare, raporton Indeksonline..

    “Mungesa e programit vjetor për grante rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jo transparente të fondeve publike, ndikon në përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit bujqësor, krijon pasiguri për përfituesit potencialë dhe vonesa në implementimin e masave mbështetëse. Po ashtu, cenon përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe dobëson llogaridhënien institucionale”, thuhet në Raportin e Auditimit.

    Raporti evidenton gjithashtu mangësi në publikimin e listave të përfituesve të pagesave direkte dhe granteve nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Sipas gjetjeve, nuk janë publikuar disa lista të përfituesve, ndërsa në lista të tjera mungonin emrat e disa përfituesve, duke cenuar transparencën dhe llogaridhënien në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

    “Ministria çdo vit publikon listën e përfituesve që përfshin, masën, shumën dhe informatat tjera relevante për përfituesit” me qëllim të sigurimit të transparencës dhe informimit publik. Gjatë auditimit kemi evidentuar mangësi në publikimin e listave të përfituesve si në vijim: Nuk ishin publikuar listat e përfituesve juridikë për pagesat direkte për vitin 2025 si dhe lista e përfituesve të granteve të Programit për Zhvillim Rural (PZhR) 2024 për Masën 3.5 – Prodhimi i verërave. Listat tjera të përfituesve të granteve të PZHR-së të vitit 2024 ishin publikuar në mënyrë jo të plotë, pasi mungonin disa përfitues në listat e publikuara, evidentuar nga tetë raste ku përfituesit nuk ishin përfshirë në listat e publikuara. Po ashtu, sa i përket listave që nuk ishin publikuar fare, kjo u evidentua nga 21 raste apo pagesa të ekzekutuara”, thuhet në raport.

    Në raport po ashtu thuhet se mosspublikimi dhe publikimi jo i plotë i listave të përfituesve ul nivelin e transparencës dhe besueshmërisë së publikut, kufizon qasjen e publikut në informata lidhur me shpenzimin e mjeteve buxhetore, si dhe cenon përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe parimet e llogaridhënies.

    “Ministri në kordinim me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) duhet të sigurojë publikimin me kohë, të plotë dhe të azhurnuar të listave të përfituesve, për pagesat direkte dhe grantet, duke vendosur procedura të qarta, kontrolle efektive dhe mekanizma monitorues për garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe publikimit në kohë reale të të dhënave në ueb-faqen zyrtare të AZHB-së”, thuhet në raport.

    Auditori ka gjetur dhe vonesa në realizimin e pagesave për përfituesit e granteve nga Programi i Zhvillimit Rural, pavarësisht se vendimet për mbështetje financiare parashohin që shumat e aprovuara të transferohen në llogaritë e përfituesve brenda 30 ditëve.

    Sipas raportit, në gjashtë raste të identifikuara, pagesat janë ekzekutuar me vonesa që variojnë nga 2 deri në 84 ditë pas afatit të përcaktuar.

    Rasti me vonesën më të madhe është regjistruar në kuadër të Masës 1 – Investimet në asetet fizike të ekonomive bujqësore, sektori 1.5 (Prodhimi i mishit/rritja e viçit). Vendimi ishte lëshuar më 6 nëntor 2024, ndërsa pagesa prej 31,552 eurosh është realizuar më 28 shkurt 2025, me një vonesë prej 84 ditësh.

    Po ashtu, në kuadër të Masës 7 – Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve, sektori 7.5 (Aktivitetet jo-bujqësore në zonat rurale), një pagesë prej 35,000 eurosh është realizuar më 15 maj 2025, 63 ditë pas afatit të paraparë me vendimin e datës 13 shkurt 2025.

    Auditori ka evidentuar edhe raste të tjera me vonesa më të vogla. Një grant prej 142,717 eurosh në kuadër të Masës 3 për përpunimin e pemëve dhe perimeve është paguar me 15 ditë vonesë, ndërsa pagesat prej 99,475 euro, 98,810 euro dhe 99,681 euro janë realizuar me vonesa prej 4, 3 dhe 2 ditësh respektivisht.

    Sipas gjetjeve të auditorit, vonesat në ekzekutimin e pagesave pas afatit të përcaktuar janë rezultat i mungesës së një sistemi efektiv të kontrollit në menaxhimin e pagesave, duke ndikuar në respektimin e afateve të parapara për përfituesit e granteve.

  • I burgosuri nga Kosova mashtron rojet dhe arratiset nga spitali në Itali

    I burgosuri nga Kosova mashtron rojet dhe arratiset nga spitali në Itali

    Një i burgosur 23-vjeçar ka arritur të arratiset nga spitali i Bolzanos në Itali në natën mes të mërkurës dhe të enjtes, siç ishte raportuar më herët.
    Sipas informacioneve të reja, arratisja dyshohet se u realizua pas një manovre të qëllimshme mashtruese.

    Burri me origjinë nga Kosova thuhet se u kishte deklaruar rojeve të burgut në orët e mbrëmjes se kishte gëlltitur detergjent rrobash, me qëllim që të dërgohej në urgjencë. Vetëm disa orë më vonë, ai arriti të largohej nga spitali. Tashmë ndaj tij është nisur një operacion i gjerë kërkimi, raporton “suedtirolnews”, transmeton Klankosova.

    Për shkak të shqetësimeve për gjendjen e tij shëndetësore, zyrtarët e policisë së burgut e transportuan të riun në spitalin e Bolzanos. Pas ekzaminimeve mjekësore, 23-vjeçari u mbajt nën vëzhgim në repartin e urgjencës.

    Rreth orës 03:00 të mëngjesit, ai duket se shfrytëzoi një moment të përshtatshëm për t’u larguar pa u vënë re nga spitali. Sipas gjetjeve të para, ai kaloi përmes hyrjes kryesore, doli jashtë, përshkoi hapësirën përpara objektit dhe u zhduk. Kamerat e sigurisë thuhet se kanë regjistruar arratisjen e tij. Hetuesit po analizojnë aktualisht pamjet për të përcaktuar lëvizjet e mëtejshme të tij.

    Menjëherë pasi u konstatua arratisja, u nis një operacion i gjerë kërkimi, raporton gazeta “Alto Adige”. Përveç patrullave të policisë, u njoftuan edhe policia hekurudhore dhe karabinierët për të monitoruar rrugët e mundshme të largimit nga Bolzano. Deri më tani nuk ka indikacione për ndonjë përplasje me rojet që e ruanin.

    I arratisuri ishte arrestuar vetëm më 1 maj nga karabinierët në Cavaleses. Ai po hetohet për vepra të rënda penale. Sipas akuzave, ai dyshohet se kishte rrëmbyer bashkëshorten e tij, e cila dëshironte t’i jepte fund lidhjes, dhe kishte kërkuar para nga prindërit e saj në këmbim të lirimit të saj. Gjatë arrestimit në Trentino, hetuesit gjetën gjithashtu një sëpatë të vogël në automjetin e tij.

    Drejtoria e burgut të Bolzanos bëri të ditur se po shqyrton rrethanat e arratisjes dhe përgjegjësitë e mundshme të personelit që ishte ngarkuar me mbikëqyrjen e tij. Nga ana e sindikatave, incidenti u përdor si rast për të tërhequr sërish vëmendjen ndaj kushteve të vështira të punës së policisë së burgjeve.

    Për burgun e Bolzanos, kjo është arratisja e katërt brenda një viti. Vetëm në muajin mars, një i burgosur 24-vjeçar nuk ishte kthyer pas një daljeje të autorizuar për punë. Ndërsa në gusht të vitit të kaluar, dy të burgosur të tjerë arritën të arratiseshin nga institucioni korrektues. Njëri prej tyre u kap po atë ditë në Merano, ndërsa i dyti u arrestua disa javë më vonë në Francë.

  • Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për presidente

    Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për presidente

    Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka deklaruar se po presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit për të filluar takimet me partitë politike për çështjen e presidentit.

    “Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës me mandat pesë vjeçar dhe të vazhdojnë punët dhe përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve”, ka thënë ajo.

    “Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pra, pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja kushdo që të jetë ai apo ajo do të ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër të vendit.

    Ndërsa, e pyetur se a do të jetë kandidate për presidente, Haxhiu është përgjigjur shkurt.

    “Jo nuk do të jem kandidate për presidente”, ka thënë shkurt Haxhiu.

    Kurse, sa i përket raportimeve të mediave që Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s, Haxhiu ka dhënë këtë përgjigje.

    “Ende jemi duke marrë informacione për këtë, natyrisht ju lutem që të pyesni me shkrim institucionet kompetente dhe do të përgjigjen”, ka shtuar ajo.

  • “Mos e çoni ndërmend dorëheqjen”, Rama publikon mesazhin e një shqiptari nga Italia

    “Mos e çoni ndërmend dorëheqjen”, Rama publikon mesazhin e një shqiptari nga Italia

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh të gjatë që, sipas tij, është një nga qindra mesazhet e mbështetjes që ka marrë së fundmi.

    Në hyrje të postimit, Rama shkruan se “nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, ndërsa pranon se “ka shumëçka që kërkon ende korrigjim me punë këmbëngulëse”.

    Mesazhi i publikuar është dërguar nga një shqiptar që jeton dhe punon në Itali, i cili i kërkon kryeministrit të mos japë dorëheqjen.

    “Mos e çoni as ndërmend të jepni dorëheqjen! Ju dhe Partia Socialiste keni qenë ata që në vitet e fundit keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur dhe/ose të rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë”, shkruan ai.

    Sipas autorit të mesazhit, zhvillimet në Shqipëri po i bëjnë shumë emigrantë të mendojnë rikthimin në vend.

    “Për herë të parë në jetën time mendova: do të dëshiroja të provoja të jetoja dhe të punoja këtu”, shprehet ai, duke iu referuar vizitës së fundit në Shqipëri.

    Megjithatë, emigranti rendit edhe një sërë problemesh që, sipas tij, vazhdojnë të pengojnë jetesën normale në vend. Ai përmend moszbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, ndotjen nga mbetjet, korrupsionin dhe problemet në sistemin shëndetësor.

    “Korrupsioni është problemi i parë i këtij vendi”, shkruan ai, duke shtuar se “njerëzit që korruptohen nuk janë faji i Edi Ramës”.

    Në mesazh vlerësohen gjithashtu projektet turistike dhe investimet e reja në jug të vendit, veçanërisht në zonën e Vlorës.

    “Turizmi i masës ka ndihmuar popullsinë të transformojë shtëpitë e tyre në hotele dhe apartamente me qira, por kur ngjitesh në nivel, kalon në një turizëm më të pakët në numër por që shpenzon më shumë”, argumenton ai.

    Në fund, autori i mesazhit shpreh mbështetjen e tij për kryeministrin dhe kërkon vazhdimin e reformave.

    “Do të gënjeja po të thosha se jam dakord me gjithçka që keni bërë, por është e pamohueshme që ju i keni dhënë një kthesë dhe një zgjim vendit tonë. Ju lutem vazhdoni ta bëni Shqipërinë të madhe dhe të na bëni të ëndërrojmë”, përfundon mesazhi i publikuar nga Rama.

  • Komuna e Prishtinës njofton për fazën e tretë të dezinsektimit, nis nga e hëna

    Komuna e Prishtinës njofton për fazën e tretë të dezinsektimit, nis nga e hëna

    Komuna e Prishtinës tha se nga e hëna, 29 qershor, do të nisë faza e tretë e dezinsektimit në kryeqytet.

    “Ju njoftojmë se Faza e Tretë e dezinsektimit hapësinor në Prishtinë për vitin 2026 fillon më 29.06.2026, nga ora 20:00, sipas planit dinamik të operimit. Hedhja e larvicideve do të realizohet më 29.06.2026 dhe 30.06.2026, duke filluar nga ora 09:00”.

    Komuna tha se aktiviteti është i varur nga kushtet atmosferike, prandaj, varësisht prej tyre, mund të ketë ndryshime në datat dhe oraret e realizimit të aktiviteteve.

    Më poshtë ka publikuar edhe datat se në cilat lagje do të bëhet dezinsektimi:

    *Fotografia në lajm ilustruese

  • Igballe Huduti në protestën për Zvërnecin, Edi Rama ia publikon fotografinë me Ahmadinexhadin e Iranit

    Igballe Huduti në protestën për Zvërnecin, Edi Rama ia publikon fotografinë me Ahmadinexhadin e Iranit

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama, prej që ka nisur protesta për Zvërnecin, ka drejtuar gishtin drejt Iranit për ndërhyrje.

    Rama në vazhdën e reagimeve të tij rreth protestës dhe organizatorëve, sot ka publikuar edhe një fotografi të Igballe Hudutit, e cila ka marrë pjesë në protestë, e në ndërkohë njihet për simpatinë e saj për Republikën Islamike të Iranit.

    Kryeministri shqiptar ka publikuar edhe një fotografi të Huduti ku shihet me Ahmadinexhanin.

    “Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.

    Postimi I plotë:

    Mos u merr me protestuesit…

    Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër🤡

    Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë🐊🕷️🐜🦂🐍🕸️🪳

    Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës

  • Gërvalla njofton për vendime të Qeverisë që prekin Odën e Avokatëve

    Gërvalla njofton për vendime të Qeverisë që prekin Odën e Avokatëve

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përmbledhur vendimet e djeshme të qeverisë në detyrë që prekin Odën e Avokatëve, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

    Qeveria mori këto tri vendime:

    -Ndalohet ekzekutimi i Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve, sipas detyrës zyrtare (ex-officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente;

    -Ndalohet ekzekutimi i aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente;

    -Emërohet Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit

    Ajo tha se me këto vendime “pasqyrojnë përkushtimin e institucioneve tona për forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e ligjshmërisë në veprimet administrative dhe avancimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, me fokus të veçantë në q

  • Mbi 1 mijë e 500 ankesa nga konsumatorët për gjashtë muaj, shumica për dallaveret me njëhsorë

    Mbi 1 mijë e 500 ankesa nga konsumatorët për gjashtë muaj, shumica për dallaveret me njëhsorë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar 1 mijë e 567 ankesa të konsumatorëve.

    Sipas njoftimit, numri më i madh i ankesave ka të bëjë me problemet që lidhen me keq llogaritjet e orës në njehsorët elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve raft-arkë nëpër markete, me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar, shkruan Reporteri.net.

    “Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët, tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë”, thuhet në njoftim.

    Për këtë arsye, MINTI ka thënë se e konsideron të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për ngritjen e nivelit të respektimit të të drejtave të konsumatorëve.

    “Ankesat e pranuara janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU), sipas kompetencave përkatëse.

    MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe në adresën elektronike [email protected]”, thuhet në njoftim.