ATV

Author: K.B.

  • Inspektorati mbyll tri qendra masazhi, shqipton pesë gjoba

    Inspektorati mbyll tri qendra masazhi, shqipton pesë gjoba

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, gjatë ditëve të fundit ka realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e Kosovës.

    Bazuar në komunikatën për media, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Gjakovë dhe një në Rahovec.

    Po ashtu, në njoftim theksohet se IQMT ka shqiptuar pesë gjoba ndaj subjekteve që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar gjatë procesit të inspektimit.

  • Oficeri i FSK-së përfundon me sukses kursin ushtarak ndërkombëtar në Britani

    Oficeri i FSK-së përfundon me sukses kursin ushtarak ndërkombëtar në Britani

    Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Vilson Musaj, ka përfunduar me sukses kursin ndërkombëtar “International Military Cooperation Course (IMCC)”, i cili u mbajt në Mbretërinë e Holandës.

    Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, kursi mblodhi pjesëmarrës nga 20 shtete të botës dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Bazuar në këtë njoftim, gjatë zhvillimit të kursit, major Musaj u zgjodh udhëheqës i klasës, duke përfaqësuar të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e programit.

    “Në ceremoninë e diplomimit, majori mbajti fjalimin përmbyllës në emër të pjesëmarrësve të kursit”, thuhet në njoftim.

  • Dy të lënduar nga aksidenti në Pejë, policia jep detaje

    Dy të lënduar nga aksidenti në Pejë, policia jep detaje

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur paraditen e së enjtes në Pejë.

    Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur në rrugën “UÇK”, ku janë përfshirë dy automjete në lëvizje, ndërsa nga përplasja janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera që ishin të parkuara në afërsi.

    Zëdhënësi rajonal i Policisë në Pejë, Driton Rugova, ka bërë të ditur për Klankosova.tv se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth orës 11:50, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në rrugën ‘UÇK’ në Pejë. Në këtë aksident ishin të involvuara dy vetura, por janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera të cilat ishin të parkuara”, tha Rugova.

    Ai shtoi se të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Pejës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    “Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, deklaroi Rugova.
    Ndërkohë, hetuesit e njësisë së trafikut kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

    “Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve”, përfundoi zëdhënësi i Policisë.

  • Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Nga kuleta e shtetit janë paguar 91 mijë euro pensione pas vdekjes së përfituesve, gjatë vitit 2025.

    Auditori ka gjetur se në total janë kryer 517 pagesa, në kundërshtim me ligjet e skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme.

    Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Financave është zbuluar se pensionet janë lëshuar për këto skema:

    Pagesat pas vdekjes ndodhin kryesisht si rezultat iu lajmërimit me vonesë apo edhe kur vdekjet e qytetarëve nuk janë regjistruar me kohë.

    Si rrjedhojë, kjo shkakton pagesa të parregullta dhe dëmton buxhetin e ministrisë, transmeton Klankosova.tv

    Ndryshe, me këtë çështje tash duhet të merret Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, që u formua gjatë riorganizimit të qeverisë, duke ndarë ish-Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në dy dikastere.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Eglant Koçit që u vra nga shoku i tij

    Sot i jepet lamtumira e fundit Eglant Koçit që u vra nga shoku i tij

    Trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili dyshohet se u vra nga miku i tij Armand Shakaj dhe u gjet pas më shumë se dy javësh kërkime në zonën e Ibës, do të përcillet sot për në banesën e fundit.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet në mesditë në varrezat e Shëngjergjit, ndërsa familjarët do të presin ngushëllime gjatë ditës së enjte, të premte dhe të shtunë.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar përmes analizave të ADN-së se trupi i gjetur në fshatin Cërrujë, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, i përket 34-vjeçarit. Identifikimi u bë pas krahasimit të mostrave biologjike të marra nga nëna e tij, duke i dhënë fund procesit të verifikimit shkencor.

    Eglant Koçi ishte parë për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motomjet. Pak orë para zhdukjes, ai ishte filmuar edhe në një servis automjetesh. Një ditë më pas, familjarët raportuan zhdukjen e tij në polici.

    Hetimet çuan në gjetjen e motomjetit pranë zonës së “5 Majit”, si dhe në identifikimin e vendit ku dyshohet se 34-vjeçari ishte mbajtur pas rrëmbimit.

    Sipas hetuesve, nga ambienti ku dyshohet se u mbajt Koçi ka dalë vetëm Armand Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”. Ai dyshohet se e ka vrarë 34-vjeçarin dhe më pas ka fshehur trupin në një çantë të zezë, të cilën e ka hedhur në një zonë të thepisur në Cërrujë.

    Policia vijon kërkimet për 41-vjeçarin, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe vrasjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe për të zbuluar nëse persona të tjerë kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje.

    Edhe pas më shumë se dy javësh nga krimi i rëndë, i dyshuari kryesor mbetet në arrati, ndërsa familja Koçi i jep sot lamtumirën e fundit të birit të saj.

  • Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në QSUT, zbulohet menuja e darkës

    Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në QSUT, zbulohet menuja e darkës

    60 studentë të Akademisë e Sigurisë janë paraqitur në urgjencën e QSUT-së në Tiranë me simptoma të të vjellave, duke ngritur dyshime për një rast të mundshëm helmimi ushqimor.

    Nga të prekurit, 15 studentë kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pjesa tjetër është mbajtur nën vëzhgim. Sipas autoriteteve, menjëherë pas incidentit ka nisur hetimi, ku janë marrë kampione ushqimi për analiza laboratorike.

    Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, nga rreth 1200 racione ushqimi të shpërndara në total, vetëm një numër i vogël studentësh kanë raportuar shqetësime shëndetësore, duke e bërë ende të paqartë nëse bëhet fjalë për helmim masiv.

    Autoritetet shëndetësore dhe AKU kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e incidentit.

    Darka e studentëve të Akademisë së Sigurisë ka përfshirë ushqime të ndryshme si pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë, të cilat aktualisht janë nën verifikim për sigurinë ushqimore.

    Studentët, rreth orës 8 të mbrëmjes kanë filluar të kenë probleme e më pas janë paraqitur në QSUT.

    Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një rast helmimi ushqimor apo një incident tjetër shëndetësor. /Tch/

  • Damka: Do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti, nuk kërkojmë poste!

    Damka: Do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti, nuk kërkojmë poste!

    Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka deklaruar se dy deputetët e kësaj partie do ta mbështesin pa kushte formimin e Qeverisë Kurti 4, duke theksuar se prioritet mbetet krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.

    “Ne si dy deputetë të Partisë Demokratike Turke do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4. Besoj se shumë shpejt do të formohen institucionet, sepse Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”, tha Damka për Indeksonline.

    Ai theksoi se KDTP-ja synon të vazhdojë bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, sikurse në mandatin e kaluar, ku ai ushtron detyrën e zëvendëskryeministrit.

    “Besoj se do të vazhdojmë të qeverisim bashkë dhe do të jemi pjesë e qeverisë”, u shpreh ai.

    I pyetur nëse do të mbajë ndonjë post ministror ose do të vazhdojë si zëvendëskryeministër, Damka tha se kjo nuk është kusht për votimin e qeverisë.

    “Nuk e kemi kusht të jem ministër apo zëvendëskryeministër. Për ne është e domosdoshme që të krijohen sa më shpejt institucionet. Jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë si deputetë të Partisë Demokratike Turke”, deklaroi ai.

    Damka bëri të ditur se ka kontakte të vazhdueshme me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se kanë zhvilluar diskutime lidhur me formimin e qeverisë së re.

    “Kemi pasur një takim të shkurtër ku kemi biseduar për nevojën që qeveria të formohet sa më shpejt dhe të japim mbështetjen tonë. Nuk kemi folur për pozita, pasi për ne më e rëndësishme është të jemi përkrahës të Qeverisë Kurti”, tha ai.

    Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të tejkalojnë bllokadën aktuale dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike.

    “Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Bllokadat politike dhe institucionale po e dëmtojnë vendin dhe qytetarët. Besoj se edhe opozita do të reflektojë dhe se do të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Damka.

    Sipas tij, partitë e komuniteteve joshumicë ndajnë të njëjtin qëndrim, pasi qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe vonesat në formimin e institucioneve.

    “Partitë minoritare besoj që të gjithë do të jenë me mendimin tim. Sepse ne si komunitet jemi lodh dhe populli jonë është lodhur nga zgjedhjet dhe moskrijimin e institucioneve. Besoj që të gjithë bartësit e komunietetve janë me këtë mendim”, tha ai.

  • “Jam vonë”, Kurti shmang përgjigjen për hapat pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    “Jam vonë”, Kurti shmang përgjigjen për hapat pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

    I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Kurti nuk dha përgjigje, duke u arsyetuar me agjendën e tij.

    “Me duhet të shkoj me shpejtësi, sepse jam vonë për takimet e radhës”, tha Kurti, raporton eo.

  • Trump premton ndihmë për Venezuelën, pas tërmeteve që vranë dhjetëra persona

    Trump premton ndihmë për Venezuelën, pas tërmeteve që vranë dhjetëra persona

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është zotuar të mërkurën se do të angazhojë burime amerikane për të ndihmuar Venezuelën, e goditur nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që kanë tronditur zonat pranë bregdetit verior të vendit dhe kanë shkatërruar ndërtesa në kryeqytetin Caracas, duke detyruar shpalljen e gjendjes emergjente.

    Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi: “ShBA qëndron e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë për të ndihmuar”, duke shtuar se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë qeveritare të përgatiten për të “vepruar shpejt”. Ai e përshkroi popullin e Venezuelës si “miq të rinj dhe të mëdhenj”, shkruan CNBC.

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, tha gjatë ditës se ShBA është në kontakt me autoritetet venezueliane dhe ka filluar mobilizimin e ndihmave për vendin e Amerikës së Jugut.

    Sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Jeremy Lewin, tashmë është aktivizuar një ekip për ndihmë në katastrofa dhe një task-forcë që do të koordinojë dhe dërgojë ndihma urgjente për Venezuelën, përfshirë ekipe kërkim-shpëtimi, furnizime mjekësore dhe ndihmë humanitare.

    Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS) ka lëshuar dy alarme të kuqe radhazi përmes sistemit të tij PAGER, duke vlerësuar se ekziston 41% mundësi që numri i viktimave të kalojë 10,000 dhe 17% mundësi që ai të arrijë deri në 100,000. Po ashtu, parashikohet që tërmeti shkatërrues mund t’i ulë ekonomisë së Venezuelës (GDP-së) deri në 7%.

  • Shkon në 164 numri i viktimave në Venezuelë

    Shkon në 164 numri i viktimave në Venezuelë

    Ka shkuar në 164 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet që kanë goditur Venezuelën, dhe 971 të tjerë janë plagosur, ka deklaruar presidentja e përkohshme e Venezuelës.

    Kjo vjen pasi Delcy Rodriguez kishte njoftuar disa orë më herët se të paktën 32 persona kishin vdekur dhe 700 ishin plagosur, raporton SkyNews.

    Shpëtimtarë po vijnë nga vende të tjera për të ndihmuar në kërkim, përfshirë edhe nga ShBA-ja, me sekretarin e shtetit Marco Rubio që tha se vendi po “vendos menjëherë” burime për ndihmë.

    Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ishin ndër më të fortat që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.