ATV

Author: K.B.

  • Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas MINTI-t një litër naftë sot do të shitet për 1.37 euro, një litër benzinë 1.34 euro dhe një litër gas 0.67 euro.

    Sipas ministrisë këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Kosova po hyn në ditët me mot të nxehtë, IHMK-ja jep detaje

    Kosova po hyn në ditët me mot të nxehtë, IHMK-ja jep detaje

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në Kosovë, gjatë pesë ditëve të ardhshme, pritet të ketë rritje graduale të temperaturave.

    Sipas këtij instituti, temperaturat pritet të kenë rritje në të gjithë territorin e Kosovës.

    “Sipas parashikimeve të IHMK-së, nga data 25–29 qershor 2026, temperaturat do të jenë në rritje graduale në të gjithë territorin e Kosovës.”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

    Ky institut ka njoftuar edhe për rajonin që pritet të ketë nivelin më të lartë të të nxehtit.

    “Rajoni i Dukagjinit pritet të regjistrojë valë të nxehti të nivelit 2, ndërsa pjesa tjetër e vendit kryesisht nivelin 1.”, thuhet tutje.

    Gjithashtu, IHMK-ja ka bërë thirrje për qytetarët që të kenë kujdes nga ekspozimi i zgjatur në diell, duke kërkuar nga ta që të qëndrojnë të hidratuar dhe që të ndjekin rekomandimet e IKSHPK-së.

    Ndryshe, shtete të ndryshme të Evropës ka ditë që janë përfshirë nga një mot ekstrem, me temperature të larta, me ç’rast janë shkaktuar edhe viktima.

  • Abdixhiku: As që vjen në shprehje dorëheqja ime

    Abdixhiku: As që vjen në shprehje dorëheqja ime

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nuk e ka në plan të japë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar i partisë.

    Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ai u ka drejtuar një mesazh të qartë të gjithë atyre që kanë kërkuar largimin e tij nga drejtimi i partisë.

    “Jo, more çfarë, as që vjen në shprehje, mos t’i fërkojnë as duart”, ka deklaruar Abdixhiku, raporton Klankosova.tv.

    Ai theksoi se do të vazhdojë të mbetet në krye të LDK-së për sa kohë që ka shumicën brenda partisë.

    “Deri sa të ekzistojë shumica, unë jam kryetari i LDK-së”, u shpreh ai.

  • Alban Hyseni distancohet nga sulmi ndaj gazetarëve në Gjilan: I përfshiri në rast, nuk është zyrtar komunal

    Alban Hyseni distancohet nga sulmi ndaj gazetarëve në Gjilan: I përfshiri në rast, nuk është zyrtar komunal

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas incidentit të sotëm në të cilin ekipi i RTV Dukagjini është penguar dhe sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në Gjilan.

    Hyseni ka thënë se Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe e dënon ashpër ngjarjen.

    “Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe dënon ashpër incidentin e sotëm, ku u pengua dhe u shty fizikisht ekipi i TV Dukagjini gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ai ka sqaruar se personi i përfshirë në incident nuk është zyrtar komunal, duke hedhur poshtë çdo lidhje institucionale me ngjarjen.

    “Sqarojmë se personi i përfshirë në këtë incident nuk është zyrtar komunal”, ka deklaruar Hyseni.

    Në reagimin e tij, kryetari i Gjilanit ka kritikuar edhe përpjekjet për politizim të rastit nga subjektet politike.

    “Ne distancohemi plotësisht nga tendencat e ulëta të uzurpatorëve të pronës publike, konkretisht LDK dhe PDK, për ta politizuar këtë ngjarje. Sulmet e tyre propaganduese shpërfaqin vetëm dëshpërimin e tyre politik”, ka shtuar ai.

    Në fund, Hyseni ka shprehur mbështetje për gazetarët dhe punën e tyre profesionale.

    “Ekipit të TV Dukagjini dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve u shprehim mbështetjen tonë të plotë në realizimin e detyrave të tyre profesionale”, ka përfunduar ai.

  • Plaçkitje masive në Venezuelë pas tërmeteve shkatërruese

    Plaçkitje masive në Venezuelë pas tërmeteve shkatërruese

    Pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, në disa zona të vendit janë raportuar plaçkitje masive të dyqaneve dhe bizneseve, ndërsa autoritetet po përpiqen të rivendosin rendin dhe sigurinë.

    Sipas raportimeve të mediave lokale, kaosi i krijuar pas katastrofës natyrore është shfrytëzuar nga grupe personash për të grabitur mallra dhe produkte nga objektet tregtare.

    Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, infrastrukturë dhe rrjetet e transportit. Sipas autoriteteve, të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur.

    Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që hyjnë në dyqane të dëmtuara nga tërmeti dhe largohen me produkte ushqimore, pajisje elektronike dhe mallra të tjera. Në disa qytete janë raportuar përleshje mes grabitësve dhe forcave të sigurisë.

    Gjendja më e rëndë raportohet në zonat pranë kryeqytetit, ku shumë ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëmtime serioze. Shërbimet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte të vështira.

    Qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka angazhuar forca shtesë policore dhe ushtarake për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos përfshihen në akte grabitjeje apo dhune.

    Mbi 25 mijë persona raportohen të zhdukur pas tërmeteve shkatërruese në Venezuelë

    Ndërkohë, aeroporti ndërkombëtar pranë Karakasit është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë, duke vështirësuar dërgimin e ndihmave dhe lëvizjen e qytetarëve.

    Ekspertët paralajmërojnë se situata humanitare mund të përkeqësohet nëse pasgoditjet vazhdojnë dhe nëse furnizimet me ushqime, ujë dhe energji elektrike mbeten të kufizuara në zonat e prekura.

  • Përparim Rama e publikon dokumentin: Dejona Mihali refuzoi ta pranoi padinë

    Përparim Rama e publikon dokumentin: Dejona Mihali refuzoi ta pranoi padinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një dokument duke pretenduar se Dejona Mihali ka refuzuar pranimin e padisë së ngritur ndaj saj.

    Rama ka reaguar duke ngritur pyetje mbi, siç tha ai, mospranimin e dokumentit gjyqësor.

    “Pse? A nuk i njeh institucionet e Republikës së Kosovës? A nuk i njeh ligjet dhe të drejtat që i garanton shteti ynë?”, ka shkruar Rama.

    Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të Mihajlit, e cila kishte akuzuar atë për “prishje të LDK-së”.

    “Apo ka qenë e zanun duke e mbrojtë LDK-në?”, ka shtuar ai.

    Në fund, Rama ka vijuar me një koment kritik ndaj saj, duke thënë: “Ditën që Dejona Aleksander Mihajli del në mbrojtje të LDK-së, LDK-ja duhet me e kqyrë veten seriozisht në pasqyrë”, ka përfunduar ai.

  • Abdixhiku: Skena politike së pari duhet të diskutojë për Presidentin, ndryshe vendi shkon në zgjedhje

    Abdixhiku: Skena politike së pari duhet të diskutojë për Presidentin, ndryshe vendi shkon në zgjedhje

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova komentoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe krijimin e institucioneve të reja të vendit.

    Abdixhiku tha se problemi nuk qëndron te formimi i Qeverisë së Kosovës, por te zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

    “Ne mund të kemi një qeverisje më të dobët, por problemi nuk ka qenë asnjëherë të qeverisja. Problemi ka qenë te zgjedhja e presidentit dhe në thelb ka qenë te mungesa e vullnetit për marrëveshje politike mes partive. Nuk kishim marrëveshje politike herën e kaluar, i pari nuk donte marrëveshje politike me askënd, meqenëse nuk donte me askënd ne për shkak të 60 ditëshit si afat kushtetues me të cilin duhet të shkojmë në zgjedhje nuk arritëm t’i krijojmë këto institucione. Sot e njëjta gjë qëndron, në parim asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket stabilitetit presidencial. Mund të kesh një qeveri jostabile, por nuk mund të kesh stabilitet institucional nëse nuk arrin ta zgjedhësh presidentin dhe presidenti zgjedhet vetëm me marrëveshje politike”, tha ai.

    Tutje, ai tha se partitë politike së pari duhet të flasin për marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pasi sipas tij në skenarin tjetër Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

    “Fillimisht janë një rend i gjërë i gjërave që duhet të diskutohen në skenën aktuale politike. E para duhet të diskutohen parimet se si po e shohim këtë natyrë të institucioneve. Para se të flasim për pozita duhet të flasim për parime… Partitë mes vete duhet të takohen dhe ato parti duhet të japin pozicionet e veta, LDK e ka parimin e qartë se do stabilitet. Kushdo që i kërkon zgjedhjet e reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Republikës së Kosovës. Pra, partitë politike duhet të kërkojnë stabilitetin institucional si vlerë bazike. E dyta duhet të flasim për marrëveshje të gjerë politike, pra të nisim nga e para, nga rëndësia, nga pesha, nga presidenti të nisim, jo nga Kuvendi, Qeveria e pastaj të flasim për presidentin. Nëse ndodh ndryshe kemi zgjedhje të reja, kaq e thjeshtë është”, shtoi ai.

  • Ikballe Huduti person non-grata në Shqipëri, ministri Lamallari: Kërcënon sigurinë kombëtare, kemi të dhëna për personat që përbëjnë rrezik

    Ikballe Huduti person non-grata në Shqipëri, ministri Lamallari: Kërcënon sigurinë kombëtare, kemi të dhëna për personat që përbëjnë rrezik

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari tha sot se vendimi për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare për Ikballe Huduti Berisha, është marrë duke u bazuar nga informacionet e shërbimeve të inteligjencës.

    Në një intervistë në ABC News.al, Lamallari u shpreh se Ikballe Huduti Berisha kërcënon sigurinë kombëtare.

    Lamallari shtoi se Policia e Shtetit administron të dhëna për personat të tjerë që përbëjnë rrezik për vendin, raporton ABC News.

    “ Është bazuar nga informacionet e inteligjencës. Vendimmarrja është bazuar nga informacionet e inteligjencës, është e duhur, në dobi të vendit tonë. Edhe çdo informacion që ata kanë disponuar, që me kalimin e kohës konkludohet në faktin që veprimtaria e personit përbën kërcënim, çon në vendimmarrje të tillë. Ka edhe një urdhër dëbimi. Nëse gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, dëbohet nga vendi. Kam reaguar në momente të caktuara, nuk ndaj informacione që ligjërisht duhet t’i mbaj të kufizuara.

    Një protestë që nisi qytetare, u bë përshesh për agjenda të huaja. Ka agjenda të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE. Shqipëria nuk është vendi ku qytetarët nuk kishin frikë të protestonin. Policia e Shtetit, ka edhe detyrimin për të administruar çdo informacion për çdo person që përbën kërcënimin për sigurinë kombëtare. Sigurisht, kjo është detyra jonë. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme nga shërbimet informative dhe ato të zbatimit të ligjit, për të marrë masa parandaluese”, theksoi ai.

    Ndryshe, Ikballe Huduti në vitin 2020 ishte arrestuar nga autoritetet në Kosovë pasi kishte dalë me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.

    Ajo ishte akuzuar për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

    Ndërkaq, në dhjetor të 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kishte shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarës Ikballe Huduti për shkak të veprës penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

    Ikballe Huduti me vendimin unanim të trupit gjykues në këtë çështje penale ishte liruar nga akuza, për shkak se nga gjykata nuk ishin gjetur prova se e njëjta ka kryer veprën penale Shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën vepër ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

  • FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

    Sipas të dhënave të publikuara, 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione si më të besueshmet në Republikën e Kosovës.

    Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Në kumtesë, Policia theksoi se besimi i qytetarëve përbën themelin e punës policore dhe një tregues të rëndësishëm të partneritetit ndërmjet institucionit dhe komunitetit. Sipas saj, ky vlerësim shërben si motiv shtesë për të vazhduar punën në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve.

    Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.

    Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë vlerësuar se forcimi i zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit duhet të mbeten në fokus të institucioneve.

    Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë publike. Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, transparencën institucionale dhe bashkëpunimin me qytetarët, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, duke premtuar se do të vazhdojë të punojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

  • Kusari: Narrativa anti-media e VV-së po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe dhunë ndaj gazetarëve

    Kusari: Narrativa anti-media e VV-së po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe dhunë ndaj gazetarëve

    Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas rasteve të fundit të sulmeve ndaj gazetarëve, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka kontribuar në degradimin e diskursit publik dhe nxitjen e sulmeve ndaj gazetarëve dhe kritikëve.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kusari tha se narrativa anti-media e krijuar nga partia në pushtet po shndërrohet në kërcënime, intimidim dhe madje dhunë fizike ndaj gazetarëve.

    “Kjo narrativë anti-media e dizajnuar nga VV-ja, për t’i sulmu brutalisht ata që flasin dhe e kritikojnë ashpër, është shqetësuese sepse shpesh përkthehet në sulme denigruese online, kërcënime, intimidim, presion e më pas edhe në dhunë fizike”, ka shkruar Kusari.

    Ajo tha se dy rastet e fundit ilustrojnë pasojat e kësaj qasjeje ndaj mediave dhe gazetarëve.

    “Dy rastet e fundit e ilustrojnë këtë. Meme Smajli ka raportuar për një çështje me interes publik, pra se si prindi i deputetit Valon Ramadani ka privatizu tokë dhe ka kërku llogari nga kompania e familjes së tij për procesin e privatizimit. Si përgjigje ka marrë akuza, paralajmërime për padi dhe mesazhe private me përmbajtje të tmerrshme, përfshirë sharje eksplicite”, ka thënë ajo.

    Duke iu referuar rastit të raportuar nga televizioni Dukagjini në Gjilan, Kusari tha se gazetarët janë përballur edhe me sulm fizik gjatë ushtrimit të detyrës.

    “Dukagjini sot ka raportuar për punimet në sheshin e Gjilanit, me qëllim informimin e publikut rreth ndërtimeve, dhe si përgjigje ka marrë sulm fizik nga kompania përkatëse. Hala asnjë fjalë nga kryetari i Komunës së Gjilanit”, ka shkruar Kusari.

    Sipas saj, në një ambient ku sulmet ndaj kritikëve normalizohen nga pushteti, raste të tilla nuk janë të papritura.

    “Normalisht, në një vend ku shteti udhëhiqet nga një parti si VV-ja, e cila ka kontribuar më së shumti në degradimin e diskursit publik dhe në nxitjen, orkestrimin, mbështetjen e madje edhe arsyetimin e sulmeve online ndaj kritikëve, nuk mund të pritet diçka tjetër përveç sulmeve të tilla”, ka përfunduar Kusari.