ATV

Author: K.B.

  • Tre persona i bëjnë për spital tre të tjerë në Obiliq – ua dëmtojnë edhe veturën

    Tre persona i bëjnë për spital tre të tjerë në Obiliq – ua dëmtojnë edhe veturën

    Tre persona në Mazgit të Obiliqit kanë pësuar lëndime trupore, pasi pas një mosmarrëveshje janë rrahur nga tre të tjerë, të cilët më pas edhe ua kanë dëmtuar veturën.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se tre të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Tre viktimat meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit meshkuj kosovarë, të cilët më pas u kanë dëmtuar edhe veturën. Tre viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit gjenden në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Përleshje mes familjarëve në Graçanicë, tre persona përfundojnë në polici

    Përleshje mes familjarëve në Graçanicë, tre persona përfundojnë në polici

    Pas një mosmarrëveshje në një familje në Graçanicë ka ndodhur një përleshje mes familjarëve.

    Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë intervistuar.

    “Është raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje , tre meshkuj kosovarë janë përleshur mes vete. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Nga “Free Britney” te izolimi dhe “rënia” e një ylli – Çfarë ndodhi me Britney Spears

    Nga “Free Britney” te izolimi dhe “rënia” e një ylli – Çfarë ndodhi me Britney Spears

    Britney Spears ka qenë në qendër të vëmendjes që prej përfundimit të kujdestarisë ligjore ndaj saj, por raportimet e fundit sugjerojnë se këngëtarja vazhdon të përballet me sfida personale dhe një jetë gjithnjë e më të izoluar.

    Sipas burimeve të cituara nga “The Sun”, persona pranë yllit të muzikës pop shprehen të shqetësuar për gjendjen e saj emocionale dhe sociale, duke pretenduar se 44-vjeçarja kalon pjesën më të madhe të kohës e vetmuar dhe është larguar nga rrethi i ngushtë i miqve.

    Britney Spears u bë fenomen botëror në fund të viteve ’90 me hitin “…Baby One More Time”, ndërsa në vitin 2021 fitoi lirinë pas përfundimit të kujdestarisë 14-vjeçare të ushtruar nga babai i saj, Jamie Spears, pas një fushate të gjerë publike të njohur si “Free Britney”.

    Megjithatë, sipas raportimeve mediatike, jeta e saj pas përfundimit të kujdestarisë nuk ka qenë aq e qetë sa pritej. Burime pranë këngëtares pretendojnë se divorci me ish-bashkëshortin Sam Asghari në vitin 2023 dhe marrëdhëniet e vështira me dy djemtë e saj, Sean Preston dhe Jaden James, kanë ndikuar në gjendjen e saj emocionale.

    Në muajt e fundit, Spears është bërë objekt diskutimesh në media dhe rrjetet sociale për disa incidente dhe sjellje që kanë ngjallur reagime, ndërsa postimet e saj publike vazhdojnë të komentohen gjerësisht nga fansat dhe opinionistët.

    Burimet e cituara nga “The Sun” shprehen se njerëzit më të afërt me këngëtaren dëshirojnë ta shohin atë të gjejë stabilitet dhe qetësi, por kanë frikë se ajo vazhdon të përballet me ndjenja vetmie dhe izolimi.

    Edhe pse mbetet një nga artistet më të suksesshme në historinë e muzikës pop, Britney Spears ka deklaruar më parë se mund të mos rikthehet më në skenë, duke lënë të kuptohet se plagët e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë në jetën dhe karrierën e saj. Megjithatë, shumë prej pretendimeve për gjendjen e saj aktuale bazohen në burime anonime dhe nuk janë konfirmuar publikisht nga vetë këngëtarja.

  • Vdekje e dyshimtë në Lipjan, policia jep detaje për rastin në objektin e KEDS-it

    Vdekje e dyshimtë në Lipjan, policia jep detaje për rastin në objektin e KEDS-it

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me një rast të raportuar të mërkurën në Lipjan, ku një femër kosovare ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta brenda objektit të KEDS-it.

    Sipas njoftimit policor, dëshmitarja ka raportuar se viktima, po ashtu femër kosovare, papritur është rrëzuar në tokë, pa shenja të mëparshme shqetësimi.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi emergjent, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

    Ngjarja ka ndodhur më 25 qershor 2026, rreth orës 09:55, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Policia po e trajton rastin si “hetim mbi vdekjen” dhe po vazhdon me procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Policia e Ferizajt shqipton 240 gjoba brenda 24 orëve, konfiskohen automjet dhe motoçikleta

    Policia e Ferizajt shqipton 240 gjoba brenda 24 orëve, konfiskohen automjet dhe motoçikleta

    Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, duke realizuar kontrolle të shtuara gjatë 24 orëve të fundit.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një aksident trafiku me lëndime, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Në kuadër të kontrolleve, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 240 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Prej tyre, 74 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, 48 për mosrespektim të shenjave të komunikacionit, 18 për parkim të parregullt, 15 për qarkullim me afat të skaduar të regjistrimit të mjetit, 10 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 3 për drejtim të automjetit pa patentë shofer, 2 për mosvendosje të rripit të sigurisë, ndërsa 70 gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme.

    Si rezultat i shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut, policia ka konfiskuar një automjet, katër skuterë/motoçikleta dhe ka sekuestruar katër patentë shoferë.

    Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.

  • Alarm në Serbi: A po përgatitet regjimi i Vuçiqit ta shpallë lëvizjen studentore “terroriste”?

    Alarm në Serbi: A po përgatitet regjimi i Vuçiqit ta shpallë lëvizjen studentore “terroriste”?

    Revista serbe Vreme ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si rritje të represionit ndaj studentëve, analistëve, ekspertëve dhe gazetarëve kritikë ndaj pushtetit në Serbi, duke paralajmëruar se në qarqe të afërta me regjimin mund të ekzistojnë plane për diskreditimin ose edhe ndalimin e lëvizjes studentore.

    Gazetari Nedim Sejdinoviq analizon zhvillimet pas skandalit për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave në Beograd, si dhe reagimet e institucioneve dhe mediave pranë pushtetit.

    Sipas tij, mbetet e paqartë se si Zyra e Prokurorit të Lartë publikoi një deklaratë që sugjeronte se vetë studentët kishin shkaktuar incidentin, ndërsa mediat pro-regjimit nisën një fushatë intensive kundër personave që pretendohet se kishin marrë pjesë në një “komplot”.

    Sejdinoviq paralajmëron se nuk mund të përjashtohet mundësia që regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të synojë neutralizimin e lëvizjes studentore para zgjedhjeve të ardhshme.

    “Është e mundur që në krye të regjimit të ekzistojë dëshira për ta eliminuar kundërshtarin më të rrezikshëm – lëvizjen studentore. Ta shpallin atë organizatë terroriste ose ekstremiste dhe ta pengojnë të marrë pjesë në zgjedhje. Tingëllon jorealiste, por kjo nuk do të thotë se një plan i tillë nuk ekziston”, shkruan ai.

    Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare SRCE, Zdravko Ponosh, vlerëson se një veprim i tillë do të ishte politikisht i rrezikshëm për pushtetin.

    “Mendoj se do të ishte vetëvrasëse për Aleksandar Vuçiqin, sepse do të prodhonte një revoltë të paparë të qytetarëve. Ai mund të përpiqet ta mohojë lëvizjen studentore, por nëse përpiqet ta ndalojë atë, do të ishte më mirë t’i qëllonte vetes në këmbë”, deklaroi Ponosh për Vreme.

    Edhe avokati Bozho Preleviq ka kundërshtuar pretendimet për karakter ekstremist të lëvizjes studentore.

    Ai tha se deklaratat e prokurorisë, fushata mediatike dhe procedurat e nisura ndaj analistit ushtarak Aleksandar Radish synojnë të largojnë vëmendjen nga çështje të tjera të rëndësishme dhe të relativizojnë akuzat për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave.

    “Lëvizja studentore nuk ka asnjë atribut që mund të çojë në shpalljen e saj si organizatë terroriste. Qëllimet e saj janë të njohura – sundimi i ligjit”, tha Preleviq.

    Sipas Vreme, zhvillimet e fundit kanë shtuar frikën se presioni ndaj studentëve dhe zërave kritikë në Serbi mund të intensifikohet në prag të proceseve të ardhshme politike dhe zgjedhore.

    The GeoPost

  • Shqetësime për përshpejtimin e transmetimit të Ebolës në Kongo: 1,155 raste dhe 304 vdekje

    Shqetësime për përshpejtimin e transmetimit të Ebolës në Kongo: 1,155 raste dhe 304 vdekje

    Numri i rasteve të konfirmuara në laborator të epidemisë së virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është rritur në 1,155, nga të cilat 304 kanë qenë fatale, njoftuan autoritetet shëndetësore të shtunën.

    Sipas një buletini të fundit të autoriteteve shëndetësore, që nga e mërkura, 37 raste të reja dhe 5 vdekje të reja u konfirmuan në 24 orë.

    Zyrtarët e shëndetësisë thonë se mbikëqyrja e përmirësuar epidemiologjike ka lejuar zbulimin më të hershëm të rasteve dhe ka konfirmuar rritjen e vazhdueshme të transmetimit të virusit në baza javore.

    Shpërthimi aktual, i shpallur më 15 maj, është shkaktuar nga lloji më i rrallë i virusit Budibugio, për të cilin nuk ka trajtim ose vaksinë specifike. Shumica e shpërthimeve të mëparshme janë shkaktuar nga lloji i virusit Zaire, për të cilin ekziston një vaksinë. Është i 17-ti në vendin e gjerë të Afrikës Qendrore me rreth 100 milionë banorë.

    Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se virusi kishte qarkulluar i pazbuluar për ca kohë para se të shpallej shpërthimi.

    Ebola ka vrarë të paktën 15,000 njerëz në Afrikë gjatë 50 viteve të fundit, me një shkallë vdekshmërie midis 25% dhe 90%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Në Republikën Demokratike të Kongos, shpërthimi më vdekjeprurës vrau gati 2,300 njerëz nga 3,500 raste midis viteve 2018 dhe 2020.

  • Ilir Deda propozon Blerim Shalën për president: Ka bashkëpunuar me të gjithë

    Ilir Deda propozon Blerim Shalën për president: Ka bashkëpunuar me të gjithë

    Analisti politik Ilir Deda ka propozuar gazetarin dhe publicistin Blerim Shala si një figurë të përshtatshme për postin e presidentit të Kosovës.

    Deda tha se Shala do të ishte një zgjedhje e mirë për kreun e shtetit, duke vlerësuar përvojën dhe bashkëpunimin e tij me spektrin politik.

    “Për President kishte me qenë shumë figurë e mirë Blerim Shala, i cili ka bashkëpunuar me të gjithë”, deklaroi Deda në Kanal 10.

  • Vetura aksidentohet me trenin në Drenas, dy persona përfundojnë në QKUK

    Vetura aksidentohet me trenin në Drenas, dy persona përfundojnë në QKUK

    Një veturë është aksidentuat me trenin në Drenas, me ç’rast është lënduar drejtuesi i veturës dhe pasagjeri.

    Dy të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

    “Ka ndodhur një aksident në mes një veture dhe trenit, me drejtues meshkuj kosovarë. Përveç dëmeve të shkaktuara, lëndime trupore kanë pësuar dy persona (drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri) të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Dy mjete të pashpërthyera gjenden brenda një dite në Gjakovë, intervenon FSK-ja

    Dy mjete të pashpërthyera gjenden brenda një dite në Gjakovë, intervenon FSK-ja

    Dy mjete të dyshuara të pashpërthyera janë gjetur gjatë së enjtes në dy lokacione të ndryshme në komunën e Gjakovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar rreth orës 17:20 në fshatin Koshare, ku policia gjatë patrullimit në një zonë pyjore ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia për deminim e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit.

    Rasti i dytë u raportua rreth orës 18:35, një qytetar ka raportuar se gjatë shëtitjes në një fushë në rrugën “Bujar Koka” në Gjakovë kishte hasur në një tjetër mjet të dyshuar të pashpërthyer.

    Edhe në këtë rast, njësia për deminim e FSK-së ka dalë në vendin e ngjarjes duke eliminuar rrezikun.

    “Fsh. Koshare, Gjakovë/ 25.06.2026 – 17:20. Policia gjatë patrullimit në pyll kanë hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”. “Rr. Bujar Koka, Gjakovë / 25.06.2026 – 18:35. Një mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë duke shëtitur në fushë ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësia për deminim e FSK-së ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar”.