ATV

Author: K.B.

  • Kosova, ndër vendet me financimin më të dobët të shëndetit publik në rajon

    Kosova, ndër vendet me financimin më të dobët të shëndetit publik në rajon

    Financimi i sistemeve shëndetësore dhe menaxhimi i kostove të shërbimeve spitalore mbeten një sfidë e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024 tregojnë sa shpenzohet realisht për banor për shërbimet e kujdesit për pacientët e shtruar (shërbimet spitalore) në të gjithë rajonin tonë.

    Sipas statistikave zyrtare, shpërndarja e këtyre shpenzimeve ndryshon ndjeshëm nga njëri vend në tjetrin. Në krye të renditjes rajonale pozicionohet Shqipëria e cila shpenzon për të shtruarit në spital 135 euro për banor. Pas saj renditet Bosnjë dhe Hercegovina me 111 euro për frymë, e ndjekur nga Serbia me 92 euro dhe Mali i Zi me 79 euro. Në fund të kësaj liste për vitin 2024 gjendet Maqedonia e Veriut, e cila raporton vlerën më të ulët me vetëm 42 euro për banor.

    Të dhëna përfaqësojnë shpenzimet totale, që do të thotë se ato përfshijnë si fondet publike si, buxhetin e shtetit dhe sigurimet, ashtu edhe paratë që qytetarët paguajnë direkt nga xhepi i tyre për shërbimet spitalore.

    Në vendet ku shteti mbulon më pak kosto, qytetarët shpenzojnë më shumë privatisht, gjë që rrit automatikisht vlerën totale të raportuar për frymë. Ky është rasti i Shqipërisë e cila ka shpenzimet publike për shëndetësinë në nivelet më të ulëta Rajonale, por nga ana tjetër shpenzimet për banor janë shumë të larta për shkak të pagesave direkte nga xhepi.

    Në shumë ekonomi të rajonit, një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve për kujdesin spitalor mbulohet nga pagesat direkte nga xhepi të pacientëve, të cilat shtohen mbi fondet e pakta publike apo ato të sigurimeve shëndetësore. Kjo bën që shifrat nominale të pasqyrojnë më shumë koston e përballueshme nga individi sesa investimin shtetëror për frymë.

    Vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohen nga nivel të ulëta të shpenzimeve dhe investimeve publike në sistemet e kujdesit shëndetësor në rang evropian. Historikisht, ky tregues për rajonin tonë ka qëndruar nën mesataren e Bashkimit Evropian, e cila gjatë viteve të fundit luhatet midis 7% dhe 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

    Brenda këtij rajoni, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi mbajnë nivelet më të larta të shpenzimeve, duke qenë të vetmet që kalojnë pragun e 5% të PBB-së. Në një nivel më të ulët, Maqedonia e Veriut alokon rreth 3.8% të PBB-së për shëndetësinë publike. Përfundimisht, Shqipëria dhe Kosova renditen historikisht në fund të kësaj tabele rajonale, ku në rastin konkret të Shqipërisë, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë publike janë luhatur në intervalin 2.8% deri në 2.9% të PBB-së. /Monitor

  • FSK institucioni më i besueshëm në vend, Gjenerallejtënant Jashari: Mirënjohje dhe falënderim për qytetarët

    FSK institucioni më i besueshëm në vend, Gjenerallejtënant Jashari: Mirënjohje dhe falënderim për qytetarët

    Bazuar në rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës edhe këtë vit radhitet si institucioni më i besueshëm i sigurisë në Republikën e Kosovës, duke gëzuar 87.4% të besueshmërisë së qytetarëve të anketuar.

    Lidhur me këtë, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm të treguar ndaj FSK-së.

    Gjithashtu Gjeneral Jashari falënderoi të gjithë personelin e FSK-së për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe angazhimin e vazhdueshëm në përmbushje të misionit.

    “Ky vlerësim i lartë paraqet dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kjo arritur është falë angazhimit dhe shërbimit vetëmohues të personelit të FSK-së”, ai.

    Gjenerallejtënant Bashkim Jashari theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që misionin dhe detyrat e saj t’i realizojë me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë, duke qenë gjithmonë e gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    “Besimi i qytetarëve përbën nder, përgjegjësi dhe motiv shtesë për FSK-në që të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe të kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe më gjerë”, tha ai.

  • Avokati Gjini padit Dritan Goxhajn, kërkon verifikimin e rolit të tij në UÇK

    Avokati Gjini padit Dritan Goxhajn, kërkon verifikimin e rolit të tij në UÇK

    Avokati Gent Gjini ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, saktësisht në departamentin civil, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndaj Dritan Goxhajt, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kjo, padi është bërë pasi ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi një dokument për të cilin pretendoi se vinte në pikëpyetje përfshirjen e Goxhajt në luftën e Kosovës.

    Gjini tha se askush nuk është marrë me qëndrimet dhe pretendimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sesa të vërteta mund të jenë ato.

    “Kam parë të arsyeshme që t’i zgjidhim disa nga dilemat të shpërfaqura tani në publik ndaj figurës të Dritan Goxhajt, pasi që vetë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook-un e tij ka bërë një shënim zyrtar dhe ka bërë një shpalosje të dokumentit se në të vërtetë a është Dritan Goxhaj veteran që i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe me atë ka publikuar edhe një dokument dhe dihet sepse fjala e kryeministrit ka peshë publike dhe askush nuk është marrë me qëndrimet e tij dhe pretendimet se sa janë të vërteta ato. Mund të lindin dyshime se në të vërtetë a është Dritan Goxhaj veteran i rremë apo origjinal, i vërtetë? Këto mbetet të zgjidhen në gjykatë, sepse me anë të ekspertizave përkatëse, kjo padi do të zgjidhë dilemat që përfundimisht të kuptohet figura e para luftës, domethënë shërbimi që ka dhënë, kontributi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Gjini tha se Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka dalë me një reagim, ku nuk ka të dhëna rreth përvojës luftarake të Goxhajt.

    “Po duke e marrë parasysh se ndaj Dritan Goxhës edhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka dalë edhe me një reagim, pasi që ai nuk ka aplikuar për status të veteranit, nuk ka kartelë dhe në prononcimet e tyre kanë thënë se nuk dihet edhe vendi, fronti i luftës ku ka luftuar. Janë këto dyshime, dilema që duhet t’i kuptojmë që nëpërmjet kanaleve ligjore të gjykatës të verifikohen informacionet se në të vërtetë Dritan Goxha a i ka shërbyer luftës çlirimtare të Kosovës, a ka qenë anëtar. Dhe më pas do të verifikohen dokumentet dhe autenticiteti i atij dokumenti ku kryeministri Rama e ka publikuar në faqen e tij zyrtare. Dhe kjo si rrjedhojë ka shtruar antagonizma në shoqëri, për të kuptuar se në të vërtetë kush fshihet mbrapa Dritan Goxhës”, u shpreh ai.

    Gjini tha se në rast se bëhet konstatimi i këtyre pretendimeve do të ketë pasoja penale për Dritan Goxhajn dhe ai duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës.

    “Unë e kam parë të arsyeshme që kjo padi do t’i zgjidhë përfundimisht dilemat dhe janë mekanizmat ligjorë që do të sigurisht do të merret në pyetje edhe Dritan Goxhaj, do t’i shikohet arkiva dhe historia e tij para luftës se kë ka pasë komandant, për cilën zonë ka punuar dhe pse nuk është anëtar i Organizatës të Veteranëve të UÇK-së dhe pse nuk ka kartelë. Dhe në rast se verifikohen, konstatohen gjërat e rreme, atëherë sigurisht janë pasojat, penalltitë ligjore që Dritan Goxha duhet të ndiqet edhe penalisht për deklarime të rreme, por edhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës në rast se nuk i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

  • Pas largimit të Barbanos, Emily Rakhorst emërohet ushtruese e detyrës së shefes së EULEX-it

    Pas largimit të Barbanos, Emily Rakhorst emërohet ushtruese e detyrës së shefes së EULEX-it

    Pas përfundimit të mandatit të deritanishëm të shefit të misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, misioni ka njoftuar se detyrën e ushtrueses së detyrës së shefes së misionit do ta marrë zëvendësja e deritanishme, Emily Rakhorst.

    Në një njoftim zyrtar, EULEX bëri të ditur se Rakhorst do të udhëheqë misionin deri në emërimin e shefit të ri. Misioni u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që për informacionet mbi aktivitetet e EULEX-it të ndjekin llogarinë zyrtare të ushtrueses së detyrës në rrjetin social X.

    Ky ndryshim vjen pasi të enjten përfundoi mandati trevjeçar i Giovanni Pietro Barbanos, i cili u përshëndet me Kosovën përmes një mesazhi falënderues.

    “Teksa i them lamtumirë Kosovës, ndiej mirënjohje të thellë për këto tri vite. Shërbimi si shef i EULEX-it ishte një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës sime profesionale. Largohem me miqësi të shumta dhe kujtime të paharrueshme. Faleminderit, Kosovë! Ju uroj një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme”, ka deklaruar Barbano.

    Kush është Emily Rakhorst?
    Sipas biografisë zyrtare të publikuar nga EULEX, Emily Rakhorst është këshilltare ndërkombëtare juridike me përvojë të gjatë në mjedise konflikti dhe pas konflikti, si dhe në misione të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.

    Ajo ka diplomuar për drejtësi në Universitetin e Groningenit në Holandë, me specializim në të drejtën penale. Gjatë karrierës së saj është angazhuar në drejtësinë penale ndërkombëtare, ndjekjen e krimeve të luftës, reformën në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    Para se t’i bashkohej EULEX-it, Rakhorst ishte shefe e kabinetit në Misionin Vëzhgues të Bashkimit Evropian në Gjeorgji (EUMM), ku drejtoi një organizatë me rreth 350 punonjës përgjegjës për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes që i dha fund luftës së gushtit 2008.

    Më herët ajo ka drejtuar Njësinë për Menaxhimin e Gjykatës në Regjistrin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka qenë pjesë e ekipit planifikues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Regjistrit në kuadër të EULEX-it, ka punuar si eksperte për drejtësinë në misionin EUPOL COPPS në Palestinë, si dhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).

    Emily Rakhorst do të ushtrojë detyrën e shefes së EULEX-it deri në emërimin e drejtuesit të ri të misionit.

  • NATO drejt investimeve rekord në mbrojtje, Rutte zbulon planet për samitin në Turqi

    NATO drejt investimeve rekord në mbrojtje, Rutte zbulon planet për samitin në Turqi

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca do të prezantojë kontrata të reja të mbrojtjes me vlerë dhjetëra miliarda dollarë në samitin e muajit të ardhshëm në kryeqytetin turk Ankara, ndërsa shtetet anëtare kërkojnë të zgjerojnë prodhimin ushtarak dhe të forcojnë kapacitetet e sigurisë kolektive.

    Duke folur në aktivitetin Front Page të Këshillit Atlantik në Washington, Rutte tha se aleatët e NATO-s duhet të bëjnë më shumë për ta shndërruar fuqinë e tyre ekonomike në kapacitete ushtarake, në kushtet e sfidave gjithnjë në rritje të sigurisë globale.

    “Duhet të sigurohemi që po e shndërrojmë fuqinë tonë ekonomike në kapacitete ushtarake”, tha Rutte.

    “Kjo nënkupton tejkalimin e fragmentimit të industrive kombëtare të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut, reduktimin e burokracisë këtu në Washington dhe vendosjen e inovacionit në qendër të vëmendjes në të gjithë aleancën”, shtoi ai.

    Rutte tha se samiti i NATO-s, i planifikuar për më 7 dhe 8 korrik në Ankara, do të ofrojë një mundësi për të treguar progresin në zgjerimin e bashkëpunimit industrial në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

    “Ne do të njoftojmë kontrata të reja me vlerë dhjetëra miliarda dollarë”, tha ai, duke shtuar se kompanitë e mbrojtjes në të gjithë aleancën po rrisin prodhimin për të përmbushur kërkesën në rritje.

    Rutte riafirmoi gjithashtu mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, duke theksuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samit.

    “Presidenti Zelensky do të bashkohet me ne në Ankara. Ne presim t’i tregojmë atij dhe të gjithë ukrainasve se mbështetja jonë vazhdon dhe t’i kujtojmë presidentit Putin se ne nuk do të largohemi askund”, deklaroi shefi i NATO-s.

  • Gjini: Nuk e bllokojmë Kosovën – s’do të kishte president më të mirë se Haradinaj

    Gjini: Nuk e bllokojmë Kosovën – s’do të kishte president më të mirë se Haradinaj

    Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

    Në një konferencë për media, Gjini tha se partia e tij nuk do ta pengojë krijimin e institucioneve dhe se, nëse është e nevojshme, do të ofrojë edhe kuorumin.

    “Kjo e plotë nënkupton që nuk do ta pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë, nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren, në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë”, tha ai.

    Ai foli edhe për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president të vendit, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte nder për Aleancën, por nuk do të vendoset si kusht për mbështetjen e tyre.

    “Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne menojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme”, tha ai.

    Gjini theksoi se Aleanca nuk po kërkon poste politike në këmbim, por sipas tij, partia e tij synon që pesha e saj politike të përdoret për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo për interesa partiake.

    “Edhe njëherë, jemi të gatshëm edhe të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete, nuk kemi kurrëfar kushti vetiak, nuk duam as ministra, as zëvëndësministra, as ambasadora, as borde asgjë, po nuk guxojmë ne të jemi indiferent dhe mos ta përdorim peshën tonë politike për ta rregulluar jetën e qytetarit të Kosovës”, tha Gjini.

  • “Gabojnë nëse mendojnë që nënshtrohemi”, Abdixhiku i gatshëm për takim me Kurtin: Në fillim presidenti, ose zgjedhje

    “Gabojnë nëse mendojnë që nënshtrohemi”, Abdixhiku i gatshëm për takim me Kurtin: Në fillim presidenti, ose zgjedhje

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë të enjten në Klan Kosova ka folur për përplasjet në parti, zgjedhjet e 7 qershorit dhe për qëndrimin e LDK’së sa i përket krijimit të institucioneve të reja.

    Abdixhiku kur ka folur për formimin e institucioneve të reja, ka thënë se fillimisht duhet të flitet për pozitën e presidentit, përndryshe do të ketë zgjedhje të reja.

    Këtë qëndrim Abdixhiku e ka dhënë pasi nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se duhet të zgjidhet Kuvendi, Qeveria dhe më pas presidenti.

    “Duhet nisur nga rëndësia nga pesha, nga presidenti. Nëse ndodh ndryshe do të kemi zgjedhje të reja. Kaq e thjeshtë është”, ka thënë Abdixhiku.

    Sipas kreut të LDK’së, pozicioni i LVV-së e përjashton marrëveshjen politike dhe sipas tij qëndrimi i tyre i shprehur ditëve të fundit është inkurajuar edhe nga zhvillimet e brendshme në LDK.

    Abdixhiku tutje ka thënë se kushdo që kërkon në këtë momentum zgjedhje të reja “është i çmendur”.

    “Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në Rubikon.

    Sa i përket negociatave të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, Lumir Abdixhiku ka thënë se me Kurtin nëse do të vijë ftesa për t’u takuar, do të flasë vetëm për parime.

    Ai ka thënë se s’do të ketë kurrfarë kompromisi dhe sipas tij LVV e ka keqlexuar situatën nëse mendon që Lidhja Demokratike do t’i nënshtrohet.

    “Që duhet të ketë marrëveshje politike, as që diskutohet”, ka thënë tutje Abdixhiku.

    Në këtë intervistë kreu i LDK’së ka folur edhe për përplasjet e tij me bashkëpartiakët, Gazmend Muhaxherin e Imri Ahmetin, derisa s’ka kursyer as kryetarin e Prishtinës, Perparim Ramën.

  • Gjini: Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione

    Gjini: Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve.

    Ai tha se Aleanca është e gatshme për të kontribuar në këtë proces, megjithatë përmendi disa kërkesa.

    “Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione, situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku, tashmë është blloku për 1 vit e gjysëm. Në këto rrethana Aleanca duhet me deklaru si vijon. Ne nuk kemi asnjë kusht vetiak, nuk synojmë asnjë pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i kemi disa kërkesa të cilat janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë punën e vet në ndihmë të krijimit të institucioneve”.

    Gjini deklaroi se kërkesa kryesore e Aleancës është pranimi i gazit të lëngshëm amerikan i cili sipas tij do të tregojë orientimin afatgjatë strategjik të shtetit.

    “Institucionet e reja të Kosovës duhet qartë me pranu orientimin strategjik, me pranu projektin e gazit të lëngshëm amerikan. Ky është jo vetëm projekt energjetik, ky është projekt strategjik që e tregon orientimin afatgjatë të shtetit tonë. Shteti duhet menjëherë të nis procedurat e ndërtimit edhe termocentralit të ri me thëngjill, duhet me u shfrytëzu thëngjilli jonë menjëherë. Institucionet e reja duhet menjëherë me ngrit pragun e TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro, ka qenë premtim elektoral dhe sot e përsëris, një veprim i tillë kishte me çliruar potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla që në Kosovë janë rreth 100 mijë. Ne kërkojmë që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, t’u lihet frymëmarrje bujqëve të Kosovës”, tha Gjini.

  • Gjykata Supreme refuzon ankesën e Qëndrim Kryeziut

    Gjykata Supreme refuzon ankesën e Qëndrim Kryeziut

    Gjykata Supreme ka refuzohet si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet të PDK-së, Qëndrim Kryeziu.

    Në arsyetimin e aktgjykimit është thënë se vendimi i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë.

    “Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pabazuar”, është thënë në aktgjykimin e Supremes.

    Kryezu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të PDK-së.

    Në Suprem është ankuar edhe kandidati tjetër i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu.

  • Përparim Rama: Në sheshin “Xhorxh Bush” po punohet në katër fronte

    Përparim Rama: Në sheshin “Xhorxh Bush” po punohet në katër fronte

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka treguar se në sheshin “Xhorxh Bush” po vazhdojnë punimet.

    Ai ka thënë se po punohet në katë fronte në të njejtën kohë, duke demoluar shtresën ekzistuese, duke vendosur rrjetin e ujësjellsit dhe duke punuar në vendosjen e places së betonit dhe pastaj pllakave të granitit.

    Postimi i plotë:

    Në sheshin “Xhorxh Bush” po punohet në katër fronte njëkohësisht:

    ✔️Demolimi i shtresës ekzistuese;

    ✔️Vendosja e rrjetit të ri të ujësjellësit;

    ✔️Punimet në pllakën betonarme;

    ✔️Vendosja e pllakave të granitit.

    Vazhdojmë.