ATV

Author: K.B.

  • KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Mbledhja e KQZ-së do të nisë nga ora 11:00.

    Sipas rezultateve të preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave, PDK 19.44, LDK me 16.69% dhe AAK me 6.74%.

    Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, do të nisë diskutimet për formimin e institucioneve.

    “Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, kishte thënë Kurti në mbledhje të qeverisë të mërkurën./

  • Një grua gjendet pa shenja jete nga familjarët e saj në Prishtinë

    Një grua gjendet pa shenja jete nga familjarët e saj në Prishtinë

    Një grua është gjetur pa shenja jete në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

    Policia tha se ajo u gjet nga familjarët e saj.

    “Rr. Nazim Gafurri, Prishtinë 26.06.2026 – NN. Është raportuar se viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Njësit relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, rasti është duke u hetuar”.

  • Punime në sistem, këto vende mbesin pa rrymë sot

    Punime në sistem, këto vende mbesin pa rrymë sot

    Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet

    27.06.2026

    Punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit

    Gjakovë

    1.

    Nga TS 35/10 kV Malisheva do të ndërpritet:
    Dalja 10 kV Mirusha (kodi: 82082052) nga ora 09:30 deri 10:30
    Vendet: Rr. 603 Adem Jashari (1 konsumator), Rr. Imer Krasniqi (7 konsumatorë), Rr. 605 Hamdi Berisha (1 konsumator), Rr. 606 Pavarësia (1 konsumator),
    Fshatrat: Bubël, Burim, Carallukë (3 konsumatorë), Damanek, Gurbardhë, Llapçevë, Lubizhdë, Lubizhdë e Malishevës, Lumnishtë, Mirushë, Mrasor, Panorc (një pjesë), Turjakë.
    Arsyeja: Shkyçja e konsumatorëve për shkak të borxhit.

    2.

    Nga NS 35/10 kV Malishevë do të ndërprehet:
    Dalja 10 kV Carralluka (kodi: 82082051) nga ora 07:00 deri 07:30 dhe 16:00 deri 16:30
    Vendet: Rrugët 603 Adem Jashari (një pjesë), 605 Rilindja Kombëtare (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumator), 610 Hisni Mazreku (1 konsumator).
    Fshatrat Carallukë, Dragobil, Drenoc, Panorc, Shkarashnikë, Tërpezë e Poshtme, Vërmicë dhe Vërmicë e Malishevës
    Arsyeja: Manipulim me ndarësa

    3.

    Në TS 35/10 kV Malisheva
    Nga dalja 10 kV Carralluka do të ndërprehet TS-i:
    TS 10/04 kV Bashkim Krasniqi Privat (kodi: 82082051027) nga ora 07:00 deri 16:30
    Vendet: obj. Bashkim Krasniqi
    Arsyeja: Punime në rrjet

    4.

    Nga NS 35/10 kV Malishevë do të ndërpritet:
    Dalja 10 kV Carralluka (kodi: 82082051) nga ora 07:00 deri në 07:30 dhe 16:00 deri në 16:30
    Vendet: Rrugët: 603 Adem Jashari (një pjesë), 605 Rilindja Kombëtare (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumator), 610 Hisni Mazreku (1 konsumator).
    Fshatrat: Carallukë, Dragobil, Drenoc, Panorc, Shkarashnikë, Tërpezë e Poshtme, Vërmicë dhe Vërmicë e Malishevës.
    Arsyeja: Manipulim me ndarësa

    5.

    Në TS 35/10 kV Malisheva
    Nga dalja 10 kV Carralluka do të ndërpritet TS-i:
    TS 10/04 kV Bashkim Krasniqi Privat (kodi: 82082051027) nga ora 07:00 deri në 16:30
    Vendet: obj. Bashkim Krasniqi
    Arsyeja: Punime në rrjet

    Ferizaj
    1.
    Nga NS 35/10 [kV] Shtime do të ndërpritet:
    Dalja 10 [kV] Petrova (kodi: 41046002) nga ora 11:00 deri 15:30
    Vendet: Rr. Ahmet Shtimja, Petrova, Reçaku (një pjesë) dhe Mullopolci.
    Arsyeja: Ngritja e shtyllave të TM dhe bartja e rrjetit në shtylla të reja.

    Prizren

    1.

    Në TS 110/35/10 kV Theranda
    Nga dalja 10 kV Peqani do të ndërpritet TS-i:
    TS 10/04 kV Bllaca I Shkolla (kodi: 32000007012) nga ora 10:30 deri në 14:30
    Vendet: Bllacë te shkolla
    Arsyeja: Punimi në projektin D.M.26.01.04

  • SHBA godet caqe iraniane, pasi Teherani sulmoi me dron një anije transportuese mallrash

    SHBA godet caqe iraniane, pasi Teherani sulmoi me dron një anije transportuese mallrash

    Ushtria amerikane të premten ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmit që Teherani kreu të enjten ndaj një anijeje tregtare pranë kësaj rruge ujore strategjike, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

    “Sipas CENTCOM-it, avionët amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh iranianë, si dhe pozicione të radarëve bregdetarë. Agresioni i pajustifikuar i forcave iraniane ndaj transportit detar komercial përbën një shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit”, thuhet në deklaratë, raporton CNN.

    Sulmet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin me dron ndaj anijes në Ngushticën e Hormuzit si një “shkelje të pamend” të marrëveshjes për përfundimin e luftës me Iranin, por nuk dha shenja se incidenti do të çonte në rifillimin e luftimeve në shkallë më të gjerë.

    I pyetur të premten nëse Irani do të përballet me pasoja, Trump u përgjigj shkurt para gazetarëve në Zyrën Ovale: “Do ta zbuloni.”

    Presidenti reagoi fillimisht të premten në mëngjes, disa orë pas sulmit.

    “Republika Islamike e Iranit lëshoi të paktën katër dronë vetëshkatërrues ndaj anijeve që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transportuese të mallrave”, shkroi ai në platformën Truth Social.

    “U shkaktuan dëme, por anija vazhdoi lundrimin. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë. Është e qartë se kjo është një shkelje e pamend e marrëveshjes sonë të armëpushimit”, shtoi Trump.

    Pak orë më vonë, Trump tha se incidenti tregonte se Irani ende ruante një pjesë të kapaciteteve të tij ushtarake, pavarësisht luftës disamujore me SHBA-në.

    “Ne ende kemi një përballje. Ata kanë ende disa kapacitete, jo shumë. Nuk po fitojnë, por mund të qëllojnë ende”, u tha ai një grupi të krishterësh konservatorë në Uashington.

    “Askush nuk e pa këtë të vinte,” tha Trump për sulmin iranian. “Goditi një anije dhe shkaktoi dëme. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin.”

    Më vonë, gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale, Trump nuk pranoi të tregonte nëse dhe si do të përgjigjej SHBA-ja ndaj incidentit, i cili ndodhi një ditë më parë dhe nënvizoi vështirësitë për rikthimin e trafikut detar në nivelet para luftës në këtë rrugë ujore jetike.

    “Nuk më pëlqen fakti që qëlluan dje,” tha ai kur u pyet nëse armëpushimi mbetej ende në fuqi. “Nuk ishte një anije aleate, por ishte një anije. Një anije shumë e shtrenjtë. Pësoi disa dëme, por ishte në rregull. Nuk duhet të bëjnë gjëra të tilla.”

    Kur u pyet sërish nëse SHBA-ja do të përgjigjej, ai tha: “Do ta zbuloni”, dhe më pas ndërpreu konferencën për shtyp.

    Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në rajon, iu referua deklaratës së Trumpit kur u pyet për sulmin. Ndërkohë, llogaria e Departamentit amerikan të Mbrojtjes në rrjetin X publikoi tre emoji me flamurin amerikan mbi një pamje të postimit të Trumpit në Truth Social.

    Ky ishte incidenti i parë që nga nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave më të thelluara për programin bërthamor iranian. Trump ka dhënë pak sinjale se është i gatshëm të rifillojë luftën, për të cilën pranoi javën e kaluar se mund të kishte sjellë “katastrofë ekonomike” nëse do të vazhdonte.

    Irani e konsideron kontrollin e kësaj rruge ujore si një mjet të rëndësishëm presioni në negociata. Të enjten, Garda Revolucionare Islamike paralajmëroi se kalim i sigurt do t’u garantohej vetëm anijeve që përdornin rrugët detare të përcaktuara nga Irani.

    Marrëveshja SHBA–Iran parashikonte rikthimin e trafikut detar në nivelet para luftës, por nuk përcaktonte në detaje kushtet për zbatimin e saj.

    Të dyja palët kanë interpretime të ndryshme lidhur me të drejtën e Iranit për të vendosur tarifa ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë. Trump ka këmbëngulur se kalimi duhet të jetë pa pagesë, ndërsa Teherani pretendon se ka të drejtë të tarifojë anijet.

    Sulmi i së enjtes ndodhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare paralajmëroi se anijet do të kishin kalim të sigurt vetëm përmes korridoreve të përcaktuara nga Irani, duke sfiduar pretendimin e administratës Trump se Ngushtica e Hormuzit ishte sërish plotësisht e hapur dhe e lirë për lundrim. SHBA-ja kishte hequr bllokadën ndaj porteve iraniane pas nënshkrimit të marrëveshjes.

    Sipas Qendrës Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), anija e mallrave u godit në anën e djathtë nga një predhë e paidentifikuar, duke pësuar dëmtime në urën e komandimit. Nuk u raportuan viktima dhe as ndotje e mjedisit.

  • Gjermania thyen rekordin e temperaturave, termometri arrin 41.3 gradë Celsius

    Gjermania thyen rekordin e temperaturave, termometri arrin 41.3 gradë Celsius

    Gjermania ka vendosur sot një rekord absolut të temperaturës, me 41.3 gradë Celsius të regjistruara në një lagje të qytetit Saarbruecken, në perëndim të vendit, sipas të dhënave paraprake të shërbimit meteorologjik gjerman (DWD).

    “Kjo vlerë është arritur për herë të parë në Gjermani” që nga fillimi i matjeve meteorologjike, njoftoi shërbimi përmes platformës sociale Bluesky.

    Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Gjermani ishte 41.2 gradë Celsius, i regjistruar më 25 korrik 2019.

    “Është plotësisht e mundur që kjo temperaturë të arrihet sërish nesër (të shtunën), madje edhe të tejkalohet lehtë”, tha për agjencinë AFP Uwe Baumgarten, meteorolog në DWD, shkruajnë mediat.

    Meteorologët gjermanë kanë lëshuar sot në mëngjes paralajmërime për valë të forta deri ekstreme të të nxehtit në të gjithë vendin. Dita më e nxehtë pritet të jetë e diela, kur temperaturat mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius. Parashikuesit thonë se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri në fillim të javës së ardhshme.

    Për shkak të temperaturave të larta, në shumë pjesë të Gjermanisë janë anuluar aktivitete sportive dhe ngjarje në ambiente të hapura.

    Temperaturat ekstreme kanë rënduar edhe infrastrukturën, ndërsa kompania gjermane e hekurudhave ka paralajmëruar për probleme të mundshme dhe ka këshilluar që udhëtimet të shmangen, përveç rasteve kur janë të domosdoshme.

    Përveç temperaturave të larta, nga e shtuna pritet të rritet gradualisht mundësia për stuhi nga perëndimi, me reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta.

  • Hezbollahu e refuzon marrëveshjen mes Izraelit dhe Libanit

    Hezbollahu e refuzon marrëveshjen mes Izraelit dhe Libanit

    Deputeti i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, ka refuzuar marrëveshjen e nënshkruar mes Izraelit dhe Libanit në Uashington.

    “Rruga që po ndjekin autoritetet libaneze përbën lëshime të njëanshme dhe të pajustifikuara, të cilat vetëm sa do ta dobësojnë vendin dhe do t’u shërbejnë interesave të armikut izraelit”, tha ai në një deklaratë, raporton AlJazeera.

    Ai shtoi se marrëveshja “rrezikon të krijojë ndarje të rrezikshme brenda vendit”.

  • Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029, procesi i zgjerimit po ecën me hapa të shpejtë

    Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029, procesi i zgjerimit po ecën me hapa të shpejtë

    Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria kryeson procesin, merr një shtysë të re.

    Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se procesi i zgjerimit të unionit po përshpejtohet dhe brenda mandatit të saj, që përfundon në vitin 2029, do të ketë anëtarë të rinj.

    Sipas diplomates evropiane, dinamika e zgjerimit ka ndryshuar ndjeshëm dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për vendet kandidate, ku pararojë janë Shqipëria dhe Mali i Zi.

    “Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Dhe nëse Islanda i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në një referendum në muajin gusht, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria tani ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave. Pra, lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”.

    Komisionerja Marta Kos i bëri deklaratat në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, të mbajtur në Gdansk të Polonisë.

    Sipas Kos, dinamika e zgjerimit të Bashkimit Evropian tani është më e lartë dhe, sipas saj, komuniteti evropian do ta përshpejtojë këtë proces. Shqipëria synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. /tch

  • Dita e 27-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

    Dita e 27-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

    Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drej Kryeministrisë edhe këtë të premte kur regjistrohet dita e 27-të e protestës.

    Grumbullimi i qytetarëve nisi në orën 19:00 dhe pas pak minutash ata u nisën drejt Kryeministrisë.

    Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa vijonë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

    Me mbledhjen e tyre në këtë ditë të 27-të të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë parashtruar sërish kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Një nga pjesmarrëset në këtë tubim, ka mbajtur fjalën në podium duke listuar pesë kërkesat.

    Kërkesa e parë është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.

    Së dyti, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

    Kërkesa e tretë lidhet me ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Në këto ndryshime përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi, raporton euronews.al

    Paralelisht, organizatorët kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.

    Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

  • Polici italian vdiq pas aksionit të ndjekjes së një shqiptari në Milano, 26-vjeçari: Kisha drogë me vete, por s’e pashë që u rrëzua

    Polici italian vdiq pas aksionit të ndjekjes së një shqiptari në Milano, 26-vjeçari: Kisha drogë me vete, por s’e pashë që u rrëzua

    Genti Berisha, 26-vjeçari shqiptar i arrestuar për vdekjen e Francesco Imprezzabile, një oficeri 39- vjeçar i policisë lokale milaneze, i cili ra nga motoçikleta e tij pas një ndjekjeje me 180 kilometra në orë, është lënë në arrest shtëpiak me një byzylyk elektronik.

    Berisha akuzohet për shmangie nga pakujdesia dhe shkaktim vdekjeje. Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes, i riu nuk iu bind një sinjali ndalimi, duke çuar në ndjekjen që la të vdekur oficerin.

    “Berisha ka marrë përgjegjësi të plotë dhe ka kërkuar falje përsëri”, tha avokati i shqiptarit.

    Siç shpjegoi avokati Fabrizio Cardinali, gjatë marrjes në pyetje i riu mori përsipër “përgjegjësinë e plotë për kryerjen e këtij akti instiktiv dhe të pamatur, duke e gjykuar gabim situatën si një individ i papjekur” dhe më vonë shprehu “vjen keq, vërtet jam i shqetësuar emocionalisht”, duke kërkuar përsëri falje.

    Ai e kuptoi se “nëse do të kishte menduar, nuk do të ishte larguar dhe nuk e vuri re që oficeri ishte rrëzuar”.

    I riu thuhet gjithashtu se është gati të dëmshpërblejë familjen e oficerit, brenda mundësive ekonomike që ai ka.

    Gjatë dëshmisë së tij, ai tha se nuk u ndal në pikën e kontrollit në zonën e Ponte Lambro sepse kishte drogë me vete.

  • AUV me thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve shkaku i të nxehtit

    AUV me thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve shkaku i të nxehtit

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për kujdes në ruajtje të ushqimeve për shkak të ngritjes se temperaturave.

    AUV kërkon që të gjithë operatorët ekonomik që merren me ushqime të zbatojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe kushtet sipas standardeve te sigurisë ushqimore.

    “Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët, andaj secili duhet ta ndjejë vetën përgjegjës për ruajtje të ushqimeve në secilin rast. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve”, thonë mes tjerash nga kjo agjenci.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se do të intensifikojë kontrollet gjatë periudhës se verës për të mbikëqyrë respektimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet.

    “Shëndeti publikë është i varur nga siguria ushqimore, ruajeni ushqimin në mënyre të sigurt.