ATV

Author: K.B.

  • Vikendi përvëlues në Kosovë, temperaturat shkojnë deri në 33 gradë

    Vikendi përvëlues në Kosovë, temperaturat shkojnë deri në 33 gradë

    Gjatë fundjavës, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, të cilat do të kushtëzojnë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për aktivitetet në natyrë, bujqësi dhe transport.

    Të shtunën moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 28 deri në 33°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–5 m/s”. Ditën e diel temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 28 deri në 32°C.

    “Era do të jetë e dobët, me drejtime të ndryshme”, njofton IHMK.

  • Haradinaj: Moszgjedhja e gazit amerikan, refuzim i forcimit të kufirit strategjik Perëndim-Rusi

    Haradinaj: Moszgjedhja e gazit amerikan, refuzim i forcimit të kufirit strategjik Perëndim-Rusi

    Meliza Haradinaj ka thënë se Kosova po bën gabim kardinal duke refuzuar gazin amerikan, e për të cilin do të paguajë me dekada.

    Sipas saj, debati për gazin është dilemë e turpshme mbi orientimin strategjik të vendit, e që nuk është debat midis gazit dhe thëngjillit.

    “Kosova po bën një gabim kardinal që do ta paguajë për dekada. Debati për gazin është dilemë e turpshme mbi orientimin strategjik të Kosovës, e nuk është debat mes gazit dhe thëngjillit. Nuk është as debat ideologjik mbi tranzicionin energjetik. Dhe pikërisht këtu po bëhet gabimi e po dëshmohet mosdija”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    “Në vitin 2026, të informosh vendime strategjike përmes qasjeve që burojnë nga mendësia e ish-strukturave jugosllave të politikës dhe sigurisë, në vend se përmes koordinimit me aleatin strategjik të Kosovës në Washington, është një keqlexim serioz i rendit të ri ndërkombëtar”.

    “Edhe më shqetësues bëhet ky zhvillim kur, pavarësisht deklarimeve se ‘nuk jemi kundër gazit amerikan’, refuzohet pikërisht projekti konkret që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur si pjesë të vizionit të tyre për sigurinë energjetike të rajonit”.

    Sipas saj, në gjeopolitikë energjia është instrument e siguri kombëtare, si dhe politikë e jashtme në formën e vet më direkte.

    “Në gjeopolitikë energjia nuk është më vetëm energji. Është instrument. Është siguri kombëtare. Është politikë e jashtme në formën e saj më të drejtpërdrejtë. Përmes energjisë ndërtohen aleanca, zvogëlohen varësitë dhe forcohen kufijtë strategjikë”.

    “Pikërisht për këtë arsye, administratat amerikane, pa dallim nëse kanë qenë republikanë apo demokratë, kanë ndjekur për dekada një politikë të qëndrueshme të diversifikimit energjetik të Evropës dhe të reduktimit të varësisë nga furnizues që energjinë e përdorin si instrument presioni gjeopolitik”.
    Tutje në shkrimin e saj, ajo tha se moszgjedhja e një projekti strategjik përbën refuzim të mundësisë për ta bërë Kosovën pjesë më të fuqishme të strategjisë së Perëndimit.

    “Në këtë kontekst, moszgjedhja e një projekti strategjik amerikan është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën pjesë më të fortë të arkitekturës strategjike perëndimore. Është refuzim i forcimit të kufirit perëndimor përballë ndikimit rus”.
    “Pikërisht këtu qëndron shkurtpamësia strategjike. Kosova nuk mund të sillet sikur është një fuqi nukleare e vetëmjaftueshme, si një ishull i shkëputur nga realiteti gjeopolitik. Është një shtet i vogël, me sfida të mëdha sigurie, ekzistenca dhe sovraniteti i të cilit janë ndërtuar dhe mirëmbahen përmes partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”.

    “Prandaj për mua është e vështirë të kuptohet pse një projekt i mbështetur nga aleati ynë më i rëndësishëm trajtohet si një dosje teknike dhe jo si një investim në sigurinë afatmesme dhe afatgjatë të shtetit”.

  • Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Jo për me u nda, por me u bashku rreth një lidershipi të ri

    Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Jo për me u nda, por me u bashku rreth një lidershipi të ri

    Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar zgjedhje brenda partisë, në mënyrë që të ‘’bashkohen rreth një legjitimiteti dhe lidershipi të ri’’.

    Gashi, në reagimin e tij, ka thënë se kapitali më i madh i një parti është besimi, dhe se, kur nuk arrin që ta fitosh besimin e shumicës për disa zgjedhjeve, atëherë duhet të kërkohen përgjigje e jo fajtorë.

    ‘’ LDK-ja asht ma shumë se nji parti. Asht tradita politike që i ka vu themelet Republikës, ka mbrojt demokracinë, orientimin euroatlantik dhe ekonominë e lirë. Pikërisht për këtë, duhet me qenë shembull jo vetëm në fitore, por edhe në mënyrën se si përballet me sfidat. Kur mungon suksesi, duhet me mbizotëru arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal. Demokracia e brendshme nuk asht rrezik; ajo asht forca jonë ma e madhe’’, ka shkruar Gashi mes tjerash.

    Postimi:

    Besimi asht kapitali ma i madh i nji force politike. Ai nuk ndërtohet mbi individë, por mbi ideale, vlera dhe nji program që i shërben shtetit, lirisë, ekonomisë së tregut, pronës private dhe zhvillimit. Pikërisht ky besim i bashkon njerëzit në nji parti dhe i bind qytetarët me ia besu drejtimin e vendit.

    Kur për disa zgjedhje me radhë nuk arrijmë me e fitu besimin e shumicës, nuk duhet me kërku fajtorë. Duhet me kërku përgjigje. Në politikën e qendrës së djathtë, përgjegjësia asht virtyt, jo dobësi. Vetëm përmes reflektimit, meritës dhe përgjegjësisë rikthehet besimi.

    LDK-ja asht ma shumë se nji parti. Asht tradita politike që i ka vu themelet Republikës, ka mbrojt demokracinë, orientimin euroatlantik dhe ekonominë e lirë. Pikërisht për këtë, duhet me qenë shembull jo vetëm në fitore, por edhe në mënyrën se si përballet me sfidat.

    Kur mungon suksesi, duhet me mbizotëru arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal. Demokracia e brendshme nuk asht rrezik; ajo asht forca jonë ma e madhe.

    Prandaj, zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. Janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për nji cikël të ri politik.

    As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mundet me u ba normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë ma shumë. Kërkojnë nji LDK që fiton, që qeveris dhe që udhëheq me vizion.

    Le t’i kthehemi burimit të forcës sonë: demokracisë, meritokracisë dhe vlerave. Le të shkojmë në zgjedhje brenda LDK-së, jo me u nda, por me u bashku rreth nji legjitimiteti të ri, nji lidershipi të ri dhe nji misioni të përbashkët.

    Nji LDK ma e fortë. Nji Kosovë ma e zhvillume. Për nji LDK moderne që fiton prap besimin e qytetarëve.

    Përpara LDK!

  • Tromp për vendimin final të Hagës: Do të ketë kompromis, dikush do të lirohet e dikush jo

    Tromp për vendimin final të Hagës: Do të ketë kompromis, dikush do të lirohet e dikush jo

    Nevenka Tromp në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur për skenarët e mundshëm të vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK’së, shkruan Express.

    Tromp ka thënë se do të bëhet një kompromis për të përmbushur pritjet e palës kosovare dhe asaj serbe dhe sipas saj, dikush do të lirohet dhe dikush do të dënohet.

    Ajo ka thënë se vetëm pritet të shihet se cili do të jetë kombinimi që do të ndodh.

  • KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nesër do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

    ‘’Ju njoftoj se të shtunën (27 qershor 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor.’’, ka thënë Elezi.

  • ​‘Paramilitarët na sulmuan në shtëpi”, protestë në Lipjan në mbështetje të veteranit Bekim Meta

    ​‘Paramilitarët na sulmuan në shtëpi”, protestë në Lipjan në mbështetje të veteranit Bekim Meta

    Tri ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit dyshohet që një grup personash të komunitetit rom, kanë sulmuar Skendër Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta, i cili kishte ndërhyrë për të ndarë palët.

    Në lidhje me këtë në Gjykatën Themelore në Lipjan po përballen veterani i luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe fqinji i tij, Skendër Shahini.

    Kështu para gjykatës po protestojnë një grup i veteranëve e qytetarëve të Lipjanit në mbështetje të veteranit Bekim Meta, duke kërkuar nga organet e drejtësisë trajtim të drejtë të rastit. Ata vlerësojnë se Meta është i pafajshëm pasi ai vetëm ka ndërhyrë për të i ndarë palët.

    Besim Jusufi, veteran i luftës së UÇK-së, i cili është në mesin e protestuesve, thotë për KosovaPress, se konflikti lidhet me një ngjarje të pasluftës, kur Shahini kishte raportuar në polici armë dhe municion që, sipas tij, ishin gjetur në shtëpinë e një familjeje rome.

    “Protesta, ose përkrahja është për veteranin Bekim Meta, i cili është sulmuar me një fjalë nga pala tjetër. Nuk… është sulmuar fqinji i Bekimit, po Bekimi ka ndërhyrë me i ndarë fillimisht. Po me kohën tani edhe ai ka qenë pjesë e asaj. Ata dihen… e dinë edhe policia, e dinë edhe qytetarët e Magurës kush janë ajo pala tjetër. Ata nja dy, sipas informatave që janë, janë kanë të veshur edhe në kohën e ish-Serbisë. Ata nuk jetojnë në Magurë, jetojnë në Serbi diku, por kanë ardhë në mënyrë të organizuar diku 22-23 vetë kanë qenë si kanë marrë pjesë në atë aksion, që e kanë sulmuar fillimisht fqinjin e Bekim Metës, Skender Shahini. Sipas fjalëve të fqinjit, të atij Skenderit, pas lufte i ka gjetur ca armatim në shtëpi të tyre edhe ca municion goxha shumë, diku nja 30 kg a diçka. Edhe ata i kanë thënë për mos me e njoftuar rastin në polici ose edhe në KFOR, t’i japim para e sende. Po ai s’ka pranuar Skenda edhe tani një kohë bukur të gjatë, pas disa viteve, kanë ardhë edhe e kanë sulmuar. Gjoja se ia kanë zënë pronën, po ai Skenda s’ia ka zënë pronën, në pronë të vet. Ata e kanë pronën qysh e kanë lënë ashtu edhe është hala”, tha Jusufi për KosovaPress.

    Njëri nga pjesëmarrësit tjerë në protestë, Ramë Bardhi, tha për KosovaPress, se është e padrejtë mbajtja e veteranit Bekim Metës sepse ndër të tjerash, sulmuesit e kanë kërcënuar duke thënë “Kurgjo nuk kemi ba në ‘98, çka kemi me bërë tash“.

    “Arsyeja kryesore është me u liruar çlirimtari. Me u liruar çlirimtari. Nuk ka kurrfarë arsye me mbajtur në burg çlirimtarin. Me ardhë prej Serbisë kriminel e me sulmuar çlirimtarin në Magurë, kjo nuk tolerohet. Kjo nuk tolerohet. Janë ardhë e kanë sulmuar fqinjin. Ky veterani, çlirimtari, ky veç ka ndërhyrë me i nda. Po kur ka hy aty, ata nisin me keqpërdorur, me pa u përlesh… Ne protesta s’kemi me ndalur. Në qoftë se dënohet çlirimtari, protesta s’kemi me ndalur. Deri sa të lirohet shpejt. Deri sa të lirohet shpejt. Protesta s’kemi me ndalur. S’kemi me ndalur”, tha ai.

    Edhe veterani i luftës, Sejdi Dulla, tha se nuk e kishte menduar që veteranët do të përballeshin me situata të tilla shumë vite pas përfundimit të luftës.

    “Po, të them të drejtën, 30 vitet mbas luftës se kemi menduar ne që kemi me pasë, me na ardhur kriminelë, me na ardhur paramilitarët edhe me na sulmuar nëpër shtëpia. Ne veteranë të luftës ose ne invalidë të luftës, me na u sulmuar njerëz që kanë qenë me uniforma paramilitarë të Serbisë. Edhe fillimisht, unë i përshëndes të gjithë këta pjesëmarrës që kanë marrë, që kanë marrë pjesë në protesta, edhe kërkoj nga gjykata që veteranin ta lirojnë përnjëherë, se ne jemi në shtëpinë tonë, ata kanë qenë paramilitarë. Ata kanë qenë tre të veshur prej tyre. Edhe kështu që me ardhë me na sulmuar, është e padrejtë. Po nuk di çka me thënë, nuk e di, s’kam besuar kurrë që ka me ardh kjo ditë që mbas kësaj kohe me ardhë prapë paramilitarët edhe me na sulmuar nëpër shtëpia.”, u shpreh Dulla.

    Ndërkaq, Arsim Jusufi tha se protestuesit presin që gjykata të marrë një vendim të drejtë, duke shtuar se do të vazhdojnë protestat nëse Meta nuk lirohet.

    “Ky është një organizim mbështetje një djalit që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, i cili ende pas 26 vite i ka tre predha në kokë në tru e nuk guxojnë me i larguar edhe e vuan atë pasojë për me çliruar vendin tonë. Njeriu ka qenë në shtëpi të vet, ata janë ardhë tri ditë më herët, kanë provokuar me drona, me gjëra edhe ka ardhur deri te problemi, tash shpresojmë që organet e drejtësisë, në këtë rast gjykata, në të japë verdiktin e drejtë edhe të lirohet Bekimi e të vijnë në shtëpi të vet për arsye se është shumë i sëmurë. Ne do vazhdojmë, unë besoj që do bisedojmë me me të gjithë bashkëluftëtarët do të vazhdojmë protestën paqësore deri në lirimin e tijna. Nuk mund të barazohet luftëtari i lirisë me njerëz që kanë qenë të veshur në uniformë. Ata duhet me u dënuar për atë që e kanë bërë vitet ’90-’99 edhe për problemet e të gjitha të cilat i kanë bërë”, tha ai.

    Sipas protestuesit Arsim Jusufi rasti në Magurë të Lipjanit, nuk është i vetmi, pasi i njëjti problem po ndodh edhe në fshatin Grac, ku po bëhen provokime.

    “Të njëjtin problem e ke edhe në Grac, në fshatin Grac ku kanë ardhë nja dy autobusë edhe mbrëmë po provokojnë domethënë me fjalë e dini ju, fjalë separatiste të tyre edhe kjo është një sinjal për organet e sigurisë në këtë rast, për Ministrinë e Brendshme që do të vijnë në të mirën me këtë mos t’ia lënë qytetarëve këtë problem po në të mirë të institucioneve këtë gjë”, tha ai.

    Ndërsa vendimi i Gjykatës së Lipjanit për rastin e Skendër Shahinit dhe veteranit Bekim Beka pritet të merret pas përfundimit të procedurës gjyqësore.

  • Nesër varrosen në Kamenicë dy motrat që humbën jetën në një aksident në Gjermani

    Nesër varrosen në Kamenicë dy motrat që humbën jetën në një aksident në Gjermani

    Nesër varrosen në Kamenicë Erza dhe Aulona Zubaku, të cilat humbën jetën tragjikisht në një aksident që ndodhi të shtunën në Gjermani.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet nesër, më 27 qershor 2026, pas namazit të drekës, në varrezat e fshatit Topanicë, Komuna e Kamenicës, njoftuan familjarët e tyre.

    Njoftimi:

  • ​Nëntë ditë operacione intensive, kadetët e FSK-së testohen në terren

    ​Nëntë ditë operacione intensive, kadetët e FSK-së testohen në terren

    Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka përmbyllur me sukses vlerësimin praktik për vitin akademik 2025/2026, të titulluar “Qielli i Shqiponjave 2026”.

    Sipas një njoftimi të FSK-së, gjatë nëntë ditëve të angazhimit intensiv në rajonin e Gjakovës, kadetët zhvilluan operacione luftarake në nivel togu dhe kompanie, duke zbatuar në terren njohuritë teorike dhe praktike të fituara gjatë vitit akademik.

    Siç thuhet në njoftim vlerësimi praktik përfshiu planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve luftarake, koordinimin ndërmjet njësive si dhe vendimmarrjen në kushte dinamike.

    Ky aktivitet kishte për synim forcimin e aftësive udhëheqëse, disiplinës dhe frymës ekipore të kadetëve, si pjesë e përgatitjes së tyre profesionale për përmbushjen e detyrave në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Katër persona lëndohen në një aksident ku u përfshinë tri vetura në Malishevë

    Katër persona lëndohen në një aksident ku u përfshinë tri vetura në Malishevë

    Katër persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident në Malishevë ku u përfshinë tri vetura.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    “Rreth orës 13:10 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë. Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë, deri tani, katër persona kanë pranuar trajtim mjekësor”.

    Ajo shtoi se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e trajtuar rastin.

  • Ditëlindja e 73-të e Ferdonije Qerkezit, një jetë mes dhimbjes dhe pritjes së pafund

    Ditëlindja e 73-të e Ferdonije Qerkezit, një jetë mes dhimbjes dhe pritjes së pafund

    Sot, Ferdonije Qerkezi shënon ditëlindjen e saj të 73-të, një datë që nuk mbart gëzim, por kujtime të rënda që koha nuk ka mundur t’i zbehë.

    Në mendjen dhe shpirtin e saj, kjo ditë nuk lidhet me urime apo festë, por me kujtimin e djemve të saj, ditëlindjet e të cilëve kanë mbetur të vetmet data që ajo i rikthen vazhdimisht në heshtje, me mall dhe dhimbje të pashuar.

    Jeta e saj u ndërpre në mënyrë të dhimbshme gjatë Luftës së fundit në Kosovë, kur humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, një humbje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj

    Më 27 mars 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe ia rrëmbyen burrin (Halimin) dhe katër djemtë (Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin) nga shtëpia në Gjakovë. Eshtrat e dy djemve të saj janë gjetur dhe varrosur më vonë, ndërsa burri dhe dy djemtë e tjerë vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

    Shtëpia e saj në Gjakovë nuk është më vetëm një vendbanim. Ajo është shndërruar në një muze përkujtimor, ku çdo hapësirë mban peshën e mungesës dhe kujtimit, duke dëshmuar një histori që nuk është mbyllur ende, shkruan Indeks Online.

    E njohur si nëna e hekurt, Ferdonije Qerkezi është bërë simbol i një qëndrese të rrallë njerëzore, por edhe i një dhimbjeje që jeton çdo ditë me të, pa u zbehur.

    Edhe në këtë ditëlindje, ajo nuk kërkon urime. Për të, kjo është një ditë e qetë, e rëndë, e mbushur me kujtime që nuk largohen kurrë.

    Në heshtjen e shtëpisë së saj muze, koha duket sikur ndalet. Dhe brenda saj vazhdon të jetojë një pritje e pafund për përgjigje mbi të zhdukurit, një pritje që ende nuk ka marrë fund.