ATV

Author: K.B.

  • Përgatitjet për 250 vjetor, vendoset një flamur gjigant në objektin e Ambasadës amerikane në Prishtinë

    Përgatitjet për 250 vjetor, vendoset një flamur gjigant në objektin e Ambasadës amerikane në Prishtinë

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kanë vendosur një flamur të madh të Amerikës në një prej hapësirave të objektit të ambasadës.

    Kjo në prag të shënimit të 250 vjetorit të lindjes së shtetit amerikan.

    “Në Ambasadën e SHBA-së në Pristinë, me krenari e shfaqëm flamurin ndërsa përgatitemi të festojmë 250-vjetorin e Amerikës. #Liria250”, thuhet në njoftim.

  • Rama për mediumin italian: Zvërneci u kthye nga një çështje lokale, në luftë globale kundër Trumpit

    Rama për mediumin italian: Zvërneci u kthye nga një çështje lokale, në luftë globale kundër Trumpit

    Nga udhëtimi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri te marrëveshja për emigrantët me Italinë, si edhe polemikat e brendshme për një projekt turistik të kundërshtuar nga “Revolucioni i Flamingove”, kryeministri shqiptar Edi Rama trajtoi çështjet kryesore politike që lidhen me Tiranën dhe marrëdhëniet e saj me Europën në një intervistë për agjencinë e lajmeve Italpress.

    Sa i përket rrugëtimit europian të Shqipërisë, Rama e përshkroi gjatë intervistës procesin si të pakthyeshëm.

    “Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar, për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, tha kryeministri.

    Rama u rikthye gjithashtu te marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, e cila muajt e fundit ka qenë në qendër të debatit të ashpër politik.

    “U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim, një tentativë për të gjetur një drejtim dhe zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull tjetër i kohës së humbur në beteja që shpesh nuk janë as beteja të vërteta, por përplasje të kota në arenën publike”, theksoi Rama.

    “Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë”, shton ai.

    Kryeministri u ndal edhe te protestat e “Revolucionit të Flamingove”, të cilat kundërshtojnë projektin në Zvërnec.

    Ai hodhi poshtë akuzat dhe tha se ato po dëmtojnë imazhin e vendit.

    “Prej vitesh jam akuzuar për gjithçka të mundshme. Nuk e di nëse ka mbetur ende diçka që nuk më është atribuar”, tha ai, duke shtuar se kjo situatë “më shkakton një dhimbje të thellë sepse në këtë pikë nuk bëhet më fjalë vetëm për mua, por për Shqipërinë”

    Sipas tij, “rreth kësaj çështjeje është ndërtuar një narrativë pa baza”.

    “Si mund të përgjigjesh? Kemi arritur në pikën ku duket se është përmbysur një parim themelor: duhet të jenë ata që bëjnë akuza që të sjellin prova, jo i akuzuari që duhet të provojë vazhdimisht pafajësinë e tij. Ky i ashtuquajtur “Revolucion i Flamingove” në fillim dukej pothuajse si skenari i një filmi. Sot më duket se protesta ka marrë drejtime të tjera dhe është zhvendosur në çështje të tjera”, tha kryeministri.

    “Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më sot, nuk ka vërtetuar asgjë. Nuk ka prova sepse procesi është ende në zhvillim”, thekson Rama.

    Kryeministri tha gjithashtu se “ende nuk kemi nënshkruar asnjë marrëveshje sepse negociatat nuk kanë përfunduar.”

    Për sa i përket zhvillimit tjetër, në një tokë private, ai theksoi se “shteti dhe qeveria nuk kanë asnjë lidhje me të. Ende nuk ka leje ndërtimi dhe procedura është në vazhdim”.

    “Kemi arritur në një situatë paradoksale”, tha Rama dhe shtoi se megjithatë i kuptonte arsyet e atyre që kishin dalë në protestë, por kritikoi mënyrën se si çështja ishte çuar në arenën ndërkombëtare.

    “Duke thënë këtë, i kuptoj plotësisht ata që dolën të protestojnë. E kam thënë publikisht: nëse do të isha mes tyre dhe do të dëgjoja gjithçka që thuhej, ndoshta do të ndjeja të njëjtin zemërim dhe të njëjtën indinjatë. Por nëse më pas do të dëgjoja palën tjetër, në këtë rast qeverinë, që më thoshte: ‘Eja, do të të tregoj se nuk ka asgjë nga ato që të kanë thënë, nuk ka prova’, do të ndihesha i qetësuar dhe do të kthehesha në shtëpi”, theksoi kryeministri.

    “Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë opozitën, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit”, përfundoi Rama.

  • Shenjat e dehidrimit te fëmijët që prindërit shpesh i ngatërrojnë me lodhje

    Shenjat e dehidrimit te fëmijët që prindërit shpesh i ngatërrojnë me lodhje

    Lodhja, dhimbja e kokës, urina e errët dhe përgjumja gjatë vapës nuk janë gjithmonë shenja të zakonshme vere. Në disa raste, mungesa e lëngjeve mund të ndikojë edhe në funksionin e veshkave

    Kur dielli “përvëlon”, fëmija zakonisht vrapon në plazh, hidhet në pishinë, luan futboll me shokët dhe nuk dëshiron ta ndërpresë argëtimin as për një minutë. Prindërit i ofrojnë ujë, por përgjigjja shpesh është e njëjtë: “Nuk kam etje!”. Disa orë më vonë, fëmija bëhet i lodhur, nervoz, ankohet për dhimbje koke ose i merren mendtë. Shumica e prindërve në atë moment mendojnë se bëhet fjalë për lodhje të zakonshme nga loja, por arsyeja mund të jetë shumë më serioze.

    Fëmija nuk e ndien etjen kur duhet

    Mjekët paralajmërojnë se gjatë vapës së verës një nga problemet shëndetësore më të nënvlerësuara mund të jetë pikërisht dehidrimi. Ajo që shumë prindër nuk e dinë është se humbja serioze e lëngjeve nuk ndikon vetëm në energjinë dhe disponimin e fëmijës. Në disa situata, ajo mund të rrezikojë edhe organet që punojnë vazhdimisht “në prapavijë” – veshkat.

    Një nga keqkuptimet më të mëdha është se fëmija do të kërkojë vetë ujë kur organizmi të ketë nevojë. Në realitet, sidomos gjatë lojës, shumë fëmijë e shpërfillin ndjenjën e etjes. Ata janë aq të përqendruar në argëtim, sa nuk i vërejnë sinjalet paralajmëruese që u dërgon trupi. Për këtë arsye, dehidrimi shpesh zhvillohet gradualisht dhe pa u vënë re.

    Problemi bëhet edhe më i theksuar gjatë qëndrimit në temperatura të larta, aktiviteteve sportive, udhëtimeve të gjata me makinë, qëndrimit në plazh, temperaturës së lartë trupore, diarresë dhe të vjellave.

    Çfarë ndodh në organizëm kur shfaqet dehidrimi dhe a mund të rrezikohen veshkat?

    Uji nuk është i rëndësishëm vetëm që fëmija të mos ndiejë etje. Ai mundëson funksionimin normal të të gjitha organeve, rregullon temperaturën trupore, transporton lëndët ushqyese dhe ndihmon veshkat që të largojnë nga organizmi produktet e dëmshme të metabolizmit.

    Kur organizmi humb më shumë lëngje sesa merr, sasia e gjakut që arrin në veshka fillon të ulet. Trupi atëherë përpiqet të ruajë çdo pikë uji. Urina bëhet më e errët, urinimi më i rrallë, ndërsa veshkat punojnë nën ngarkesë më të madhe.

    Në shumicën e rasteve, dehidrimi i lehtë kalon pa pasoja të përhershme nëse lëngjet zëvendësohen me kohë. Megjithatë, te dehidrimi më i theksuar, situata mund të bëhet serioze. Nëse organizmi për një kohë më të gjatë nuk ka mjaftueshëm lëngje, qarkullimi i gjakut nëpër veshka mund të ulet ndjeshëm. Në raste më të rënda mund të ndodhë çrregullim i përkohshëm i funksionit të tyre, ndërsa ndonjëherë nevojitet edhe trajtim spitalor.

    Veçanërisht të ndjeshëm janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, fëmijët me sëmundje kronike të veshkave, fëmijët me temperaturë të lartë, ata që kanë diarre ose të vjella, si dhe sportistët e rinj gjatë stërvitjeve intensive në vapë

    Shenjat që prindërit shpesh i anashkalojnë

    Dehidrimi nuk fillon gjithmonë në mënyrë dramatike. Përkundrazi, simptomat e para mund të jenë shumë të lehta dhe të paqarta.

    Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm nëse fëmija urinon dukshëm më rrallë se zakonisht, nëse urina ka ngjyrë të verdhë të errët, nëse fëmija duket jashtëzakonisht i lodhur, ankohet për dhimbje koke, ka gojë dhe buzë të thata, bëhet nervoz ose i përgjumur, apo nuk ka energji për lojë.

    Te foshnjat mund të shfaqen edhe pelena të thata për një periudhë më të gjatë, sy të futur dhe aktivitet i zvogëluar.

    A mund të dehidrohet fëmija edhe kur është vazhdimisht në ujë?

    Shumë prindër mendojnë se fëmija që qëndron vazhdimisht në ujë nuk mund të dehidrohet. Kjo është plotësisht e gabuar.

    Gjatë notit, vrapimit në plazh ose aktiviteteve sportive, fëmija djersitet edhe kur është në ujë. Për këtë arsye, humbja e lëngjeve shpesh nuk vërehet. Pikërisht për këtë, ekspertët këshillojnë që fëmijës t’i ofrohet ujë rregullisht, edhe kur nuk kërkon të pijë dhe nuk duket i etur.

    Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?

    Ka situata kur dehidrimi nuk është më problem që mund të zgjidhet vetëm me një gotë ujë më shumë. Kontrolli urgjent mjekësor është i nevojshëm nëse fëmija nuk mund t’i mbajë lëngjet për shkak të të vjellave, urinon shumë rrallë, bëhet tepër i përgjumur, duket i hutuar, ka sy të futur dhe gojë shumë të thatë, ose refuzon të pijë.

    Në raste të tilla, reagimi i shpejtë mund të parandalojë komplikime më serioze.

    Edhe pse gjatë pushimeve prindërit zgjedhin me kujdes kremin mbrojtës nga dielli, kapelat, rrobat e banjës dhe lodrat për ujë, ekspertët theksojnë se “aksesorja” më e rëndësishme e verës shpesh është pikërisht një shishe e zakonshme me ujë.

    Dehidrimi nuk është vetëm etje kalimtare. Kur neglizhohet, ai mund ta ngarkojë të gjithë organizmin, përfshirë edhe veshkat, të cilat çdo ditë kryejnë në heshtje një nga funksionet më të rëndësishme në trup.

    Prandaj mesazhi i mjekëve është i thjeshtë: fëmija mund të mos kërkojë gjithmonë ujë kur organizmi i tij ka nevojë, por prindërit duhet t’ia ofrojnë shumë më herët, para se të shfaqet etja. Ndonjëherë, disa gllënjka në kohën e duhur mund të bëjnë dallimin mes një dite verore të qetë dhe një problemi shëndetësor që kërkon ndihmë urgjente.

  • Ismet Kryeziu kërkon heqjen e votës preferenciale dhe ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet

    Ismet Kryeziu kërkon heqjen e votës preferenciale dhe ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet

    Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kërkuar ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet, duke propozuar heqjen e votës preferenciale dhe zëvendësimin e saj me sistemin “një kandidat – një votë”.

    Përmes një reagimi publik, Kryeziu tha se ankesat e paraqitura nga dy kandidatët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, lidhur me votat e tyre brenda partisë, kanë shtyrë certifikimin e rezultatit zgjedhor deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore.

    Ai vlerësoi se, deri në këtë fazë, procesi është duke u zhvilluar në përputhje me ligjin, por theksoi se raste të tilla po nxjerrin në pah mangësitë e sistemit aktual zgjedhor.

    “Problemi më i madh që po shfaqet gjithnjë e më shpesh duhet të adresohet me ndryshim të ligjit zgjedhor. Në mes tjerash, duhet ta heqim votën preferenciale dhe ta zëvendësojmë me votimin ‘një kandidat – një votë’”, ka shkruar Kryeziu.

    Sipas tij, ky model do ta bënte procesin zgjedhor më të pastër, do të zvogëlonte përplasjet dhe grupimet brenda partive, do të shmangte vonesat në certifikimin e rezultateve dhe do ta forconte lidhjen e drejtpërdrejtë mes kandidatit dhe votuesit.

    “Kjo mënyrë do ta pastrojë procesin zgjedhor, do të zvogëlojë përplasjet dhe grupimet brenda partive, do të shmangë vonesat në certifikimin e rezultateve dhe do ta forcojë lidhjen e drejtpërdrejtë mes kandidatit dhe votuesit.”

    Kryeziu shtoi se ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet duhet të jetë një nga prioritetet kryesore, duke propozuar që listat zgjedhore të organizohen sipas modelit të zgjedhjeve lokale, ku secili qytetar voton vetëm një kandidat.

  • “Ju urova”, Sidrit Bejleri dhe Albina Kelmendi publikojnë bashkëpunimin e tyre

    “Ju urova”, Sidrit Bejleri dhe Albina Kelmendi publikojnë bashkëpunimin e tyre

    Dy artistët e njohur shqiptarë, Sidrit Bejleri dhe Albina Kelmendi kanë publikuar bashkëpunimin e tyre.

    “Ju urova”, titullohet kënga, të cilën dyshja e sjellur edhe me videoklip.

    Për tekstin e kësaj këngë është përkujdesur vet Sidrit Bejleri, në bashkëpunim me Enis Mullajn.

  • Mali i Zi arreston një person të kërkuar nga SHBA për krime kibernetike në favor të Iranit

    Mali i Zi arreston një person të kërkuar nga SHBA për krime kibernetike në favor të Iranit

    Policia në Mal të Zi ka arrestuar një shtetas iraniano-turk, i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, për sulme të dyshuara kibernetike, të cilat autoritetet thonë se shkaktuan dëme me vlerë mbi 3.4 miliardë dollarë (2.98 miliardë euro).

    Policia tha se i dyshuari 39-vjeçar, i identifikuar vetëm si AB, u ndalua të enjten në qytetin bregdetar të Kotorrit në një operacion të kryer me Byronë Federale të Hetimit të SHBA-së.

    Burri kërkohet nga një gjykatë në New York për akuza që përfshijnë mashtrim kompjuterik, hakim, vjedhje identiteti dhe krim të organizuar, sipas një deklarate të policisë.

    Autoritetet malazeze pretenduan se që nga viti 2013 e tutje, i dyshuari kreu “sulme masive hakerimi” në infrastrukturën amerikane, duke përfshirë më shumë se 150 universitete.

    Të dhënat e vjedhura dhe llogaritë e kompromentuara universitare dyshohet se u përdorën në dobi të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe përfituesve të tjerë iranianë, përfshirë universitetet.

    I dyshuari do të paraqitet para një gjykate në kryeqytetin malazez, Podgoricë, e cila do të vendosë mbi kërkesën e SHBA-së për ekstradim.

  • Katër muaj burgim me kusht për të akuzuarin që kanosi gazetarin Ardit Kika

    Katër muaj burgim me kusht për të akuzuarin që kanosi gazetarin Ardit Kika

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej 1 viti, si dhe me dënim plotësues – ndalim prej 6 muajsh të qasjes në mediat sociale – Agron Kyçykun, për shkak të kanosjes ndaj gazetarit Ardit Kika.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi Driton Berisha.

    Para shpalljes së aktgjykimit, Kyçyku pranoi fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit, Arta Cukaj.

    “E pranoj dhe shpreh keqardhje. Ju kërkoj falje të gjithëve dhe personit për shqetësimin”, tha Kyçyku.

    Mbrojtësi i Kyçykut, Bedri Abdullahu, paraprakisht tha se gjykata, me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të marrë parasysh pranimin e fajësisë, shprehjen e keqardhjes dhe rrethanat familjare.

    Në anën tjetër, i dëmtuari Kika tha se gjykata duhet të ketë parasysh se i akuzuari ende nuk e ka fshirë komentin që është konsideruar kanosës, çka i akuzuari tha se ndodh për shkak se nuk po mund ta gjejë faqen për ta fshirë.

    Sipas Prokurorisë, më 22.01.2026, rreth orës 22:00, në Prishtinë, i pandehuri Agron Kyçyku seriozisht e ka kanosur gazetarin Ardit Kika të kompanisë “Koha” në KTV, me qëllim të frikësimit, ashtu që përmes Facebook-ut i ka shkruar fjalët: “kta i ndalë likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala ju i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për shkë e rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet që sa më shpejtë me na anëtarësu në NATO – e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm”, me çka te i dëmtuari – gazetari Ardit Kika – është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

    Prandaj, për këto veprime, Kyçyku ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

  • Shqipëri: Helmimi i dyshuar i 64 kursantëve, ndërpritet aktiviteti i kompanisë së ushqimit

    Shqipëri: Helmimi i dyshuar i 64 kursantëve, ndërpritet aktiviteti i kompanisë së ushqimit

    Pas helmimit të dyshuar nga ushqimi të 64 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me njoftim ku bën me dije se është ndërperë aktiviteti i subjektit “SORI-AL” te Garnizioni Skënderbej deri në daljen e përgjigjes së analizave.

    Megjithatë nga verifikimet paraprake bëhet e ditur se “SORI-AL” u konstatua se ushtronte aktivitetin në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare.

    “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie. Menjëherë, nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë,Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura”.

    “Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë, Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se janë konstatuar kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues.

    Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve. Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV”.

    “Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë rastit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim./A2Cnn

  • Momente paniku në Venezuelë, çifti i moshuar filmohet gjatë tërmetit shkatërrues

    Momente paniku në Venezuelë, çifti i moshuar filmohet gjatë tërmetit shkatërrues

    Dy tërmete të fuqishme tronditën anën perëndimore të kryeqytetit të Venezuelës, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave, duke lënë njerëz të bllokuar nën rrënoja dhe duke i bërë ekspertët të vlerësojnë se do të ketë “shumë viktima dhe dëme të mëdha” në vend.

    Një video e re që ka qarkulluar tregon se si një çift i moshuar përjetoi momentet dramatike brenda apartamentit të tyre.

    Konkretisht, kur fillojnë dridhjet, gruaja, e cila është e kufizuar në një karrige me rrota për shkak të problemeve me lëvizshmërinë, fillon të bërtasë dhe burri i afrohet dhe e mban, duke u përpjekur ta qetësojë.

    Ndryshe, Komanda Jugore e SHBA-së, e cila mbikëqyr aktivitetet ushtarake amerikane në Amerikën Latine dhe Karaibe, ka publikuar imazhe të trupave që po mobilizohen për të ndihmuar Venezuelën.

    Anëtarët e shërbimit mund të shihen duke ngarkuar pajisje në një Chinook në Bazën Ajrore Soto Cano, në Honduras, në përgatitje për të mbështetur vendin pas tërmeti.

    Raportohet se rreth 235 persona kanë vdekur deri tani, me të paktën 4,300 të tjerë të plagosur, pas tërmeteve të njëpasnjëshme, sipas ministrit të shëndetësisë të Venezuelës, Carlos Alvarado.

  • Pacolli i publikon konkluzionet e Gjykatës së Lartë në favor të MABCO për Aeroportin e Vlorës – përsërit thirrjen që SPAK të nisë hetimet

    Pacolli i publikon konkluzionet e Gjykatës së Lartë në favor të MABCO për Aeroportin e Vlorës – përsërit thirrjen që SPAK të nisë hetimet

    Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri rreth çështjes së Aeroportit të Vlorës ku iu dha të drejtë kompanisë MABCO ka reaguar Behgjet Pacolli.

    Kompania MABCO pritet të rikthehet në kantierin e Aeroportit të Vlorës për të vijuar punimet, së bashku me nënkontraktorët e saj. Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit i rikthen MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke rrëzuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit.

    Pacolli ka publikuar konkluzionet e gjykatës në këtë vendim dhe tha se një projekt strategjik kombëtar u mbajt peng.

    Për këtë, ai bëri thirrje që SPAK të nisë hetime.

    “Andaj edhe njëherë FTOJMË SPAK-un të vazhdojë HETIMIN e thellë që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj”.

    Postimi i plotë:

    Për hir të DREJTËSISË!

    VIA- Vlorë

    Në shtesë të ketij teksti gjeni edhe pikat kyqe të konkluzioneve të Vendimit të Gjylates së Lartë!

    Ju lutem lexoni!

    Të dashur miq!

    Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përbën vetëm korrigjimin e Vendimeve të gabuara gjyqësore të gjyqëtarëve që murën ata; ai evidenton se, për muaj të tërë, një projekt strategjik kombëtar u mbajt peng nga “masa të sigurimit” që u shpallën të paligjshme dhe nga mosveprimi i institucionit që ligji e ngarkon me detyrimin për të mbrojtur kontratën koncesionare dhe interesin publik. Pasojat ishin të rënda: u paralizua administrimi i shoqërisë koncesionare, u pengua zbatimi i kontratës, u shkaktuan dëme të konsiderueshme ekonomike dhe u cenua rëndë besimi i investitorëve në sigurinë juridike të Republikës së Shqipërisë.

    Po aq domethënës është fakti se Gjykata e Lartë rrëzoi edhe pretendimet lidhur me të ashtuquajturën çështje “Delphos”, duke i cilësuar ato si të pabazuara në ligj. Kjo tregon se narrativa e ndërtuar për muaj të tërë nga “2A Group”, e mbështetur nga vendime gjyqësore që më pas u shpallën të paligjshme dhe e përsëritur edhe nga disa zyrtarë apo struktura të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rezultoi e pambështetur në të drejtë. Gjykata e Lartë i dha përgjigje përfundimtare edhe këtij pretendimi, duke rrëzuar një nga argumentet kryesore mbi të cilin ishte ndërtuar fushata kundër MABCO-s.

    Kur Gjykata e Lartë konstaton se masat ishin të paligjshme dhe se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të ndërhynte për mbrojtjen e koncesionit, lind detyrimi që të HETOHËN me SERIOZITET përgjegjësitë individuale dhe institucionale për veprimet dhe mosveprimet që sollën këtë situatë. Sundimi i ligjit nuk rivendoset vetëm duke shfuqizuar një vendim të paligjshëm; ai rivendoset kur çdo person që, me veprim ose mosveprim, ka shkaktuar pasoja të tilla, mban përgjegjësi sipas ligjit. Vetëm në këtë mënyrë rikthehet besimi i qytetarëve dhe i investitorëve tek drejtësia dhe tek shteti i së drejtës.

    Andaj edhe njëherë FTOJMË SPAK.un të vazhdoj HETIMIN e thell që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj. Publikishtë, nepër televizione na kanë kercnuar se “do të shkojmë ne burg”, pra nuk mund të kaloj e gjithë kjo në heshtje.

    Edhe sot, ndërsa flasim, në Aeroportin e Vlorës grupe që veprojnë jashtë çdo baze ligjore vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët publike dhe hyrjet në kantier, në prani të forcave të Policisë së Shtetit. Kjo situatë e papranueshme kërkon reagim të menjëhershëm dhe rivendosjen e plotë të ligjshmërisë.