ATV

Author: K.B.

  • Konfirmohen katër duelet e para të fazës eliminatore në Kupën e Botës 2026

    Konfirmohen katër duelet e para të fazës eliminatore në Kupën e Botës 2026

    Me përfundimin e një pjese të ndeshjeve të fazës së grupeve në Kupa e Botës 2026, kanë nisur të marrin formë përballjet e raundit të 32-shave, ndërsa katër duelet e para janë tashmë zyrtarisht të konfirmuara.

    Një nga sfidat më tërheqëse të kësaj faze pritet të jetë përballja mes Brazilit dhe Japonisë, ndërsa Holanda do të ketë përballë Marokun në një duel që premton shumë rivalitet.

    Po ashtu, Afrika e Jugut do të sfidojë Kanadanë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndeshen me Bosnjën dhe Hercegovinën.

    Ndërkohë, tetë ndeshjet e fundit të fazës së grupeve do të përcaktojnë edhe 12 çiftet e tjera të fazës eliminatore, ku disa prej kombëtareve favorite ende nuk e dinë kundërshtarin e tyre.

    Faza me eliminim direkt pritet të sjellë emocione edhe më të mëdha, pasi çdo ndeshje do të jetë vendimtare në garën për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

    Katër përballjet e konfirmuara deri më tani janë:

    Afrika e Jugut – Kanada

    Holanda – Maroku

    Shtetet e Bashkuara – Bosnja dhe Hercegovina

    Brazili – Japonia

  • SHBA mobilizon trupa për të ndihmuar Venezuelën pas tërmetit shkatërrues

    SHBA mobilizon trupa për të ndihmuar Venezuelën pas tërmetit shkatërrues

    Komanda Jugore e SHBA-së, e cila mbikëqyr aktivitetet ushtarake amerikane në Amerikën Latine dhe Karaibe, ka publikuar imazhe të trupave që po mobilizohen për të ndihmuar Venezuelën.

    Anëtarët e shërbimit mund të shihen duke ngarkuar pajisje në një Chinook në Bazën Ajrore Soto Cano, në Honduras, në përgatitje për të mbështetur vendin pas tërmeti.

    Raportohet se rreth 235 persona kanë vdekur deri tani, me të paktën 4,300 të tjerë të plagosur, pas tërmeteve të njëpasnjëshme, sipas ministrit të shëndetësisë të Venezuelës, Carlos Alvarado.

    “Fatkeqësisht kemi marrë rreth 235 pacientë që mbërrijnë pa shenja jetësore ose që ndërrojnë jetë ndërsa mbërrijnë në qendrat tona shëndetësore”, tha ai>

    Bëhet e ditur se Gjenerali Major i Marinës Amerikane Kevin J Jarrad ka mbërritur në Karakas për të drejtuar dhe koordinuar mbështetjen e ushtrisë amerikane për përpjekjet e ndihmës pas tërmetit.

  • Seriali i ri i Netflix “I Will Find You” thyen rekorde – mbledh 24 milionë shikime në katër ditë

    Seriali i ri i Netflix “I Will Find You” thyen rekorde – mbledh 24 milionë shikime në katër ditë

    Seriali misterioz me seri të kufizuar “I Will Find You” ka arritur një sukses të madh në Netflix, duke regjistruar 24 milionë shikime në katër ditët e para, duke u bërë debutimi më i suksesshëm i një seriali të ri në platformë gjatë vitit 2026.

    Në rolin kryesor është Sam Worthington, i cili luan David Burroughs, një baba që po vuan burgim të përjetshëm për vrasjen e djalit të tij pesë vjet më parë.

    Edhe pse ai ka deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tij, kunata e tij Rachel (e luajtur nga Britt Lower) i sjell prova që sugjerojnë se djali mund të jetë ende gjallë.

    Kjo e shtyn Davidin të arratiset nga burgu për të zbuluar të vërtetën pas një lidhje të ndërlikuar.

    Seriali është pjesë e bashkëpunimit mes shkrimtarit Harlan Coben dhe Netflix-it, i cili deri tani ka marrrë 13 nga veprat e tij.

    Një tjetër projekt, “Run Away”, qëndroi katër javë në listën globale të 10 serialeve më të shikuara, duke grumbulluar 38 milionë shikime.

    Në renditjen javore të serialeve në gjuhën angleze pas “I Will Find You” renditen: “Outlast: The Jungle”, “Sweet Magnolias”, “America’s Sweethearts: Dallas Cowboys Cheerleaders”.

    Ndër serialet tjera në krye ishte “Teach You a Lesson” me 11.8 milionë shikime, ndërsa pas tij u rendit “The Polygamist” me 7.7 milionë shikime në javën e dytë të transmetimit.

  • “KRU” Mitrovica do të intervenojë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, këto zona mbeten pa ujë

    “KRU” Mitrovica do të intervenojë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, këto zona mbeten pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” njofton se në Mitrovicë kanë nisur intervenimet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, ku si rrjedhojë do të ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë të pijshëm.

    Sipas njoftimit, ekipet janë duke punuar në këto lokacione: rr. “Fatime Hetemi ”, rr. “Bislim Bajgora”, rr. “Korça”, rr. “Ali Zeneli” dhe “Ferat Draga”, fshati Shupkofc, fshati Frashër, fshati Suhodoll, fshati Vinarc i Epërm,

    Ndërsa punimet në rrjetin e kanalizimit në këto lokacione: rr. “Melihate Rama”, rr. “Ukshin Kovaqica”, rr. “Ali Pashë Gusia”, rr. “Ferat Draga”

    Kompania ka bërë të ditur se ekipet teknike janë angazhuar në terren dhe po punojnë për eliminimin e problemit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit. Në rast se uji është i turbullt, ju lutemi ta lini rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht”, thuhet në njoftim.

  • Rrokullisja e kamionit në autostradë, policia kufizon qarkullimin në një shirit

    Rrokullisja e kamionit në autostradë, policia kufizon qarkullimin në një shirit

    Kamioni i cili është rrokullisur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Malishevë-Prishtinë ka qenë duke transportuar zhavorr.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë, Luljeta Mehmeti e cila tha se nga ky aksident nuk ka të lënduar.

    Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se për momentin qarkullimi në këtë segment të autostradës është i kufizuar vetëm në një shirit rrugor.

    “Në aksident është përfshirë një automjet transportues i ngarkuar me zhavorr. Si pasojë e aksidentit ngarkesa është shpërndarë në rrugë. Sipas njoftimit nga njësitë në terren për momentin qarkullimi në këtë segment të autostradës është i kufizuar vetëm me një shirit rrugor ndërsa njësitet policore dhe ekipet kompetente ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme për lirimin e plotë të qarkullimit”, thuhet në konfirmim.

  • “Inati x Taka”, Kida lanson projektin e ri muzikor

    “Inati x Taka”, Kida lanson projektin e ri muzikor

    Këngëtarja e njohur, Kida ka lansuar projektin e saj më të ri muzikor.

    “Inati x Taka” është titulli dhe është sjellur edhe me një videoklip veror.

    Për tekstin e pjesës “Inati” është përkujdesur Rron Kai, Kida dhe Liro, ndërsa për pjesën “Taka” vetëm Rron Kai.

  • Kosova dhe Austria firmosin marrëveshje: Familjarët e diplomatëve do të kenë të drejtë pune

    Kosova dhe Austria firmosin marrëveshje: Familjarët e diplomatëve do të kenë të drejtë pune

    Anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor do të kenë mundësi të punojnë në shtetin pritës gjatë periudhës së shërbimit.

    Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, e cila u mundëson anëtarëve të familjeve të diplomatëve dhe personelit konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë kohës së shërbimit në shtetin pritës.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dy vendeve, duke u lehtësuar integrimin dhe angazhimin profesional gjatë misioneve diplomatike.

    “Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Nikolaus Marschik. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

    Sipas MPJD-së, marrëveshja përfaqëson një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke ofruar mbështetje më të madhe për familjet e personelit diplomatik të të dy shteteve./Albinfo

  • 47 aksidente dhe rreth 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    47 aksidente dhe rreth 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    47 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, prej të cilave 18 kanë qenë me të lënduar dhe 29 me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, për 24 orë gjithashtu janë shqiptuar edhe 1 mijë e 919 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 45 persona, 26 janë dërguar në mbajtje dhe pesë persona në vuajtje të dënimit.

  • Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Prishtinë, eksperti thotë se viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë

    Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Prishtinë, eksperti thotë se viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë

    Në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj Vullnet Gashit i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka vazhduar dëgjimi i ekspertit të komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni, i cili tha se duke pasur parasysh se vendi ku ka ndodhur aksidenti është me tre shirita qarkullues në një drejtim dhe këmbësori është goditur në shiritin e tretë, do të thotë se ai nuk ka dalë befasishëm në rrugë.

    Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet se shkaku i aksidentit të shkaktuar në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, F.B- si këmbësor kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë, eksperti tha se edhe pse në shiritin para tani të akuzuarit ka qenë një kamion me përmasa më të mëdha, ai nuk e ka penguar pasi që i akuzuari Gashi është dashur të ketë kujdes të shtuar meqë kamioni ishte ndalur.

    Maxhuni deklaroi se në asnjë dokumentacion të lëndës nuk ka ndonjë të dhënë se ka pasur frenim nga drejtuesi i veturës.

    Ai theksoi se nuk mund të paragjykojë se aksidenti do të kishte mundur të shmangej nëse drejtuesi i veturës do të kishte lëvizur me shpejtësinë e lejuar.

    Ndër tjerash, eksperti deklaroi se nuk mund të përcaktojë momentin se kur ka ndodhur goditja e tani të ndjerit F.B., pasi që nuk ka video-incizim ku paraqitet momenti i goditjes si dhe nuk ka incizim se vetura është ndalë në momentin e goditjes.

    Sipas Maxhunit, në momentin e goditjes tani i ndjeri kishte rënë në tokë dhe gjurmët e lëndimeve që kanë mbetur në veturë janë në xhamin e përparmë nga ana e djathtë e veturës.

    Ai tha se sipas ligjit, këmbësorëve u lejohet kalimi i rrugës në distancë mbi 50 metra nga vendkalimi i këmbësorëve.

    Seanca ka vazhduar edhe me dëgjimin ekspertit të komunikacionit Durak Cakiqi, i cili deklaroi se në bazë të analizës hapësinore dhe kohore, drejtuesi i veturës- në këtë rast i akuzuari Gashi, nuk ka pasur mundësi teknike që të evitojë aksidentin për shkak se rruga e ndaljes së veturës është më e gjatë se distanca e paraqitjes së rrugës prej ku ka mundur të sheh këmbësorin.

    Cakiqi tha se mendon që në bazë të llogaritjes së shpejtësisë dhe analizës së rrjedhës së aksidentit, goditja ka ndodhur në sekondën e 53.52 të video-incizimit, ku goditjen primare tani i ndjeri e kishte marrë në pjesën e përparme të automjetit- përkatësisht në tabelën e regjistrimit të veturës në anën e majtë e pastaj në kapakun e motorit dhe është hedhur në xhamin e parë të veturës në pjesën e djathtë.

    Ndër tjerash, ai shtoi se automjetet sportive, në rastin e goditjes së këmbësorëve për shkak të lartësisë së ulët, te kontakti me këmbësorë, këmbësori hudhet më lartë se tek automjetet standarde.

    Cakiqi tha se sipas llogaritjeve analitike, nëse shpejtësia e lëvizjes do të ishte deri në 21 km/h, do të mund të evitohej aksidenti, por mbi 40 km/h shpejtësi do të ishte e pamundur.

    Ndryshe, ky rast ishte në gjykim tek gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por për shkak të degradimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, rasti kaloi tek gjyqtari Driton Berisha.

    Në seancën fillestare më 18 tetor 2024, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

    Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

    Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

  • Rrokulliset një kamion në autostradë afër Malishevës, bllokohet komunikacioni

    Rrokulliset një kamion në autostradë afër Malishevës, bllokohet komunikacioni

    Një kamion është rrokullisur në autostradë, në afërsi të Malishevës, drejt Prishtinës, sipas një videoje të publikuar nga TV Prizreni.

    Sipas pamjeve, aty shihet se është bllokuar qarkullimi dhe është krijuar kolona.

    Deri tash nuk dihet nëse ka të lënduar.