ATV

Author: K.B.

  • Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gjakovë

    Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gjakovë

    Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gjakovë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë, si dhe mjeku, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    HETIM I VDEKJES/Gjakovë / 27.06.2026 – 09:55. Është raportuar se viktima m/k është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe mjeku i cili ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

  • Çmimi tavan i derivateve për sot dhe nesër

    Çmimi tavan i derivateve për sot dhe nesër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, për sot dhe nesër.

    Për datat 28-29.06.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

    • Nafta (dizel): 1.37 euro/litër;

    • Benzina: 1.35 euro/litër

    • Gas: 0.67 euro/litër.

  • ZKA gjen dobësi në prokurim dhe kontrollin e KEK-ut, ja çfarë evidentoi auditimi

    ZKA gjen dobësi në prokurim dhe kontrollin e KEK-ut, ja çfarë evidentoi auditimi

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të vitit 2025, pasi auditimi ka evidentuar mangësi në menaxhimin e pasurisë, kontrollin e brendshëm dhe procedurat e prokurimit.

    Raporti i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vlerëson se opinioni i kualifikuar është ndikuar nga tri çështje kryesore: mos-përditësimi i regjistrit të pasurisë së paluajtshme, dobësitë në prezantimin e pasurive afatgjata dhe mungesa e trajtimit të plotë të rezultateve të inventarizimit vjetor.

    Sipas raportit të publikuar nga ZKA, opinioni i kualifikuar është ndikuar nga tri çështje kryesore: mos-përditësimi i regjistrit të pasurisë së paluajtshme, dobësitë në prezantimin e pasurive afatgjata dhe mungesa e trajtimit të plotë të rezultateve të inventarizimit vjetor.

    Auditorët kanë konstatuar se në regjistrat e KEK-ut vazhdojnë të figurojnë prona që nuk janë në pronësi të ndërmarrjes, përfshirë pesë prona të transferuara te Infrakos me vlerë rreth 7.9 milionë euro, 11 parcela me vlerë mbi 866 mijë euro dhe pronën “Mali i pyllëzuar” në Podujevë, me vlerë 5 milionë euro, e cila sipas auditimit i përket Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

    “Ndërmarrja nuk ka arritur të finalizojë përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, përkundër veprimeve të ndërmarra gjatë vitit 2025. Në regjistër vazhdojnë të figurojnë prona që nuk janë në pronësi të ndërmarrjes, përfshirë pesë prona të transferuara te Infrakos në vlerë 7,867,541€, 11 parcela të identifikuara për fshirje në vlerë 866,223€, si dhe prona “Mali i pyllëzuar” në Podujevë në vlerë 5,000,000€. Po ashtu, prona në Prishtinë nuk është përditësuar sipas certifikatës së pronësisë, ndërsa ajo në Vasilevë është vetëm pjesërisht e regjistruar. Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në regjistrin e pasurive, përfshirë përshkrime të paplota dhe parcela të pabartura nga proceset e shpronësimit, thuhet në raportin e auditorit.

    Raporti evidenton gjithashtu se 472 pasuri me vlerë neto kontabël prej rreth 7.7 milionë euro nuk trajtohen sipas modelit të përcaktuar kontabël, ndërsa 69 për qind e pasurive të regjistruara, me vlerë fillestare rreth 229 milionë euro, rezultojnë plotësisht të zhvlerësuara, ndonëse vazhdojnë të përdoren në veprimtarinë e ndërmarrjes.

    Sa i përket pajtueshmërisë, ZKA ka gjetur se KEK-u nuk ka aplikuar garancion bankar ose parapagim në 32 kontrata të furnizimit me konsumatorë komercialë, megjithëse kjo ishte paraparë në kushtet kontraktuale si masë për menaxhimin e rrezikut kreditor. Sipas auditorëve, kjo e ekspozon ndërmarrjen ndaj rrezikut të mosarkëtimit të faturave dhe humbjeve financiare, përcjell KosovaPress.

    Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e dokumentimit për vendimmarrjen rreth tregtimit të tepricave të energjisë në bursën ALPEX dhe platforma të tjera, çka sipas ZKA-së ul transparencën dhe gjurmueshmërinë e procesit.

    Auditimi ka identifikuar gjithashtu dobësi në kontrollin e brendshëm të procesit të ankandeve për tregtimin e energjisë. Sipas raportit, procesi mbështetet në një platformë të vjetruar elektronike (Microsoft Exchange Server 2010), pa gjurmë të auditimit dhe pa përditësime të sigurisë, ndërsa sistemi i ri ende nuk është vënë në funksion.

    Në përgjithësi, raporti përmban 12 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe gjashtë të përsëritura, me synim përmirësimin e raportimit financiar, kontrollit të brendshëm dhe pajtueshmërisë së KEK-ut me legjislacionin në fuqi.

  • Pjetër Shala refuzon Belgjikën për ta vuajtur burgun

    Pjetër Shala refuzon Belgjikën për ta vuajtur burgun

    Anëtarja e ekipit mbrojtës të Pjetër Shalës në Hagë, Dzeneta Petraviqa, ka deklaruar se klienti i saj është shprehur i zhgënjyer me trajtimin që, sipas saj, i është bërë nga Belgjika gjatë procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Ajo deklaroi për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, se Shala ka shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit gjatë procedurave dhe ka theksuar se nuk do të dëshironte të vuante dënimin në Belgjikë.

    “Kjo çështje është në shqyrtim e sipër në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe plotësisht konfidenciale, andaj nuk mund të themi shumë rreth saj. Ajo që mund të ndajmë me publikun është se Z. Shala është ndarë ekstremisht i zhgënjyer me trajtimin që i ka bërë Belgjika gjatë procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe për këtë arsye, ai nuk do të donte ta vuante çfarëdo dënimi në Belgjikë, sidomos duke ditur se kushtet në burgjet e Belgjikës janë të këqija edhe në nivel kombëtar edhe ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e saj.

  • Princi William bëhet zyrtarisht miliarder, pasuria e tij tejkalon atë të Mbretit Charles

    Princi William bëhet zyrtarisht miliarder, pasuria e tij tejkalon atë të Mbretit Charles

    Princi William, trashëgimtar i fronit britanik, ka një pasuri neto prej 1.6 miliardë dollarësh, sipas llogarive të reja vjetore nga Granti Sovran, duke tejkaluar babanë e tij, Mbretin Charles III.

    William e mori këtë shumë falë Dukatit të Cornwall-it, një pronë private mbretërore që ai mori në vitin 2022, kur Charles u bë mbret. Sipas të dhënave të publikuara, William kishte të ardhura private prej 28.5 milionë dollarësh në vitet 2025-2026, dhe që kur u bë Princ i Uellsit, thuhet se ka paguar më shumë se 26 milionë dollarë në taksa.

    Ndryshe nga ai, Charles ende nuk e ka arritur statusin e miliarderit. Sipas listës më të fundit të të pasurve të Sunday Times, pasuria personale e mbretit 77-vjeçar u vlerësua në 846 milionë dollarë, që është pothuajse 40 milionë dollarë më shumë se një vit më parë.

    Dukati i Cornwall-it është burimi kryesor i të ardhurave të William dhe mbulon aktivitetet zyrtare, bamirëse dhe private të tij, Kate Middleton dhe tre fëmijëve të tyre. Pasuria u krijua në vitin 1337 nga Mbreti Edward III për të siguruar të ardhura për trashëgimtarin e fronit dhe sot përfshin rreth 205 milje katrorë tokë në më shumë se 20 qarqe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

    Sipas gazetës Times, William planifikon të shesë 20 përqind të Dukatit në dhjetë vitet e ardhshme për të kanalizuar më shumë se 670 milionë dollarë në projekte strehimi dhe ruajtjeje të natyrës në zonat Cornwall, Dartmoour, Ishujt Scilly, Bath dhe Kennington.

    “Ka kaq shumë gjëra të mira që mund të bëjmë. Mundohem të sigurohem që t’i jap përparësi gjërave që do të përmirësojnë jetën e njerëzve që jetojnë në këto zona.“, tha ai.

  • Shqipëria me rregulla të reja për kalimin për të miturit, VIP-at dhe transportin ndërkombëtar

    Shqipëria me rregulla të reja për kalimin për të miturit, VIP-at dhe transportin ndërkombëtar

    Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re dhe gjithëpërfshirëse rregullash që riformatojnë procedurat e verifikimit në pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë.

    Vendimi i ri i qeverisë shfuqizon rregulloret e mëparshme të viteve 2016 dhe 2023, duke bërë një përafrim të rëndësishëm me “Kodin e Kufijve Shengen” të Bashkimit Evropian.

    Dokumenti i ri përcakton standarde të qarta se kush përfiton kalim të përshpejtuar (korsitë e gjelbra), si do të kontrollohen mjetet e transportit dhe, më e rëndësishmja, vendos filtra të hekurt sigurie për udhëtimin e fëmijëve të mitur jashtë vendit, për të luftuar fenomenin e trafikimit dhe braktisjes.

    Filtra të rreptë për udhëtimin e të miturve

    Pjesa më jetike e vendimit që prek drejtpërdrejt qytetarët është regjimi i ri për kalimin e kufirit nga personat nën 18 vjeç. Shteti ka shtrënguar procedurat e verifikimit, duke kërkuar dokumentacion specifik në varësi të moshës dhe shoqëruesit.

    Nën 16 vjeç mund të udhëtojnë vetëm të shoqëruar nga një person madhor dhe detyrimisht me një deklaratë noteriale të firmosur nga të dy prindërit (ose prindi me kujdestari ligjore). Deklarata noteriale tani kërkohet të jetë e përpiluar në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) nëse hartohet jashtë vendit.

    16 deri në 18 vjeç, kjo grupmoshë lejohet të udhëtojë e pashoqëruar (p.sh. si vizitor te një i afërm ose për aktivitete kulturore/sportive), por sërish kërkohet një deklaratë noteriale nga prindërit ku përcaktohet adresa e saktë e pritësit dhe garancia e mosbraktisjes.

    Për fëmijët me prindër të divorcuar, shoqëruesi duhet të ketë deklaratën noteriale nga të dy prindërit ose vendimin e formës së prerë të gjykatës që i jep atij kujdestarinë. Të dhënat e vendimit gjyqësor tashmë do të regjistrohen në mënyrë elektronike në sistemin e kufirit TIMS.

    Vendimi i jep kompetenca të zgjeruara Policisë Kufitare për të bllokuar kalimin në rastin më të vogël të dyshimit:

    “Në rast dyshimi, roja kufitare i bën një intervistë të shkurtër shoqëruesit, kryen verifikime të imtësishme të dokumenteve për t’u siguruar që i mituri nuk po largohet kundër dëshirës së personave që ushtrojnë kujdesin prindëror, në mënyrë që të parandalojë rrëmbimin ose trafikimin.”

    Nëse konstatohet braktisje e të miturit në një shtet tjetër, njoftohet menjëherë Prokuroria, Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe autoritetet ndërkombëtare homologe.

    Kush përfiton kalim pa radhë dhe verifikim minimal?

    Për të lehtësuar qarkullimin e zyrtarëve, trupave të sigurisë dhe punonjësve jetikë, vendimi specifikon kategoritë që kalojnë me procedura të përshpejtuara, duke përjashtuar detyrimin për të provuar “mjetet e mjaftueshme financiare”.

    Krerët e shteteve, qeverive, parlamenteve dhe familjet mbretërore u nënshtrohen vetëm “verifikimeve minimale” bazuar në njoftimin zyrtar. E njëjta gjë vlen për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe anëtarët e organizatave si OKB, BE dhe NATO.

    Në raste të krizave apo luftës, trupat dhe asetet e NATO-s kalojnë me procedura të përshpejtuara ose përjashtime të plota. Punonjësit e kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit dhe policitë në detyrë kanë gjithashtu prioritet absolut.

    Qytetarët që kalojnë kufirin rregullisht çdo ditë për arsye pune dhe janë të regjistruar në sistem, do të kalojnë me verifikime të thjeshtuara.

    Rregullat sipas mjeteve të transportit

    Qeveria ka standardizuar mënyrën se si kontrollohen pasagjerët në varësi të mjetit që ata përdorin për të udhëtuar:

    Mjeti i Transportit
    Rregulli i Verifikimit Kufitar
    Autoveturat (Makinat)
    Pasagjerët qëndrojnë brenda në mjet gjatë kontrollit. U kërkohet të zbresin vetëm nëse ka dyshime për mallra/persona të fshehur, mospërputhje identiteti ose sinjalizime në sistemin policor.
    Autobusët
    Udhëtarët i nënshtrohen verifikimit individual këmbësor në terminale. Në raste të fluksit të lartë, autobusët e linjave të rregullta kanë përparësi kalimi.
    Tragetet dhe Kroçerat
    Kapite i duhet të dorëzojë listën e pasagjerëve/ekuipazhit të paktën 24 orë para mbërritjes. Për kroçerat me rrugëtim të brendshëm nuk kryhen kontrolle, ndërsa linjat ndërkombëtare kontrollohen në korsi të veçanta.
    Avionët (Transfertat)
    Kontrolli bëhet vetëm në aeroportin e parë të mbërritjes në RSH (për hyrje) dhe në të fundit (për dalje). Për fluturimet private, piloti duhet të dërgojë planin e fluturimit dhe identitetin e pasagjerëve para nisjes.

    Trenat
    Kontrolli mund të bëhet në stacionin e parë të mbërritjes ose gjatë lëvizjes së trenit brenda vagonëve për të shmangur vonesat.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke i lënë detyrë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përditësojë menjëherë sistemet kompjuterike dhe udhëzuesit e brendshëm për çdo punonjës në pikat kufitare të Shqipërisë./rtsh.al/

  • Lamallari paralajmëron shpallje të tjera “non grata”

    Lamallari paralajmëron shpallje të tjera “non grata”

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se qeveria shqiptare mund të shpallë persona të tjerë “non grata”, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

    Në një intervistë për “Euronews Albania” të shtunën, Lamallari ka thënë se në tryezën e tij mbërrijnë vazhdimisht kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe se institucionet do të vazhdojnë të veprojnë pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike.

    “Çdo javë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite”, ka thënë Lamallari.

    Ai theksoi se personat që mund të përballen me masa të tilla mund të jenë të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo veprime që, sipas autoriteteve, cenojnë sigurinë e vendit.

    Ministri shtoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta apo aktivitete publike nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.

    “Nuk do të stepemi. Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pikë për pikë dhe të mbrojmë qytetarët shqiptarë, pa u ndikuar nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme”, deklaroi ai.

    Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “person të padëshiruar” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Huduti.

    Huduti kishte marrë pjesë në protestat që po mbahen kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, ndërsa autoritetet shqiptare e kanë akuzuar se ajo është e infiltruar nga Irani.

    Protestat që nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës gati një muaj më parë, me kalimin e ditëve janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

  • ‘‘Këto janë ditët e mia të fundit si president’’, Vuçiq paralajmëron dorëheqjen dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të reja

    ‘‘Këto janë ditët e mia të fundit si president’’, Vuçiq paralajmëron dorëheqjen dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të reja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar largimin nga posti i presidentit, dhe, pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja atje.

    Ai ka deklaruar se do të propozojë që lista me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të quhet “Serbia e Bashkuar”, raporton Danas.

    “Ky është slogani më i bukur që mund të kemi”, tha Vuçiq.

    Në tubimin e mbajtur para Kuvendit Popullor, ai u tha qytetarëve se të hënën do të prezantojë një plan të ri dhe se pensionistët do të jenë shumë të kënaqur me masat e reja.

    “Do të ketë një rritje të madhe të pensioneve edhe para janarit, pra llogarisim në nëntor dhe dhjetor, që këtë vit. Madje edhe para kësaj do të ketë diçka që do t’ju gëzojë shumë”, tha Vuçiq në tubimin “Serbia, një familje”, duke theksuar se kjo është hera e fundit që u drejtohet qytetarëve në këtë numër si president i Republikës.

    Ai shtoi se do të qëndrojë edhe disa javë në postin e presidentit dhe më pas do të japë dorëheqje.

    “Këto janë ditët dhe javët e mia të fundit si president i Republikës. Ju jam pafundësisht mirënjohës për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, sepse pa ju nuk do të kisha mundur të bëja asgjë. Ju falënderoj që i kuptuat edhe vendimet e vështira që na është dashur t’i marrim”, tha presidenti serb.

  • Kryhet rrethi në Veternik, Rama: Përgjegjësi e Qeverisë por ata qe 6 vjet u morën me përralla, e bëmë vetë

    Kryhet rrethi në Veternik, Rama: Përgjegjësi e Qeverisë por ata qe 6 vjet u morën me përralla, e bëmë vetë

    Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar se rrethi në hyrje të Prishtinës, nga Gjilani është kryer.

    Në njoftimin e tij, Rama shkruan edhe se këtë projekt e ka kryer komuna, edhe pse ai i takon qeverisë qendrore.

    ‘’Por meqë tash e 6 vjet kjo qeveri është marr me përralla e ofendime e jo me punë, ne si Kryeqytet e kemi kry vet këtë projekt,që me lehtësu trafikun dhe qasjen për qytetarët e Prishtinës e sidomos atyre që vijnë nga Gjilani.’’, ka shkruar ai.

    Postimi:

    Rrethi në hyrje të Prishtinës nga Gjilani u kry ✔️

    Ky rreth është përgjegjësi e Qeverisë Qendrore, sepse i takon rrugës magjistrale.

    Por meqë tash e 6 vjet kjo qeveri është marr me përralla e ofendime e jo me punë, ne si Kryeqytet e kemi kry vet këtë projekt,që me lehtësu trafikun dhe qasjen për qytetarët e Prishtinës e sidomos atyre që vijnë nga Gjilani.

    Ta gëzoni, qytetarë! 💙

    📢Në ditët në vijim hapet për qarkullim “Rruga A”.

    📢shumë shpejt nisin

  • Thirret protestë kundër vendosjes së pagesës në rrugën Prizren-Prevallë

    Thirret protestë kundër vendosjes së pagesës në rrugën Prizren-Prevallë

    Qytetarët dhe banorë në Prizren, janë ftuar të marrin pjesë në një protestë paqësore kundër vendosjes së rampës me pagesë në rrugën Prizren – Prevallë.

    Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të mbahet të dielën, nga ora 12:00 deri në orën 14:00, në rrugën që çon drejt Prevallës, tek vendi ku po zhvillohen punimet.

    Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe, duke theksuar se qëllimi i protestës është kundërshtimi i vendimit për vendosjen e pagesës dhe kërkesa për një zgjidhje që, sipas tyre, merr parasysh interesin e qytetarëve dhe të banorëve të zonës.

    “Bashkë për interesin e përbashkët”, thuhet në thirrjen drejtuar qytetarëve për t’iu bashkuar protestës paqësore, shkruan tvPrizreni.