ATV

Author: K.B.

  • Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

    Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

    Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, këtë të hënë ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.
    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se edhe kjo vizitë ishte jashtëzakonisht emocionuese.

    “Çdo takim sjell emocione të veçanta, sepse përtej mureve të paraburgimit gjen të njëjtën forcë, dinjitet dhe besim që e kanë karakterizuar gjithmonë. Bisedat me të janë gjithmonë frymëzuese dhe të mbushura me shpresë për të ardhmen”, ka shkruar ai.

    Pos tjerash, Tahiri tha se me gjithë sfidat që po përballon Thaçi, sipas ish-deputetit, ai vazhdon ta ruajë qetësinë, vendosmërinë dhe besimin se e vërteta do të dalë në dritë.

    “Uroj që kjo periudhë të marrë fund sa më shpejt dhe ai, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, të kthehen pranë familjeve dhe popullit të tyre”.

  • Milan Radoiçiq shfaqet në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Milan Radoiçiq shfaqet në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në faqet serbe tregojnë se Milan Radoiçiq ka marrë pjesë në tubimin e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor në Beograd.

    Prania e Radoiçiqit në një aktivitet publik të udhëhequr nga presidenti serb ka tërhequr vëmendje, pasi ai është personi që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

    Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa grupi i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë së Kosovës.

    Pas ngjarjes, Radojçiq pranoi publikisht se kishte organizuar grupin e armatosur që kreu sulmin, ndërsa autoritetet e Kosovës e kërkojnë me urdhër arrest nga Interpoli.

    Ndërkaq, vlen të ceket që Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim. Ndërsa, mbi 40 të tjerë në krye me Radojçiqin sillen ende të lirë në Serbi.

    Shfaqja e tij në tubimin e Vuçiqit vjen kur presidenti serb mbajti një fjalim me tone nacionaliste, duke përsëritur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe duke paralajmëruar demonstrimin e forcës ushtarake gjatë aktiviteteve të Vidovdanit.

    Në fjalimin e tij, Vuçiq deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin paradën ushtarake, duke theksuar se “nesër do ta shihni forcën e Ushtrisë suaj”.

  • 47 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    47 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.

    Siç thuhet në njoftim sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me katërmbëdhjetë (14) raste, komuna e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste; Kaçaniku me gjashtë (6) raste; Fushë-Kosova me tre (3) raste; Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

    IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

    Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

    Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

  • Kosova emëron për herë të parë një grua atashe të Mbrojtjes në Shqipëri

    Kosova emëron për herë të parë një grua atashe të Mbrojtjes në Shqipëri

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nënkolonelja e FSK-së, Fatbardha Osaj, ka pranuar zyrtarisht detyrën si atashe e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me seli në Tiranë.

    Sipas njoftimit të Ministrisë, Osaj është gruaja e parë që emërohet në këtë pozitë në Shqipëri.

    “Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm institucional, pasi nënkolonele Fatbardha Osaj është gruaja e parë që emërohet në detyrën e atasheut të Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për promovimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe barazisë në përfaqësimin ndërkombëtar” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Sipas Rregullores për atashetë e Mbrojtjes, atasheu i Mbrojtjes është përgjegjës për bashkërendimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake në shtetin ku është emëruar.

    Rregullorja përcakton se atasheu i Mbrojtjes gëzon imunitet diplomatik, realizon ekuivalencën dhe privilegjet e gradës diplomatike të Ministrit Këshilltar, zhvillon karrierën ushtarake sipas legjislacionit në fuqi dhe është në vartësi organizative të shefit të misionit diplomatik, ndërsa për çështje operacionale, administrative, financiare dhe ushtarake i përgjigjet Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Po ashtu, rregullorja parasheh se atasheu i Mbrojtjes mund të ketë staf civil mbështetës lokal, me autorizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas procedurave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Emërimi i Osajt vjen në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në misionet diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë.

  • Dyshohej se u mbyt në det në Shëngjin, raportohet se gruaja nga Kosova e gjeti burrin në kafene

    Dyshohej se u mbyt në det në Shëngjin, raportohet se gruaja nga Kosova e gjeti burrin në kafene

    Një ngjarje që shkaktoi alarm mes pushuesve dhe autoriteteve në bregdetin e Shëngjinit përfundoi fatmirësisht pa pasoja.

    Disa media raportuan se një shqiptar i Kosovës u raportua i zhdukur në det, duke ngritur dyshimet se mund të ishte mbytur. Menjëherë pas njoftimit, u angazhuan forcat e kërkim-shpëtimit, të cilat për rreth tre orë zhvilluan kërkime intensive në zonën detare me mjete lundruese.

    Ndërkohë që operacioni vijonte, bashkëshortja e tij e gjeti burrin shëndosh e mirë në një kafene pranë bregdetit.

    Mësohet se ai ishte larguar nga plazhi pa njoftuar familjarët, duke bërë që niste operacioni i kërkimit.

  • Avokati Kërveshi: Veterani Bekim Metaj ka qenë i sulmuar nga mbi 20 persona, ka vepruar për ta shmangur rrezikun

    Avokati Kërveshi: Veterani Bekim Metaj ka qenë i sulmuar nga mbi 20 persona, ka vepruar për ta shmangur rrezikun

    Avokati Kujtim Kërveshi tha se është angazhuar nga familja e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Metaj për t’i nisur procedurat ligjore lidhur me rastin ku para disa ditësh ish-ushtari i UÇK-së u përfshi në një përlejshme me disa persona në Lipjan.

    “Ju njoftoj se, me kërkesë të z. Bekim Metaj dhe familjes së tij, kam pranuar angazhimin për ta përfaqësuar dhe mbrojtur atë në procedurat ligjore që lidhen me rastin që ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik gjatë javës së kaluar”, shkroi Kërveshi në një postim në Facebook.

    “Si avokat, kam besuar gjithmonë se e drejta për mbrojtje është një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës. Çdo person, pa dallim, ka të drejtë të përfaqësohet me profesionalizëm, pavarësisht natyrës së akuzave apo intensitetit të debatit publik që mund të shoqërojë një rast”, shtoi ai.

    Përveç përgjegjësisë profesionale, ai tha se në këtë rast ka ndier “edhe një detyrim moral për të ofruar ndihmën”.

    “Bekim Metaj ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka dhënë kontributin e tij në një periudhë vendimtare për vendin tonë. Ky fakt për mua përbën një arsye shtesë njerëzore për të mos refuzuar kërkesën e tij për mbrojtje juridike. Mbrojtja që do t’i ofrohet do të zhvillohet ekskluzivisht brenda kornizës së ligjit, me respekt të plotë për institucionet e drejtësisë, për të drejtat e të gjitha palëve dhe për procesin e rregullt ligjor”, shkroi ai.

    “Duke respektuar konfidencialitetin profesional dhe integritetin dhe interesin e klientit, nuk do të komentoj provat, faktet apo pretendimet që lidhen me çështjen jashtë sallës së gjyqit, përveç rasteve kur një komunikim i tillë do të jetë i nevojshëm për informimin e drejtë të opinionit publik”,shtoi avokati.

    Kërveshi u shpreh i bindur se “do të vertetohet se Z Metaj ka qenë i sulmuar dhe ka vepruar ashtu qe ka shmangur rrezikun nga vehtja dhe te tjeret, nga nje sulm i pergatitur nga me shume se 20 persona”.

    “Falënderoj mediat dhe publikun për mirëkuptimin dhe kërkoj që kësaj çështjeje t’i qasemi me maturi, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe duke lejuar që drejtësia të bëjë punën e saj mbi bazën e fakteve dhe ligjit. Bej ftesë institucioneve tona për trajtimin sa me profesional të këtij rasti, edhe që dyshimet per pjesemarrjen e pjestareve të forcave serbe aktiv gjatë periudhës se luftës në Kosovë të trajtohe me profesionalizëm dhe urgjencë, në këtë dhe rastet tjera! Ju falenderit!”, shkroi ai.

  • Gjini takon kryetarin e Odës Amerikane: Kyçja në rrjetin e gazit amerikan, hap strategjik

    Gjini takon kryetarin e Odës Amerikane: Kyçja në rrjetin e gazit amerikan, hap strategjik

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

    Në këtë takim është theksuar se zhvillimi ekonomik mbetet esencial për të ardhmen e Kosovës, ndërsa politikat shtetërore duhet të garantojnë siguri afatgjatë energjetike, furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe krijim të kushteve që çlirojnë potencialin e plotë ekonomik të vendit.

    Gjithashtu, është vënë theksi te rëndësia strategjike e përfshirjes së Kosovës në rrjetin e gazit amerikan, si një hap i konsideruar jetik për fuqizimin e sigurisë energjetike dhe stabilitetit ekonomik në të ardhmen.

    Në takim u vlerësua edhe bashkëpunimi me Odën Amerikane dhe organizatat e tjera biznesore, duke e konsideruar sektorin privat si motorin kryesor të ekonomisë së Kosovës.

    “Bashkëpunimi ndërinstitucional me komunitetin e biznesit u theksua si element kyç për nxitjen e investimeve dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme në vend”, thuhet në njoftim.

  • Tragjedia në Gjermani: Pesë personat u vranë te një qendër e të rinjve, dalin pamjet

    Tragjedia në Gjermani: Pesë personat u vranë te një qendër e të rinjve, dalin pamjet

    Policia dhe ekipet e emergjencës janë angazhuar në një operacion të madh këtë të hënë në Stade të Gjermanisë, pasi organet e rendit konfirmuan se pesë persona u vranë nga të shtënat me armë.

    Sipas informacioneve të para nga policia dhe raportimeve të Bild, në zonën e rrugës Dankersstrase në Stade (Saksonia e Poshtme) janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Forcat e rendit kanë arrestuar dy persona të dyshuar, mes tyre edhe autorin e dyshuar të sulmit. Situata vazhdon të jetë dinamike.

    “Ju lutemi, shmangni këtë zonë!”, ka njoftuar Drejtoria e Policisë së Luneburgut në platformën X.

    Rreth orës 13:45, policia konfirmoi se pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave në qendrën e këtij qyteti hanseatik me rreth 50 mijë banorë. Sipas policisë, të gjithë viktimat janë të rritur, ndërsa disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Sipas informacioneve të gazetës BILD, vendi ku ndodhi ngjarja është një institucion i ndihmës për të rinjtë. Hetuesit kanë nisur sigurimin e provave në vendngjarje dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

    Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende plotësisht të paqarta.

  • Instituti GAP: Numri i mësimdhënësve bie edhe për 263 deri më vitin 2027

    Instituti GAP: Numri i mësimdhënësve bie edhe për 263 deri më vitin 2027

    Instituti GAP ka publikuar analizën “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, e cila trajton ndikimin e zbatimit më strikt të formulës për buxhetimin e mësimdhënësve në kuadër të grantit të arsimit.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se analiza tregon se nga viti 2026, Ministria e Financave, bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, e ka bazuar financimin e pagave të mësimdhënësve në numrin aktual të nxënësve dhe raportin nxënës–mësimdhënës.

    “Kjo ka nxjerrë në pah mospërputhje të theksuara ndërmjet numrit të mësimdhënësve të paraqitur nga komunat dhe numrit të aprovuar për financim përmes grantit të arsimit”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim të dhënat tregojnë, se për gjitha komunat e Kosovës, për vitin 2026, Ministria e Financave ka larguar nga granti i arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës.

    “Ky vendim pritet të krijojë një ngarkesë të konsiderueshme financiare për buxhetet e komunale, ku vetëm në vitin 2026, kostoja e vlerësuar për gjitha komunat tejkalon 24 milionë euro. Për 25 komunat e trajtuara në këtë analizë, komunat kanë paraqitur 27,282 mësimdhënës për vitin 2026, ndërsa janë aprovuar 24,200. Si rezultat, 3,082 mësimdhënës, apo rreth 11.3% e numrit të paraqitur, kanë mbetur jashtë financimit të grantit”.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim për vitin pasues, 2027, është paraparë që numri i përgjithshëm i mësimdhënësve të ulet edhe për 263.

    “Konkretisht, disa komuna do të kenë rreth 463 mësimdhënës më pak në kuadër të grantit të arsimit, përderisa për të njëjtin vit për disa komuna tjera, së bashku, numri i mësimdhënësve planifikohet të rritet për 200”.

    Në këto rrethana, siç thuhet në njoftim komunat përballen me dy alternativa: të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit ose t’i mbajnë në punë mësimdhënësit shtesë duke i financuar nga burime vetanake apo nga granti i përgjithshëm.

    “Zgjedhja e alternativës së dytë mund të kufizojë investimet në sektorin e arsimit dhe zhvillimin komunal. Në vlerë absolute, presioni më i madh për mbulimin e pagave të mësimdhënësve “tepricë” apo “mbi normë” bie mbi Gjilanin me mbi 2.5 milionë euro, Gjakovën me mbi 2.3 milionë euro, pasuar nga Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica e Jugut”.

    Analiza thekson se kjo situatë nuk është vetëm pasojë e formulës së financimit, por reflekton një problem më të thellë strukturor në arsimin parauniversitar. Për më shumë se një dekadë, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë vazhdimisht, ndërsa numri i mësimdhënësve dhe i shkollave nuk është përshtatur me të njëjtin ritëm. Vetëm në 25 komunat e analizuara, numri i nxënësve ka rënë nga 300,429 në vitin shkollor 2023/2024 në 279,465 në vitin 2026/2027, apo për afro 21 mijë nxënës.

    Prandaj, Instituti GAP vlerëson se komunat duhet të nisin një proces të mirë planifikuar të riorganizimit të rrjetit shkollor dhe menaxhimit të stafit në arsim, të bazuar në të dhëna të sakta për numrin e nxënësve, paralelet, nevojat për kuadro, shpërndarjen gjeografike të shkollave dhe kostot reale të funksionimit. Ky proces duhet të jetë pjesë e një reforme të qëndrueshme për përshtatjen e sistemit arsimor me ndryshimet demografike dhe financiare.

    Analizën e plotë mund ta gjeni të bashkëngjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.

  • Të shtëna në Gjermani, pesë të vrarë

    Të shtëna në Gjermani, pesë të vrarë

    Të paktën pesë persona u vranë në të shtëna me armë në qytetin verior gjerman Stade.

    Një zëdhënës i policisë tha se një person ishte arrestuar, por nuk dha numër të saktë të të vdekurve apo detaje të mëtejshme.

    Selia e policisë së Lüneburgut i bëri thirrje publikut të shmangte zonën.

    Hetuesit fillimisht nuk dhanë asnjë informacion në lidhje me sulmin.

    Një numër i madh i shërbimeve të emergjencës janë aktualisht në vendngjarje.