ATV

Author: K.B.

  • Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët

    Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët

    Lista Serbe sot ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas Listës Serbe janë bërë “parregullsive serioze që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për popullin serb”.

    Në ankesë pretendohet se partia Për Liri Drejtësi dhe Mbijetesë e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë.

    Për këtë arsye, Lista Sereb e konsideron të papranueshme që, siç thuhet “mandati të fitohet me vota nga komunitetet joserbe dhe në komuna ku praktikisht nuk ka serbë”.

    KQZ-ja më 27 qershor ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor në Kosovë.

    Sipas rezultateve, Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate, ndërsa një mandat i ka takuar listës “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është fituar nga Nenad Rashiqi.

    PZAP-ja ka afat 4 ditë për të kthyer përgjigje në ankesë. Nëse ankesa refuzohet, ata kanë të drejtë ankesë në Gjykatën Supreme. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat.

    Me përfunidm të shqyrtimit të ankesave KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimate të zgjedhjeve të 7 qershorit. /Koha

  • Rama: Prishtina më 2 korrik nikoqire e ngjarjes qendrore për 250-vjetorin e SHBA-së

    Rama: Prishtina më 2 korrik nikoqire e ngjarjes qendrore për 250-vjetorin e SHBA-së

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 2 korrik kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjes qendrore “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years”, e organizuar në kuadër të programit për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas Ramës, aktiviteti do të përcjellë mesazhin se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm një histori suksesi, por edhe një vizion i përbashkët për të ardhmen.

    Rama në një postim në Facebook bëri të ditur se në Kryeqytet ka pritur një delegacion nga Washington D.C., të udhëhequr nga Dr. Faton Bislimi, në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, pjesë e programit zyrtar të kremtimit të 250-vjetorit të SHBA-së.

    Rama tha se në takim morën pjesë profesori Daniel Serwer, profesori Edward P. Joseph, Besa Pinchotti, majori Mario Marquez, filantropi Ramiz Tafilaj dhe personalitete të tjera që, sipas tij, kanë dhënë kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Sipas kryetarit të Prishtinës, gjatë takimit u diskutua për 250-vjetorin e demokracisë amerikane, rrugëtimin e Kosovës si shtet i lirë e demokratik, si dhe mundësitë për partneritete të reja që do të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në të ardhmen.

  • Erion Veliaj në burg, bëhet baba për herë të dytë

    Erion Veliaj në burg, bëhet baba për herë të dytë

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, është bërë baba për herë të dytë. Bëhet e ditur se bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ka sjell sot në jetë djalin e tyre të dytë.

    Ndërkohë SPAK i ka dhënë leje Veliajt që të takojë fëmijën e porsalindur në maternitet, shkruajnë mediat në Tiranë.

    Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025. Kryebashkiaku i Tiranës është dërguar për gjykim nga SPAK me një sërë akuzash penale, duke përfshirë shpërdorim detyre, korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

    Dosja hetimore përfshin gjithashtu bashkëshorten e tij dhe një sërë biznesmenësh e subjektesh të tjera.

    Kujtojmë që çifti janë edhe prindër të një djali tjetër, i cili ka ardhur në jetë në vitin 2018.

  • IKSHPK apelon qytetarët për kujdes gjatë temperaturave të larta

    IKSHPK apelon qytetarët për kujdes gjatë temperaturave të larta

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi ekspozimi i zgjatur në vapë mund të ndikojë negativisht në shëndet, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të IKSHPK-së thuhet se për të reduktuar rrezikun nga temperaturat e ngritura gjatë qëndrimit në ambientet e hapura, IKSHPK rekomandon:

    Të evitoni qëndrimin dhe aktivitetet fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.

    Të qëndroni sa më shumë në vende me hije ose në ambiente të freskëta.

    Të mbroni kokën dhe fytyrën duke mbajtur kapelë.

    Gjatë ekspozimit në diell, të përdorni syze dielli për mbrojtjen e syve.

    Të mbroni lëkurën duke përdorur krem mbrojtës ndaj rrezeve të diellit.

    Të pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin.

    IKSHPK thekson se respektimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në parandalimin e goditjes nga të nxehtit, dehidratimit dhe problemeve të tjera shëndetësore që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta.

  • Letonia dhe Ukraina fillojnë prodhimin e përbashkët të dronëve në kufirin rus

    Letonia dhe Ukraina fillojnë prodhimin e përbashkët të dronëve në kufirin rus

    Kryeministri letonez Andris Kulbergs deklaroi se Letonia dhe Ukraina planifikojnë të ndërtojnë së bashku një fabrikë për prodhimin e dronëve në kufirin me Rusinë dhe Bjellorusinë.

    Siç raportohet nga mediat e huaja, gjatë një vizite në bazën ushtarake në rajonin Latgale, Kulbergs tha se bashkëpunimi midis dy vendeve do të përfshijë zhvillimin e industrisë ushtarake, përfshirë prodhimin e dronëve në zonën kufitare.

    Sipas fjalëve të tij, është planifikuar gjithashtu të futet një sistem për kapjen e dronëve në kufi, me qëllim që të zvogëlohet nevoja për të angazhuar avionë luftarakë në çdo incident.

  • Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, si dolën analizat?

    Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, si dolën analizat?

    Pak ditë pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, burime për ABC News thanë se kanë dalë rezultatet e analizave nga laboratori ISUV që tregojnë se mostrat e ushqimeve dhe kampionet ambientale kanë dalë të pastra nga ngarkesa bakteriale që analizuan nga Instituti i Referencës për S.coli, Salmonelë dhe Listeria.

    Burime pranë grupit të hetimit thonë se pritet tashmë edhe rezultati nga dokumentat e marra nga krimi ekonomik pranë AKU-së në lidhje me kontrollet që janë kryer kompanisë së ushqimit nëse ka pasur ose jo parregullsi.

    60 kursantë të Akademisë së Policisë në Tiranë dyshohet e u helmuan sërish ditën e 25 qershorit.

    Ata shfaqën shenja si të vjella, diarre dhe temperaturë, dhe u dërguan menjëherë në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndihmë mjekësore./abcnews.al

  • Nga nxehtësia ekstreme në stuhi, rrufeja godet Kullën Eiffel

    Nga nxehtësia ekstreme në stuhi, rrufeja godet Kullën Eiffel

    Rrufeja ka goditur Kullën Eiffel ndërsa një stuhi e fuqishme përfshiu Parisin të shtunën në mbrëmje, duke i bërë vizitorët të kërkonin strehim.

    Moti dramatik pasoi ditë të tëra me vapë rekord në Francë, ku autoritetet thonë se temperaturat ekstreme kontribuan në një rritje të ndjeshme të vdekjeve.

    Raportohet se Franca ka regjistruar mbi 1,000 vdekje nga nxehtësia, ndërsa temperaturat përvëluese kanë përfshirë vendin.

    Disa pjesë të vendit kanë kaluar 40°C këtë javë, duke shtuar presion mbi spitalet dhe ndihmësit e parë mes një rritjeje të thirrjeve emergjente.

    Më shumë se 30 zona ishin nën alarm të kuq për nxehtësi për pjesën më të madhe të javës, dhe vendi regjistroi ditën e tij më të nxehtë të mërkurën, me temperaturën mesatare 24-orëshe që arriti në 30°C.

    Ndryshe, temperaturat janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën ditët e fundit.

  • ​Eurodeputeti Reuten: Deklaratat e Vuçiq për dorëheqje, manovër për të ruajtur pushtetin

    ​Eurodeputeti Reuten: Deklaratat e Vuçiq për dorëheqje, manovër për të ruajtur pushtetin

    Deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq se do të japë dorëheqje, janë pjesë e një strategjie për ruajtjen e kontrollit politik, në një moment të rritjes së presionit publik dhe protestave të vazhdueshme.

    Kështu vlerëson eurodeputeti holandez Thijs Reuten, teksa komenton zhvillimet e fundit politike në Serbi.

    “Njoftimi për të hequr dorë nga posti i Presidentit është një manovër për të hartuar një strategji që të mbetet në pushtet për sa më gjatë të jetë e mundur, në një mënyrë apo tjetër. Kjo është ajo që ka të bëjë kjo lëvizje klasike e manualit të autokratëve. Le të mos e humbasim fokusin”, thotë ai përmes një reagimi në X.

    Reuten shton se mbeten në anën e popullit serb.

    “Ne mbetemi në anën e popullit serb, i cili vazhdon të ketë kërkesa shumë të thjeshta: zgjedhje të drejta, jo vetëm diskutim për sundimin e ligjit, por zbatim të tij, si dhe transparencë”, përfundon ai. /Kp/

  • OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë

    OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë

    Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se temperaturat ekstreme mund të jenë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë në Evropë.

    “Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori dhe lidhen me temperaturat e larta në Evropë”, shkroi Tedros në rrjetin X.

    “Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme – qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen”, shtoi ai.

    Gjatë fundjavës së shkuar, në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Çekinë, janë thyer rekordet e temperaturave, duke arritur ose tejkaluar 40 gradë Celsius.

    Autoritetet çeke u bënë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetin fizik dhe lëshuan paralajmërime për smog në pjesën qendrore dhe veriore të vendit, për shkak të niveleve të larta të ozonit pranë sipërfaqes së tokës, të shkaktuara nga vapa.

    Në Gjermani u reduktuan udhëtimet me tren në një linjë kryesore në landin perëndimor, Nordrhajn-Vestfalenit, ndërsa në qytetin lindor të Lajpcigut u pezullua qarkullimi i tramvajeve.

    Policia e Berlinit përdori topa uji për t’i ndihmuar banorët e kryeqytetit të freskoheshin.

    Sipas mediave lokale, shumë njerëz qëndruan brenda në shtëpi dhe shmangën daljet jashtë deri pas perëndimit të diellit.

    Kompania franceze e shpërndarjes së energjisë, Enedis, njoftoi të dielën pasdite se rreth 36.000 familje në veri dhe në qendër të Francës kanë mbetur pa energji elektrike.

    Qeveria e Hungarisë tha se centrali bërthamor Paks në këtë vend, ka ulur prodhimin të dielën, për shkak të temperaturës së lartë të lumit Danub – uji i të cilit përdoret për ftohje.

    Valë e të nxehtit ekstrem mbërthen qytetet e Evropës

    Tedros tha se stresi nga nxehtësia, shpesh quhet “vrasës i heshtur”, duke shtuar se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për të përballuar temperatura të tilla.

    “I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valëve të të nxehtit që dikur ndodhte një herë në një brez, tani po përsëritet pothuajse çdo vit”, tha ai.

    Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi disa shkencëtarë të kenë thënë se vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka qenë më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë. /REL

  • Pse nuk duhet të bëni kurrë dush të ftohtë gjatë një vale të të nxehtit?

    Pse nuk duhet të bëni kurrë dush të ftohtë gjatë një vale të të nxehtit?

    Kur moti ngrohet, shumë prej nesh përdorin një dush të ftohtë për t’u freskuar. Por, edhe pse kjo mund të ndihet si lehtësim, mund të mos e ndihmojë fare trupin të ftohet.

    Temperatura optimale e trupit tonë është rreth 37°C. Kjo temperaturë siguron që sistemet e trupit të funksionojnë siç duhet. Por kur bërthama e trupit nxehet shumë, qendra rregulluese e temperaturës në tru fillon të dërgojë sinjale nervore te enët e gjakut dhe muskujt në ose pranë lëkurës, duke u thënë të aktivizojnë mekanizmat e ftohjes.

    Nëse temperatura e brendshme qëndron shumë e lartë për një kohë të gjatë (rreth 39–40°C), kjo mund të shkaktojë dëmtime të organeve. Prandaj, për të siguruar që temperatura të mbetet optimale, trupi përdor disa mënyra për t’u ftohur, shkruan The Independent.

    Për shembull, trupi lëshon nxehtësi në mjedisin përreth përmes rrezatimit elektromagnetik (termik). Rreth 60 për qind e nxehtësisë së trupit humbet në këtë mënyrë.

    Djersitja është një tjetër mekanizëm që përdor trupi. Rreth 22 për qind e nxehtësisë së trupit humbet në këtë mënyrë. Por kur temperatura e ajrit përreth nesh e kalon temperaturën e trupit, djersitja bëhet mekanizmi dominues për uljen e temperaturës së brendshme.

    Çdo nxehtësi e mbetur e trupit humbet më pas përmes një përzierjeje të konvekcionit në ajrin ose lëngun me të cilin trupi është në kontakt dhe përçimit në objekte të ngurta me të cilat trupi mund të jetë në kontakt.

    Për të mbështetur këto mekanizma, enët e gjakut ndryshojnë diametrin. Ato më afër lëkurës zgjerohen për të lejuar më shumë gjak që të afrohet me sipërfaqen relativisht më të ftohtë të lëkurës.

    Trupi më pas qarkullon gjakun në mënyrë që nxehtësia nga brendësia të zhvendoset drejt periferisë për t’u ftohur. Po ashtu, në lëkurë, qimet qëndrojnë të sheshta për të lejuar që ajri pranë trupit të ftohet dhe të zëvendësohet, duke ndihmuar shpërndarjen e nxehtësisë.

    Sigurisht, kur jashtë është shumë nxehtë, këto mekanizma mund të mos duken të mjaftueshme.

    Edhe pse zhytja në një banjë apo dush të ftohtë menjëherë pas qëndrimit në vapë mund të ndihet mirë në lëkurë, ajo nuk bën atë që nevojitet për të ulur temperaturën e brendshme të trupit. Madje mund të jetë e rrezikshme për disa persona.

    Kur ekspozohet ndaj të ftohtit, enët e gjakut pranë lëkurës ngushtohen, duke ulur rrjedhjen e gjakut në këto zona.

    Pra, në kontekstin e ftohjes së trupit, një dush i ftohtë bën të kundërtën e asaj që duhet të ndodhë, sepse më pak gjak shkon në sipërfaqen e lëkurës. Kjo e mban nxehtësinë brenda dhe rreth organeve, në vend që ta largojë atë. Në thelb, trupi “mashtron” veten duke menduar se nuk ka nevojë të ftohet, por në fakt duhet të ruajë nxehtësinë.

    Dhe, varësisht sa i ftohtë është uji, ekspozimi i papritur mund të shkaktojë pasoja të rrezikshme për disa njerëz.

    Ekspozimi ndaj ujit rreth 15°C mund të shkaktojë reagimin e quajtur “shok i ftohtë”. Kjo bën që enët e gjakut në lëkurë të ngushtohen shumë shpejt, duke rritur presionin e gjakut sepse zemra pompon kundër një rezistence më të madhe.

    Ky reagim mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për personat me sëmundje të zemrës, si sëmundja e arterieve koronare. Shoku i ftohtë mund të çojë edhe në ritme të çrregullta të zemrës dhe madje në vdekje kur kalimi është nga shumë nxehtë në shumë ftohtë.

    Fatmirësisht, këto raste janë të rralla dhe zakonisht nuk ndodhin nga një dush i thjeshtë në shtëpi. Por mund të jetë më mirë të shmangen zhytjet shumë të ftohta ose banjat me akull në ditë të nxehta.

    Edhe dushet e nxehta nuk janë ide e mirë në ditë të nxehta. Edhe pse ndonjëherë thuhet se një dush i nxehtë e ftoh trupin më shpejt, kjo nuk është e vërtetë. Uji më i ngrohtë se trupi i transferon nxehtësi trupit, duke penguar largimin e saj dhe duke rritur potencialisht temperaturën e brendshme.

    Në ditë të nxehta, një banjë ose dush i vakët është zgjidhja më e mirë; studimet sugjerojnë se 26–27°C është më efektive. Kjo ndihmon që gjaku të shkojë në sipërfaqe për t’u ftohur, pa qenë aq i ftohtë sa trupi të mendojë se duhet të ruajë nxehtësinë.

    Një arsye tjetër për të shmangur dushin e ftohtë në ditë të nxehta është se mund të mos ndihmojë në pastrimin e trupit.

    Kur nxehemi, djersijmë, dhe kjo djersë përzihet me sebumin dhe bakteret në lëkurë, duke krijuar erë trupi. Uji i ftohtë është më pak efektiv në largimin dhe shpërbërjen e sebumit krahasuar me ujin më të ngrohtë, që do të thotë se era e trupit mund të mbetet.

    Uji i ftohtë gjithashtu e ngushton lëkurën, duke bllokuar papastërtitë në pore, gjë që mund të çojë në pika të zeza, pika të bardha dhe akne. Uji i ngrohtë ose i vakët ndihmon në shpërbërjen dhe lirimin e këtyre materialeve nga poret.