ATV

Author: K.B.

  • Gucati: Kam bërë kërkesë me shkrim që në protestat në Shqipëri të mos përdoret flamuri i UÇK-së

    Gucati: Kam bërë kërkesë me shkrim që në protestat në Shqipëri të mos përdoret flamuri i UÇK-së

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati në konferencë për media ka thënë se nuk ka shqiptarë mercenarë, raporton Ekonomia Online.

    Këto komente Gucati, i bëri pasi u pyet në lidhje me gjuhën e përdorur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Taulant Balla, ku pretendohet se të njëjtit kanë thënë se ish-luftëtarët e UÇK-së janë mercenar.

    “Unë Edi Ramën s’e kam dëgjuar që ka thënë mercenar. Një listë e kam parë, do të jemi i sinqertë, nëpër portale të ndryshme që e ka bërë publike Taulant Balla nëse s’gaboj, tani ndërkohë edhe Edi Rama. Mercenarë shqiptarë s’ka pasur. Një ngatërresë është bërë, Tahir Sinanaj është nga Kukësi, Tahir Sinani është nga Tropoja, ta bëjmë dallimin. Janë dy Tahira. Se nëse e ke fjalën për Tahir Sinanin, Tahir Sinani s’ka marrë lekë, as s’ka marrë para, është dëshmor i kombit. Është luftëtar i tri luftërave. Unë kam folur me vëllain e tij, me Skënderin, e kemi sqaruar, është edhe dokumenti që ekziston. Tahir Sinanaj është i Kukësit. Tahir Sinani, veç ta bëjmë dallimin te mbiemri, aty është ngatërruar. E Taulant Ballën jo që dua ta mbroj unë, po atij i ka mbetur patatja në dorë, është diçka tjetër. Tahir Sinani s’ka qenë dëshmor i paguar me para, është dëshmor i kombit, është dëshmor i tri luftërave. Respekt, përkulje, për punën dhe veprën e tij edhe familjen e tij, kështu që ta bëjmë këtë sqarim”, tha ai.

    Sa i përket përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestat në Shqipëri, Gucati u shpreh se ka bërë kërkesë të mos përdoret.

    “Kam bërë kërkesë që mos të përdoret edhe me shkrim e kam, edhe këto dokumente kur të duash t’i jap, që kam bërë kërkesë. Ju lutem mos e përdorni flamurin dhe stemën e UÇK-së nëpër fushata politike sepse UÇK-ja nuk është e një partie, UÇK-ja është e gjithë kombit shqiptar”, tha ai.

    Duke folur për këtë, Gucati deklaroi se do të kishte hapur padi nëse do të ekzistonte ligji për vlerat e luftës,

    “Po të kishte ligj për vlerat e luftës, se ne pikën tetë e kemi ligjin, e kemi stemën e flamurin në ligj, që kemi bërë kërkesë në Qeveri, e din edhe Albini edhe anëtarët në qeveri. Tetë herë ka dalë ligji, tetë herë na kanë refuzuar. Për shkak të pikës së nëntë me heq, ne s’kemi pranuar me heq. Po sikur të kishte ligj për vlerat e luftës, edhe partive politike ju kisha bërë padi nëpër gjykata që s’kanë të drejtë me përdor”, tha ai.

    Kurse, i pyetur se pse nuk mori pjesë në protestën për ish-luftëtarin, Bekim Metaj, sikurse mori pjesë në Skënderaj për Sami Lushtakun, Gucati tha se nuk ishte në Kosovë.

    “Kam qenë në Shqipëri, isha. Se unë jam me kontrollë, kam një infeksion që s’dihet nga po më vjen ende. Edhe kam thirrë në telefon Besim Isufin, mundeni ta pyesni, mbi gjashtë herë prej territorit Shqipërisë, kam qenë në vizitë atë ditën e shtunë. Isha në vizitë te Bekimi. Bekimin e njoh personalisht, është jo tash, po e njoh më herët. Po më vjen keq si ka ndodhur rasti, si rast më vjen shumë keq. Po shteti është mirë me u marrë shumë me këtë rast, me sqaruar deri në fund çka ka ndodhur dhe pse ka ardhur deri te ai moment i Bekimit dhe i të tjerëve qytetarëve”, tha ai.

  • Deklarata e Sorensen në Dubrovnik, Hoti Qeverisë: Pesë vjet degradim diplomatik, refuzohet Uashingtoni, u pranua Ohri

    Deklarata e Sorensen në Dubrovnik, Hoti Qeverisë: Pesë vjet degradim diplomatik, refuzohet Uashingtoni, u pranua Ohri

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me marrëveshjet ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si “degradim diplomatik” gjatë pesë viteve të fundit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se Qeveria ka refuzuar zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa, sipas tij, ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila tashmë po konsiderohet obligim ndërkombëtar për Kosovën.

    Ai theksoi se Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar as gjashtë vjet pas nënshkrimit të saj, duke përmendur edhe projektin për gazin amerikan.

    “Marrëveshja e Uashingtonit nuk u zbatua tash e gjashtë vite. Edhe sot, kur gjithë Evropa është zgjuar në këmbë për të eliminuar plotësisht çdo varësi nga gazi rus, Kurti dhe sejmenët e tij e refuzojnë projektin e gazit amerikan duke përrallisur për alternativa të tjera të furnizimit me energji”, ka shkruar ai.

    Sipas Hotit, ndryshe ka ndodhur me Marrëveshjen e Ohrit.

    “Por nuk kanë hezituar të pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Sorensenit tani përbën obligim ndërkombëtar të Kosovës”, ka shtuar ai.

    Postimit të tij, Hoti i ka bashkëngjitur edhe një fotografi nga deklarata e djeshme e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, i cili gjatë Forumit të Dubrovnikut tha se Marrëveshja e Ohrit është zotim ndërkombëtar dhe mbetet e vlefshme edhe pse nuk është nënshkruar.

  • Reçica: Formimi i institucioneve në dorë të Kurtit

    Reçica: Formimi i institucioneve në dorë të Kurtit

    Partitë e ish-opozitës kanë kritikuar partinë fituese të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-në, për mos nisjen e bisedimeve me partitë e tjera për formimin e institucioneve.

    Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, në një përgjigje për RTV21, tha se varet dhe është përgjegjësi e Albin Kurtit që të gjejë zgjidhje duke u koordinuar edhe me partitë e tjera për formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

    “Patjetër që varet, sepse LVV-ja e ka në dorë gjithë procesin. Partia e parë mund t’i krijojë institucionet, mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe, në koordinim me partitë e tjera, mund ta zgjedhë edhe presidentin. Më pas mund ta zgjedhë edhe Qeverinë, ashtu siç e parasheh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, këtë situatë e ka në dorë Albin Kurti.”, tha ai.

  • ​Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara, ASK jep detaje

    ​Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara, ASK jep detaje

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike për muajin maj 2026, i cili tregon rënie të numrit të ndërmarrjeve të regjistruara si në baza mujore, ashtu edhe vjetore.

    Sipas ASK-së, në maj 2026 janë regjistruar 1.108 ndërmarrje, që paraqet rënie prej 1,4 për qind krahasuar me prillin 2026 dhe 16,9 për qind më pak krahasuar me muajin maj të vitit 2025.

    Sa i përket aktiviteteve ekonomike, sektori më i preferuar për regjistrimin e bizneseve të reja mbetet tregtia me shumicë dhe pakicë, si dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 278 ndërmarrje ose 25,1 për qind të totalit.

    Pas këtij sektori renditen akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 126 ndërmarrje (11,4 për qind), ndërtimtaria me 119 ndërmarrje (10,7 për qind) dhe prodhimi me 105 ndërmarrje (9,5 për qind).

    Sipas kategorisë së madhësisë, pothuajse të gjitha bizneset e regjistruara janë mikro-ndërmarrje. Gjatë majit janë regjistruar 1.101 mikro-ndërmarrje me deri në nëntë të punësuar dhe shtatë ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 të punësuar. ASK nuk ka regjistruar asnjë ndërmarrje të mesme apo të madhe gjatë këtij muaji.

    Në aspektin gjeografik, Rajoni i Prishtinës prin me 523 ndërmarrje të regjistruara, pasuar nga Rajoni i Prizrenit me 130, Ferizaj me 110, Mitrovica me 100, Gjilani me 86, Gjakova me 83 dhe Peja me 76 ndërmarrje të reja.

  • Sveçla reagon pas vdekjes së policit Rexhep Gashi: Të parandalojmë tragjedi të tilla

    Sveçla reagon pas vdekjes së policit Rexhep Gashi: Të parandalojmë tragjedi të tilla

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit, kolegët e tij dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë”, ka shkruar Sveçla.

    Ai tha se në këto momente të vështira institucionet qëndrojnë pranë familjes së policit për të ndarë dhimbjen e humbjes.

    “Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Gashi, kolegët e të ndjerit dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në këto momente të rënda qëndrojmë pranë familjes për të ndarë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, u shpreh ai.

    Sveçla u bëri thirrje edhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për të parandaluar raste tragjike.

    “U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes dhe përgjegjësi maksimale, që të parandalohen tragjedi të tilla. Qoftë i përjetshëm kujtimi për zyrtarin policor Rexhep Gashi, i cili deri në çastet e fundit të jetës së tij i shërbeu me përkushtim Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Sveçla.

    Rexhep Gashi humbi jetën pasi, sipas informacioneve të para, u godit nga një veturë në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë, derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare. Rrethanat e plota të rastit janë duke u hetuar nga organet kompetente.

  • Pesë ankesa në PZAP ndaj rezultateve zgjedhore, KQZ pret vendimet para certifikimit

    Pesë ankesa në PZAP ndaj rezultateve zgjedhore, KQZ pret vendimet para certifikimit

    Pesë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë për momentin procesin e certifikimit të rezultateve.

    Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të PZAP-it, ankesa janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe (Srpska Lista) dhe Nova Demokratska Stranka (NDS). Dy ankesa janë dorëzuar nga PDK, dy nga NDS dhe një nga Lista Serbe.

    Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për Telegrafin se KQZ nuk komenton çështjet që ndodhen në procedurë ankimore.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor. Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, ka thënë Elezi.

    Ai shtoi se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.

    “Pasi ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Elezi.

    Ankesat e paraqitura kanë të bëjnë kryesisht me pretendime për parregullsi me votat dhe mungesë të votave.

    Pas vendimmarrjes së PZAP-it, palët do të kenë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme, përpara se KQZ të mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

  • Serbia thellon lidhjet me Kinën, Vuçiq paralajmëron shtim të raketave kineze CM-400

    Serbia thellon lidhjet me Kinën, Vuçiq paralajmëron shtim të raketave kineze CM-400

    Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për t’u distancuar nga Pekini, Serbia po vazhdon ta thellojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën. Këtë herë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se vendi do ta rrisë numrin e raketave kineze CM-400, të blera në muajin mars.

    Gjatë një stërvitjeje ushtarake të organizuar me rastin e Vidovdanit, Vuçiç i cilësoi raketat CM-400 si “të frikshme”, duke bërë të ditur se Serbia do të investojë në shtimin e këtij arsenali.

    Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), në periudhën 2020–2024, 57 për qind e importeve të armëve të Serbisë kanë ardhur nga Kina, ndërsa Rusia renditet e dyta me 20 për qind.

    Vuçiç njoftoi gjithashtu se pilotët serbë kanë nisur trajnimet për përdorimin e avionëve luftarakë francezë Rafale, duke shtuar se pas dorëzimit të tyre Serbia do të blejë edhe avionë të tjerë luftarakë dhe për trajnim.

    Ai ritheksoi se Serbia do të vazhdojë politikën e neutralitetit ushtarak, duke deklaruar se pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Beogradi synon të rifillojë stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët.

  • “Ky është turp”, KRM “Pastrimi” reagon pas grumbullimit të mbeturinave te Qafa

    “Ky është turp”, KRM “Pastrimi” reagon pas grumbullimit të mbeturinave te Qafa

    Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësira publike, por t’i depozitojnë ato në kontejnerë.

    Sipas kompanisë, një sasi e konsiderueshme mbeturinash është larguar nga rruga “UÇK”, në lagjen Qafa në Prishtinë, ndonëse kontejnerët ndodheshin vetëm pak metra larg.

    “Ju lusim qytetarë, mos i hidhni mbeturinat në hapësira publike. Mbeturinat duhet të hidhen në kontejnerë, jo në rrugë apo hapësira të përbashkëta. Gjithë këto mbeturina janë larguar nga rruga ‘UÇK’ te Qafa. Kontejnerët janë veç disa hapa më larg. Ky është turp”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimi”.

    Kompania u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së qytetit duke përdorur kontejnerët dhe duke shmangur hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme.

  • Protestohet edhe në Kroaci për ish-krerët e UÇK-së

    Protestohet edhe në Kroaci për ish-krerët e UÇK-së

    Më 15 korrik nga ora 18:00 do të mbahet protestë në Kroaci, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Përmes një konference për media, kryetari i OVL UÇ-së, Hysni Gucati ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore.

    Ndër të tjera, ai tha se shpreson se kjo do të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë.

    “Do të jetë protestë paqësore, me mesazhin e fundit që shpresojmë që krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë”, u shpreh ai.

  • AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave në verë

    AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave në verë

    Studimi i fundit i Aleancës Kosovare të Bizneseve nxjerr në pah ndikimin e madh që kanë qytetarët e Kosovës në ekonominë turistike të Shqipërisë. Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik maj–tetor 2026, qytetarët pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro.

    Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten kontribuuesit më të mëdhenj në turizmin e Shqipërisë, duke shpenzuar qindra miliona euro çdo sezon veror. Kështu vlerëson Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e cila, bazuar në një studim të realizuar nga 28 maji deri më 28 qershor 2026, ka analizuar lëvizjen dhe shpenzimet e qytetarëve kosovarë gjatë fundjavave në Shqipëri.

    Sipas studimit, gjatë pesë fundjavëve të monitoruara, mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar fundjavën në Shqipëri.

    “Për një qëndrim prej dy deri në tre netësh, secili prej tyre shpenzon mesatarisht të paktën 300 euro, duke përfshirë akomodimin në hotele apo apartamente, ushqimin dhe pijet, karburantin, taksën rrugore, transportin, argëtimin dhe blerjet”.

    Kjo do të thotë sipas AKB se vetëm në një fundjavë, ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët e Kosovës.

    “Duke marrë për bazë të gjithë sezonin turistik nga 1 maji deri më 30 tetor, që përfshin 26 fundjava, shpenzimet arrijnë në rreth 195 milionë euro. Në këtë shifër nuk janë përfshirë pushimet njëjavore apo më të gjata që shumë familje kosovare kalojnë gjatë verës, çka nënkupton se kontributi real financiar është edhe më i madh”.

    AKB vlerëson se këto shifra e konfirmojnë Kosovën si tregun dhe partnerin më të rëndësishëm për turizmin shqiptar.

    Sipas organizatës, vizitorët nga Kosova ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave të hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe sektorëve të tjerë të shërbimeve.

    Në reagimin e saj, Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon që ky bashkëpunim ekonomik të mos mbetet vetëm në nivelin e konsumit, por të thellohet përmes investimeve të përbashkëta në sektorin e turizmit, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe krijimit të paketave të përbashkëta turistike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se studimi dëshmon qartë rolin kyç që kanë qytetarët e Kosovës në zhvillimin e turizmit shqiptar.

    “Rreth 195 milionë euro që shpenzohen vetëm gjatë 26 fundjavave të sezonit maj–tetor përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e Shqipërisë. Ky partneritet ekonomik duhet të vlerësohet dhe të zhvillohet më tej përmes politikave të përbashkëta dhe investimeve strategjike. Kur fiton turizmi shqiptar, fitojnë edhe bizneset dhe qytetarët në të dy anët e kufirit”.

    Sipas AKB-së, turizmi mbetet një nga urat më të rëndësishme që lidh ekonomikisht Kosovën dhe Shqipërinë, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe duke krijuar përfitime të ndërsjella për bizneset dhe qytetarët.