ATV

Author: K.B.

  • Angelina Jolie flet për dashurinë pas divorcit: Nuk kam dalë me askënd për dhjetë vjet

    Angelina Jolie flet për dashurinë pas divorcit: Nuk kam dalë me askënd për dhjetë vjet

    Angelina Jolie ka zbuluar se nuk ka qenë në një lidhje romantike që nga ndarja me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt, në vitin 2016.

    Në një intervistë të fundit, fituesja e çmimit Oscar tha se gjatë dhjetë viteve të fundit ka zgjedhur t’i përkushtohet plotësisht gjashtë fëmijëve dhe familjes, duke e lënë jetën sentimentale jashtë vëmendjes.

    Ajo theksoi se roli në filmin e saj të ri, “Couture”, i ka sjellë një reflektim të ri mbi dashurinë.

    Sipas Jolie, personazhi që interpreton e ndihmoi të kuptojë se një nënë mund të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj fëmijës së saj, por njëkohësisht të ketë nevojë edhe për dashuri dhe ta pranojë atë në jetën e saj.

    Aktorja foli edhe për periudhën e vështirë pas divorcit, i cili u finalizua në fund të vitit 2024 pas një beteje të gjatë ligjore.

    Ajo tregoi se iu rikthye aktrimit pasi kjo i mundësonte të kalonte më shumë kohë pranë familjes, teksa pranoi se për një periudhë ishte ndjerë e thyer emocionalisht.

    Megjithatë, Jolie u shpreh se tani e ndjen veten më të fortë, duke shtuar se energjinë dhe shpirtin luftarak i ka rifituar falë fëmijëve të saj, të cilët e kanë mbështetur dhe inkurajuar gjatë gjithë kësaj kohe.

  • Pas 25 vitesh bëhen bashkë protagonistët e telenovelës “Kassandra”, ja si duken sot

    Pas 25 vitesh bëhen bashkë protagonistët e telenovelës “Kassandra”, ja si duken sot

    Një moment tejet nostalgjik dhe historik ka ndodhur për të gjithë adhuruesit e telenovelave latine.

    Protagonistët e serialit kult “Kassandra”, Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos, janë ritakuar zyrtarisht së bashku. Ky ribashkim i papritur ka thyer një heshtje të gjatë, pasi shënon herën e parë që dy aktorët ndajnë të njëjtën skenë publike në më shumë se 25 vite.

    Telenovela e famshme nisi transmetimin e saj origjinal në vitet 1992-1993, duke u kthyer në një fenomen botëror që thyeu të gjitha rekordet e shikueshmërisë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin në vitet ’90. Ritakimi i tyre vjen ekzaktësisht 34 vite pas fillimit të xhirimeve të këtij projekti që u kthye në një legjendë të ekranit televiziv.

    Takimi i tyre ka ndodhur të shtunën, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkak për këtë rikthim u bë ftesa e veçantë që dyshja mori për të marrë pjesë në edicionin e tretë të “Top Humanity Leaders Awards”, një ngjarje madhështore që bëri bashkë një nga dyshet më të dashura të ekranit.

    Gjatë kësaj mbrëmjeje magjike, të dy yjet u nderuan me një vlerësim të veçantë në shenjë njohjeje për karrierat e tyre të jashtëzakonshme artistike dhe mesazhet e tyre humanitare. Fotot e tyre nga ky takim dëshmojnë se pavarësisht kohës që ka kaluar, kimia mes Osvaldo Ríos (Ignacio) dhe Coraima Torres (Kassandra) mbetet ende e palëkundur.

  • GLPS: Kosova rrezikon humbjen e 90.6 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

    GLPS: Kosova rrezikon humbjen e 90.6 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

    Kosova rrezikon të humbë përfundimisht 90.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave dhe mosfunksionalizimit të plotë të institucioneve, paralajmëroi të hënën Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

    Në një konferencë për media, menaxherja e programit në GLPS, Ema Pula, tha se 30 qershori shënon fundin e periudhës së fundit që i mundësonte Kosovës të shmangte humbjet financiare përmes zbatimit të reformave të parapara.

    Ndërkohë, hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, tha se mungesa e institucioneve plotësisht funksionale ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave.

    Ai tha se pas publikimit të raporteve zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian do të bëhet e ditur shkalla e fondeve të përfituara, fondet e rrezikuara dhe reformat që kanë mbetur të papërmbushura.

    Ai shtoi se duke konsideruar gjendjen aktuale në Kosovë, GLPS ka disa rekomandime për përmirësimin dhe përshpejtimin e zbatimit të agjendës së reformave.

  • Bajrami kritikon Kurtin për energjinë: Kur i refuzon projektet, mbetesh i varur nga importi

    Bajrami kritikon Kurtin për energjinë: Kur i refuzon projektet, mbetesh i varur nga importi

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për politikat energjetike, duke thënë se refuzimi i projekteve si ContourGlobal dhe gazi amerikan ka ndikuar në mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese dhe varësinë e vendit nga importi i rrymës.

    Ajo ka shkruar në Facebook se gjatë gjashtë viteve të fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për import të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë si barrë të madhe për ekonominë e vendit.

    “Në fund, çdo refuzim e ka një faturë: Kur nuk prodhon, importon – kur importon, paguan më shtrenjtë – kur paguan më shtrenjtë, rëndon qytetarët dhe bizneset. E ndërkohë, tregtarëve të energjisë u trashen fitimet. Kosova nuk ka nevojë për politikë që e mban peng të importit. Kosova ka nevojë për politikë që prodhon energji, siguri dhe zhvillim.”

  • Mbi 1800 gjoba për 24 orë, Policia njofton për dhjetëra aksidente e të arrestuar

    Mbi 1800 gjoba për 24 orë, Policia njofton për dhjetëra aksidente e të arrestuar

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, ka shqiptuar 1836 gjoba trafiku.

    Në raport, shtohet edhe se, gjatë kësaj kohe janë raportuar 64 aksidente.

    Pos këtyre, njoftohet për 27 persona të arrestuar, ku, 18 janë dërguar në mbajtje.

  • E hëna tragjike në Kosovë: Vritet me thikë një person, tjetri bie në bunar, i treti gjendet i pajetë

    E hëna tragjike në Kosovë: Vritet me thikë një person, tjetri bie në bunar, i treti gjendet i pajetë

    Një person është gjetur pa shenja jete, të hënën, në Fushë Kosovë.

    Vdekja e tij u konstatua pasi në vendin e ngjarjes, në rrugën “Pajazit Islami” dolën njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Hetim mbi vdekjen”.

    Një rast tjetër i vdekjes, ka ndodhur po të hënën, rreth orës 14:10, në fshatin Dobërçan të Gjilanit.

    Këtu një burrë ka humbur jetën pasi, siç raporton policia, kishte rënë në një pus teksa po e pastronte atë.

    Trupin e tij nga bunari e kanë nxjerrë zjarrfikësit ndërsa mjekët e kanë konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes.

    Edhe trupi i tij, me urdhër të prokurorit, është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti i tretë tragjik në të cilin humbi jetën një person është ai që ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, pas një rrahjeje mes disa personave.

    Sipas policisë, viktima dyshohet se paraprakisht ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.

    Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

  • Vrasja e imamit në Dragash, Prokuroria e Prizrenit jep detaje: Janë arrestuar i dyshuari dhe babi i tij

    Vrasja e imamit në Dragash, Prokuroria e Prizrenit jep detaje: Janë arrestuar i dyshuari dhe babi i tij

    Prokuroria Themelore në Prizren, është deklaruar lidhur me vrasjen në fshatin Zlipotok, të Dragashit, ku mes tjerash thuhet se, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.

    Në komunikatë shtohet se, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, dhe, po ashtu është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”.

    ”Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet në reagim.

    Komunikata:

    Prizren, 30 Qershor 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.

    Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit. Viktima, i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes.

    Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.

    I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.

    Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.

    Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

  • Policia jep detaje për vrasjen në Dragash: Viktima një 47-vjeçar, i dyshuari është identifikuar -ndodhet në arrati

    Policia jep detaje për vrasjen në Dragash: Viktima një 47-vjeçar, i dyshuari është identifikuar -ndodhet në arrati

    Janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë rreth orës 23:15 në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku një person ka humbur jetën pas një përleshjeje mes disa personave.

    Sipas zëdhënësit rajonal në Prizren, Shaqir Bytyqi, patrulla policore pas marrjes së informatës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një person të shtrirë në tokë me lëndime të shkaktuara dyshohet nga një mjet i mprehtë.

    Viktima, G.T., mashkull rreth 47 vjeç nga i njëjti fshat, është transportuar për ndihmë mjekësore në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    “I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij”.

    Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet relevante policore nga Stacioni Policor në Dragash, Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, nën koordinimin e të cilit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, i cili është cilësuar si “vrasje e rëndë”.

  • Publikohen çmimet e derivateve, kaq kushton sot nafta e benzina

    Publikohen çmimet e derivateve, kaq kushton sot nafta e benzina

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 38 centë, një cent më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 35 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.68 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Ministria e Drejtësisë publikon listën e kandidatëve që kaluan provimin me shkrim të Jurisprudencës

    Ministria e Drejtësisë publikon listën e kandidatëve që kaluan provimin me shkrim të Jurisprudencës

    Ministria e Drejtësisë ka publikuar listën e kandidatëve që kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës me shkrim, i cili është mbajtur më 13 dhe 14 qershor 2026.

    Sipas njoftimit të ministrisë, kandidatët që kanë mbetur në riprovim do t’i nënshtrohen provimit me gojë më 4 korrik 2026, duke filluar nga ora 08:00. Provimi do të mbahet në Amfiteatrin e objektit të ish-Rilindjes në Prishtinë.

    Ndërkaq, kandidatët që kanë kaluar provimin me shkrim do t’i nënshtrohen provimit me gojë më 5, 6, 7, 8 dhe 9 korrik 2026, gjithashtu duke filluar nga ora 08:00, në të njëjtin lokacion.

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se lista e kandidatëve që kanë kaluar provimin me shkrim është publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit.

    Kliko këtu për ta parë listën