ATV

Author: K.B.

  • Gjykimi për kanosje në objektin e Qeverisë, i dëmtuari thotë se ishte kanosur gjatë një takimi zyrtar

    Gjykimi për kanosje në objektin e Qeverisë, i dëmtuari thotë se ishte kanosur gjatë një takimi zyrtar

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për kanosje Isa Hajdari- drejtor i Zyrës së Prokurimit në Zyrën e Kryeministrit, të martën u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Flamur Salihu, ish-drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit. Salihu deklaroi se rasti kishte ndodhur në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë një takimi zyrtar dhe ndër fjalët e adresuara ndaj tij ishin edhe “Kur del jashtë ki me pas problem me mu”.

    Në fjalë hyrëse, prokurori Malart Kuçi deklaroi se konsideron që në këtë çështje penale ka prova të mjaftueshme me anë të së cilave do vërtetohet gjendja faktike, duke propozuar që Gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Edhe i dëmtuari Flamur Salihu deklaroi se mbështet fjalën e prokurorit.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Isa Hajdari, avokait Hajzer Salihu, deklaroi se përmes provave nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kanosur të dëmtuarin, duke shtuar se i gjithë dispozitivi dhe arsyetimi i aktakuzës mbështeten vetëm në deklaratën e të dëmtuarit.

    Avokati Salihu i propozoi Gjykatës të nxjerrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.

    Më pas, vazhdoi me dhënien e dëshmisë i dëmtuari Salihu, i cili deklaroi se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi zyrtar me të pandehurin në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit lidhur me problemet në menaxhimin e ueb-faqes zyrtare nga operatori ekonomik.

    Ai tha se i akuzuari kishte hezituar të ndërmarrë masa ndaj operatorit ekonomik, dhe sipas tij për këtë çështje kishte lindur mosmarrëveshja dhe kërcënimi.

    Sipas tij, i akuzuari kishte pasur qasje të papërshtatshme ndaj tij gjatë mbledhjes, duke iu adresuar me “Shihemi mas ktuhit” dhe “Kur del jasht ki me pas problem me mu, nuk kom çka diskutoj ktu me ty”.

    I dëmtuari tha se kishte kërkuar nga sekretari t’i menaxhojë këto raste, dhe se Sekretari kishte filluar të komunikojë me të akuzuarin, por pastaj ky i fundit ishte larguar nga zyra.

    Gjithashtu, i dëmtuari Salihu deklaroi se kishte vazhduar të shprehë shqetësimin e tij tek sekretari.

    Më tej, Salihu deklaroi se pasi kishte dalë në korridor, i akuzuari ishte duke e pritur tek shkallët dhe i ishte drejtuar me “Kom me ta tregu qejfin” duke bërë një gjest me laps.

    Sipas tij, në këtë kohë në afërsi ishte një polic. Tha se e kishte konsideruar të arsyeshme ta raportojë rastin tek policia menjëherë.

    Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Arben Krasniqi, i cili deklaroi se atëkohë ishte ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit, dhe se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi lidhur me një kontratë për mirëmbajtjen e ueb-faqes dhe pakënaqësive me operatorin ekonomik.

    Dëshmitari Krasniqi deklaroi se gjatë takimit kishte debate në mes të akuzuarit Hajdari dhe të dëmtuarit Salihu, dhe kishte mospajtime rreth kontratës së lartcekur, mirëpo se nuk i kujtohet se çka konkretisht ishte debatuar.

    Ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se i akuzuari i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët “O shqiptar a merr vesh ti” dhe “Hajt se shihemi jashtë, e sheh kush jam unë”.

    Krasniqi deklaroi se këto fjalë i kishte konsideruar ofenduese dhe të papërshtatshme për institucionin, dhe ia kishte tërhequr vërejtjen të akuzuarit.

    Ai shtoi se nuk qëndron pranë vlerësimit që kishte dhënë për të akuzuarin në deklaratën e dhënë në Polici, kur e kishte quajtur të pamatur, duke shtuar se ishte vetëm perceptim momental.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se më 4 gusht 2022, në Objektin e Kryeministrisë në Prishtinë, gjatë një takimi zyrtar, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me punët zyrtare, ka kanosur të dëmtuarin Flamur Salihaj përmes fjalëve “se me ty nuk flas dhe nuk takohemi por shihemi jashtë dhe se do të tregoj qefin kur të takoj personalisht”.

    Aktakuza thotë se pas disa minutave, i akuzuari Hajdari ka pritur të dëmtuarin në mes shakllëve të katit të dytë dhe të tretë, duke e kanosur përsëri me fjalët “se duhet të ketë kujdes kur të takohen” dhe “hiq mos ke merak se del najher prej k’tuhit”, duke shkaktuar tek i dëmtuari frikë dhe ndjenjë të pasigurisë.

    Me këtë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

  • Kusari: RTK duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje

    Kusari: RTK duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje

    Juristja e medias Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me dorëheqjen e gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës.

    Ajo, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Radio Televizioni i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin, duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje ose Mikrofoni i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Ky televizion aktualisht e ka vetëm një mision: të transmetojë propagandë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve të saj. Këtë, sipas meje, e bën duke ushtru presion të paprecedent ndaj gazetarëve”, ka thënë ajo.

    Postimi i saj i plotë:

    Radio Televizioni i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin, duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje ose Mikrofoni i Lëvizjes Vetëvendosje!

    Ky televizion aktualisht e ka vetëm një mision: të transmetojë propagandë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve të saj. Këtë, sipas meje, e bën duke ushtru presion të paprecedent ndaj gazetarëve.

    Sot, gazetarja Arlinda Sejda japi dorëheqje nga RTK.

    Arlindën e takova në shenjë solidariteti dhe i thashë: bravo për vendimin dhe nuk je vetëm!

    Me japë dorëheqje prej punës është një prej vendimeve më të vështira, sidomos kur asaj pune ja ke kushtu më shumë se një dekadë të jetës tënde.

    Unë, personalisht, do ta dokumentoj këtë rast dhe atë që e konsideroj si terror politik në RTK në çdo platformë vendore, rajonale, ndërkombëtare dhe globale.

    Marre për Lëvizjen Vetëvendosje. Marre! Turp, turp, turp!

  • Vdekja e Rexhep Gashit në Morinë, BSPK: Duhet mbrojtje ligjore dhe institucionale për policët

    Vdekja e Rexhep Gashit në Morinë, BSPK: Duhet mbrojtje ligjore dhe institucionale për policët

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur dhimbje të thellë për vdekjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Rexhep Gashi, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Pikën Kufitare në Morinë.

    Në një komunikatë për media, BSPK i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Ndër të tjera, BSP i jep mbështetje të plotë Sindikatës së Policisë së Kosovës në shqetësimet e saj të vazhdueshme lidhur me mungesën e një mbrojtjeje të plotë ligjore, institucionale dhe sociale për punonjësit e Policisë së Kosovës.

    “Është e papranueshme që ata që çdo ditë mbrojnë rendin kushtetues, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve të mbeten pa mekanizma të mjaftueshëm mbrojtës për jetën, për shëndetin dhe për sigurinë e tyre në vendin e punës. Çdo humbje e jetës në krye të detyrës duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse”, thuhet në komunikatë.

    BSPK thekson se nuk mjaftojnë deklaratat e dhimbjes pas tragjedive dhe se përgjegjësia shtetërore fillon shumë më herët, dhe ajo duhet të fillojë me krijimin e një infrastrukture ligjore dhe institucionale që garanton kushte të sigurta pune, mbrojtje juridike efektive për zyrtarët policorë, trajtim të veçantë të rrezikut profesional dhe përkujdesje të dinjitetshme për familjet e tyre në rastet kur ata plagosen ose bien në krye të detyrës.

    “BSPK rikujton se siguria në punë është një e drejtë themelore e çdo punëtori, ndërsa për punonjësit e Policisë kjo e drejtë merr një dimension edhe më të lartë, se ata përballen çdo ditë me rreziqe që tejkalojnë çdo profesion tjetër në shërbim publik. Një shtet që kërkon përkushtim maksimal nga policët e tij ka detyrim të garantojë mbrojtjen maksimale për ta”.
    Në fund, BSPK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që, përveç zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, të ndërmarrin pa vonesë nisma konkrete për plotësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtje më të madhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, siguri më të lartë në vendin e punës, mbështetje të plotë shëndetësore e sociale dhe trajtim dinjitoz për familjet e tyre kur ata sakrifikojnë jetën në shërbim të Republikës.

    “BSPK do të qëndrojë përkrah Sindikatës së Policisë së Kosovës në çdo nismë që synon mbrojtjen e të drejtave, të dinjitetit dhe të sigurisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mbrojtja e policit nuk është privilegj, ajo është detyrim i shtetit. Se vetëm polici i mbrojtur mund ta mbrojë me dinjitet qytetarin, ta mbrojë ligjin dhe kësisoj ta mbrojë vetë shtetin”.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie në Drenas

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie në Drenas

    Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Drenas, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët.

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një personi të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e siguruar nga autoritetet (e bashkangjitur në njoftimin zyrtar).

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky person kërkohet për përfshirje në veprën penale “Zjarrvënie”.

    Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar, ju lutemi të kontaktoni menjëherë Policinë e Kosovës përmes këtyre kanaleve: Telefon: 192 dhe E-mail: [email protected]

    Policia falënderon paraprakisht qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në rritjen e sigurisë publike dhe zbardhjen e këtij rasti.

  • Përplasja me policinë para kuvendit, dalin pamjet e arrestimit të Dritan Goxhaj

    Përplasja me policinë para kuvendit, dalin pamjet e arrestimit të Dritan Goxhaj

    Dritan Goxhaj ndërkohë që ishte i shoqëruar nga policia gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit ka folur duke thënë se “këta janë provokatorët e Ramës”.

    I pyetur nga gazetarët për arsyen e shoqërimit, Goxhaj, ndërsa ndodhej me pranga dhe i shoqëruar nga dy efektivë policie, deklaroi: “Për arsye se i thosha protestuesve ‘jo me policinë’. Këta janë provokatorët e Ramës.”

    Shoqërimi i tij ndodhi gjatë tensioneve të krijuara jashtë Parlamentit, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

    Pas shoqërimit të Goxhajt dhe një personi tjetër, protestuesit kanë marshuar drejt drejtorisë së Policisë Tiranë për të kërkuar lirimin e tyre.

  • Këto tri pajisje nuk duhet t’i hiqni nga rryma sapo përfundoni përdorimin

    Këto tri pajisje nuk duhet t’i hiqni nga rryma sapo përfundoni përdorimin

    Në përpjekje për të kursyer energji elektrike ose për t’i mbrojtur pajisjet nga defektet e mundshme, shumë njerëz kanë zakon që, pas përdorimit, ta nxjerrin spinën nga priza

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është gjithmonë ide e mirë. Te disa pajisje, ndërprerja e papritur e energjisë mund të ndalojë procese të rëndësishme që zhvillohen në prapavijë, ta shkurtojë jetëgjatësinë e tyre ose të shkaktojë probleme gjatë ndezjes së radhës.

    Ja cilat janë tri pajisjet që është më mirë të mbeten të lidhura me rrymën dhe të fiken në mënyrën që e ka paraparë prodhuesi.

    Printeri

    Edhe pse duket si pajisje që thjesht qëndron në qetësi kur nuk përdoret, printeri gjatë fikjes me buton kryen disa veprime të rëndësishme. Ai e përfundon ciklin e punës dhe përgatitet për gjendje pritjeje.

    Nëse, në vend të kësaj, thjesht hiqet nga priza, ky proces ndërpritet. Gjatë ndezjes së radhës, printeri mund të nisë pastrim shtesë të kokave të printimit, gjë që shpesh nënkupton edhe shpenzim më të madh të ngjyrës.

    Ruteri i internetit

    Ruteri sot është shumë më tepër se një pajisje që siguron internet. Me të shpesh janë të lidhur televizorë, kompjuterë, pajisje të mençura të shtëpisë, kamera sigurie dhe telefona.

    Fikja e shpeshtë nga rryma mund ta ngadalësojë rilidhjen me internetin ose të shkaktojë probleme me pajisjet që varen nga një rrjet i qëndrueshëm.

    Sigurisht, rinisja e herëpashershme e ruterit mund të jetë e dobishme kur ka probleme me lidhjen, por nxjerrja e përditshme e kabllos nga priza nuk rekomandohet.

    Televizori OLED

    Nëse keni televizor OLED, ndoshta nuk e dini se ai, edhe pas fikjes, vazhdon të kryejë procese në prapavijë. Këto modele shpesh aktivizojnë automatikisht procesin e freskimit të pikselëve, i cili ndihmon në ruajtjen e cilësisë së figurës dhe zvogëlon mundësinë e mbetjes së përhershme të imazhit në ekran.

    Nëse televizori hiqet menjëherë nga rryma, ky proces ndërpritet, gjë që me kalimin e kohës mund të ndikojë në performancën e panelit.

    Si është më mirë të fiken pajisjet?

    Ekspertët këshillojnë që pajisjet elektronike, sa herë që është e mundur, të fiken përmes butonit të fikjes dhe jo duke nxjerrë spinën nga priza.

    Në këtë mënyrë, pajisja mund t’i përfundojë proceset e parapara për fikje të sigurt, gjë që ndihmon në funksionimin më të qëndrueshëm dhe në jetëgjatësinë më të madhe të saj.

    Natyrisht, pajisjet është mirë të hiqen nga rryma gjatë stuhive me bubullima, kur mungoni për kohë të gjatë nga shtëpia ose kur ekziston rreziku i mbingarkesës në rrjetin elektrik.

  • Çdo qytetar i moshës madhore në Maqedoni mund të bëhet dhurues organesh, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore

    Çdo qytetar i moshës madhore në Maqedoni mund të bëhet dhurues organesh, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore

    Çdo qytetar madhor do të mund të deklarohet personalisht nëse, pas vdekjes, dëshiron të jetë dhurues i organeve – përmes një deklarate te mjeku i tij amë. Me këtë zgjidhje, Kuvendi, me 58 vota “pro” dhe 6 “kundër”, miratoi ndryshimet në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, duke ndryshuar qasjen ndaj dhurimit të organeve dhe transplantimit në vend.

    Zgjidhja e re ligjore parashikon që deklarata të regjistrohet përmes një moduli të veçantë digjital në sistemin “Termini im”, ndërsa qytetarët në çdo moment do të mund ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre. Sipas arsyetimit të ndryshimeve, qëllimi është të sigurohet shprehje më e qartë e vullnetit personal, besim më i madh në sistem dhe informim më i mirë për dhurimin e organeve.

    Duke e arsyetuar ligjin para deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por edhe çështje e solidaritetit njerëzor dhe e shpresës.

    “Transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por është jetë, shpresë dhe mundësi që një njeri, edhe pas vdekjes së tij, të vazhdojë të jetojë përmes jetës së dikujt tjetër”, deklaroi Aliu.

    Ai theksoi se ndryshimet nuk kufizohen vetëm në rregulla administrative, por përfaqësojnë një mesazh për mënyrën se si po ndërtohet sistemi shëndetësor.

    “Ndryshimet që propozojmë nuk janë vetëm juridike dhe administrative, por janë një mesazh se sistemi ynë shëndetësor po ndërtohet mbi dinjitetin e njeriut, solidaritetin dhe respektimin e vullnetit personal”, theksoi Aliu.

    Përveç mundësisë për deklarim personal, ligji parashikon edhe zgjerimin e rrethit të dhuruesve të mundshëm të gjallë – deri në shkallën e katërt të farefisnisë. Çdo rast do t’i nënshtrohet vlerësimit nga një Komision Etik, i cili duhet të konfirmojë se vendimi është vullnetar dhe pa rrezik për keqpërdorim apo tregti me organe.

    Ministri theksoi gjithashtu se regjistrimi digjital do të ketë edhe një rol më të gjerë shoqëror – shteti më në fund do të ketë një pasqyrë më të qartë për interesimin e qytetarëve për dhurimin e organeve dhe për zonat ku ka nevojë për edukim shtesë dhe ndërtim të besimit. Në këtë drejtim, Aliu paralajmëroi se do të japë edhe shembull personal, duke thënë se sapo sistemi të fillojë të zbatohet, ai do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues i organeve.

    Me miratimin e këtij ligji, dhurimi i organeve fiton një kornizë më të qartë juridike dhe teknike, por vendimi përfundimtar mbetet në dorën e vetë qytetarit.

  • BE i jep Ukrainës 3.9 miliardë euro për dronë

    BE i jep Ukrainës 3.9 miliardë euro për dronë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot se Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 3.9 miliardë euro për blerjen e dronëve për Ukrainën.

    “3.9 miliardë euro janë ndarë për blerjen e teknologjive të përparuara të dronëve për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës”, shkroi ajo në rrjetin social X.

    Ajo vlerësoi se “shpikësia ukrainase është në thelb të aftësisë së saj për t’i rezistuar një pushtimi të madh të udhëhequr nga Rusia” që nga 24 shkurti 2022.

  • Ilir Ferati merr një vendim për sezonën verore, lehtësira për mërgimtarët

    Ilir Ferati merr një vendim për sezonën verore, lehtësira për mërgimtarët

    Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka marrë vendim për lirimin e hapësirave të jashtme të shkollave për t’u shfrytëzuar si parkingje gjatë sezonit veror.

    Sipas Vendimit 01.Nr.822/2026, të datës 30 qershor 2026, hapësirat e jashtme të shkollave që kanë kapacitete të mjaftueshme do të vihen në dispozicion për parkimin e automjeteve, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe menaxhimit të fluksit të shtuar të bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora gjatë muajve të verës.

    Me këtë vendim obligohen drejtorët e institucioneve arsimore që të lejojnë shfrytëzimin e oborreve dhe hapësirave të jashtme të shkollave për parkingje.

    Vendimi hyn në fuqi më 1 korrik 2026 dhe do të zbatohet deri më 31 gusht 2026.

    Kryetari Ilir Ferati ka theksuar se masa synon të lehtësojë qarkullimin dhe të krijojë më shumë hapësira parkimi gjatë periudhës kur Istogu përballet me numër të shtuar të vizitorëve nga diaspora.

  • Skandali që tronditi Bagdadin: Të brendshme prej 27 kilogramë ari të pastër i gjenden deputetes gjatë bastisjes

    Skandali që tronditi Bagdadin: Të brendshme prej 27 kilogramë ari të pastër i gjenden deputetes gjatë bastisjes

    Gjatë një operacioni kundër korrupsionit në Irak, thuhet se në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi u sekuestruan 57 milionë dollarë në para të gatshme, 27 kilogramë ar të pastër dhe të brendshme të veshura me ar. Operacioni rezultoi në arrestimin e 47 të dyshuarve, përfshirë deputetë dhe burokratë, dhe hetimi thuhet se po vazhdon dhe po zgjerohet.

    Një pretendim i habitshëm ka dalë si pjesë e hetimit për korrupsion në Irak. Sipas pretendimit, 57 milionë dollarë në para të gatshme dhe 27 kilogramë ar të pastër u sekuestruan gjatë një kontrolli në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi. Gjithashtu u raportua se në operacion u gjetën edhe të brendshme prej ari.

    Si pjesë e hetimit, thuhet se u arrestuan 47 të dyshuar, përfshirë deputetë dhe burokratë. Operacioni u përshkrua si pjesë e një hetimi më të gjerë mbi keqpërdorimin e fondeve publike dhe akuzat për korrupsion.

    Edhe pse deputetja Hind Al-Abbasi shfaqet në faqen zyrtare të internetit të parlamentit irakian, deklaratat e hollësishme nga institucionet zyrtare në lidhje me kontrollin e supozuar dhe materialet e sekuestruara nuk janë konfirmuar ende.

    Incidenti i fundit në Irak është pjesë e një operacioni të gjerë kundër korrupsionit të nisur nga qeveria e Kryeministrit Ali al-Za’id. Operacionet kishin në shënjestër anëtarë të parlamentit, burokratë të lartë dhe zyrtarë publikë. Forcat e sigurisë kryen bastisje në agim në vende të shumta, kryesisht në Bagdad.

    Të paktën shtatë anëtarë të parlamentit dhe një numër zyrtarësh të lartë publikë ishin midis 47 të ndaluarve. Miliona dollarë në para të gatshme, ar, armë dhe municione të shumta u sekuestruan në hetimet për korrupsion.

    Në një operacion të njoftuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut, rreth 10 milionë dollarë në para të gatshme, 3 miliardë dinarë irakianë, bizhuteri ari, armë të shumta me tytë të gjatë dhe rreth 40 prona u sekuestruan në një hetim të lidhur me ish-zëvendësministrin e naftës.

    Kryeministri Ali al-Zaidi tha se nuk do të kishte kompromis në luftën kundër korrupsionit, duke lënë të kuptohet se operacionet mund të zgjerohen për të përfshirë individë të rinj.