ATV

Author: K.B.

  • Mrekulli në Viti: Reagimi me kohë i mjekëve ia shpëton jetën 52 vjeçarit pas atakut kardiak

    Mrekulli në Viti: Reagimi me kohë i mjekëve ia shpëton jetën 52 vjeçarit pas atakut kardiak

    Reagimi i shpejtë dhe koordinimi i ekipeve mjekësore në Viti, Gjilan dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një pacienti 52-vjeçar, i cili pësoi infarkt masiv të zemrës dhe më pas arrest kardiak.

    Pas një ndërhyrjeje intensive, gjatë së cilës u kryen rreth 16 defibrilime, pacienti u stabilizua dhe vazhdoi trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë.

    52-vjeçari ishte paraqitur fillimisht në Urgjencën Primare të QKMF-së në Viti me dhimbje të forta në gjoks.

    Menjëherë pas pranimit, ekipi mjekësor i realizoi elektrokardiogramën (EKG), e cila konfirmoi një infarkt masiv të miokardit. Pa humbur kohë, mjekët nisën terapinë emergjente dhe vendosën që pacienti të transferohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

    Vendimi për transportin u mor nga dr. Ardi Ademi, dr. Imer Ramadani dhe infermierja Almira Abazi, ndërsa transporti u realizua me autoambulancë nga shoferi Ademi.

    Megjithatë, sapo pacienti mbërriti në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ai pësoi arrest kardiak. Ekipi mjekësor, i udhëhequr nga dr. Begush Canaj dhe i mbështetur nga stafi i infermierëve, reagoi menjëherë duke nisur procedurat e reanimimit.

    Pavarësisht se fibrilacioni ventrikular u përsërit afërsisht çdo pesë minuta, ekipi nuk u dorëzua. Mjekët realizuan rreth 16 defibrilime, duke arritur ta rikthenin pacientin në ritëm sinusal dhe ta stabilizonin gjendjen e tij.

    Pas stabilizimit, pacienti u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku iu nënshtrua koronarografisë. Gjatë procedurës u konstatua bllokim i arteries së majtë të zemrës, për çka iu vendos një stent.

    Aktualisht, pacienti ka vazhduar trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet stabile.

    Ky rast është një shembull i rëndësisë së reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, duke dëshmuar se ndërhyrja në kohë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

  • Qeveria në detyrë themelon “Fondin e Konfiskimit”

    Qeveria në detyrë themelon “Fondin e Konfiskimit”

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

    Në mbledhje është miratuar Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025.

    Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për autorizimin e Ministrisë së Financave që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hapjen e një llogarie të dedikuar në kuadër të Llogarisë së Vetme të Thesarit (LlVTH), me emërtimin “Fondi i Konfiskimit”.

    Sipas vendimit, kjo llogari do të shërbejë ekskluzivisht për pranimin dhe evidentimin e të hyrave që rrjedhin nga konfiskimi i pasurisë, bazuar në vendime gjyqësore të formës së prerë.

  • Supremja refuzon kërkesën e Trumpit për kufizim të shtetësisë të fituar nga lindja

    Supremja refuzon kërkesën e Trumpit për kufizim të shtetësisë të fituar nga lindja

    Gjykata Supreme amerikane ka refuzuar kërkesën e presidentit Donald Trump, për kufizim të fitimit të shtetësisë nga lindja, duke i dhënë goditje një nga prioriteteve kryesore të administratës së tij për luftimin e imigrimit.

    Për vendimin votuan gjashtë gjykatës dhe tre ishin kundër.

    Gjykatësit mbajtën në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët që bllokoi urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi përmes së cilit urdhëroheshin agjencitë amerikane që të mos njihnin shtetësinë e fëmijëve të lindur në Shtetet e Bashkuara nëse asnjëri prej prindërve nuk ishte shtetas amerikan ose nuk kishte banim të përhershëm apo siç njihet ndryshe “green card”.

    Kundërshtarët e urdhrit të Trumpit kanë argumentuar se ai shkel amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane, i cili ua njeh shtetësinë personave të lindur në SHBA që janë “subjekt i juridiksionit të saj”.

    Trumpi e lëshoi këtë urdhër vitin e kaluar, në ditën e parë të rikthimit të tij në detyrë, si pjesë e një pakete politikash për të ashpërsuar masat ndaj imigrimit të ligjshëm dhe të paligjshëm.

    Gjykata Supreme e mori këtë vendim para festës së 4 korrikut kur Shtetet e Bashkuara shënojnë 250-vjetorin e shtetësisë.

    Sfidimi i urdhrit të Trumpit, që u shqyrtua nga Supremja, përfshiu një padi të dorëzuar në Nju Hempshajër nga prindër dhe fëmijë shtetësia e të cilëve u kërcënua nga urdhri.

    Amendamenti i 14-të prej kohësh është interpretuar si garantues i shtetësisë për foshnjat e lindura në Shtetet e Bashkuara, me vetëm disa përjashtime, si fëmijët e diplomatëve të huaj ose të pjesëtarëve të një force pushtuese armike.

    Dispozita në fjalë, e njohur si Klauzola e Shtetësisë thotë: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në SHBA dhe që i nënshtrohen juridiksionit të saj, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.

    Administrata amerikane ka argumentuar se shprehja “që i nënshtrohen juridiksionit të saj” nënkupton se lindja në SHBA, në vetvete, nuk mjafton për të fituar shtetësinë dhe se kjo përjashton foshnjat e emigrantëve që ndodhen në shtet në mënyrë të paligjshme ose që qëndrojnë ligjërisht, por përkohësisht si studentët universitarë apo personat që kanë viza pune.

    Sipas administratës, shtetësia u jepet vetëm fëmijëve të atyre që kanë “besnikërinë primare” ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë shtetasit amerikanë dhe banorët e përhershëm. Administrata argumenton se kjo besnikëri përcaktohet përmes “vendbanimit të ligjshëm”, të cilin avokatët e administratës përkufizojnë si “qëndrim të ligjshëm dhe të përhershëm brenda një shteti, me synimin për të mbetur aty”.

    Për vite të tëra, Trump ka argumentuar se synon të kufizojë se kush kualifikohet për marrjen e shtetësisë përmes lindjes.

    Vitin e kaluar ai shkroi në rrjetet sociale: “Shtetësia e fituar nga lindja nuk është paraparë për njerëz që vijnë me pushime për t’u bërë shtetas të SHBA-së, dhe më pas të marrin me vete pjesën tjetër të familjes, dhe duke nga përqeshur e duke na quajtur ‘budallenj’”.

    “Por, kartelet e drogës e adhurojnë këtë! Ne, për hir të korrektësisë politike, jemi një vend I BUDALLALLËKUT, por në të vërtetë kjo është krejt e kundërta e korrektësisë politike dhe është edhe një faktor tjetër që çon drejt mosfunksionimit të Amerikës”, shkroi Trump.

    Gjykata Supreme vitin e kaluar vendosi në favor të Trumpit në një rast sa i përket shtetësisë të përfituar nga lindja, përmes një vendimi që kufizoi kompetencat e gjyqtarëve federalë për të bllokuar politikat presidenciale në mbarë vendin. Megjithatë, ky vendim nuk e zgjidhi çështjen e ligjshmërisë së urdhrit të Trumpit./Radio Evropa e Lirë

  • “Më prit se tani do të vij të vras ty dhe familjen tënde”- Rrahje e kërcënim, si ndodhi vrasja në Ferizaj?

    “Më prit se tani do të vij të vras ty dhe familjen tënde”- Rrahje e kërcënim, si ndodhi vrasja në Ferizaj?

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e F.H., në Ferizaj.

    Sipas vendimi të Gjykatës, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se nga tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde” dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.

    Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të dyshuarës Roshaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Genc Kadriu, në seancë dëgjimore, duke dhënë detaje për deklarimin e të mbrojturës së tij, tregoi se si ndodhi i gjithë rasti.

    Roshaj ka deklaruar para hetuesve se viktima pak kohë para dërgimit të mesazhit të lartpërmendur, ia kishte dërguar edhe një mesazh tjetër me fjalën “qele”.

    Në vendim thuhet se në ato momente, e pandehura nga vrima vëzhguese e derës së banesës e sheh se para derës se saj ndodhet tani i ndjeri F.H., duke e pritur. Aty thuhet se kjo situatë të dyshuarën e vendosi në shok të rëndë sepse nuk e kishte pritur se tani i ndjeri realisht të shkonte te banesa, pasi siç ka thënë e pandehura i njëjti edhe në 3-4 raste të tjera e ka kërcënuar në mënyrë të njëjtë, por nuk ka shkuar asnjëherë.

    Gjithnjë sipas vendimit, pasi F.H., ka hyrë në banesë, e kapë për flokë të dëmtuarën dhe fillon ta godasë në kokë. Në vendim, theksohet se e pandehura në vazhdimësi ka qenë e sulmuar dhe në atë moment e mori një shishe të xhamit me qëllim që ta frikësojë viktimën që mos ta vazhdojë sulmin, ku vetë e pandehura ka marrë lëndime trupore gjatë kësaj përleshjeje fizike.

    Në vendim thuhet se gjatë gjithë kësaj kohe, tani i ndjeri e ka pasur armën në dorë dhe për një moment gjatë përleshjes e pandehura arrin t’ia marrë armën nga dora pasi që në një dhomë tjetër në atë banesë kanë qenë edhe prindërit e të pandehurës, e kështu të mos ndodh ndonjë e keqe. Në momentin kur e kapë armën në dorë, viktima thuhet se deklaroi që tani i ndjeri kthehet me shpinë nga tavolina dhe në atë moment të pandehurës i shkrep arma, ku si pasojë mbeti i vrarë F.H.

    Bazuar në të gjitha këto, avokati Kadriu, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke thënë se sipas bindjes së tij, e pandehura ka vepruar në mbrojtje të nevojshme dhe se nuk ka pasur qëllim që me dashje ta privojë nga jeta tani të njderin.

    Po ashtu, në seancë dëgjimore, Kadriu ka thënë se konsiderojnë që nuk ka kushte që të ndikohet në dëshmitarë e as të arratiset, e kjo duke marrë për bazë edhe faktin që e pandehura ka bashkëpunuar me organet e hetuesisë, dhe se duke marrë për bazë edhe gjendjen emocionale të të pandehurës e cila është e tronditur nga ngjarja, i propozoi Gjykatës caktimin e ndonjë masë alternative.

    Fjalën e avokatit Kadriu e ka mbështetur e dyshuara Roshaj, duke thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici, ndërkaq në këtë seancë dëgjimore tha se për shkak të gjendjes emocionale nuk është e aftë të deklarohet.

    Në vendim thuhet se prokurori shtetit, Veton Shabani ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit duke theksuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës, duke nisur rreziku i ikjes pasi që e dyshuara jeton dhe vepron në Francë, ndërsa në Kosovë ka ardhë për qëndrim të përkohshëm, si dhe fakti se rasti gjendet në fazën fillestare të hetimeve.

    Në fund, gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Bytyqi gjeti se qëndrojnë bazat për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se masat mv të buta janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

  • Mesazhe nacionaliste nga Beogradi: Xhandarmëria serbe këndon për Kosovën para Vuçiqit

    Mesazhe nacionaliste nga Beogradi: Xhandarmëria serbe këndon për Kosovën para Vuçiqit

    Pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe kanë interpretuar një këngë me përmbajtje nacionaliste për Kosovën në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq.

    Bëhet fjalë për këngën “Himni i heronjve të Kosovës”, një këngë patriotike serbe që i kushtohet Betejës së Kosovës të vitit 1389 dhe që në të kaluarën është përdorur edhe si himn i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e njohur si “Beretat e Kuqe”.

    Në interpretimin e këngës dëgjohen vargje si: “Po nisemi për në Kosovë”, ndërsa teksti përmban referenca fetare dhe nacionaliste të lidhura me narrativën serbe për Kosovën.

    JSO ishte një njësi speciale e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, e cila veproi gjatë viteve 1990 dhe mori pjesë edhe në luftën në Kosovë.

    Njësia është përmendur në procese gjyqësore dhe raportime ndërkombëtare në lidhje me krime lufte të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

    Pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003, ku u përfshinë ish-pjesëtarë të saj, JSO u shpërbë nga autoritetet serbe.

    Në Kosovë, këto veprime shihen si pjesë e vazhdimësisë së narrativës shtetërore të Beogradit, e cila mohon realitetin e Kosovës dhe kultivon mite historike e politik.

    Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian dhe partnerët perëndimorë kanë bërë vazhdimisht thirrje për shmangien e retorikës nacionaliste dhe të deklaratave që mund të rrisin tensionet në rajon, duke kërkuar fokus në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  • I paburrë” “Tradhtar”, kapen keq në ‘facebook’, zyrtarët e LDK’së Manaj, Mushkolaj e Ilir Ferati

    I paburrë” “Tradhtar”, kapen keq në ‘facebook’, zyrtarët e LDK’së Manaj, Mushkolaj e Ilir Ferati

    Përplasjet që nisen në LDK pas kërkesave të disa degëve për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e të parit të partisë po vazhdojnë ende. Një postim i Shkemb Manajt në ‘facebook’ është shndërruar në një hapësirë përplasjesh e gjuhe fyese, shkruan Gazeta Express.

    Kryetari i Degës së LDK’së në Deçan, Jeton Mushkolaj, i ka reaguar Manajt në një postim ku ky i fundit kishte dalë në përkrahje të Abdixhikut pas kërkesave për dorëheqje.

    Mushkolaj ka thënë se zakonisht nuk komenton në statuse, por shton se s’mund të qëndrojë indiferent ndaj shkrimit të Manajt. Sipas Mushkolajt, Haki Rugova sa kishte qenë gjallë nuk e kishte lejuar Manajn as që të ishte pjesë e kryesisë së Degës.

    Manaj më pas i ka reaguar Mushkolajt duke ia kujtuar kontributin që ka në LDK qysh nga koha e Fadil Feratit e Haki Rugovës.

    Pas kësaj, Mushkolaj i ka reaguar me gjuhë fyese duke e quajtur “tradhtar” e “të paburrë” Manajn. Kreu i Degës së Deçanit ka thënë se kishin biseduar në telefon paraprakisht dhe e kishin mbyllur diskutimin, megjithatë sipas tij Manaj i ka dalë nga fjala meqë ka reaguar përsëri në ‘facebook”.

    “Shkëmb Manaj, pas komentit tim më telefonove dhe i sqaruam në telefon të gjitha, të cilat nuk dua t’i publikoj këtu në komente. E lamë me aq atë punë. Por ti reagove prapë. Që je i paburrë e kam ditur, ndërsa që je edhe tradhtar, këtë sapo e mora vesh”, ka shkruar Mushkolaj.

    Manaj i ka reaguar pas këtyre fjalëve, duke i thënë se po e nxjerr përplasjen në publik.

    “ti ne publik! Une ne telefon! Ky eshte kontributi juaj per ruajtjen e komunikimit normal ne parti! Zoti ta ruajt burrninë ty!”, ka shkruar Manaj.

    Në këtë përplasje është përfshirë edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ilir Ferati.

    Ferati ka pasur edhe një porosi ndaj Mushkolajt duke i thënë “mos qo ron”, kjo pasi Mushkolaj e ka pyetur Feratin nëse është i legjitimuar për të reaguar ndaj secilit koment që bëhet.

  • AKK akuzon MAPL-në për ulje të paligjshme të grantit komunal, kërkon rikthimin e 4 milionëve

    AKK akuzon MAPL-në për ulje të paligjshme të grantit komunal, kërkon rikthimin e 4 milionëve

    Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke pretenduar se është ulur në mënyrë të njëanshme Granti i Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro.

    Sipas AKK-së, kjo shumë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore 2026 dhe nuk mund të ndryshohet pa një rishikim formal të buxhetit nga i njëjti institucion. Organizata e komunave vlerëson se çdo ndryshim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe financiare të komunave.

    AKK thekson përmes një reagimi se Kuvendi është i vetmi institucion me mandat për të miratuar dhe ndryshuar ndarjet buxhetore.

    Kuvendi është institucioni i vetëm që miraton ndarjet buxhetore me ligj, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat të ndryshojë apo të përgjysmojë fondet e miratuara nga Kuvendi. Mjetet prej 4 milionë euro janë miratuar me ligj dhe janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale. Vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së”.

    Në reagim, AKK i ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të shumës prej 4 milionë euro.

    Ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe cenon autonominë financiare të komunave. Respektimin e plotë të vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të parimeve të shtetit ligjor. AKK rezervon të drejtën që, në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesit të komunave dhe zbatimin e ligjit. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, thuhet mes tjerash në reagim.

  • Policia: Kërcënimi i rremë për bombë te Stacioni i Autobusëve në të dy rastet u bë nga një numër telefonik në Serbi

    Policia: Kërcënimi i rremë për bombë te Stacioni i Autobusëve në të dy rastet u bë nga një numër telefonik në Serbi

    Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).

    “ Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike”.

    Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, “nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes”.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

    Policia informon se ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.

    “Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore”, thekson policia..

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më 30.06.2026, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).

    Menjëherë pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës ka reaguar sipas procedurave operative për raste të tilla. Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike.

    Njëkohësisht janë angazhuar njësitet e specializuara policore si: Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësia K9, hetuesit e stacionit policor, hetuesit rajonalë dhe njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë asistuar edhe njësitë e zjarrfikësve, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës.

    Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes. Pas përfundimit të procedurave të sigurisë, Stacioni i Autobusëve është rihapur dhe ka vazhduar funksionimin normal.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

    Ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.

    Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore.

    Policia e Kosovës ka ndërtuar kapacitete profesionale dhe teknike të avancuara në fushën e hetimeve kibernetike dhe gjurmimit të komunikimeve kriminale përfshirë edhe rrjetet sociale. Përvoja ka dëshmuar se autorët që tentojnë të fshihen pas telefonatave anonime, aplikacioneve elektronike, profileve të rreme apo veprimit nga shtete të tjera identifikohen dhe asnjë autor nuk mbetet anonim.

    Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, profesionale dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para organeve të drejtësisë çdo person që tenton të cenojë sigurinë publike dhe të krijojë frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Policia e Kosovës i falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë ndërmarrjes së masave të sigurisë.

    Njëkohësisht, ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave apo e përpjekjeve për të krijuar panik. Çdo informacion që lidhet me sigurinë trajtohet me seriozitetin maksimal dhe sipas standardeve më të larta profesionale, me qëllimin e vetëm; mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së çdo qytetari.

    Policia e Kosovës mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar rendin publik, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të luftuar pa kompromis çdo veprim kriminal që synon të cenojë sigurinë dhe qetësinë publike në Republikën e Kosovës.

  • Merret vendimi: Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Prishtinë

    Merret vendimi: Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Prishtinë

    Nga 1 korriku 2026, Komuna e Prishtinë ka vendosur t’i shtrenjtojë biletat e transportit publik.

    Çmimi i biletës njëdrejtimëshe nga 50 sa ka qenë, tash do të jetë 80 centë.

    Por, qytetarët mund të paguajnë më pak, vetëm 60 centë, nëse bileta paguhet sistemit digjital.

    Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale

  • Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë del me njoftim të rëndësishëm për legalizimin e dokumenteve

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë del me njoftim të rëndësishëm për legalizimin e dokumenteve

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë njoftuar se duke filluar nga 1 korriku 2026, Ambasada do të zgjerojë shërbimet e saj për të legalizuar certifikatat e gjendjes civile , siç janë certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes të lëshuara për ngjarje që kanë ndodhur para 19 shkurtit 2013, datës kur Kosova prezantoi regjistrin e saj qendror civil.

    Ambasada potencon se është e rëndësishme të theksohet se data e lëshimit të këtyre dokumenteve nuk ndikon në të drejtën për legalizim.

    Certifikatat duhet të jenë origjinale me një vulë paraprake të vlefshme nga Ministria e Brendshme e Kosovës dhe jo më të vjetra se 6 muaj.

    “Pse është e rëndësishme kjo? Legalizimi siguron njohjen e drejtpërdrejtë të këtyre dokumenteve brenda sistemit ligjor gjerman, duke përmirësuar proceset administrative si regjistrimet e martesës ose aplikimet për vizë”, njofton Ambasada.

    Gjithashtu njoftojnë se duke filluar nga 1 shtatori 2026, seksioni i vizave i ambasadës do të pranojë vetëm të dhënat jetësore të Kosovës në formë të legalizuar, pavarësisht se kur ka ndodhur ngjarja.