ATV

Author: K.B.

  • FSK i bashkohet operacionit të kërkim-shpëtimit për personin e zhdukur në Liqenin e Batllavës

    FSK i bashkohet operacionit të kërkim-shpëtimit për personin e zhdukur në Liqenin e Batllavës

    Ekipi i Kërkim-Shpëtimit në ujëra i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar operacionit për gjetjen e personit të zhdukur në Liqenin e Batllavës.

    Lajmi e ka konfirmuar Vëllazërim Qerimi nga FSK-ja i cili tha se pas pranimit të informacionit ekipi i kërkim-shpëtimit do të nisë operacionin për lokalizimin e personit të raportuar të zhdukur.

    “Ekipi i Kërkim Shpëtimit të FSK-së për ujëra ka intervenuar pas marrjes së informacionit të Qendrës së Sigurisë së Kosovës janë duke vepruar atje në terren”, tha Qerimi.

    Ndërkaq, nga Policia e Kosovës thanë për Telegrafin menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit.

    “Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit”, tha Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

  • Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

    Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

    NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.

    Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.

    “Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.

    Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.

    “Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.

    Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.

    “Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”.

    Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.

    “Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.

    Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

    Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.

  • Një muaj paraburgim ndaj 24-vjeçares që dyshohet për vrasjen në Ferizaj

    Një muaj paraburgim ndaj 24-vjeçares që dyshohet për vrasjen në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen në Ferizaj.

    Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, të dyshuarës masa e paraburgimit mund t’i zgjatë deri më 29 korrik 2026.

    Kjo masë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Ndryshe, sipas pas kërkesës së Prokurorisë për caktim të paraburgimit thuhet se më 28 qershor 2026, rreth orës 22:40, në Ferizaj, rruga “Sejdi Sejdiu”, përkatësisht në objektin banesor, të marrë me qira nga babai i të pandehurës M.B., e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H.

    Sipas kërkesës, thuhet se tani i ndjeri kishte shkuar në banesën në të cilën ndodhej e pandehura, dhe gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshje dhe përleshjeje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtie një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vend ngjarje

    Me këto veprime, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Këshilli i Bashkësisë Islame të Gorës dënon ashpër vrasjen e imamit Gazmen Tairovci

    Këshilli i Bashkësisë Islame të Gorës dënon ashpër vrasjen e imamit Gazmen Tairovci

    Këshilli i Bashkësisë Islame i Rajonit të Gorës ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmen Tairovci, duke shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e tij dhe duke u bërë thirrje institucioneve që ta zbardhin sa më shpejt rastin.

    “Me pikëllim të thellë dhe mosbesim morëm lajmin për ngjarjen tragjike, vrasjen dhe ndarjen nga kjo botë të imamit tonë të nderuar, Gazmen Tairovci”, thuhet në deklaratë.

    Këshilli u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, xhematit dhe të gjithë besimtarëve që e kanë njohur të ndjerin, duke lutur Allahun që ta mëshirojë, t’ia falë gabimet dhe ta shpërblejë me Xhenetin, ndërsa familjes t’i dhurojë durim dhe forcë.

    Në reagim, KBI dënon ashpër aktin e vrasjes dhe kërkon nga organet kompetente që të hetojnë plotësisht ngjarjen.

    “Njëkohësisht e dënojmë këtë akt të ulët dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që, sa më shpejt, të zbardhin plotësisht të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, thuhet në deklaratë.

    Këshilli u ka bërë thirrje gjithashtu besimtarëve dhe opinionit publik që të tregojnë maturi, të mos përhapin informacione të paverifikuara dhe të respektojnë privatësinë e familjes së të ndjerit.

    Në deklaratë sqarohet se, sipas informacioneve që disponon KBI, “vrasja ka ndodhur për arsye private dhe si pasojë e një mosmarrëveshjeje private”, duke theksuar se “ky rast i rëndë nuk ka pasur asnjë prapavijë fetare dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me kryerjen e detyrave fetare që imami i ndjerë ushtronte në fshatin Zlipotok”.

    Në fund të reagimit, KBI i Rajonit të Gorës lutet që Allahu ta shpërblejë të ndjerin Gazmen Tairovci me Xhenetin e përhershëm dhe familjes së tij t’i japë sabër.

    Imami i fshatit Zlipotok të Dragashit, Gazmen Tairovci dyshohet se është therur për vdekje për shkak të një prone, konkretisht për prerjen e barit që i takonte të dyshuarit, Beshir Hamza.

  • Kurti takon drejtoren për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor: BE-ja duhet t’i përgjigjet Kosovës me vullnet për anëtarësim

    Kurti takon drejtoren për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor: BE-ja duhet t’i përgjigjet Kosovës me vullnet për anëtarësim

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, në vizitën e saj të parë në Republikën e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Kosova është “lidere rajonale në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike, liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale”. Ai tha se vendi ka shënuar përparim në reformat europiane, është plotësisht “i linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian”, si dhe “ka regjistruar rritje të vazhdueshme ekonomike”.

    Sipas Kurtit, për herë të parë pas 15 vjetësh, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë larguar Kosovën nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet.

    “Bashkimi Evropian është kontribues i madh në zhvillimin e Republikës sonë, ndërsa anëtarësimi është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës. Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, shkroi Kurti.

    Gjatë takimit, Kurti tha se u diskutua për “Planin e Rritjes, integrimin në zonën ‘Roam Like at Home’, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, sikurse edhe infrastrukturën, tregtinë, digjitalizimin e arsimin”.

  • Ulja emergjente në Prishtinë e avionit, dyshohet se një shqiponjë u fut në një nga motorët

    Ulja emergjente në Prishtinë e avionit, dyshohet se një shqiponjë u fut në një nga motorët

    Një fluturim i kompanisë EasyJet, i planifikuar nga Prishtina drejt Berlinit, është detyruar të kryejë ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi dyshohet se një shqiponjë ka goditur njërin nga motorët e avionit menjëherë pas ngritjes.

    Sipas një pasagjeri që ndodhej në bord, zogu dyshohet se hyri në motor, duke shkaktuar dëmtim të turbinës. Pas incidentit, avioni qëndroi rreth 20 minuta në ajër, ndërsa ekuipazhi vendosi ta rikthente në mënyrë të sigurt në aeroportin e nisjes.

    Avioni u ul pa incidente, ndërsa fluturimi drejt Berlinit u anulua.

    Pasagjeri ka vlerësuar profesionalizmin e pilotit dhe ekuipazhit, duke theksuar se situata u menaxhua me qetësi dhe se ulja u realizua në mënyrë të sigurt.

    Deri më tani, kompania EasyJet dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e incidentit./Albinfo.ch

  • Mbi 4 mijë të porsalindur janë testuar në kuadër të Skriningut Neonatal, konfirmohen tri raste pozitive

    Mbi 4 mijë të porsalindur janë testuar në kuadër të Skriningut Neonatal, konfirmohen tri raste pozitive

    Klinika e Neonatologjisë njofton se Programi i Skriningut Neonatal po vazhdon të zbatohet me sukses, duke mundësuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve të lindura metabolike dhe gjenetike tek të porsalindurit.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se programi ka filluar më 9 tetor të vitit të kaluar si projekt i Ministrisë së Shëndetësisë, me mbështetjen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Deri më tani janë realizuar rreth 4,146 testime, ndërsa janë identifikuar 16 raste të dyshimta që janë nën mbikëqyrje dhe 3 raste të konfirmuara pozitive, prej tyre 2 me Fibrozë Cistike dhe 1 me Fenilketonuri”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim skriningu neonatal është një test i thjeshtë, i sigurt dhe i shpejtë, i cili mundëson identifikimin e sëmundjeve që nuk shfaqin simptoma në ditët e para të jetës, duke krijuar mundësi për trajtim në kohë dhe parandalimin e komplikimeve serioze.

    “Pas fillimit të zbatimit në QKUK, programi është zgjeruar edhe në spitalet rajonale në Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe Pejë, ndërsa së shpejti do të nisë edhe në Ferizaj dhe Vushtrri, me qëllim që çdo i porsalindur në Kosovë të ketë qasje në këtë shërbim jetik”, thuhet në njoftim.

    Ndëkaq, Klinika e Neonatologjisë vazhdon angazhimin për zhvillimin e Programit të Skriningut Neonatal, duke synuar që përmes diagnostikimit të hershëm të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të të porsalindurve, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe forcimin e kujdesit shëndetësor në vend.

  • Alarm në Liqenin e Batllavës: Një person hyri në ujë dhe nuk doli më – nisin kërkimet

    Alarm në Liqenin e Batllavës: Një person hyri në ujë dhe nuk doli më – nisin kërkimet

    Një person dyshohet se është zhdukur në Liqenin e Batllavës.

    Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 13:00 është pranuar një informatë se ai ka hyrë në ujë dhe më pas nuk është parë të dalë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana i cili tha se menjëherë pas pranimit të njoftimit, policia ka angazhuar njësitë relevante, si dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, për të bërë lokalizimin e personit.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është ende në zhvillim, ndërsa për rastin priten informacione të tjera në vazhdim.

  • Harta e të nxehtit në Europë, qendra e Shqipërisë e “përvëluar”

    Harta e të nxehtit në Europë, qendra e Shqipërisë e “përvëluar”

    Qendra e Shqipërisë po shfaqet si zona më e goditur nga vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën, me temperatura maksimale që, sipas hartës së publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i përkasin kategorive më të larta të rrezikut, mbi 35 gradë Celsius dhe në disa zona pranë kufirit të 40 gradëve.

    Hartat më të fundit të OBSH-së për temperaturat maksimale në Rajonin Europian, të bazuara në të dhënat e 23 qershorit 2026, tregojnë se Shqipëria renditet mes vendeve më të nxehta të kontinentit. Ndërsa zonat bregdetare dhe ato malore paraqiten me temperatura disi më të moderuara, pjesa qendrore e vendit, që përfshin rajonet e Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Lushnjës, është e mbuluar nga ngjyrat portokalli të errët dhe të kuqe, të cilat në hartën e OBSH-së përfaqësojnë temperaturat më të larta.

    Interpretimi i hartës tregon se Shqipëria ndodhet në të njëjtin brez të nxehtësisë me pjesë të Greqisë, Italisë jugore dhe Ballkanit jugor, ndërsa vetëm zona të Spanjës, Francës jugore dhe disa pjesë të Turqisë paraqiten me intensitet edhe më të lartë.

    Europa po digjet

    Sipas raportit të OBSH, vala e të nxehtit që po përfshin Europën po lë pasoja të rënda. Njerëzit po hasin vështirësi për të fjetur. Repartet e urgjencës po mbushen me pacientë, ndërsa shërbimet e ambulancës po regjistrojnë numër rekord thirrjesh. Në Francë, thirrjet për urgjencë mjekësore janë rritur deri në 50% në disa qytete. Në Londër, java e kaluar shënoi numrin më të lartë të thirrjeve për raste kërcënuese për jetën që shërbimi i ambulancës ka regjistruar ndonjëherë brenda një dite të vetme. Sistemi spanjoll i monitorimit të vdekshmërisë ka vlerësuar tashmë mbi 300 vdekje të tepërta të lidhura me të nxehtin brenda vetëm pak ditësh. Italia raportoi pesë viktima në 24 orë.

    Europa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale. Valët e të nxehtit nuk janë më ngjarje të rralla apo të pazakonta. Ato janë shndërruar në kriza të përsëritura, që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më shumë. Çdo verë që nuk përgatitemi për to, paguhet me jetë njerëzish.

    Megjithatë, ka një arsye për optimizëm: masat parandaluese funksionojnë. Kjo dihet sepse rezultatet mund të maten. Vlerësimet tregojnë se numri i vdekjeve të lidhura me të nxehtin në Europë gjatë vitit 2023 do të kishte qenë rreth 80% më i lartë nëse nuk do të ishin zbatuar masat e përshtatjes që janë tashmë në fuqi. Për personat mbi moshën 80-vjeçare, numri i viktimave mund të kishte qenë dyfish më i lartë. Planet e veprimit për mbrojtjen e shëndetit nga të nxehtit, sistemet e paralajmërimit të hershëm, hapësirat për freskim dhe mbështetja për grupet më të rrezikuara nuk janë thjesht procedura administrative. Ato po shpëtojnë jetë çdo ditë dhe duhet të zbatohen më gjerësisht në të gjithë Rajonin Europian.

    Çfarë mund të bëni sot, sipas OBSH

    Nëse nuk keni kondicioner – dhe shumica e njerëzve në Europën Veriore nuk kanë – këshillat janë të thjeshta dhe me kosto të ulët. Mbani të mbyllura perdet dhe grilat gjatë ditës për të penguar hyrjen e nxehtësisë. Hapni dritaret gjatë natës, kur temperaturat bien. Pini ujë përpara se të ndieni etje dhe shmangni pijet me sheqer, alkoolin dhe pijet me kafeinë. Evitoni ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës. Gjithashtu, kontaktoni fqinjët dhe të afërmit e moshuar. Një telefonatë nuk kushton asgjë, por mund të shpëtojë një jetë. Rreth 60% e pacientëve të shtruar në spital pas vizitave në urgjencë gjatë kësaj vale të të nxehtit janë persona 75 vjeç e lart. Shumë prej këtyre shtrimeve mund të ishin parandaluar.

    Çfarë po bëjnë qytetet dhe qeveritë – dhe çfarë duhet bërë më tej

    Sipas OBSH-së, disa vende dhe qytete po tregojnë se si duket një përgatitje e mirë. Barcelona ka zgjeruar këtë verë rrjetin e strehëve klimatike në më shumë se 500 hapësira, përfshirë biblioteka, qendra komunitare, parqe dhe farmaci. Parisi ka aktivizuar regjistrin për kontrollin e mirëqenies së të moshuarve dhe personave në nevojë, ndërsa ka kufizuar shitjen publike të alkoolit për të ulur presionin mbi shërbimet e urgjencës. Italia ka vendosur kufizime për punën në ambient të hapur gjatë orëve më të nxehta të ditës në disa rajone, duke parashikuar edhe skema kompensimi që punëtorët të mos humbasin të ardhurat. Këto janë vetëm disa shembuj të masave praktike dhe të zbatueshme në shkallë të gjerë. Çdo qytet në Europë duhet të ketë një plan të ngjashëm.

    Edhe spitalet po përballen me presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, por edhe nga vetë temperaturat ekstreme. Sistemet e ftohjes po dështojnë, pajisjet mjekësore po shfaqin probleme funksionimi, ndërsa stafi shëndetësor po punon i rraskapitur, pasi temperaturat gjatë natës nuk bien mjaftueshëm për të siguruar pushim normal. Në disa raste, repartet spitalore janë përshkruar si të papërshtatshme për të ofruar shërbimin e nevojshëm në kushte të tilla.