ATV

Author: K.B.

  • Gjendet mjet i dyshuar i pashpërthyer te varrezat e fshatit Burincë

    Gjendet mjet i dyshuar i pashpërthyer te varrezat e fshatit Burincë

    Një mjet i dyshuar i pashpërthyer është hasur mbrëmjen e së hënës në fshatin Burincë të Gjilanit, në afërsi të varrezave të fshatit.

    Sipas policisë, rasti është raportuar rreth orës 21:02 nga një dëshmitar, i cili ka njoftuar për praninë e mjetit të dyshuar në atë zonë.

    Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin, ndërsa është njoftuar edhe njësiti për dominim.

    “Fsh. Burincë, Gjilan 30.06.2026 – 21:02. Një mashkull kosovar -dëshmitar ka raportuar se te varrezat e fshatit kishte hasur një mjetë të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti policore është duke siguruar mjetin derisa njësiti për deminim të dalë në vendin e ngjarjes”.

  • Shtrenjtimi i biletave të autobusëve, Rama: Po e digjitalizojmë procesin e pagesave

    Shtrenjtimi i biletave të autobusëve, Rama: Po e digjitalizojmë procesin e pagesave

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur lidhur me shtrenjtimin e biletave të autobusëve të Trafikut Urban.

    Ai tha se me këtë vendim po shtyhen përpara proceset drejt digjitalizimit të pagesave për bileta.

    “Ne faktikisht po i shtyjmë proceset për digjitalizimin e biletave, pra digjitalizimi i procesit, pra jo me paguar me me kesh, po me i ble biletat ditore, javore, mujore në bazë të proceseve, pra të kartave digjitale. Edhe ato i kemi mbajtur këto biletat pra të ulëta. Mirëpo, kemi një çmim më të ngritur nëse e bleni me kesh në vend sot. Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë kuletën digjitale, biletën e kanë po them pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kesh. Pra është një proces i modernizimit të të gjithë flotës. Tash edhe autobusët e rinj që janë duke ardhur kanë me pasë mundësinë për kështu touch, sistemi për me prekë me telefon apo me kartelë, edhe këto bileta kanë qëndruar të ulëta, pra nuk janë të ngritura. Janë vetëm ato të cilat, të cilat i paguajnë kesh. E këtë po them po mundohemi që një numër sa më i madh i qytetarëve që të adaptohen përdorimit të autobusëve, sepse po them po e modernizojmë edhe flotën e autobusëve në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Pra e kemi tashmë vetëm një numër të madh prej 24 autobusëve që qarkullojnë të rinj, po vijnë edhe 20 të tjerë e kemi me pasë 100 e më shumë autobusë të rinj në kryeqytet, të cilët mundësojnë qytetarët që ta përdorin sistemin në mënyrë më të lehtë edhe më të shpejtë”, tha Rama, raporton Ekonomia Online.

    Nga dita e sotme, biletat e transportit publik do të ndryshojnë në çmime për ato të paguarat fizikisht dhe ato me SMS apo përmes kuletës digjitale.

    “Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale” u tha në njoftimin e djeshëm.

    Bileta njëdrejtimëshe fizike do të jetë 80 centë, ndërkaq ajo digjitale 60 centë.Bileta ditore fizike do të bëhet nga 80 centë në 1 euro e 20 centë, teksa ata që e blejnë me SMS apo nëpërmjet kuletës digjitale, do ta paguajnë të njëjtën për 1 euro.

  • Ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë

    Ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar një person në Klinë, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas së tij.

    Në raport shtohet edhe se, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe se, pas intervistimit ajo është dërguar te familja e saj.

    ‘’DHUNË NË FAMILJE

    Klinë 30.06.2026 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Si pasojë e dhunës, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit është dërguar te familja e saj, kurse i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt’’, thuhet në raport.

  • Tërmet mes Kosovës dhe Serbisë, njoftohet për magnitudë prej 3.8 ballë

    Tërmet mes Kosovës dhe Serbisë, njoftohet për magnitudë prej 3.8 ballë

    Një tërmet me magnitudë 3.8 ka lëkundur Kosovën pak minuta më parë.

    Sipas të dhënave të EMSC-së, tërmeti ishte me magnitudë 3.8 dhe u regjistrua në orën 09:46.

    Epiqendra ishte në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, rreth 9 kilometra në jug të Leskovacit, në jug të Serbisë, ndërsa thellësia e tij ishte 5 kilometra.

    Lëkundjet janë ndier edhe në disa pjesë të Kosovës. Deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale apo persona të lënduar.

  • Grabitën me thikë dy braziliane dhe një rumun, arrestohen dy persona në Prishtinë

    Grabitën me thikë dy braziliane dhe një rumun, arrestohen dy persona në Prishtinë

    Në rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë, të martën rreth orës 22:20, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin për grabitje.

    Sipas policisë, të dyshuarit, nën kërcënimin e thikës, u kishin marrë tre viktimave, dy femrave braziliane dhe një mashkulli rumun dy telefona celularë, 1500 euro dhe disa bizhuteri, para se të largoheshin në drejtim të panjohur.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar dy telefonat e grabitur, një pjesë të parave, bizhuteritë si dhe dy thika që dyshohet se janë përdorur në rast.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot, nafta 1.39 euro për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimet maksimale janë:

    Nafta (dizel): 1.39 euro për litër

    Benzina: 1.35 euro për litër

    Gasi: 0.68 euro për litër

    Ministria ka bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

    Qytetarëve u bëhet thirrje që çdo ankesë lidhur me zbatimin e çmimeve t’i adresojnë në adresën elektronike [email protected] ose përmes numrit pa pagesë 0800 11000.

  • Kurti: Kosova mirënjohëse për SHBA-në dhe aleancën e pazëvendësueshme

    Kurti: Kosova mirënjohëse për SHBA-në dhe aleancën e pazëvendësueshme

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar kontributin amerikan në lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

    Në një postim pas pjesëmarrjes në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Kurti ka përkujtuar vlerat themelore të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së.

    “Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit,” ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se populli i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta, ndërsa ka shtuar se përvoja e Kosovës është e lidhur ngushtë me mbështetjen amerikane.

    “Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane,” ka deklaruar ai.

    Kurti gjithashtu u shpreh mirënjohës për SHBA-në, duke theksuar se Kosova mbetet falënderuese për “ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme” me Shtetet e Bashkuara.

  • Zjarr në Prishtinë, nuk raportohet për të lënduar

    Zjarr në Prishtinë, nuk raportohet për të lënduar

    Sot rreth orës 06:00 është raportuar për një zjarr në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.

    Sipas tij, policia menjëherë pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjës, si dhe ekipet e zjarrfikësve të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

    “Rreth orës 06:00, është raportuar për një zjarr në rrugën ‘Sylejman Vokshi’ në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Sipas informacioneve fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa si pasojë e zjarrit janë dëmtuar dy vetura”, tha Pllana.

    Aktualisht, hetuesit policorë janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

    Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar përgatitjen e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë.

    Paneli, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, po e zhvillon këtë proces në prani të monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës dhe besueshmërisë.

    Sipas njoftimit, “tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit”.

    Intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pritet të fillojnë në ora 11:00. Në garë janë pesë kandidatë, mes tyre prokurorë nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në lidhje me procesin, kryesuesi i Panelit Vlerësues, Arian Gashi, ka theksuar se “procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.”

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë opinionin publik dhe mediat për ecurinë e procesit, duke theksuar përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe integritetit institucional.

  • Joseph për situatën politike: Bllokimi fillestar erdhi nga Kurti, ai mban përgjegjësi por jo i vetëm

    Joseph për situatën politike: Bllokimi fillestar erdhi nga Kurti, ai mban përgjegjësi por jo i vetëm

    Eksperti për Ballkanin, Edward P. Joseph, ka vlerësuar se përgjegjësia për bllokadën institucionale në Kosovë u takon liderëve politikë, duke përfshirë si pozitën ashtu edhe opozitën.

    Joseph tha se bllokimi fillestar nisi nga kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas tij, kishte një mundësi të mirë për të ecur përpara, pas fitores së madhe në zgjedhjet e dhjetorit.

    “Pa diskutim, liderët politikë të Kosovës janë përgjegjës. Dhe kjo përfshin disa prej tyre, jo vetëm një. Bllokimi fillestar ishte nga kryeministri Kurti. Ai pati një mundësi me fitoren e madhe, një fitore çuditërisht të madhe në dhjetor, për të ecur përpara. Për mendimin tim, si amerikan dhe si mbështetës i Kosovës dhe i hyrjes së saj në NATO” , deklaroi ai, për EO.

    Ndërsa sa i përket ish- presidentes Vjosa Osmani, ai tha se kjo e fundit kishte ndërtuar një marrëdhënie të mirë me Washingtonin në një periudhë sfiduese për Kosovën, kur dialogu strategjik ishte pezulluar. “Presidentja Vjosa Osmani kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me Washingtonin kur gjërat ishin shumë të vështira dhe kur dialogu strategjik ishte pezulluar” , u shpreh Joseph.

    Sipas Joseph, përgjegjësia për situatën aktuale nuk bie vetëm mbi Kurtin, por edhe mbi partitë opozitare, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në vazhdimin e ngërçit politik.

    “Pra, Kryeministri Kurti mban përgjegjësi, por ai nuk mban përgjegjësi i vetëm. Edhe opozita është përgjegjëse për këtë bllokadë të vazhdueshme. Është artificiale, plotësisht e papranueshme dhe po i sjell përfitim Serbisë, sepse Serbia më pas është në gjendje të thotë: ‘Shikoni këtë kaos’”, deklaroi ai.