ATV

Author: K.B.

  • Lëshohet për qarkullim kyçja në Mazgit, thotë Ministria e Infrastrukturës

    Lëshohet për qarkullim kyçja në Mazgit, thotë Ministria e Infrastrukturës

    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se është lëshuar për qarkullim kyçja në Mazgit, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

    “Siç edhe ishte planifikuar, punimet e asfaltimit në kyçjen e Mazgitit kanë përfunduar dhe segmenti tashmë është hapur për qarkullimin e automjeteve. Ndërhyrja është realizuar si masë e përkohshme për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në këtë segment, deri në përfundimin e analizave teknike që do të përcaktojnë zgjidhjen afatgjatë për problemin e ujërave nëntokësore, të cilat po dëmtojnë trupin e rrugës”, tha Ministria.

    Ky dikaster bëri me dije se gjatë ditëve në vijim do të përfundojë edhe vendosja e sinjalizimit horizontal, dhe se do të kompletohen të gjitha punimet e planifikuara në këtë fazë.

    Në fund, Ministria ka falënderuar qytetarët “për durimin dhe mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve”.

  • Realizohet me sukses një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale, tumori largohet nga foshnja e posalindur

    Realizohet me sukses një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale, tumori largohet nga foshnja e posalindur

    Ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK, ka realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e rrallë tek një i porsalindur njëjavësh, i diagnostikuar me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji jashtëzakonisht e rrallë që rrezikonte seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.

    Me incidencë rreth 1 në 35.000 deri në 1 në 200.000 lindje të gjalla, dhe shoqërohet me mortalitet të lartë, deri në 80–100% nëse nuk sigurohet në kohë rrugët e frymëmarrjes.Pas diagnostikimit të hershëm dhe sigurimit emergjent të rrugëve të frymëmarrjes nga ekipi i Klinikës së Neonatologjisë pacienti iu nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme radiologjike dhe vlerësimit multidiciplinar.

    Menaxhimi u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

    Në njoftimin e QKUK thuhet se tumori u largua në tërësi.

    “Tumori u largua në tërësi, me ruajtjen maksimale të strukturave anatomike përreth dhe pa komplikime intraoperative. Ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme, foshnja merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore”, thuhet në njoftim.

  • Vendimi final për ish krerët e UÇK-së në shtator, çka ndikoi që shpallja e aktgjykimit të shtyhet

    Vendimi final për ish krerët e UÇK-së në shtator, çka ndikoi që shpallja e aktgjykimit të shtyhet

    Shtyrja e shpalljes së vendimit për ish krerët e UÇK-së, në Dhomat e Specializuara për Kosovën, në Kosovë po vlerësohet si e paarsyeshme, si dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, Gjykata Speciale janë arsyetuar me numrin e madh të dëshmitarëve dhe kompleksitetin e rastit, por sipas tyre, kjo nuk lidhet me periudhën e pushimeve të gjykatës.

    29 mijë e 238 faqe është numri i transkriptave të gjykimit më të rëndësishëm që është zhvilluar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Për shqyrtimin e tyre e të qindra materialeve të tjera që kanë në dorë trupi gjykues, u vendos që shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të bëhet më 16 shtator të këtij viti.

    “Trupi Gjykues shpjegoi se, në përputhje me Rregulloren, kishte gjykuar se një zgjatje e mëtejshme e afatit ishte absolutisht e domosdoshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së madhe të provave që Trupit Gjykues i duhet të shqyrtojë. Trupi Gjykues mori dëshmi dhe prova nga 270 dëshmitarë (me gojë dhe me shkrim), pranoi 5467 prova materiale, ndërsa transkripti i gjykimit ka 29.238 faqe. Trupi Gjykues gjykoi se kjo zgjatje e afatit përligjej nga nevoja për të garantuar një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të provave, si dhe nga detyrimi për të dhënë një arsyetim me shkrim që i pasqyron me saktësi ato prova. Pushimi i gjykatës nuk kishte ndikim në caktimin e datës për shpalljen e Aktgjykimit. Gjatë periudhës së pushimit, Gjykata është plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha njësitë e DHSK-së.”

    Por, sipas avokatit të Artan Qerkini një shtyerje e tillë ishte e paarsyeshme pasi që trupi gjykues ka pasur kohë mjaftueshëm për të vendosur.

    “Trupi gjykues e ka pasur vetëm këtë lëndë vetëm këtë çështje në punë dhe është e pamundur që gjyqtarët gjatë zgjatjes së gjykimit të mos i vlerësojnë provat mirëpo nëse shtyrja do kishte ndodhur në kohën kur të pandehurit janë duke u mbrojtur në liri atëherë nuk do ishte ndonjë shkelje e madhe, një vazhdimisht kemi potencuar faktin se është shkel parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm dhe kjo vetëm sa po e vazhdon këtë agoni, prandaj mendoj se gjykata është dashur që brenda afateve të përcaktuara më herët të dal me një verdikt”, ka thënë Qerkini.

    Të njëjtën e thotë edhe avokati Skënder Musa, i cili thotë se është dashur të shqyrtohet edhe njëherë masa e paraburgimit ndaj katërshes së UÇK-së.

    “Duke e pas parasysh materialin e shumtë shtyerja është e drejtë edhe e arsyeshme mirëpo tash Gjykata nëse don me tregu që është Gjykate që vepron në bazë të ligjit ta shqyrtojë masën e paraburgimit edhe pse diku 60 ditë është shtyerja kur dihet se janë refuzu të gjitha kërkesat për lirimin e tyre”, ka thënë Musa.

    Gjatë fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar burgim prej 45 vjetësh ndaras për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por avokatët mbrojtës kanë argumentuar për lirimin e tyre.

    Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020, ndonëse gjykimi për ta nisi në prillin e vitit 2023./Dukagjini/

  • Nafta pak më shtrenjtë sot

    Nafta pak më shtrenjtë sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 40 centë, një cent më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 35 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.66 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Gjendet një mjet i dyshuar në Bjeshkët e Junikut, largohet nga FSK-ja dhe KFOR-i

    Gjendet një mjet i dyshuar në Bjeshkët e Junikut, largohet nga FSK-ja dhe KFOR-i

    Një mjet i dyshuar është gjetur në zonën e Bjeshkëve të Junikut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar dje më 2 korrik rreth orës 14:00, pasi në një zonë pyjore është hasur një mjet i dyshuar.

    Njësitë policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitë për deminim të FSK-së dhe KFOR-it kanë bërë largimin e mjetit pa incidente.

    “Bjeshkët e Junikut 02.07.2026-14:00. Është raportuar se në pyll është hasur një mjet i dyshuar. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it ka larguar mjetin pa incidente”.

  • Vdes këmbësori që u godit javën e kaluar nga një veturë në Pejë

    Vdes këmbësori që u godit javën e kaluar nga një veturë në Pejë

    Një këmbësor që ishte goditur nga një veturë në Pejë më 23 qershor ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte pësuar.

    Aksidenti kishte ndodhur më 23 qershor rreth orës 20:30, kur një i dyshuar, shtetas i Kosovës, duke drejtuar veturën e tij, dyshohet se kishte goditur këmbësorin.

    Më 2 korrik, mjekët kanë njoftuar policinë se viktima ka ndërruar jetë.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Pejë 23.06.2026-20:30. Është raportuar se me datën e lartcekur i dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar veturën e tij dyshohet se kishte goditur këmbësorin-viktimën mashkull kosovare i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Me datë 02.07.2026 është raportuar nga mjekët kompetent se viktima ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”.

  • ​Hamza s’do t’i përgjigjet Kurtit në WhatsApp: Ftesa duhet të jetë zyrtare, i përgjigjemi zyrtarisht

    ​Hamza s’do t’i përgjigjet Kurtit në WhatsApp: Ftesa duhet të jetë zyrtare, i përgjigjemi zyrtarisht

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se nuk do t’i përgjigjej Albin Kurtit në një ftese për takim të dërguar përmes WhatsApp, duke theksuar se komunikimi për çështje të tilla duhet të jetë vetëm zyrtar.

    Në intervistën në Rubikon të Klan Kosovës, Hamza tha se një ftesë për takim duhet të ketë përmbajtje të qartë.

    “Nëse Kurti na fton në takim, ftesa duhet të jetë zyrtare, ftesë me përmbajtje, në mënyrë që edhe përgjigjja të jetë zyrtare. Jo me WhatsApp. Arsyeja është se nuk dëshiroj që pas takimit, për të cilin nuk i dihet përmbajtja, të dalim dhe unë ta përdor takimin në mënyrën si më konvenon, apo dikush tjetër ta përdorë si i konvenon”, tha Hamza.

    Ai shtoi se për PDK-në prioritet mbeten temat që lidhen me interesin e shtetit dhe vetëm pas dakordimit për to mund të diskutohet për formulat e krijimit të institucioneve.

    “Për PDK-në janë prioritete çështjet e vendit. Fillimisht duhet të diskutohet për to dhe, nëse ka dakordim, atëherë mund të flasim edhe për formula të tjera. Në një ftesë për takim, për ne janë me rëndësi temat dhe prioritetet, e më pas formula e krijimit të institucioneve – Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti”, tha Hamza.

  • Turqia ndalon hyrjen e anijes turistike me pasagjerë LGBT

    Turqia ndalon hyrjen e anijes turistike me pasagjerë LGBT

    Autoritetet turke kanë ndaluar ankorimin në portet e vendit të një anijeje turistike që u shërben udhëtarëve amerikanë LGBTQ+, duke përmendur “standardet morale” dhe “vlerat familjare”, ka njoftuar drejtori ekzekutiv i kompanisë së eventeve që qëndron pas turneut të ardhshëm mesdhetar.

    Anija turistike “Athinë-Venecia”, e cila niset nga Greqia më 5 korrik, pritej të ankorohej në qytetin portual turk të gjallë të Kuşadasit dy ditë më vonë, e më pas një udhëtim për në Stamboll, sipas Atlantis Events, e cila po organizon udhëtimin.

    Por në një veprim të diskutueshëm, autoritetet lokale në Turqi thanë se e kanë anuluar “eventin” pasi anija – e cila pritet të presë më shumë se 1,000 pasagjerë nga SHBA-ja – ishte marrë me qira nga grupe “të njohura për sjellje të papajtueshme me strukturën e shoqërisë dhe vlerat tona morale”.

    Anija, e quajtur Scarlet Lady , është në pronësi të linjës së lundrimit Virgin Voyages, e mbështetur nga Richard Branson, sipas MarineTraffic.

    Atlantis Events tha se tani do të ndalet në Kajro, Egjipt dhe ishullin grek të Kretës në vend të Turqisë.

  • Theret me thikë një person në Shtime, dërgohet për trajtim në spital

    Theret me thikë një person në Shtime, dërgohet për trajtim në spital

    Një person ka mbetur i plagosur pasi është therur me thikë nga persona të panjohur në Shtime.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës 22:12. Viktima, shtetas i Kosovës, ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi ishte goditur me thikë.

    Ai është dërguar për trajtim në Spitalin e Ferizajt, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e të dyshuarve.

    “Shtime 02.07.2026-22:12. Është raportuar se viktima mashkull kosovar kishte kërkuar ndihmë mjekësore pasi që ishte therë me thikë nga persona të panjohur. Viktima është dërguar në spitalin e Ferizajt. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore”.

  • Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Sot mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Ekrem Bajroviqit i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në periudhën e luftës në Kosovë.

    Seanca pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Në seancën e sotme palët pritet të paraqesin qëndrimet e tyre, kurse gjykata do të vazhdojë me administrimin e provave dhe shqyrtimin e çështjes.

    Ekrem Bajroviq akuzohet nga Prokuroria Speciale për përfshirje në krime lufte në luftën e fundit në Kosovë kundër popullatës civile.