ATV

Author: K.B.

  • U puthën live në Tik Tok, ndëshkohen sipas sheriatit me nga 21 goditje me kamxhik

    U puthën live në Tik Tok, ndëshkohen sipas sheriatit me nga 21 goditje me kamxhik

    Një indonezian 22 vjeç dhe një grua tre vjet më e vjetër se ai, ia panë sherrin një akti të puthjes që bënë mes vete, më 27 shkurt.

    Ani se një gjë të tillë e bënë brenda një veture në Banda Aceh, veprimi i tyre u bë viral, pasi u transmetua live në Tik Tok.

    Por, në vendin ku ata u puthën, diçka e tillë nuk lejohet.

    Provinca Aceh e Indonezisë zbaton sheriatin dhe sipas rregullave të ligjit islamik, diçka e tillë është e ndaluar në publik.

    Për pasojë, çifti u paraburgos dhe u mbajt prapa grilave më shumë se dy muaj.

    Pas kaq kohe, autoritetet konservatore këtu ua bënë atyre gjyqin dhe i shpalli fajtorë për shkelje të ligjit islam.

    Njëri dhe tjetri u dënuan me nga 21 goditje me kamxhik, secili. Në fakt, gjykata kishte shqiptuar nga 25 goditje për ta, por dënimi u ul në 21, pasi çifti kishte kaluar disa muaj në paraburgim.

    Ndëshkimi ndaj tyre u zbatuar të enjten, në një skenë në parkun Bustan-ussalatin në Banda Aceh, në prani të qindra qytetarëve.

    Aceh është provinca e vetme në Indonezi që zbaton Sheriatin, një e drejtë që iu dha në vitin 2006 në kuadër të marrëveshjes së paqes për t’i dhënë fund konfliktit separatist. Që nga viti 2015, disa dispozita të këtij ligji zbatohen edhe ndaj jomyslimanëve që janë vetëm 1 për qind e banorëve këtu.

    Ligji parashikon deri në 100 goditje me kamxhik për vepra që konsiderohen shkelje të moralit, përfshirë tradhtinë bashkëshortore, marrëdhëniet homoseksuale, lojërat e fatit dhe konsumimin e alkoolit.
    Po të enjten, katër persona të tjerë u ndëshkuan publikisht në Aceh për lojëra të fatit online dhe tradhti bashkëshortore.

    Organizata Amnesty International Indonesia e dënoi praktikën e ndëshkimit publik me kamxhik, duke e cilësuar atë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe trajtim mizor e poshtërues, pavarësisht se Indonezia ka ratifikuar konventa ndërkombëtare kundër dënimeve çnjerëzore.

  • Fryrja e barkut: 3 shkaqet kryesore që duhet t’i dini

    Fryrja e barkut: 3 shkaqet kryesore që duhet t’i dini

    Fryrja e barkut është një shqetësim i zakonshëm që prek shumë persona dhe shpesh krijon ndjesi parehatie dhe stresi, sidomos kur përpiqemi të ndjekim një dietë të shëndetshme pa rezultate të dukshme.

    Ekspertët theksojnë se arsyeja e kësaj gjendjeje lidhet kryesisht me disa zakone ushqimore dhe reagime të organizmit ndaj ushqimeve të caktuara.

    Sipas vlerësimeve, tre shkaktarët kryesorë të fryrjes së barkut janë:

    Sheqeri i shtuar – Konsumimi i tepërt i produkteve me sheqer mund të ndikojë në tretje dhe të shkaktojë fryrje.

    Konsumimi i tepruar i disa ushqimeve të shëndetshme – si frutat, thjerrëzat dhe perimet e gjelbra, të cilat në sasi të mëdha mund të krijojnë gazra dhe fryrje.

    Intoleranca ushqimore – disa persona reagojnë ndaj ushqimeve të caktuara pa e ditur, duke përjetuar fryrje dhe parehati në bark.

    Specialistët këshillojnë që për të menaxhuar këtë problem, është e rëndësishme të vëzhgohet dieta dhe të identifikohen ushqimet që shkaktojnë reagime negative në organizëm.

  • Dëshmitarët e masakrës së Saradanit: Dënimi me 12 vjet burgim për Ekrem Bajroviqin është qesharak

    Dëshmitarët e masakrës së Saradanit: Dënimi me 12 vjet burgim për Ekrem Bajroviqin është qesharak

    Dëshmitarët e masakrës së Saradanit nga komuna e Istogut janë shprehur të pakënaqur lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila edhe në rigjykim e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

    Naim Elshani, dëshmitar tha se ky vendim është qesharak, duke treguar se ende i bart në trup plagët nga tortura që i është bërë, raporton Ekonomia Online.

    “Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Ky vendim është qesharak. 12 vite burgim t’i merr një kriminel ku me sytë e mi e pashë në krim, tortura, i përjetova, ku ende sot plagët më kullojnë gjak. Domethënë, është tmerr. Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Po, besoni që mua këtë më kanë pushkatuar serbët dy herë. Sot jam duke u pushkatuar edhe nga, ndoshta edhe nga shqiptarët, nga gjykatat. Domethënë unë nuk kam sigurim, nuk kam mbrojtje, çdo ditë kërcënohem nga njerëzit që nuk ia duan të mirën Kosovës. Unë jeta ime ka qenë në rrezik disa herë. Kam kërkuar mbrojtje nga prokurori, domethënë nuk më ka afruar mbrojtje. Unë edhe me shpenzimet e mia, me qindra herë kam ardhur që pesë vite. Kam kërkuar për transport për dëshmitarë. Nuk vijnë dëshmitarët që janë maltretuar gjatë viteve ’90 deri në vitin 1999. Unë domethënë këtu nuk pajtohem unë me këtë vendim. 12 vite burgim është shumë pak. 12 vite burgim një kriminel lufte me i marrë, kjo është çmenduri. Nuk, nuk ka drejtësi, unë nuk shoh drejtësi. Nuk e di ku është drejtësia. Unë sa di, vuaj pasojat. Unë nuk e di që 27 vite që mundem me i bë 5 minuta gjumë për shkak të dhimbjeve që i kam. Nuk kam çfarë me shtuar unë. Unë ju përshëndes juve mediave, i përshëndes shqiptarët. Nuk kam çfarë me shtuar më shumë”, tha Elshani.

    I pakënaqur është shprehur edhe dëshmitari tjetër Ylber Lipa.

    “Pavarësisht zgjatjes, tejzgjatjes së procesit, së paku ne katër si dëshmitarë prej 32-ve që jemi sot, jemi të pakënaqur me vendimin, edhe pse e kemi parasysh se ligjet e asaj kohe me të cilat është dënuar, dënimi maksimal është 15 vite. Kjo tregon se është vërtetuar dënimi prej 12 viteve që është bërë në shkallën e dytë pas ankesës së avokatit të kriminelit Bajroviq. Megjithatë, ne duhet të pajtohemi dhe duhet ta krijojmë besimin në gjykatat tona. Aq sa ka paraparë ligji, aq sa ka paraparë gjykata, dhe nuk kemi çfarë të bëjmë.E keqja e gjithë kësaj është mospërkrahja e dëshmitarëve nga shteti. Mosinteresimi i dëshmitarëve që të vijnë, pa marrë parasysh rrethanat me të cilat ne jemi përballur, jo vetëm me shpenzime, por me të gjitha pasojat. Në rastin konkret të Naimit si dëshmitar kryesor, ai përballet me probleme shëndetësore, me pasoja dhe trauma psikologjike, si dhe me të gjitha të tjerat. Shpresojmë që drejtësia, sado me vonesë, do të bjerë në vend. Shpresojmë që shteti ynë sa më shpejt të organizohet, të fuqizohet dhe të mos ndalet në hetimin dhe zbulimin e kriminelëve. Kaq”, tha ai./EO/

  • Kryeministri dhe presidenti shqiptar, paga rekord në Ballkan – 5 herë mbi mesataren e vendit

    Kryeministri dhe presidenti shqiptar, paga rekord në Ballkan – 5 herë mbi mesataren e vendit

    Disa vjet më parë, kryeministri Rama hyri në garë me rajonin, teksa premtoi që shumë shpejt, paga mesatare në vend do të arrinte vendet e Ballkanit Perëndimor, si Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja, që e kishin në atë kohë rrogat 30-50% më të lartë sesa ne.

    Paga mesatare mujore në vend vërtet është rritur, duke arritur në 860 euro bruto për vitin 2025, por edhe të tjerët nuk kanë mbetur në vend.

    Në Serbi, paga mesatare mujore bruto ka arritur në 1290 euro, në Bosnjë Hercegovinë 1245, në Mal të Zi 1203 euro, në Maqedoninë e Veriut, 1100 euro, sipas një publikimi të mëparshëm të Monitor bazuar mbi të dhënat zyrtare nga agjencitë statistikore të vendeve përkatëse.

    Deri tani gara për të punësuarit ka qenë e humbur, teksa pagat në vendet e rajonit vijojnë të mbeten 30-50% më të larta sesa në Shqipëri.

    Në fakt, kryeministri e ka mbajtur premtimin, por vetëm për veten dhe presidentin e vendit.

    “Monitor” në bashkëpunim me korrespondentët e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor raporton pagat e niveleve të larta të qeverisjes, si presidenti, kryeministri në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria kryesojnë listën, për pagat, ndërsa Shqipëria është absolutisht e para për pagën e drejtuesve në raport me pagën mesatare në vend.

    Në Shqipëri, Presidenti ka një pagë mujore bruto prej 425 mijë lekë, ose 4,470 euro me kursin aktual. Paga e tij është 5.2 herë më e lartë sesa rroga mesatare në vend.

    Kryeministri shqiptar ka një pagë mesatare mujore bruto prej 393 mijë lekësh, ose 4130 euro. Paga e tij është 4.8 herë më e lartë se ajo mesatare në vend dhe më e larta nga të githë kryeministrat e Ballkanit.

    Në Bosnjë-Hercegovinë, struktura administrative është e komplikuar. Bosnjë dhe Hercegovina nuk ka një President të vetëm të shtetit. Në vend të kësaj, ajo drejtohet nga një Presidencë treanëtarëshe, e cila përfaqëson tre komunitetet kryesore etnike të vendit. Vendi ka dy kryeministra, nga një për secilin prej dy entiteteve të saj: Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republikën Srpska. Për kryeministrat, paga mesatare bruto (e llogaritur si mesatare e dy pagave) është rreth 4 mijë euro dhe për presidentët, mesatarja është rreth 4600 euro, më e larta në Ballkan. Megjithatë, në raport me pagën mesatare në vend, difernca është më e ulët se me Shqipërisë (përkatësisht 3.7 herë për presidentin dhe 3.2 herë për kryeministrin) për shkak të rrogës më të lartë në Bosnjë Hercegovinë.

    Për pagat neto, presidenti dhe kryeministri shqiptar kryesojnë Ballkanin, pasi Bosnjë Hercegovina ka një ngarkesë më të lartë fiskale. Paga neto e presidentit shqiptar është rreth 320 mijë lekë, ose gati 3400 euro, përkundrejt 3 mijë euro mesatarja presidenciale në Bosnjë.

    Kryeministri shqiptar është absolutisht më i paguari, pasi merr neto 302 mijë lekë, ose gati 3200 euro, përkundrejt 2600-2700 euro të kryeministrave të Bosnjës. Madje kryeministri shqiptare ka një pagë neto më të lartë se pagat bruto të shumicës së homologëve në Ballkan.

    Vendet e tjera të Ballkanit, ndonëse kanë paga mesatare më të larta janë më modestë në shpërblimet e drejtuesve të lartë, që udhëheqin politikat e vendit.

    Në Mal të Zi, presidenti ka një pagë bruto prej 2700 eurosh, ose 2.2 herë mbi pagën mesatare të Malit të Zi. Në nivele të ngjashme e ka pagën dhe kryeministri i vendit.

    Serbia është shteti që ka arritur të ketë pagën mesatare më të lartë bruto në rajon, por që në kontrast i paguan më pak drejtuesit e vendit. Presidenti ka një pagë bruto prej 338 mijë dinarë, ose 2,740 euro, vetëm 2.1 herë më shumë se paga mesatare në vend. Kryeministri ka një pagë bruto prej 282 mijë denarësh, ose rreth 2300 eurosh, 1.8 herë mbi pagën mesatare në vend.

    Në Maqedoninë e Veriut nuk janë të deklaruara pagat, por mediat kanë raportuar se presidenti dhe kryeministri marrin secili nga rreth 140 mijë denarë maqedonas neto, që i korrespondon një page bruto prej 206 mijë denarë, ose rreth 3300 euro, ose tre herë mbi pagën mesatare në vend.

    Në Kosovë, paga bazë mujore bruto e presidentit është 1980 euro, ose 1.64 herë mbi pagën mesatare në vend. Kryeministri ka një pagë bazë po bruto prej 1870 euro (1.55 herë mbi pagën mesatare).

    Pagat e drejtuesve në raport me mesataren

    Shqipëria është vendi ky presidenti dhe kryeministri kanë diferencën më të lartë me pagën mesatare në vend, me rreth 5 herë më shumë. Diferenca e dytë më e lartë është në Bosnjë Hercegovinë, me 3.2-3.7 herë. Më pas renditet Maqedonia e Veriut, me rreth 3 herë, e ndjekur nga Kosova me 2.6-2.8 herë. Në Mal të Zi pagat e drejtuesve të lartë janë 2.2 herë mbi atë mesatare dhe në fund renditet Serbia, ku drejtuesit marrin më pak se dyfishi i mesatares.

    Ndërsa Serbia ka pagën mesatare mujore më të lartën në Ballkan dhe 50% më shumë se në Shqipëri, presidenti dhe kryeministri shqiptar kanë paga përkatësisht 63% dhe 80% më të larta sesa homologët serb. /Monitor.al/

  • Komediani i famshëm turk arrestohet për fyerje të Islamit, u prangos në aeroportin e Stambollit

    Komediani i famshëm turk arrestohet për fyerje të Islamit, u prangos në aeroportin e Stambollit

    Një komedian i famshëm turk u arrestua në aeroportin e Stambollit pasi akuzohet për fyerje të Islamit.

    Arrestimi i 32-vjeçarit Deniz Goktas vjen në mes të një vale represioni që synon këdo që shihet si kritik ndaj qeverisë islamisto-konservatore dhe vlerave të saj. Një numër gjithnjë e në rritje hetimesh gjyqësore po synojnë muzikantë, artistë, gazetarë dhe politikanë të opozitës.

    “Deniz Goktas u arrestua në aeroportin e Stambollit më 2 korrik”, tha zyra e prokurorit të Stambollit në një deklaratë, duke shtuar se kishte marrë “185 ankesa” në lidhje me performancat e komedianit dhe kishte nisur një hetim për “fyerje publike të vlerave fetare të Turqisë”.

    Në shfaqje, komediani hedh një vështrim satirik mbi zhvillimet politike të vendit, me referenca ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe kundërshtarit të tij kryesor, kryetarit të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, arrestimi i të cilit në mars të vitit 2025 shkaktoi protesta masive.

    Prokurorët kanë nisur një hetim, duke pretenduar se videoja përmban “gjuhë fyese që përbën vepër penale”.

    Goktas u arrestua ndërsa zbriste nga avioni. Komediani i lindur në Ankara e filloi karrierën e tij si stand-up në një klub të Stambollit në vitin 2019. Që atëherë, ai ka performuar në të gjithë Evropën dhe SHBA-në.

  • Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?

    Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?

    Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto në muaj, duke prekur, sipas zyrtarëve, rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat. Derisa Qeveria e ka paraqitur vendimin si mbështetje për punëtorët, ekspertët vënë në pikëpyetje ndikimin e tij në mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë. Çfarë, realisht, pritet të sjellë kjo rritje?

    Mijëra punëtorë në Kosovë pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 500 euro bruto në muaj, e cila hyri në fuqi më 1 korrik.

    Por, mbetet e paqartë nëse kjo rritje do të përkthehet në një përmirësim të mirëfilltë të standardit të jetesës së tyre, përballë inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve

    Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë analizë e hollësishme zyrtare mbi ndikimin e kësaj rritjeje apo në fuqinë blerëse të familjeve.

    Ekspertë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, vlerësojnë se paga e re minimale nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje në Kosovë.

    Qeveria e Albin Kurtit, tani kryeministër në detyrë, e mori këtë vendim në tetorin e 2025-tës, në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa ai hyri në fuqi në dy faza, në janar dhe në korrik 2026.

    Vendimi prek rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat, sipas zyrtarëve.

    Mungesa e një studimi paraprak

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë pas vendimit për rritjen e pagës minimale se ai erdhi pas “analizave dhe diskutimeve që kemi pasur, si dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve”.

    Por, pretendimet e Muratit hidhen poshtë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili akuzon Qeverinë për mospërfshirjen e Odës dhe të bizneseve në analizimin e ndikimit të pagës së re minimale.

    “Nuk jemi konsultuar. Nuk e kemi parë asnjë raport, asnjë studim. Kjo është pikërisht kërkesa jonë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

    Ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se Qeveria e “politizoi” pagën minimale, duke anashkaluar aktorët e tjerë nga diskutimet rreth ndikimit para marrjes së vendimit.

    “Asnjë pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, nuk duhet të politizohet, sepse kjo vetëm e dëmton aspektin ekonomik dhe social. Dhe, në këtë drejtim, definitivisht, paga minimale duhet të jetë e diskutuar dhe e kalkuluar në trendët e rritjes së inflacionit”, shpjegon ai për Radion Evropa e Lirë.

    A mjafton kjo rritje?

    Paga minimale, tani 500 euro, u rrit fillimisht në 425 euro në janar, nga 350 sa ishte paraprakisht.

    Me një inflacion të rritur në rreth 6.8 për qind, dhe një ekonomi të ngadalësuar, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, paga e re minimale në Kosovë nuk do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, thonë ekspertët.

    “Në rrethana reale, në një ekonomi të qëndrueshme, është dashur të fitojë qytetari, por duke pasur parasysh faktin që jemi një shtet i varur nga importi dhe afër 90% e të hyrave familjare shkojnë në konsum, atëherë shumë më tepër do të fitojnë tregtia dhe importi, sesa qytetarët dhe shteti”, vlerëson Gërxhaliu

    Një hulumtim, i publikuar më 2024 nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, ka gjetur se një familje 4-anëtarëshe në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.

    Në zonat urbane, shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale rreth 1.090 euro.

    Rafuna thotë se paga minimale prej 500 eurosh “nuk i mbulon” nevojat e kostot reale jetësore të familjes në Kosovë.

    Ai shton se Qeveria ka mundur të vinte me një vendim më të mirë për pagën minimale, sikur t’i jepte mundësi OEK-ut për të sjellë propozime pas bisedimeve me përfaqësuesit e tij, me anëtarët e Odës, por edhe me joanëtarët e saj.

    Ndikimi tek bizneset dhe informaliteti

    Ekspertët e ekonomisë parashikojnë ndikim negativ tek bizneset, që, sipas Gërxhalut, “nuk kanë qenë të përgatitura që do të ndodhë diçka e tillë”, pasi nuk janë konsultuar nga Qeveria.

    “E tërë kjo do të ndikojë në radhë të parë në tkurrje apo në zvogëlim të vendeve të punës, në rendin e kërkesës për punëtorë dhe, kuptohet, si efekt i tretë do të jetë edhe tentativa për informalitet”, vlerëson ai.

    Rafuna, në anën tjetër, pajtohet se bizneset mund të preken, por nuk mendon se do të ketë rritje të informalitetit.

    “Sipas të dhënave tona, nuk do të ketë informalitet, për shkak se […] sektori privat ka lëvizur goxha mirë me paga si rezultat edhe i kohës, por edhe si rezultat i kërkesës për të pasur fuqi punëtore të mirë dhe kualitative brenda ndërmarrjes”, tregon ai

    Ai shpjegon ndikimin tek bizneset e mesme dhe ato të reja, apo start-up.

    “Te bizneset e mesme, sfiduese është ngarkesa, se edhe është rritur pragu i pagës minimale, por edhe nuk është liruar nga tatimi i të ardhurave personale”, thotë ai.

    Për shembull, fqinja e Kosovës, Shqipëria, në janar e rriti pagën minimale në 50.000 lekë, apo 500 euro, dhe vendosi se ajo nuk do të tatohet

    Ministria në detyrë e Financave në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të tatohet apo jo paga minimale.

    Rafuna thotë se situata e re do të jetë “shumë sfiduese” edhe për bizneset e vogla, për shkak se “ato janë në hapat e parë, në ditët e para, dhe paga minimale prej 500 eurove padyshim që do t’i shtyjë ose ta kufizojnë numrin e stafit, ose të riorganizohen”.

  • Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut

    Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut

    Ekrem Bajroviqi është shpallur sërish fajtor në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Saradran të Istogut.

    Fillimisht, në korrik të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Bajroviqin me 12 vjet burgim për të njëjtat akuza.

    Megjithatë, Gjykata Supreme e ktheu rastin në rigjykim, duke vlerësuar se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë procesit se më herët kishin dhënë dëshmi edhe për UNMIK-un dhe EULEX-in lidhur me këtë rast, por këto deklarata nuk ishin pjesë e dosjes së lëndës.

    Sipas aktakuzës, Bajroviqi, në cilësinë e policit në Stacionin Policor të Gurrakocit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, më 8 maj 1999 ndaloi në Saradran të Istogut një kolonë civilësh shqiptarë që po largoheshin drejt Shqipërisë.

    Ai akuzohet se, së bashku me të tjerë, ndau 16 burra nga kolona, i dërgoi në një shtëpi ku u rrahën me mjete të forta dhe u keqtrajtuan, duke u drejtuar fjalët: “Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në?”

    Aktakuza thotë se më pas, në bashkëpunim me forca paramilitare serbe, civilët u dërguan një nga një në një shtëpi tjetër, ku u ekzekutuan.

    Sipas prokurorisë, 15 persona humbën jetën, ndërsa njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet N.E., mbijetoi pasi u plagos rëndë në fytyrë dhe u la mes trupave të viktimave.

    Po ashtu, Bajroviqi akuzohet se më 7 maj 1999, në Saradran të Istogut, mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë.

    Sipas aktakuzës, burrat u ndanë nga pjesa tjetër e kolonës së civilëve, iu morën paratë dhe sendet me vlerë, ndërsa më pas u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u maltretuan dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore.

    Të nesërmen, më 8 maj 1999, ata u transferuan në Stacionin Policor në Gurrakoc, ku, sipas aktakuzës, kolonës i printe i akuzuari Ekrem Bajroviqi.

  • Tahiri uron Haradinajn për ditëlindje: Kontributi i tij për lirinë dhe shtetin e Kosovës është historik

    Tahiri uron Haradinajn për ditëlindje: Kontributi i tij për lirinë dhe shtetin e Kosovës është historik

    Deputeti i rizgjedhur, Besnik Tahiri ka uruar ish-kryetarin e Aleancës, Ramush Haradinaj, me rastin e 58-vjetorit të lindjes, duke e cilësuar atë si një burrështetas që ka dhënë gjithçka për popullin dhe shtetin e Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri është shprehur se historia do të dëshmojë se kontributi i Haradinajt për lirinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës me kufijtë aktualë është vendimtar dhe historik.

    “Sot, feston ditëlindjen burrështetasi që dha gjithçka për popullin e vendit tonë. Historia do të dëshmojë se kontributi i Ramush Haradinaj për lirinë e shtetin me këta kufij është vendimtar e historik. Gëzuar 58-vjetorin, kryeministër Haradinaj, edhe 100 të tjera”, ka shkruar Tahiri.

  • Raportohet për një grua të zhdukur në Prizren, Policia nis hetimet

    Raportohet për një grua të zhdukur në Prizren, Policia nis hetimet

    Një rast i personit të zhdukur është raportuar në Prizren, ku një femër kosovare dyshohet se është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 2 korrik 2026, rreth orës 11:30, ndërsa menjëherë janë angazhuar njësitë relevante për hetimin e rrethanave të zhdukjes.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe se nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për identitetin e personit të zhdukur apo rrethanat e mundshme të rastit, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

  • Rafuna: Kosova po humb fonde dhe projekte për shkak të bllokadës institucionale, duhen reforma urgjente

    Rafuna: Kosova po humb fonde dhe projekte për shkak të bllokadës institucionale, duhen reforma urgjente

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe bllokada institucionale kanë ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e fondeve dhe projekteve të rëndësishme për Kosovën, derisa vendet e rajonit kanë përfituar nga këto mjete.

    Rafuna tha se vendi fillimisht humbi një pjesë të fondeve për shkak të masave sanksionuese, ndërsa tani kemi humbur edhe mjete të tjera nga Plani i Rritjes, pasi nuk janë përmbushur reformat e kërkuara brenda afatit.

    “Po, kanë ndikuar shumë, për shkak se ne nuk kemi arritur që t’i marrim fondet të cilat kanë qenë të parapara për Kosovën. Së pari kishim masat ndëshkuese, ku humbëm prej disa fondeve një pjesën tonë, që vendet e rajonit i morën të gjitha, ndërsa Kosova nuk i ka marrë, për shkak që ishim nën masa sanksionuese. Kurse tani kemi sfidën më të madhe me Planin e Rritjes, ku sipas të gjitha gjasave një shumë goxha të madhe do ta humbim, ose thuajse e kemi humbur, se e kemi pasur afatin deri më 30 qershor që ta dorëzojmë raportin edhe të dëshmojmë që i kemi bërë reformat, ku nuk janë arritur që të bëhen reformat qysh është kërkuar me Planin e Rritjes, edhe këtu ne do të humbim një shumë. Kështu që, gjersa Kosova humb, vendet e rajonit përfitojnë, për shkak se këto mjete nuk do të kthehen në Bruksel, ose nuk do të na presin ne si Kosovë derisa ne t’i plotësojmë kushtet, mirëpo do t’u shpërndahen vendeve të cilat kanë ecur shumë shpejt në reforma”, tha ai, për Ekonomia Online.

    Ai bëri të ditur se disa projekte tashmë janë humbur ose kanë mbetur të pezulluara.

    “Po, ka disa projekte, janë ka projekte të ndryshme, domethënë prekin në infrastrukturë, te ujërat e zeza, projekte të hekurudhave, të digjitalizimit, e kështu me radhë. Që ndër vite i kemi humbur ose janë pezull”, tha Rafuna.

    Ai shtoi se në shumë sektorë hapësira për reforma, por se kjo nuk po ndodhë shkaku i bllokadës institucionale.

    “Po ne nuk po kemi, si të them, bizneset tona janë duke u përballur që nuk po ka investime, qofshin publike apo investime të huaja. Dhe shto këtu që mungesa e qeverisë, ose si të them bllokada institucionale, është edhe mungesa e të bërit reforma që kishin me i ndihmuar bizneset që produktet e tyre t’i plasojnë në tregun jo vetëm rajonal por edhe evropian, me kushte shumë më të mira dhe me standarde më të larta. Kështu që nevojiten ligje, nevojiten politika fiskale, nevojitet sundimi i ligjit. Ka shumë, shumë hapësirë në shumë sektorë ku duhet të bëhen reforma, nuk po mund të bëhen për shkak të bllokadës institucionale”, tha ai.

    Në fund, Rafuna u bëri thirrje partive politike që të konstituojnë sa më shpejt institucionet dhe të nisin reformat ekonomike.

    “Po mesazhi im do të ishte në fakt kërkesë. Kërkesë që në qoftë se ia duan të mirën këtij vendi të gjitha partitë politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që sa më shpejt t’i themelojnë institucionet, të jenë në fuqi të plotë dhe të fillojnë reformat. Bile, në rrethanat, në kushtet në të cilat gjendet ekonomia e Kosovës, na nevojiten dy ministra: një ministër i ditës dhe një ministër i ndërrimit të natës, në mënyrë që me vrapu, se me ecë jemi shumë vonë, po me vrapu për t’i zënë vendet e rajonit dhe për t’u kyçur në proceset integruese ku përfiton ekonomia e Kosovës” , tha ai./EO/