ATV

Author: K.B.

  • Personi që u vra në Ferizaj ditë më parë, kishte rast aktiv për dhunim ndaj një të miture

    Personi që u vra në Ferizaj ditë më parë, kishte rast aktiv për dhunim ndaj një të miture

    F.H i cili mbeti i vrarë më 28 qershor në Ferizaj, rezulton se kishte në Gjykatën Themelore në Ferizaj një rast aktiv penal ku akuzohej për dhunim në bashkëkryerje ndaj një të miture.

    Arjeta Roshaj dyshohet se më 28 qershor 2026, në Ferizaj, në objektin banesor-pronë e babait të saj M.B., ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H, shkruan “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërkaq, rasti aktiv i F.H. është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke bërë të ditur se ndaj tij figuron ky rast aktiv në evidencën penale.

    Fillimisht, për këtë rast F.H. ishte liruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën që i ngarkohej, por Prokurori i Shtetit kishte ankimuar këtë vendim në shkallën e dytë.

    “Sipas kronologjisë së këtij rasti në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ndaj personit F.H. më 3 prill 2023, konform nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPRK-së, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është liruar nga akuza për veprën penale në bashkëkryerje dhunimi nga neni 227, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

    Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj u anulua dhe lënda është rikthyer në rigjykim dhe rivendosje.

    “Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, me të cilën sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur dhe lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet tutje në përgjigje.

    Prokurori i rastit Agim Kuka nuk ka dhënë detaje për këtë çështje duke marrë parasysh që viktima është e mitur, por ka thënë se seanca e radhës për këtë rast është planifikuar të mbahet më 15 korrik.

    “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj nëse viktima F.H. dhe e dyshuara në rastin e vrasjes së tij Arjeta Roshaj kanë ndonjë rast të mëparshëm të paraqitur në këtë institucion.

    Sipas përgjigjes së tyre, nuk figuron asnjë rast i paraqitur ndaj njëri-tjetrit.

    “Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se sipas të dhënave zyrtare të policisë nuk figuron të jetë raportuar asnjë rast i paraqitur nga A.R. ndaj F.H., e as nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

    Përgjigje të njëjtë kanë dhënë edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

    “Pas verifikimit dhe pas pranimit të të dhënave nga shkrimorja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë se nuk figuron ndonjë rast i paraqitur nga personi A.R. ndaj F.H., si dhe nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë: “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde”, dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.

  • Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste, 46 dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste, 46 dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 49 raste për periudhën 26.06.2026-03.07.2026

    Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë periudhës së punës 26.06.2026-03.07.2026 në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 49 raste të reja.

    Prej tyre: 46 raste – dhunë në familje, 1 rast – dhunim, 1 rast – vrasje në tentativë, 1 rast – vrasje, 3 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë, 9 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME), 1 kërkesë për tërheqje të UM-së, 2 kërkesa për ndërprerje të UM-së, 9 aktvendime të aprovuara, 4 aktvendime të tërhequra, 1 kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave, 2 deklarata të pëlqimit të viktimës për ndihmë, 1 ankesë, 76 seanca gjyqësore, 10 seanca në prokurori, 50 këshilla juridike, 16 aktgjykime dënuese, 3 aktgjykime refuzuese, 1 përfaqësim i viktimës në strehimore, 7 referime të rastit në QPS, 1 referim i rastit në polici.

  • Diplomojnë oficerët e rinj të FSK’së, Kurti zotohet për 1 miliard euro investime e fabrikë municionesh

    Diplomojnë oficerët e rinj të FSK’së, Kurti zotohet për 1 miliard euro investime e fabrikë municionesh

    Sot diplomoi gjenerata 2026 e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke iu shtuar asaj 12 oficerë të rinj pas përgatitjes akademike për katër vjet.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij dha disa zotime. Ai tha se në katër vitet e ardhshme në ushtri do t’i investojë 1 miliard euro, fabrikë të municioneve dhe 1000 gra e vajza do të shërbejnë në radhët e ushtrisë.

    “Republikës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan 12 oficerë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses rrugëtimin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit. Sot është një ditë krenarie për shtetin, sepse në kazermën që mban emrin e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, diplomuan disa nga udhëheqësit e ardhshëm të ushtrisë sonë. Krahas investimeve mbi 460 milionë euro për blerje armatimi, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajtimet e mbi të gjitha kemi mbështetur shkollimin dhe edukimin e tyre. Për katër vjet, do të investojmë 1 miliard euro të tjera, do t’i kemi një mijë vajza e gra në ushtrinë tonë dhe do të kemi fabrikën e municioneve “Made in Kosova””, tha Kurti.

  • Arben Loshi kundërshton vendimin për përsëritje të konkursit për Sekretar të Kuvendit, i refuzohet ankesa nga KPMSHCK

    Arben Loshi kundërshton vendimin për përsëritje të konkursit për Sekretar të Kuvendit, i refuzohet ankesa nga KPMSHCK

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ka refuzuar ankesën e zyrtarit të Kuvendit, Arben Loshi, i cili ka kundërshtuar vendimin për ripërtëritjen e konkursit për Sekretar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

    Ky vendim për përsëritje të konkursit ishte marrë pasi dy kandidatët e kualifikuar për votim në Kryesi të Kuvendit, vetë Arben Loshi dhe Taulant Bajrami, nuk kishin marrë asnjëri shumicën e votave të Kryesisë së Kuvendit .

    Loshi në ankesën e tij kishte deklaruar se procedura e pranimit për pozitën e Sekretarit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari.

    “Ankuesi në ankesën e parashtruar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kundërshton Vendimin me Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke pretenduar se akti i kontestuar karakterizohet me mungesë të bazës ligjore për rihapje të konkursit, sepse, procedura e pranimit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari/mbikëqyrësi, e që në rastin konkret procedura për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pasi që e njëjta ka kaluar të gjitha fazat, kështu që, një procedurë mund të përfundoj vetëm sipas nenit 47 paragrafi 11 të LZP-së si lex specialis. Shton se rihapja e konkursit dhe mos përzgjedhja e një kandidati është në kundërshtim të plotë me LZP-në. Më tej, ankuesi pretendon se vendimi i kontestuar nuk përmban elementet e detyrueshme të aktit administrativ siç parashihet me nenin 47 të LPPA-së, pasi që akti nuk përbën arsyetim dhe as këshill juridik. Kërkon që të aprovohet ankesa, të anulohet vendimi i kontestuar dhe të obligohet Kryesia e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë procedurën duke përzgjedhur njërin nga kandidatët e propozuar”, thuhet në dokument.

    Derisa Kolegji ka argumentar se nuk është shkelur asnjë Ligj me vendimin për shpalljen e konkursit.

    “Referuar kuadrit ligjor si më sipër, dhe në kontekst të pretendimit ankimor se organizmi i një procedure të re të rekrutimit për pozitën respektive mund të bëhet vetëm në rastet siç përcaktohet me nenin 47 paragrafi 11 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, Kolegji konstaton se një procedurë e caktuar e pranimit mund të përfundojë në çdo fazë, duke filluar në fazën e verifikimit paraprak nëse asnjë nga kandidatët aplikues s’ka përmbushur kriteret formale për pozitën e shpallur, apo nëse testin me shkrim (faza e vlerësimit) nuk e kalon asnjë kandidat, rrethana këto që Mutatis mutandis aplikohen sikurse në rastin ku asnjë kandidat nuk arrin 70 pikë, si pikë të nevojshme për t’u konsideruar kandidat i suksesshëm, rrjedhimisht në çdo rast vie në shprehje instituti i përfundimit të procedurës pa kandidat fitues dhe mbi këtë bazë urdhërohet shpallja e re e konkursit”, thuhet në vendim.

    “Nisur nga kuadri ligjor si më sipër, e meqenëse se në rastin konkret nuk kemi të drejtë të fituar qoftë nga ankuesi apo kandidati tjetër, pasi që të njëjtit janë shpallur vetëm si kandidatë të suksesshëm, Kolegji arrin në përfundimin se mungesa e arsyetimit nuk e bënë aktin e kontestuar si të paligjshëm. Për më tepër, Vendimi Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është fakt që nuk përmban këshillë juridike, por, në mungesë të këtij elementi pala ankuese nuk humb të drejtën në mjet juridik, pasi që, një akt administrativ mund të kontestohet edhe në mungesë të këshillës juridike siç parashihet me nenin 127 paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, 3. Nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion, apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, është tre (3) muaj. E në rastin konkret ankuesi ka shfrytëzuara të drejtën e ankimimit të Vendimit Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.Përmbledhur si më lartë, Kolegji vlerëson se pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, ndërsa vendimi i goditur me ankesë gjegjësisht Vendimi me Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk vërtetohet të jetë i përshirë me shkelje ligjore, andaj, bazuar në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe në mbështetje të nenit 132, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, shton tutje vendimi.

  • Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

    Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se D.M., A.K., E.SH., dhe I.H., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa XH.K., dhe A.S., kanë kryer për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” .

    Siç thuhet në njoftim sipas aktakuzës, të pandehurit D.M., dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim apo çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare dhe gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Prokurim Publik, duke aprovuar realizimin e punimeve dhe lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

    “Ndërsa, të pandehurit E.SH. dhe I.H., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, lidhur me projektin për ndërtimin e rrugëve lokale “Hafir Gashi”, “25 Gushti” në fshatin Javor dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro, edhe pse ishin në dijeni se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim të pandehurit XH.K. dhe A.S., në cilësinë e personave përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik, ndërsa kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar në tërësi, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, si dënim plotësues, ka kërkuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të pandehurit”, thuhet në njoftim.

  • Sot nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival” në Prizren

    Sot nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival” në Prizren

    Prizreni nga sot do të jetë qendra e adhuruesve të muzikës rock dhe blues, pasi sonte nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival”, i cili do të zgjasë deri më 5 korrik dhe mbahet përballë Palestrës Sportive “Sezai Surroi”.

    Festivali sjell përgjatë tri netëve 15 bende dhe artistë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të performojnë në dy skena, “Main Stage” dhe “Sunset Stage”. Programi i çdo mbrëmjeje fillon në ora 18:30, ndërsa hyrja është falas për të gjithë dashamirët e muzikës.

    Mbrëmjen e parë, më 3 korrik, në Main Stage do të performojnë 3 Musketjerët, Attitude GNR Band dhe TNT, ndërsa në Sunset Stage publiku do të shijojë performancat e Rool dhe Zwada Band.

    Më 4 korrik, festivali vazhdon me Kolpa, Led Zeppelin 2 dhe BB Pool në skenën kryesore, si dhe Hawolf e Dolduzgin Band në “Sunset Stage”. Kjo datë përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

    Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 5 korrik, me performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Stars Band në “Main Stage”, ndërsa në “Sunset Stage” do të ngjiten Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori.

    Sipas organizatorëve, festivali synon të promovojë muzikën rock dhe blues, të mbështesë artistët dhe të krijojë një hapësirë të përbashkët për adhuruesit e këtyre zhanreve muzikore.

    Organizatorët ftojnë qytetarët dhe vizitorët që t’i bashkohen këtij festivali treditor, i cili edhe këtë vit premton atmosferë unike dhe performanca të nivelit të lartë.

  • Edi Rama: Nuk e lë në gjysmë misionin për ta futur Shqipërinë në BE

    Edi Rama: Nuk e lë në gjysmë misionin për ta futur Shqipërinë në BE

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se dorëheqja nuk është opsion të cilin e mendon.

    Rama në një prononcim për Deutsche Welle tha se është zgjedhur nga 860 mijë shqiptar të cilët i dhanë mandatin për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave me BE-në.

    Ai tha se ky mision historik nuk mund të lihet në gjysmë për asnjë arsye.

    “Unë kam ndarë me GP opinionet e mia dhe kam shprehur një ndjesi lidhur me faktin që unë jam zgjedhur dhe qëndroj në detyrë për të bërë gjërat jo për t’u tërhequr zvarrë dhe ndërkohë dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion për një arsye të thjeshtë sepse jam mandatuar bashkë me PS-në nga 860 mijë shqiptarë për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave me BE-në. Ky mision historik s’mund të lihet në mes për asnjë arsye”, ka deklaruar Rama për DW.

  • Jep dorëheqje kryeministri i Moldavisë

    Jep dorëheqje kryeministri i Moldavisë

    Kryeministri i Moldavisë, Alexandru Munteanu, ka dhënë dorëheqje në një njoftim të papritur që shkakton edhe dorëheqjen e qeverisë.

    Munteanu, i cili ka shërbyer si kryeministër që nga nëntori i vitit 2025, nuk dha asnjë shpjegim të plotë për vendimin e tij.

    “Sot, mandati im si kryeministër mbaron”, tha ai.

    “Në momentin që kuptova se nuk mund ta kryeja më mandatin tim në përputhje me parimet dhe bindjet e mia, zgjodha të jap dorëheqjen”, shtoi Munteanu.

    Ky veprim është një sfidë për presidenten Maia Sandu dhe Partinë e saj pro-evropiane të Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) në pushtet, e cila tani është në mandatin e saj të dytë radhazi.

    Sipas procedurës parlamentare të Moldavisë, Sandu do të zhvillojë konsultime me grupet parlamentare dhe më pas do të nominojë një kandidat për kryeministër.

    Munteanu, 62 vjeç, u emërua pas zgjedhjeve parlamentare në shtator 2025, në të cilat PAS mundi bindshëm një rival të anuar nga Rusia dhe fitoi një mandat të ri për të ndjekur rrugën e Moldavisë drejt Bashkimit Evropian.

    Përpara kësaj, ai punoi jashtë Moldavisë për rreth 20 vjet, përfshirë edhe për Bankën Botërore.

    “Do të vazhdoj t’i shërbej vendit tim nga çfarëdo pozicioni që mund të mbaj”, tha ai.

  • Sekuestrohen 4 AK-47 në një porosi të dërguar me agjenci turistike, një person ndalohet në Podujevë

    Sekuestrohen 4 AK-47 në një porosi të dërguar me agjenci turistike, një person ndalohet në Podujevë

    Policia pas pranimit të informatës më 25.06.2026 janë ndërmarrë veprime hetimore, ku më pas është kontrolluar një porosi e dërguar përmes një agjencioni turistik në të cilën janë gjetur dhe sekuestruar; 4 AK-47, 9 karikatorë, 262 fishekë dhe dy dritare plastike.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të enjten pas veprimeve policore janë shoqëruar dy persona.

    “ Me datën 25.06.2026 pas pranimit të informatave janë ndërmarrë veprime hetimore, ku më pas është kontrolluar një porosi e dërguar përmes një agjencioni turistik në të cilën janë gjetur dhe sekuestruar; 4 AK-47, 9 karikatorë, 262 fishekë dhe dy dritare plastike. Me datën 02.07.2026 pas veprimeve policore janë shoqëruar dy persona meshkuj kosovarë, për intervistim dhe procedura të mëtejme policore”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, lidhur me rastin me vendim të prokurorit kompetent është bastisur një shtëpi në të cilën janë gjetur dhe sekuestruar tri pjesë të AK-47 dhe kondak pushke prej druri.

    Me vendim të prokurorit njëri nga personat e shoqëruar në polici, pas intervistimit me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje.

  • Dogana ia gjen një qytetari 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit në Merdarë, ia ndal 25% të shumës

    Dogana ia gjen një qytetari 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit në Merdarë, ia ndal 25% të shumës

    Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të pikëkalimit kufitar Merdarë.

    Dogana tha se automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut. Gjatë intervistimit fillestar, zyrtari doganor e kishte pyetur udhëtarin nëse posedonte mallra ose mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit. Pas përgjigjes së dhënë, automjeti u referua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.

    “Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u zbuluan mjete monetare të padeklaruara në dy lokacione të ndryshme të automjetit. Një shumë prej 10,000 euro u gjet në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit. Në total, u evidentuan 23,500 euro mjete monetare”, njoftoi Dogana.

    Dogana tha se personi posedonte gjithashtu një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29.06.2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare, të datës 01.07.2026, të cilat shërbenin si dokumentacion mbi prejardhjen e mjeteve monetare.

    “Pas konstatimit të mosdeklarimit, rasti iu referua menjëherë oficerit kujdestar të Hetimeve Doganore për trajtim të mëtejmë. Në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon deklarimin e mjeteve monetare gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Kosovës, ndaj palës u aplikuan masat e parapara ligjore. Duke qenë se personi kishte dokumentuar burimin e ligjshëm të mjeteve monetare, u vendos ndalimi i 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit, në pajtim me procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi”.

    Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo person fizik që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës me mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë (ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme) ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.

    Mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë përbën kundërvajtje dhe sjell pasoja ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm ose konfiskimin e një pjese të mjeteve monetare, sipas legjislacionit në fuqi.

    “Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe forcimin e kontrolleve në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit financiar”.