ATV

Author: K.B.

  • Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Pas lajmit rreth vendimit të Gjyqit për ish udhëheqësit e UÇK-së, Ramiz Lladrovci ka deklaruar se “shtyrja e afatit të vendimit të gjyqit nga Maji e Korriku në Shtator për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, është argument se vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!”

    Postimi i Lladrovcit në fb:

    Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

    Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, i presim fitimtarë nga beteja e fundit për Republikën e Kosovës dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Betejat në frontin e luftës u fituan me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, bashkë me aleatët, fitoren diplomatike me mbi 120 njohje, i arritëm bashkë me aleatët, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e fituam të drejtën tonë për shtet, bashkë me drejtësinë ndërkombëtare, andaj edhe besimi ndaj aleatëve dhe drejtësisë ndërkombëtare ishte i pakufishëm.

    Retë e zeza mbi Kosovën, njëzet vjet pas çlirimit, i ranë barrë ti heq, Hashimi me shokë, në betejën e fundit për Republikën e Kosovës, për pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë në pajtim me normat ndërkombëtare.

    Fisnikëria, virtyti dhe guximi, janë veti të burrështetasve të cilët i krijojnë rrethanat për të ardhmen e popullit të vet dhe për këtë të ardhme, janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, edhe atëherë kur kërkohet sakrificë me vetëmohim. Jemi me fat se kemi liderë të tillë, heronj të luftës dhe paqes, i presim fitimtarë, i presim të lirë, në Kosovën e lirë, të lirë e krenar!

    Shtyrja e afatit të vendimit të gjyqit nga Maji e Korriku në Shtator për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, është argument se vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!

  • Rahovec, prindi i pakënaqur me rezultatet e fëmijës në shkollë dyshohet se e kanosi drejtoreshën e shkollës

    Rahovec, prindi i pakënaqur me rezultatet e fëmijës në shkollë dyshohet se e kanosi drejtoreshën e shkollës

    Dyshohet se një prind në Rahovec duke qenë i pakënaqur me rezultatin e fëmijës së tij në shkollë e ka kanosur përmes telefonit drejtoreshën e shkollës.

    Rasti dyshohet se ka ndodhur dje, më 01.07.2026.

    Vlera Krasniqi, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, kur është pyetur për këtë rast ka thënë për KALLXO se një grua më 01.07.2026 ka raportuar se një burrë e ka kanosur përmes telefonit.

    “Me ç’rast i dyshuari pas raportimit është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec ku edhe është intervistuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit ndaj tij është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt” – ka thënë Krasniqi.

    Edhe Prokuroria e Gjakovës e ka konfirmuar këtë rast, duke treguar se është iniciuar rast për veprën penale – kanosja.

    “Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Kurse, Muhamet Morina, drejtori i Arsimit në Rahovec, tha se është informuar se prindërit e kanë kërcënuar mësimdhënësin kujdestar të nxënësit përmes drejtoreshës së shkollës, pasi kanë menduar se ai ka ndikuar në rezultatet e fëmijës në shkollë.

    Morina ka shpjeguar se prindi i kishte thënë drejtoreshës “mos të më del përpara, mos ta shoh, se mund të ndodh problem”, për kujdestarin e klasës të fëmijës së tij.

    Drejtori Morina tha se është informuar nga drejtoresha e shkollës se prindërit fillimisht kishin shkuar tek Inspektorati i Arsimit në Gjakovë për të biseduar për rezultatin e fëmijës në shkollë dhe më pas kanë shkuar në shkollë.

    “Drejtoreshës së shkollës i është thënë: “Mësimdhënësin nuk është mirë ta takoj, sepse jam i pakënaqur, nuk është interesuar për [fëmijën tonë]”. Me një fjalë, një lloj kërcënimi përmes drejtoreshës, jo mësimdhënësit drejtpërdrejt. Sepse prindërit kanë menduar që kujdestari i klasës është personi kryesor i cili ka ndikuar në rezultatin e fëmijës tyre” – deklaroi Morina më 02.07.2026.

    Më pas Morina tha se drejtoresha e shkollës e ka njoftuar Policinë për këtë sjellje të prindërve.

    Kurse, të enjten, më 02.07.2026, drejtori Morina tha se prindërit e kanë takuar drejtoreshën e shkollës dhe e kanë pranuar se ishin ngutur me sjelljen që kanë treguar një ditë më parë.

    Në lidhje me këtë rast, mediumi është interesuar dhe e ka pyetur edhe Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë dhe është në pritje të përgjigjeve.

  • Mbështetja për Ballkanin: Kosova rrezikon të mbetet pa fondet e BE-së

    Mbështetja për Ballkanin: Kosova rrezikon të mbetet pa fondet e BE-së

    BE-ja do të ridrejtojë fondet për reformat në Ballkanin Perëndimor drejt vendeve kryesuese, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi vendet e tjera po përpiqen të përmbushin afatet e reformave.

    Komisioni Evropian është gati të rishpërndajë fondet në kuadër të mjetit të hartuar për të nxitur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor që të kryejnë reformat e kërkuara për anëtarësim në BE në favor të vendeve “kryesore”, thanë dy zyrtarë të BE-së për Euronews.

    Programi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor u krijua në vitin 2024 për t’u dhënë vendeve kandidate në rajon mbështetje financiare të lidhur me kushte të rrepta, kryesisht zbatimin e reformave të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun.

    Mjeti mbulon periudhën 2024-2027, me ambicien e dyfishimit të madhësisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme.

    Megjithatë, sipas të dhënave të vetë Komisionit, vetëm rreth 673 milionë euro janë lëshuar në kuadër të këtij fondi, nga 6 miliardë euro të disponueshme. Pothuajse i gjithë ky fond ka shkuar vetëm në tre nga gjashtë vendet kandidate.

    Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më të përparuarat në procesin e pranimit, falë axhendave të tyre të reformave të brendshme. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia, në të kundërt, konsiderohen përgjithësisht si të prapambetura.

    Instrumenti kërkon që reformat të përfundojnë brenda afateve të dakorduara — nëse nuk arrihet një i tillë, Komisioni mund të mbajë një pjesë ose të gjitha fondet që korrespondojnë me atë kusht.

    Përfituesit kanë një vit kohë për të përmbushur kushtet përpara se fondet të rialokohen, përveç vitit të parë kur afati zgjatet në dy vjet. Kjo do të thotë se fundi i qershorit ishte afati i parë i tillë.

    “Siç nënvizon rregullorja, aty ku hapat e reformës nuk janë përmbushur dhe kanë skaduar brenda periudhës së hirit, fondet përkatëse mund të rishpërndahen midis përfituesve të tjerë”, tha një zëdhënës i Komisionit për Euronews.

    “Lidhur me hapat që duheshin ndërmarrë më 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv për të gjithë përfituesit”, shtoi zëdhënësi.

    Me fjalë të tjera, Komisioni është i vendosur të rishpërndajë paratë e pashpenzuara te vendet që gjykohen se po bëjnë përparimin më të madh në reforma. Këto janë Mali i Zi dhe Shqipëria, të ashtuquajturit kryesues, dhe Maqedonia e Veriut, e cila gjithashtu ka një historik të mirë reformash.

    Humbësi më i madh pritet të jetë Bosnja dhe Hercegovina, e cila deri më tani nuk ka marrë asnjë financim nga ky program, pasi ka dështuar të zbatojë asnjë nga reformat e kërkuara – kryesisht për shkak të strukturës së saj komplekse institucionale. Kosova dhe Serbia gjithashtu pritet të jenë në disavantazh, edhe pse ato tashmë kanë marrë disa disbursime.

    Kjo situatë u certifikua që në prill, kur Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos u shkroi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i nxitur ato të përshpejtonin reformat ose rrezikonin të humbisnin paratë e ofruara në kuadër të instrumentit.

    Zyrtarët e BE-së theksojnë se ky instrument ofron fonde nxitëse: Komisioni nuk po heq para, thonë ata, pasi vendet nuk kanë pasur kurrë të drejtë për to, përveç nëse kanë zbatuar reformat në fjalë.

    «Është si të punosh me orë», tha një zyrtar i BE-së, duke kërkuar të mbetej anonim për të folur hapur. «Paguhesh vetëm për punën që bën në të vërtetë».

    Komisioni pritet t’u japë shteteve anëtare më shumë detaje mbi këtë çështje më vonë këtë muaj, duke përfshirë edhe sasinë e fondeve që do të rialokohen.

    Mundësi të tjera të mundshme përfshijnë ndarjen e parave shtesë në mënyrë të barabartë midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për asistencë teknike, transferimin e parave në vende të tjera kandidate jashtë rajonit, ose edhe transferimin e parave përsëri në buxhetin e BE-së.

    “Reformat duhet të mbeten një përparësi për përfituesit, në mënyrë që ata të përfitojnë sa më shumë nga ajo që ofron Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi i Komisionit.

  • Dajë e nip të plagosur në Podujevë, Prokuroria me detaje të reja

    Dajë e nip të plagosur në Podujevë, Prokuroria me detaje të reja

    Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje të armatosur që ka ndodhur të enjten rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, sipas të dhënave fillestare të hetimit, në ngjarje janë përfshirë tre persona, ndërsa nga të shtënat me armë zjarri lëndime trupore kanë pësuar tre të përfshirët, si dhe një kalimtar i rastit.

    Sipas Prokurorisë, dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare, përkatësisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i konfliktit lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.

    Menjëherë pas marrjes së informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me njësitet policore, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

    Prokuroria ka njoftuar se personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

  • Detaje të reja nga QKUK, Syla: Njëri nga të plagosurit po i nënshtrohet operimit, tre të tjerët po ekzaminohen në Emergjencë

    Detaje të reja nga QKUK, Syla: Njëri nga të plagosurit po i nënshtrohet operimit, tre të tjerët po ekzaminohen në Emergjencë

    Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, dha detaje shtesë për gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga të shtënat që ndodhën sot në Podujevë.

    Ai tha se gjendja e të gjithëve është stabile, por e rëndë.

    “Në Qendrën Emergjente janë sjellë katër pacientë me lëndime të rënda me armë zjarri. Disa prej tyre i kanë përfunduar ekzaminimet e nevojshme që janë emergjente. Gjendja e tyre është stabile, por është e rëndë. Njëri prej tyre u dërgua në sallën operative kurse tre të tjerë janë duke u ekzaminuar dhe trajtuar në Qendrën Emergjente”, tha ai para gazetarëve.

    Syla shtoi se mosha e të katërve është mesatare.

  • Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës: Polici civil parandaloi plagosje të tjera në Podujevë, 3 të përfshirët kanë lidhje familjare

    Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës: Polici civil parandaloi plagosje të tjera në Podujevë, 3 të përfshirët kanë lidhje familjare

    Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës ka dhënë detaje për ngjarjen e sotme që ka ndodhur në Podujevë e ku janë plagosur katër persona.

    Tre prej tyre janë të përfshirë në ngjarje dhe një kalimtar rasti.

    “Sot rreth orës 14:00 në Podujevë ëhtë marrë informacioni për të shtëna me armë zjarri në shesh.Janë plagosur katër persona, 3 që kanë qenë të përfshirë dhe një kalimtar i rastit fatkeqësisht, por që ka lëndime të lehta”, ka thënë Shabani, raporton Express.

    Ai ka thënë se ende s’dihet motivi.

    “Për motivin s’dihet ende sigurt, sepse jemi ende në fazë të hershme”, ka shtuar ai.

    “në bazë të incizimeve që kemi nxjerr, tre persona janë lënduar me armë zjarri dh epo lëndohen në QKUK”, ka treguar Shabani.

    Ai ka konfirmuar se personat e plagosur kanë lidhje familjare mes veti dhe ka thënë se motivi mund të rrjedh nga kjo por ende s’dihet saktësisht.

    “Po kanë lidhje familjare dhe kjo mund të jetë motivi, por ende s’mund të themi saktësisht asgjë”, ka shtuar ai.

    Ai ka folur edhe për zyrtarin policor i cili ka qëne më rroba civile, duke thënë se falë ndërhyrjes së tij është parandaluar edhe ndonjë lëndim apo plagosje tjetër.

    “Zyrtari policor ka qenë me rroba civile, është polic i Podujevës, ka intervenu dhe fatmirsësisht ka ndiku që të prandalohet ndonjë lëndim apo plagosje tjetër”, ka thënë Shabani

  • 4 të plagosur në Podujevë, Prokurori: Dyshohet për konflikt mes familjarëve

    4 të plagosur në Podujevë, Prokurori: Dyshohet për konflikt mes familjarëve

    Prokurori kujdestar, Menduhi Kastrati është nisur në vendin e ngjarjes pas plagosjes së trefishtë në Podujevë.

    Kastrati tha se nuk kanë informata për të vrarë, por se janë plagosur tre persona dhe se dyshohet që rasti ndodhi mes familjarëve.

    “Për persona të lënduar kemi informata që janë duke u dërgu në QKUK, mirëpo për të vrarë nuk kemi informata. Jemi duke shku në vend të ngjarjes. Informatat janë se dyshohet se janë familjarë- kanë lidhje familjare, por detaje nuk kam as unë. Motivet ende nuk dihen, policia janë të angazhuar”, tha prokurori për BetimipërDrejtësi.

  • Katër të plagosur nga të shtënat në Podujevë, QKUK: Gjendja e tyre është e rëndë, por stabile

    Katër të plagosur nga të shtënat në Podujevë, QKUK: Gjendja e tyre është e rëndë, por stabile

    Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën në Podujevë.

    Për gjendjen e tyre ka folur për tëvë1.info drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, i cili bëri të ditur se të gjithë të plagosurit janë të moshës së mesme dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Sipas Sylës, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë, por stabile, ndërsa ekipet mjekësore janë duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

    “Katër të plagosur janë pranuar në Klinikën Emergjente. Janë të moshës së mesme dhe po kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Për të katërtit gjendja është e rëndë, por stabile, megjithëse kanë plagë nga armë zjarri”, deklaroi Syla.

    Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Azemi, LDK: Lajmet e rreme për vdekjen e Avdullah Hotit shqetësuan familjen e bashkëpunëtorët, autorët të vihen para drejtësisë

    Azemi, LDK: Lajmet e rreme për vdekjen e Avdullah Hotit shqetësuan familjen e bashkëpunëtorët, autorët të vihen para drejtësisë

    Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, Visar Azemi tha se LDK-ja e dënon “fuqishëm” një lajm të rremë për vdekjen e ish-kryeministrit Avdullah Hoti.

    Azemi tha se ky lajm i rremë e ka shqetësuar jo vetëm familjen dhe bashkëpunëtorët e Hotit.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm këtë lajm të rremë që është dashakeq dhe e ka shqetësuar gjithë opinionin publik të Republikës së Kosovës, e ka shqetësuar familjen e zotit Hoti, ka shqetësuar bashkëpunëtorët e zotit Hoti në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prandaj e dënojmë këtë akt, duke pasur parasysh se zoti Hoti është figurë kyçe në LDK, figurë nacionale si një ish-kryeministër”, tha ai për rtv21.

    Azemi tha se “uk duhet të bëjmë kësi gafa dhe të atakojmë figura dhe personalitete të tilla si zoti Hoti”.

    Ai kërkoi që organet e drejtësisë “ta hetojnë këtë rast dhe t’i gjejnë ata të cilët e kanë bërë këtë dezinformatë dhe të vihen para drejtësisë”.

  • Tre persona të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Podujevë

    Tre persona të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Podujevë

    Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pak minuta më parë në Podujevë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana i cili ka bërë të ditur se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor.

    Pllana ka bërë të ditur se njësitë policore po vijojnë me ndërrmarjen e veprimeve operative-hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.

    “Rreth orës 13:30, është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në Podujevë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se tre persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht, njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo- hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë ai./teve1.info/