ATV

Author: K.B.

  • OVL dënon arrestimin e Osman Selmanit nga autoritetet serbe: Lidhja e tij me UÇK’në është e pabazë, nuk figuron si veteran

    OVL dënon arrestimin e Osman Selmanit nga autoritetet serbe: Lidhja e tij me UÇK’në është e pabazë, nuk figuron si veteran

    OVL – UÇK, ka reaguar lidhur me arrestimin e Osman Selmanit nga autoritet serbe, të cilit, Gjykata e Lartë në Serbi ia ka caktuar 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës.

    OVL – UÇK, e ka dënuar arrestimin e Selamnit, dhe ka hedhur poshtë çdo përpjekje për ta lidhur këtë rast me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa bazë faktike apo ligjore.

    ‘’ Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së. Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër’’, thuhet mes tjerash në reagimin e OVL’së.

    Postimi:

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon arrestimin e qytetarit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe dhe hedh poshtë çdo përpjekje për ta lidhur këtë rast me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa bazë faktike apo ligjore.

    Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së.

    Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër.

    Kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë. Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore, dhe Republika e Kosovës ka edhe detyrimin për ta ofruar atë.

  • Rizvanolli: Projekti i gazit nuk është çështje e kësaj dekade

    Rizvanolli: Projekti i gazit nuk është çështje e kësaj dekade

    Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë ka folur edhe për projektin e gazit amerikan, atë të anuluar në vitin 2021 dhe këtë që po diskutohet tani.

    Sipas saj, në vitin 2021 Qeveria e Kosovës zgjodhi projektin e baterive për shkak se ishte më i lehtë dhe më i shpejtë për t’u implementuar, ndërsa për vonesat e mosrealizimit të këtij projekti ka thënë se janë bërë për shkak të ndryshimeve që ishin bërë në fillim të administratës Trump.

    Ndërsa sa u përket diskutimeve aktuale për projektin e ri të gazit amerikan, ka thënë se kjo çështje nuk është e kësaj dekade dhe është projekt që realizohet prej vitit 2030 e tutje.
    Tutje ajo ka thënë se ata që propozojnë central me gaz duhet të jenë të sinqertë dhe të tregojnë edhe për parametrat financiarë dhe sa jemi të gatshëm të paguajmë.

    “Janë tri çështje kyçe për projektin e vitit 2021 që qytetarët duhet t’i dinë. Në atë kohë nuk është folur për gazin amerikan. Në atë kohë ka qenë e paspecifikuar se nga do të merrej gazi. Projekti i parafizibilitetit ka ofruar kyçjen në TAP që vjen nga Azerbajxhani përmes Turqisë në Greqi e më tutje në Maqedoni. Fraza se është refuzuar gazi amerikan ka qenë e pasaktë, sepse nuk është ditur kah do të vijë. E dyta, është krijuar përshtypja se SHBA me grante do të na ndërtonin gazsjellësin dhe ne nuk e kemi dashur. Në fakt, pjesa më e madhe e tij nuk ka qenë e planifikuar të ndërtohet me grant të MCC-së. 83 prej 104 milionë dollarëve kanë qenë të planifikuara t’i investojë Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kredisë me BERZH-in. Një linjë do të ndërtohej për SHARRCEM-in, një për Ferronikelin, dikur rreth 20 milionë eurove të taksapaguesve amerikanë, ndërsa vetë Ferronikeli është deklaruar se nuk e dëshiron. Pra ka pasur të bëjë me çështjet financiare e jo çështje tjera”, ka thënë Rizvanolli në T7.

    Ministrja ka treguar se kusht i MCC-së ka qenë mbyllja e Kosovës A, sepse projekti i gazit nga Shkupi, për të qenë fizibil, ka qenë me pas një central me 250 megavat-orë energji elektrike e që punon gjashtë muaj të vitit.

    “Projekti i gazit nuk bëhet në këtë dekadë se është i pamundur me u realizu, gazsjellësin dhe krejt infrastrukturën përcjellëse, edhe nëse ishte nis atëherë, edhe nëse niset sot, nuk ishin kry. Kushti për me mbyllë Kosovën A dhe me importu gaz për neve ka qenë që nuk kemi mujt ta marrim”, ka thënë Rizvanolli.

  • MINT e vazhdon edhe për 30 ditë masën për rregullimin e çmimit të naftës: Është për mbrojtjen e konsumatorëve

    MINT e vazhdon edhe për 30 ditë masën për rregullimin e çmimit të naftës: Është për mbrojtjen e konsumatorëve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim për të vazhduar masën e përkohshme të çmimeve të derivateve të naftës.

    Vazhdimi do të bëhet edhe për 30 ditë, e cila bëhet siç thotë ministria, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të çmimeve të arsyeshme në treg.

    ‘’ Vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, nga të cilat rezulton se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Po ashtu, analizat kanë treguar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose ndodhin me vonesë’’, thuhet në njoftim mes tjerash.

    Postimi:

    Për mbrojtjen e konsumatorëve, MINTI e vazhdon masën e përkohshme të çmimeve të derivateve të naftës

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë rregullimin e përkohshëm të çmimeve maksimale të produkteve të naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të çmimeve të arsyeshme në treg.

    Vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, nga të cilat rezulton se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Po ashtu, analizat kanë treguar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose ndodhin me vonesë.

    Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.

    MINTI u bën thirrje të gjitha subjekteve që merren me tregtimin e produkteve të naftës të respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut.

    Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

    Ministria thekson se kjo masë ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe garantimin e funksionimit normal e transparent të tregut të derivateve të naftës.

    Subjektet që nuk e respektojnë vendimin do t’u nënshtrohen masave ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Gjykata serbe ia cakton 30 ditë paraburgim Osman Selmanit

    Gjykata serbe ia cakton 30 ditë paraburgim Osman Selmanit

    Gjykata e Lartë në Serbi ia ka caktuar 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i arrestuar më 1 korrik nga policia e Serbisë.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Selmani u arrestua në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, nën dyshime për krime lufte.

    “Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e MPB-së të Serbisë.

    Familja e Osman Selmanit i ka cilësuar si të pabazuara dhe të pavërteta akuzat e Prokurorisë së Serbisë.

    “Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.

  • Mishetiq kritikon Avokatin e Popullit të Speciales: Në 6 vjet s’ke kontaktuar mbrojtjen e Thaçit

    Mishetiq kritikon Avokatin e Popullit të Speciales: Në 6 vjet s’ke kontaktuar mbrojtjen e Thaçit

    Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka reaguar ndaj deklaratave të Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, i cili në një video të publikuar sot foli për rolin e tij në mbikëqyrjen e kushteve të paraburgimit.

    Në video, Spera tha se gjatë ushtrimit të mandatit të tij u ka ofruar të paraburgosurve mundësinë e takimeve private dhe konfidenciale, duke përmend se disa prej tyre kanë pranuar të takohen me të, ndërsa të tjerë jo.

    Pas kësaj deklarate, Mishetiq ka reaguar përmes rrjetit social “X”, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është ushtruar ky mandat.

    Sipas tij, ndonëse Spera e përshkruan veten si një autoritet të pavarur për monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të të akuzuarve, ai nuk ka kontaktuar asnjëherë ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit gjatë gjashtë viteve të fundit.

    Mishetiq ka bërë edhe një krahasim me Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, për të cilin tha se ka qenë vazhdimisht në komunikim me mbrojtjen në kuadër të aktiviteteve të tij monitoruese.

    “Ndërsa Avokati i Popullit i DHSK-së thotë se mandati i tij është të ‘monitorojë, mbrojë dhe të mbrojë në mënyrë të pavarur’ të drejtat themelore të të akuzuarve, ai nuk i ka kontaktuar avokatët e Hashim Thaçit as edhe një herë në gjashtë vjet. Në të kundërt, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka kontaktuar në mënyrë aktive si pjesë e përpjekjeve të tij të monitorimit”, ka shkruar Mishetiq në “X”.

  • Alarm në anijen turistike amerikane, mbi 100 pasagjerë sëmuren nga norovirusi

    Alarm në anijen turistike amerikane, mbi 100 pasagjerë sëmuren nga norovirusi

    Mbi 100 pasagjerë dhe 23 anëtarë të ekuipazhit në anijen turistike Ruby Princess, në pronësi të kompanisë Princess Cruises, janë prekur nga një shpërthim i dyshuar i norovirusit, njoftoi Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

    Sipas autoriteteve amerikane, kjo është hera e tretë gjatë këtij viti që në anijet e kësaj kompanie raportohet një shpërthim i tillë, raporton The Guardian.

    Anija u nis më 12 qershor nga San Francisko drejt Alaskës dhe Kanadasë, ndërsa udhëtimi përfundoi më 2 korrik.

    Në bord ndodheshin 3.032 pasagjerë dhe 1.144 anëtarë të ekuipazhit. CDC u njoftua për situatën pasi numri i të prekurve kaloi pragun prej 3 për qind të pasagjerëve.

    Pas kthimit në San Francisko, anija iu nënshtrua një procesi të plotë dezinfektimi, ndërsa personat e infektuar u izoluan për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

    Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton kryesisht të vjella dhe diarre.

    Ai përhapet përmes kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara ose me grimca të feçeve dhe të vjellave, ndaj autoritetet shëndetësore rekomandojnë larjen e shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun si masën më efektive mbrojtëse.

    Sipas CDC-së, anijet turistike mbeten ndër mjediset me rrezikun më të lartë për përhapjen e infeksioneve për shkak të numrit të madh të njerëzve që ndajnë hapësira të përbashkëta.

    Gjatë këtij viti janë regjistruar edhe gjashtë shpërthime të tjera të norovirusit në anije turistike.

  • Posta e Kosovës lanson pullën postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

    Posta e Kosovës lanson pullën postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

    Posta e Kosovës organizoi sot ceremoninë e lansimit të emisionit të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonia u mbajt në objektin qendror të Postës së Kosovës në Prishtinë, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë të ftuar.

    Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, theksoi se një pullë postare është shumë më tepër se një element filatelik.

    “Për Postën një pullë postare nuk është vetëm një element filatelik, ajo është histori në miniaturë. Është një mesazh që udhëton në kohë, lidh njerëz, popuj dhe ruan ngjarjet e vlerat që meritojnë të kujtohen brez pas brezi. Pullat postare mbahen si nga format më autentike të ruajtjes së kujtesës historike dhe promovimit të identitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare. Edhe në një kohë të transformimeve të mëdha teknologjike, Posta e Kosovës vazhdon të ruajë me krenari traditën filatelike dhe njëkohësisht të ofrojë shërbim universal postar të qasshëm për çdo qytetar të vendit tonë. Ky është misioni ynë, të mbetemi urë komunikimi, besimi dhe lidhje njerëzore”, tha Nora Rraci.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi pullën postare si një simbol të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ai theksoi se, përtej shënimit të jubileut të rëndësishëm amerikan, kjo pullë përfaqëson afirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe vlerësimin për mbështetjen vendimtare që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në proceset shtetndërtuese, konsolidimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.

    “Mirëpo edhe përtej kësaj date të rëndësishme, kjo pullë shërben për një afirmim simbolik të partneritetit të fortë dhe raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset tona shtetndërtuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike, dhe kjo përkrahje vazhdon të luajë një rol jetik në sigurinë dhe në zhvillimin e vendit tonë. Të nderuar të pranishëm, kur pasardhësit tanë ta festojnë me 4 korrik 2076 përvjetorin e 300-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne mbase nuk do të jemi, e mbase edhe pullat postare s’do të jenë. Por një gjë është e sigurt, aleanca jonë, partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të jetojë, po aq i fortë dhe i qëndrueshëm sikurse që është edhe sot”, theksoi Albin Kurti.

    Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, zëvendësshefja e misionit, Anu Prattipati, falënderoi Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e cilësuar atë një nder për popullin amerikan.

    “Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do e shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri. Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”, tha Prattipati.

    Kjo ceremoni u mbajt në kuadër të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Hapet Shkolla e Fluturimit, Rama: Trajnim për pilotët e NATO-s dhe Kosovës

    Hapet Shkolla e Fluturimit, Rama: Trajnim për pilotët e NATO-s dhe Kosovës

    Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Rama tha se projekti u prit me humor dhe përqeshje, e më pas vazhdoi me akuza për falimentim, por ja ku jemi sot Shkolla Kombëtare e Fluturimit çel dyert e saj”.

    Kreu i qeverisë falënderoi partnerët e Elbit Systems, një prej ekselencave globale të industrisë ushtarake, duke theksuar se “ata besuan dhe na u bashkuan në këtë projekt ambicioz, duke na vënë në dispozicion dijen e tyre të spikatur, që e bën Elbit Systems një prej kompetencave më absolute në botën e sotme të zhvillimeve të teknologjisë ushtarake”.

    Kryeministri Rama vuri në dukje se “vetëm një dekadë më parë Forcat e Armatosura ishin lënë në mëshirë të fatit, ndërsa personeli përballej me vështirësi të shumta. Historitë e korrupsionit për të zënë një vend në ndonjë mision paqeruajtës jashtë shtetit ishin barcaleta të dhimbshme”.

    “Sot Forcat e Armatosura janë më të mirëpaguarat në rajon dhe se objektivi i qeverisë është që, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030″ dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, pagat e tyre të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s”, tha Rama.

    Kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu rritjen e interesit të të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.

    “E kemi nisur këtë përpjekje me një vështirësi të jashtëzakonshme për të afruar të rinjtë, por sot është gjithnjë e më e vështirë të zgjedhësh mes shumë kandidaturave që vijnë. Kjo Shkollë Kombëtare e Fluturimit është një tjetër shembull. Shkolla ka zgjuar interes të konsiderueshëm dhe do të jetë e hapur jo vetëm për stërvitjen dhe certifikimin e pilotëve shqiptarë, por edhe të pilotëve të rinj nga vendet e NATO-s në rajon. Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish, ndërkohë që Shkolla Kombëtare e Fluturimit është e hapur për të stërvitur dhe për të certifikuar pilotët e rinj të vendeve të NATO-s në rajonin tonë dhe, pa diskutim, duke filluar nga Kosova”, tha Rama.

    “Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës nëse ka interes për të stërvitur këtu për të certifikuar edhe pilotët e ardhshëm të Kosovës he po ashtu të njëjtën gjë edhe për dy vendet e tjera fqinje që janë edhe anëtare të NATO-s pasi kjo shkollë gëzon qysh nga momenti i parë kredibilitetin e padiskutueshëm të ekspertëve ndërkombëtarë të Elbit Systems edhe eksperiencën e njerëzve tanë të Forcës Ajrore, të cilët besoj se Komandanti i FA ma pranon ta them kanë rifilluar të buzëqeshin”, nënvizoi Rama.

    Sot, shtoi Rama, ne kemi një flotë ajrore tërësisht të gatshme ndërkohë që na u desh të kalonim në kalvare të paimagjinueshme historirash me mirëmbajtje, bllokime, ngecje, me lloj-lloj çudirash dhe tanimë jemi plotësisht gati edhe për të përballuar sfidën e përvitshme të sezonit të nxehtë ku beteja me zjarret është e pashmangshme./ATSH

  • Gjobitet me 200 euro një person në Prishtinë për hedhje mbeturinash

    Gjobitet me 200 euro një person në Prishtinë për hedhje mbeturinash

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës ka shqiptuar një gjobë prej 200 euro ndaj një personi i cili është kapur duke hedhur mbeturina në hapësirë publike.

    Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në Facebook.

    “Ndotja e qytetit nuk është vetëm papërgjegjësi, por edhe shkelje që ndëshkohet. Kryeqyteti do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe me zbatimin e masave ndaj të gjithë atyre që dëmtojnë hapësirat publike. Ta mbajmë qytetin të pastër, është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftim.

  • Në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes së Call Centerave, arrestohet në Dhërmi Granit Pepnika

    Në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes së Call Centerave, arrestohet në Dhërmi Granit Pepnika

    Është arrestuar në Dhërmi Granit Pepnika. Pepnika ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes së bujshme të Call Centerave, pasi dyshohet se ka mashtruar qindra qytetarë me dëmin financiar 50 milion euro.

    Pepnika është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për këtë vepër penale. Të njëjtat burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se Granit Pepnika është arrestuar sapo ka dal nga vila e tij në Drimadhes. Në rrugë operative policia e Vlorës ka patur informacion mbi vendndodhjen e tij dhe e ka mbajtur në vëzhgim.

    Në momentin kur po dilte për të shkuar për të pushuar e kanë arrestuar. Operacioni është finalizuar nga Operacionalja e Policisë së Vlorës. Granit Pepnika nuk ka patur kohë të reagojë dhe nuk ka bërë rezistencë.

    Operacioni është në zhvillim e sipër pasi janë evidentuar dhe disa sende të tjera të kundra ligjshme të cilat do të jenë pjesë e hetimit.

    Sipas dosjes hetimore, skema funksiononte përmes call centerave të organizuar në mënyrë profesionale, ku operatorët komunikonin në gjermanisht, italisht dhe anglisht me qytetarë europianë.

    Ata prezantoheshin si këshilltarë financiarë apo përfaqësues platformash investimi dhe u premtonin personave fitime të mëdha nga investimet në bursë, kriptovaluta apo tregje financiare.