ATV

Author: K.B.

  • Qeverisje për çdo lagje e fshat, kandidatët e VETËVENDOSJE zotohen për transformimin e komunave

    Qeverisje për çdo lagje e fshat, kandidatët e VETËVENDOSJE zotohen për transformimin e komunave

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku në ditën e fundit të fushatën premtoi zgjidhje konkrete për krijimin e lagjeve funksionale me çerdhe, parqe dhe shërbime të afërta me qytetarët, duke theksuar se “Prishtina që duam ndërtohet bashkë, me zërin e çdo lagjeje në qendër të planifikimit”.

    Në Drenas, kandidatja Egzona Terdevci u shpreh se qytetarët kanë përballë dy modele të njëjta nga kundërkandidatët, të cilët bëjnë fushatë me figura të njohura publike, ndërsa ajo ofron një alternativë konkrete për mirëqeverisje bashkë me një ekip profesionistësh.

    Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe i bëri thirrje për të realizuar ndryshimin përmes votës, duke theksuar se ka ardhur koha për veprim.

    Në Kamenicë, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Kadri Rahimaj, ndërlidhi entuziazmin për fitoren e ekipit lokal të futbollit duke e mbyllur me një thirrje për fitore në të gjitha frontet.

    Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi theksoi se e diela është më shumë se një ditë votimi – është dita e vendimit për të ardhmen.

    Në Podujevë, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi në prani të liderit të parties Vetëvendosje falënderoi banorët për mbështetjen premtoi vazhdim të projekteve dhe angazhimit për komunën.

    Në Prizren, kandidati Artan Abrashi prezantoi planin e tij për transformimin e qytetit dhe tha se qyteti ka nevojë për punë të përditshme dhe jo për propagandë.

    Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu përmendi përurimin e rrugës Vojnoc-Tërrn si një prej projekteve të realizuara me efikasitet dhe premtimin për vazhdim të transformimit të komunës.

    Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës dhe i ftoi të dalin masivisht në votime, duke theksuar se çdo votë ka peshë dhe se qeverisja e mirë do t’i rikthehet qytetarëve.

  • PDK mbyll fushatën me zotime për zhvillim ekonomik, mbështetje për të rinjtë dhe gratë

    PDK mbyll fushatën me zotime për zhvillim ekonomik, mbështetje për të rinjtë dhe gratë

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për “ndryshimin që i duhet Prishtinës”, duke premtuar projekte konkrete për çdo lagje dhe fshat, ndërsa ka bërë thirrje për unitet dhe bashkëpunim.

    Në Deçan, Jetmir Prekalla ka përmbyllur fushatën duke thënë se nuk ka premtuar mrekulli, por guxim dhe punë të ndershme për një qeverisje pa abuzim.

    Kandidati i PDK-së në Gjakovë, Ervin Shabani, ka falënderuar qytetarët për përkrahjen gjatë fushatës, ndërsa ka kërkuar që besimi i tyre të kurorëzohet me votë për partinë dhe vizionin e tij për qytetin.

    Në Gjilan, Riad Rashiti ka vlerësuar përkrahjen e qytetarëve duke përmendur edhe mbështetjen që po gëzon nga figura të rëndësishme të PDK-së.

    Në Dragash, Shaban Shabani ka ftuar qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të votojnë me përgjegjësi, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje.

    Në ditën e fundit të fushatë, kandidati Arian Tahiri për Mitrovicë ka prezantuar shtyllën e shtatë të programit të tij për kulturën dhe sportin.

    Kurse Shukri Buja kandidat për Lipjan, ka premtuar fuqizimin ekonomik të grave përmes Fondit të Ndërmarrësisë.

    Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj ka premtuar vazhdim të punëve të nisura dhe projekte të reja që do të fillojnë menjëherë pas zgjedhjeve, duke ftuar qytetarët të mbështesin punën përtej ndasive partiake.

    Në Viti, kandidati Bekim Azizi ka premtuar subvencione të dyfishuara dhe heqje të participimit për fermerët.

    Në Vushtrri, Ferit Idrizi është zotuar për mbështetje të vazhdueshme për sipërmarrësit si kontribues të zhvillimit ekonomik të qytetit.

  • Kandidatët e PSD-së përmbyllin fushatën duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshim më 12 tetor

    Kandidatët e PSD-së përmbyllin fushatën duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshim më 12 tetor

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidatja për kryetare të Prishtinës nga radhët e partisë socialdemokrate, Besa Shahini falënderoi qytetarët për mikpritjen dhe bisedat gjatë fushatës, duke thënë se kostoja e lartë e jetesës ishte shqetësimi kryesor që ajo e ka adresuar në programin e saj.

    Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime të dielën dhe për ta votuar atë në garën për kryetare komune, qytetarët duhet të shënojnë numrin 149

    Në Kamenicë, kandidati për kryetar komune, Qëndron Kastrati ditën e fundit të fushatës e nisi me të rinjtë, të cilët i quajti zemra dhe shtytësi i çdo ndryshimi.

    Kastrati gjatë takimit me hoxhën Ferid Dërmaku, kryetar i Bashkësisë Islame në Kamenicë, tha se çështje si prona komunale në shfrytëzim të Bashkësisë Islame, shpenzimet e varrimit dhe mirëmbajtja e varrezave janë lehtësisht të zgjidhshme nëse adresohen me seriozitet.

    Ndërkohë në Deçan, kandidatja e PSD-së Natyra Kuçi përmbylli fushatën duke bërë thirrje për mbështetje të numrit 149 dhe për një qeverisje të re, që nuk ndërtohet mbi lidhje familjare por mbi nevojat dhe zërin e qytetarëve.

  • Kandidatët e Nismës Socialdemokrate premtojnë zhvillim dhe përmirësim në ditën e fundit të fushatës zgjedhore

    Kandidatët e Nismës Socialdemokrate premtojnë zhvillim dhe përmirësim në ditën e fundit të fushatës zgjedhore

    Kandidatja për kryetare të Vushtrrisë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku falënderoi qytetarët për përkrahjen gjatë fushatës.

    Ajo ftoi qytetarët të votojnë për të duke premtuar një ndryshim në drejtimin e komunës, me shpresën për një qeverisje më dinjitoze dhe më efikase.

    Në Obiliq, kandidati për kryetar Shefki Salihu dhe ekipi i Nismës në ditën e fundit të fushatës u zotuan se zëri i tyre do të jetë vendimtar në Kuvendin Komunal, duke premtuar veprime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm për komunën.

    Në Podujevë, kandidati Xhemajl Hasani dhe ekipi i tij u shprehën optimist dhe të motivuar për një fitore të sigurtë që do të sjellë përmirësime për qytetin dhe komunitetin.

    Në Malishevë, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri, Ekrem Kastrati, falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe premtoi të vazhdojë punën e suksesshme që ka nisur gjatë mandatit të tij, duke thënë se bashkë do të ecin përpara me zhvillim e përmirësim të kushteve të jetesës.

  • GUXO mbyll fushatën me zotime për zhvillim në komunat ku garojnë

    GUXO mbyll fushatën me zotime për zhvillim në komunat ku garojnë

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidati i partisë GUXO për kryetar të Malishevës, Valon Krasniqi, zgjodhi të mbyllë fushatën në Drenoc, duke thënë se kjo zone ka qenë e neglizhuar për vite me radhë nga pushtetet lokale.

    Ai premtoi se me ardhjen e tij në krye të komunës, Drenoci nuk do të jetë më “fshati i harruar”, por do të kthehet në një shembull të zhvillimit dhe përkujdesjes institucionale.

    Ai gjithashtu ka denoncuar një tentativë për të korruptuar kandidatin e GUXO-s, Zenel Begaj, duke akuzuar përfaqësues të Nismës Socialdemokrate për përpjekje të blerjes politike vetëm pak orë para ditës së zgjedhjeve.

    Ndërkohë, në Lipjan, kandidati Ardian Bytyqi ka mbyllur duke theksuar me bindje se “ndryshimi po ndodh” dhe se “ndryshimi po vjen”, duke e konsideruar ditën e zgjedhjeve si sondazhin më të mirë dhe më të saktë.

  • AAK mbyll fushatën me zotime për zhvillim dhe përkrahje për qytetarët në të gjitha komunat ku garon

    AAK mbyll fushatën me zotime për zhvillim dhe përkrahje për qytetarët në të gjitha komunat ku garon

    Kandidati për kryetar të komunës së Pejës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha kërkoi besimin për një ndryshim të shumëpritur dhe prezantoi ndër të tjera planin për trajtimin e qenve endacakë përmes strehimoreve dhe mundësive për adoptim.

    Në Deçan, Bashkim Ramosaj, aktualisht kryetar dhe kandidat për një mandat të ri, falënderoi veçanërisht bashkatdhetarët nga diaspora për mbështetjen, duke u zotuar se nuk do t’i zhgënjejë dhe se së bashku do të vazhdojnë ta bëjnë Deçanin edhe më të bukur.

    Në Gjakovë, Ardian Gjini vuri në pah projektet e realizuara gjatë mandatit të tij, duke shtuar se investimet infrastrukturore nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë që nga dita e parë pas zgjedhjeve.

    Kryetar dhe kandidat për një mandat të ri, Bali Muharremaj në Suharekë teksa shkroi për rëndësinë e mbështetjes nga diaspora ai premtoi se do të vazhdojë të punojë bashkë me qytetarët për vendlindjen e tyre.

    Në Istog, kandidati Uke Blakaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për një Istog që ecën përpara me zhvillim dhe dinjitet, duke vendosur theksin te një qeverisje e afërt me njerëzit.

    Në Rahovec, Smajl Latifi prezantoi një plan për mbështetjen e qytetarëve në nevojë, përfshirë strehimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen për kategoritë sociale si veteranët dhe invalidët e luftës.

    Ndërsa në Viti, Labinot Bislimi tha se “planet janë vetëm fillimi” dhe kërkoi bashkimin e qytetarëve për ta bërë vizionin realitet.

  • Kandidatët e LDK-së premtojnë transformim urban dhe transparencë

    Kandidatët e LDK-së premtojnë transformim urban dhe transparencë

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, kandidat për një mandat të dytë, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen me Pallatin e Rinisë, ku janë siguruar hapësira për Galerinë e Artit, E-sportin dhe ICK-në, sic tha ai për të kthyer identitetin e Prishtinës së vjetër, duke e ndërlidhur me ritmin dhe energjinë e Prishtinës së sotme.

    Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli gjatë vizitës në Velikinicë, u zotua për modernizim të shërbimeve komunale dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

    Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli ka premtuar që me LDK-në në pushtet, Stantergu do të kthehet në qendër turistike dhe zhvillimore, në nderim të historisë dhe kontributit të punëtorëve të saj.

    Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti, kandidat për mandat të ri, ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për gratë ndërmarrëse.

    Në Pejë, kandidati Gazmend Muhaxhiri ka prezantuar vizionin e tij “Peja 4.0”, i cili parasheh zhvillim të mëtejshëm të qytetit përmes inovacionit, bashkëpunimit me qytetarët të ndërtuar mbi përvojën e fituar gjatë tri mandateve të mëparshme.

    Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar planin e tij për katër vite zhvillimi, që përfshin sigurimin e ujit 24 orë, përmirësimin e arsimit, transparencë në qeverisje dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

    Në Viti, kryetari aktual Sokol Haliti ka prezantuar projektet e realizuara gjatë mandatit të tij, duke u zotuar për vazhdimin e punës me përkushtim dhe përgjegjësi në shërbim të komunitetit.

    Ndërsa në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri ka premtuar mbështetje konkrete për bizneset e udhëhequra nga gratë, duke ndarë 500 mijë euro nga buxheti komunal për punësimin e grave dhe zhvillimin e bizneseve të tyre.

  • Kandidatët e AAK-së zotohen për mbështetje të grave dhe infrastrukturë më të mirë

    Kandidatët e AAK-së zotohen për mbështetje të grave dhe infrastrukturë më të mirë

    Në ditën e 26-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha gjatë takimit me banorë t’Koliqit, u premtoi atyre kthimin e këtij rajoni në një atraksion turistik.

    Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj ka prezantuar asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave në fshatin Strellc i Epërm duke përforcuar moton e tij: “Flasim me punë”.

    Në Suharekë, kryetari në detyrë Bali Muharremaj, kandidat edhe për një mandat ka bërë të ditur përfundimin e disa projekteve.

    Në Rahovec, kandidati dhe kryetari aktual Smajl Latifi ka shpalosur pjesë nga programi qeverisës që synon fuqizimin e grave dhe vajzave. Ai është zotuar për barazi gjinore në vendimmarrje, buxhetim gjinor në projektet komunale dhe mbështetje për aftësim profesional, sidomos në sektorin e teknologjisë informative.

    Kandidati për Istog, Ukë Blakaj, premton që çdo nxënës i shkollës së mesme do të pajiset me laptop brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes.

    Kurse në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi është zotuar për mbështetje të fuqishme ndaj grave në të gjitha fushat, duke e cilësuar fuqinë e gruas si bazë të përparimit të qytetit.

    Ndërsa në Viti, kandidati Labinot Bislimi ka adresuar kritikë të fortë ndaj menaxhimit të zonës ekonomike në Budrik, duke e cilësuar atë si një dështim të rëndë të qeverisjes aktuale. Ai është zotuar për zhvendosjen dhe riorganizimin e saj në një lokacion tjetër, më të përshtatshëm dhe funksional, në rast se fiton besimin e qytetarëve.

  • Kandidatët e PDK-së premtojnë mbështetje për biznese lokale e sport

    Kandidatët e PDK-së premtojnë mbështetje për biznese lokale e sport

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismajli premtoi revitalizimin e Pazarit të Vjetër dhe rregullimin e infrastrukturës, duke e kthyer këtë zonë historike në një destinacion tërheqës për turistët dhe qytetarët.

    Kandidati, Riad Rashiti në Gjilan premton përmirësimin e kushteve për klubet sportive dhe realizimin e projektit për stadiumin e qytetit.

    Kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri në Kaçanik, Sabedin Vishi ka prezantuar projektet infrastrukturore të realizuara gjatë mandatit të tij.

    Në Mitrovicë, Arian Tahiri gjatë vizitës në Kryqin e Kuq të Mitrovicës prezanton iniciativën “Mitrovica Solidare”, një fond për mbështetje sociale dhe emergjencash.

    Ndërkohë Shaqir Totaj i PDK-së që synon edhe një mandat në krye të Prizrenit premton se kjo komunë do të ketë teleferikun e vet nëse zgjidhet edhe për katër vitet e ardhshme.

    Sami Lushtaku, kandidat për kryetar në Skenderaj gjatë takimit me mësimdhënësit e Gjimnazit “Hamëz Jashari”, me artistët lokalë, si dhe me banorët e lagjes Bajrami në Klinën e Poshtme dhe me banorë në Dashefc premtoi përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

    Ferit Idrizi, kandidat për mandat të dytë në Vushtrri ka njoftuar se po realizohet projekti “Rrethoja e Çelikut – Ura e Madhe e Silnicës”, duke kombinuar funksionalitetin modern me ruajtjen e traditës lokale.

  • Kandidatët e NISMËS kërkojnë votën e qytetarëve më 12 tetor

    Kandidatët e NISMËS kërkojnë votën e qytetarëve më 12 tetor

    Kandidatja për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate përkrah kandidatit për asamble komunale, Bedri Dobrani, u zotua se 330 hektarë tokë në Banjskë do t’i kthehen në administrim Komunës së Vushtrrisë.

    Gjatë ditës, Izmaku u prit ngrohtësisht edhe në familjen e kandidatit për asamble komunale, Remzi Demiri ku në fokus të këtij takimi ishin gratë.

    “Ato flisnin me pasion për arsimimin e fëmijëve, për sigurinë, për mirëqenien e familjeve dhe për nevojën që zëri i gruas të dëgjohet më shumë në vendimmarrje”, tha ndër të tjera ajo.

    Kurse me moton “Bashkë për fitore”, kryetari aktual i Malishevës, Ekrem Kastrati, qe synon edhe një mandat në krye të kësaj komune, ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin, energjinë dhe vullnetin e secilit anëtar dhe përkrahës të familjes së tij politike.

    Kandidatja për kryetare të Prizrenit nga NISMA Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimaj ndau pamje nga takimi me qytetarët në Gjonaj, ku pjesë e këtij tubimi ishte edhe i pari i partisë, Fatmir Limaj.

    Balaj Halimaj që synon pozitën e kryetarës së Prizrenit shpërndau në rrjetin social “Facebook” mënyrën se si të votohet më 12 tetor.