ATV

Author: K.B.

  • Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se, në parim, nuk kundërshton që deklarata e Gjeneralit Wesley Clark të pranohet si provë materiale, për sa kohë plotëson kriteret e Rregullës 154.

    Në një parashtresë të dërguar në gjykatë, Prokuroria thekson se nuk kundërshton as ndryshimin e listës së provave të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për të përfshirë deklaratën e Clark, si dhe as masat e propozuara sipas Rregullës 107, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Atvlive.tv

    Sipas Prokurorisë, deklarata e Clark përmban prova dhe opinione që lidhen me çështje të rëndësishme, dhe pranimi i saj nuk do të krijojë kundërshtim ligjor, megjithatë duhet kujdes në vlerësimin e peshës së saj.

    “Për këto arsye, ZPS nuk kundërshton: (i) pranimin e provave të propozuara, me kusht që të plotësohen kriteret e Rregullës 154; (ii) ndryshimin e listës së provave; ose (iii) masat e propozuara sipas Rregullës 107”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130. Trupi gjykues, nën kryesimin e Charles Smith III, rrëzoi mocionin, duke theksuar se nuk ka autoritet për të hequr materialet që lidhen me periudha të caktuara kohore të ngjarjeve.

    Po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti provat e saj, duke thirrur dy dëshmitare eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik 2025.

    Aktakuza e ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e dorëzuar më 30 shtator 2022, përfshin dhjetë pika akuzash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para, ndërsa aktakuza e tyre u konfirmua më 26 tetor 2020.

  • Serbët nga Kosova udhëtojnë 315 km për të mbështetur Vuçiqin

    Serbët nga Kosova udhëtojnë 315 km për të mbështetur Vuçiqin

    Një grup prej 60 serbësh nga Kosova kanë nisur sot një udhëtim prej 315 kilometrash drejt Novi Sadit për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ata duke mbajtur flamuj të Serbisë deklaruan se synojnë të shprehin përkrahjen e tyre për një “Serbi të fortë dhe të përparuar”.

    Serbët që u nisën nga Kosova qendrore vijnë nga qytete si Graçanica, Fushë Kosova, Badovci, Lapnasela, Dobrotini e Gushtërica, ndërsa nga Kosova Lindore udhëtuan nga Strazha, Ranilluku dhe Parteshi. Nga veriu i Kosovës, pjesëmarrës janë nga Leposaviçi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Shtërpca.

    Siç deklarojnë vetë ata, motivimi i tyre është të qëndrojnë pranë shtetit të tyre dhe të tregojnë se dëshirojnë një Serbi të fuqishme që mbron popullin e saj, përfshirë edhe serbët në “krahinën jugore”.

    Ky është hera e katërt që serbët nga Kosova bëjnë një udhëtim të tillë në këmbë për të mbështetur presidentin Vuçiq, pas pjesëmarrjeve të mëparshme në vitet 2019, 2023 dhe prillin e vitit 2025.

  • Forca e Sigurisë së Kosovës pajis njësitë e kërkim-shpëtimit me veshmbathje të reja

    Forca e Sigurisë së Kosovës pajis njësitë e kërkim-shpëtimit me veshmbathje të reja

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të angazhuar në njësitë e kërkim-shpëtimit, do të pajisen së shpejti me veshmbathje të reja.

    Ministria e Mbrojtjes ka përmbyllur ditët e fundit procedurat e tenderit dhe ka nënshkruar kontratën për furnizimin e këtyre pajisjeve. Kontrata përfshin gjithashtu njësinë K9 (SUFSK 1001), e specializuar në kërkim-shpëtim.

    Sipas njoftimit zyrtar, kontrata ka një afat zbatimi prej 36 muajsh dhe furnizimi do të bëhet sipas specifikimeve teknike të përcaktuara në tender. Qëllimi kryesor është përmirësimi i operacionalitetit dhe efikasitetit të FSK-së në misionet e saj.

    Fillimisht, vlera e parashikuar e kontratës ishte 105,000 euro, por pas përfundimit të procedurave të prokurimit, kontrata u nënshkrua për shumën 103,910 euro.

    Furnizimin do ta realizojë operatori ekonomik “Sodex Group Sh.P.K.”, përgjegjës për zbatimin e kontratës gjatë periudhës trevjeçare.

  • Aksident zingjiror në rrugën Gjilan-Prishtinë, përfshihen katër automjete

    Aksident zingjiror në rrugën Gjilan-Prishtinë, përfshihen katër automjete

    Një aksident trafiku zingjiror në mes të katër automjeteve ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në rrugën Gjilan-Prishtinë, saktësisht në fshatin Parallovë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    Hashani bëri të ditur se nga ky aksident, fatmirësisht s’ka persona të lënduar.

    “Nga hetues të trafikut rajonal po hetohen rrethanat e këtij aksidenti.”, tha ai tutje.

  • Oficeri i FSK-së diplomon në Amerikë, përgatitet në inxhinieri ushtarake

    Oficeri i FSK-së diplomon në Amerikë, përgatitet në inxhinieri ushtarake

    Togeri Florent Korrani i FSK-së ka diplomuar në trajnimin bazik për Inxhinieri Ushtarake, në Fort Leonard Ëood, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se trajnimi ka për fokus përgatitjen e liderëve të rinjë për planifikim, udhëheqje dhe drejtim të operacioneve të inxhinierisë ushtarake.

    “Togeri Korrani është shpërblyer me certifikatë për arritje akademike të dalluar (Honor Graduate) e cila ju ndahet ushtarakëve që arrijnë rezultate të larta në akademi gjatë trajnimit”.

  • Privilegjet e Sarkozy-t në burg: Katër qeli, mbrojtje me armë dhe vizita jashtë orarit

    Privilegjet e Sarkozy-t në burg: Katër qeli, mbrojtje me armë dhe vizita jashtë orarit

    Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili po vuan dënimin në burgun “La Santé”, duket se po gëzon disa privilegje që të burgosurit e tjerë nuk i kanë. Sipas raportimeve të mediumit francez RTL Info, 70-vjeçari, që mban titullin e presidentit të 23-të të Francës, lejohet të pranojë katër vizita familjare në javë, një më shumë se kufizimi ligjor prej tre vizitash që vlen për të burgosurit e tjerë.

    Përveç kësaj, oraret e takimeve me familjarët e tij zgjasin më shumë se 45 minutat e përcaktuara nga rregullorja e burgjeve franceze.Mediat lokale shkruajnë se ky trajtim preferencial lidhet me statusin e tij si ish-kreu i shtetit, çka i garanton edhe mbrojtje të vazhdueshme nga dy oficerë të armatosur të policisë, që ndërrrohen çdo 12 orë.

    Sarkozy mbahet në izolim për arsye sigurie dhe nuk ka kontakt me të burgosurit e tjerë, megjithëse konsumon të njëjtën ushqim si ta, sipas deklaratave të avokatëve të tij. Ajo që e shqetëson më së shumti ish-presidentin është siguria personale, veçanërisht pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku ai dëgjohet të marrë kërcënime gjatë ditëve të para të paraburgimit.

    Nga pesëmbëdhjetë qelitë në izolim, katër janë ndarë për Sarkozin. Njëra në të cilën ai po mbahet, një për oficerët e policisë përgjegjës për sigurinë e tij, ndërsa dy qeli pranë saj mbeten bosh.

    Javën e kaluar, bashkëshortja e Sarkozisë, Carla Bruni, e vizitoi atë katër herë, jashtë orarit të rregullt të vizitave, çdo herë e shoqëruar nga një anëtar i administratës së burgut. Sipas informacionit nga Journal du dimanche (JDD), dy deputetë nga partia Franca e Panënshtruar, Danielle Obono dhe Hugo Bernalissi, shkuan në burgun La Santé të hënën pasdite për të vizituar Sarkozinë. Megjithatë, kërkesa e tyre u refuzua, pasi ligji u lejon deputetëve të vizitojnë burgjet, por jo të burgosurit.

    Avokatët e Sarkozisë, Christophe Angrand dhe Jean-Michel Darois, e vizitojnë atë çdo ditë në burg dhe kanë paraqitur tashmë një kërkesë për lirim me kusht, e cila pritet të shqyrtohet brenda muajit të ardhshëm. Sipas avokatëve të tij, ish-banori i Elysee ka të ngjarë të lirohet deri në Krishtlindje.

  • “A është vërtet grua?”, Gjykata franceze dënon 10 persona për sulmet ndaj Brigitte Macron

    “A është vërtet grua?”, Gjykata franceze dënon 10 persona për sulmet ndaj Brigitte Macron

    Gjykata Penale e Parisit ka shpallur fajtorë tetë burra dhe dy gra për ngacmim seksist në internet ndaj zonjës së parë të Francës, Brigitte Macron. Të pandehurit u dënuan me burgim me kusht nga tre deri në dymbëdhjetë muaj, si dhe me gjoba që arrijnë deri në 8 mijë euro.

    Ky vendim vjen pas një vale lajmesh të rreme dhe teorish konspirative që kishin vënë në shënjestër gruan e presidentit francez, Emmanuel Macron, duke vënë në pikëpyetje identitetin dhe gjininë e saj. Kjo fushatë online u përhap fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas mori dhenë edhe në Francë e më gjerë.

    Çifti presidencial ka ngritur edhe një padi për shpifje në SHBA ndaj një podkasteri të ekstremit të djathtë, autor i serisë së videove “Becoming Brigitte”, e cila sipas tyre ka ushqyer fushatën e urrejtjes dhe dezinformimit. Procesi gjyqësor për këtë rast pritet të zhvillohet më vonë.

    Në seancën gjyqësore në Paris, vajza e Brigitte Macron, avokatja 41-vjeçare Tiffin Ozier, dëshmoi se nënës së saj i ishte dashur të përballej me një valë të madhe urrejtjeje dhe dyshimesh për “identitetin dhe integritetin e saj”. Ajo shtoi se fëmijët e familjes Macron madje janë përballur me pyetje shqetësuese si “a është gjyshja jote me të vërtetë grua?”, duke e përshkruar situatën si burim ankthi për të gjithë familjen.

    Mes të dënuarve janë persona nga profesione të ndryshme një mësues, një zyrtar lokal, një galerist arti, një shkencëtar kompjuterash dhe madje edhe një fallxhore, të moshës nga 41 deri në 60 vjeç.

    Dënimin më të rëndë e mori “Zoé Sagan”, e cila në postimet e saj kishte shkuar aq larg sa të përshkruante diferencën në moshë midis çiftit presidencial si “pedofili”. Ajo u mbrojt duke thënë se postimet kishin “qëllim satirik”, por gjykata vendosi se përmbajtja e tyre kalonte kufijtë e lirisë së shprehjes.

  • Elon Musk sfidon Wikipedia-n me enciklopedinë e tij “Grokipedia”

    Elon Musk sfidon Wikipedia-n me enciklopedinë e tij “Grokipedia”

    Elon Musk ka prezantuar një platformë të re enciklopedike online, të quajtur “Grokipedia”, e zhvilluar nga kompania e tij xAI e mbështetur nga inteligjenca artificiale. Projekti synon të konkurrojë me Wikipedia-n, të cilën Musk e kritikon për “mungesë neutraliteti dhe propagandë”, raporton New York Times.

    Faqja, e cila përjetoi një ndërprerje të shkurtër menjëherë pas lansimit, përmban mbi 800 mijë artikuj të gjeneruar nga AI, krahasuar me rreth tetë milionë artikuj të Wikipedia-s të shkruar nga njerëzit.

    Dizajni është minimalist dhe përfshin një fushë kërkimi që ofron qasje të shpejtë në tema të ndryshme nga profili i Musk, i përshkruar si “vizionar dhe provokator i pavarur”, deri te figura politike si Donald Trump dhe kandidati për kryebashkiak të New York-ut, Zohran Mamdani.

    Musk thotë se Grokipedia synon të “pastrojë informacionin e gabuar” që, sipas tij, ka mbizotëruar në Wikipedia. Megjithatë, disa artikuj duket se reflektojnë pikëpamjet personale dhe ideologjike të tij.

    Ekspertët e mediave e shohin projektin si pjesë të përpjekjeve të Musk për të krijuar një ekosistem alternativ mediatik që pasqyron pikëpamjet e tij personale. “Kontrolli mbi informacionin ka qenë gjithmonë një formë pushteti”, thotë Ryan McGrady, studiues në Universitetin e Massachusetts Amherst.

    Ndërkohë, Wikipedia përballet me sfida të reja: trafiku i përdoruesve njerëzorë ka rënë me 8% këtë vit, ndërsa kërkimet nga sistemet e AI po rriten ndjeshëm.

    Drejtoresha teknologjike e Wikimedia, Selena Deckelmann, paralajmëron se “rreziku është që përdoruesit të pranojnë si të vërteta informacionet që u ofrojnë këto mjete”, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të burimeve.

  • Agjencia belge e lajmeve: Belgjika dëshiron të krijojë burgje në Kosovë

    Agjencia belge e lajmeve: Belgjika dëshiron të krijojë burgje në Kosovë

    Për shkak të mungesës së vendve të mjaftueshme në burgjet e vendit, autoritetet belg po shqyrtojnë mundësinë që disa të burgosur të vuajnë dënimin e tyre në Kosovë.

    Sipas agjencisë belge të lajmeve Belga, qeveria po mendon të marrë me qira ose madje të ndërtojë një burg në Kosovë për personat e dënuar që nuk kanë status të rregullt qëndrimi. Një marrëveshje e ngjashme ekziston tashmë mes Kosovës dhe Danimarkës.

    Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, së bashku me ministren e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, vizituan së fundmi Kosovën për të zhvilluar bisedimet e para, raportoi mediumi gjerman n-tv, pjesë e grupit RTL.

    Problemi i mungesës së vendit ka nxitur edhe miratimin e një ligji të ri. Burgjet e mbipopulluara janë një sfidë serioze në Belgjikë, ndaj gjatë verës u miratua një rregullore e re që kërkon që gjykatësit të japin një arsyetim të qartë përse një dënim me burg është i domosdoshëm. Aktualisht, vendi ka mungesë afërsisht 2.000 vendeve të burgimit.

    Në vitin 2014, Belgjika u shpall fajtor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për kushtet e papërshtatshme në burgjet e saj dhe që nga ajo kohë është kritikuar disa herë, përfshirë nga Këshilli i Evropës. Sipas agjencisë belge Belga, Kosova shpreh interes për mbështetje nga Belgjika në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke qenë ende kandidat potencial për anëtarësim.

  • Sa herë në vit duhet të bëni kontrolla mjekësore?

    Sa herë në vit duhet të bëni kontrolla mjekësore?

    Shumë njerëz vizitojnë mjekun vetëm kur ndihen keq, por ekspertët theksojnë se edhe personat e shëndetshëm duhet të bëjnë kontrolle periodike.

    Një vizitë në vit është e domosdoshme për çdo të rritur, ndërsa ata me sëmundje të trashëguara këshillohet të kontrollohen dy herë në vit. Vizitat e rregullta mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, si tensioni i lartë apo problemet kardiovaskulare, që shpesh kalojnë pa simptoma.

    Studimet tregojnë se një e treta e personave që kanë pësuar atak kardiak nuk kanë pasur shenja paralajmëruese.

    Gjithashtu, rreth 46% e sëmundjeve janë të trashëgueshme, ndaj zbulimi i tyre në fazat e para mund të bëjë diferencën në trajtim.

    Për t’u përgatitur për një vizitë mjekësore, ekspertët sugjerojnë që pacientët të përgatisin një listë me pyetjet dhe shqetësimet e tyre, të mos ngurrojnë të pyesin mjekun për çdo gjë që nuk kuptojnë, të diskutojnë rezultatet e analizave dhe të mbajnë një ditar shëndeti ku shënojnë rezultatet e analizave, konsultat dhe alergjitë. Një rutinë e tillë ndihmon jo vetëm mjekun për të pasur informacion të plotë, por edhe pacientin të jetë më i vetëdijshëm për shëndetin e tij.

    Kontrolli i rregullt nuk është luks, por mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin dhe për të parandaluar komplikimet serioze në të ardhmen.