ATV

Author: K.B.

  • “Më kërcënoi pas debatit”, Ferit Idrizi e çon në Polici kundërkandidatin e tij nga VV!

    “Më kërcënoi pas debatit”, Ferit Idrizi e çon në Polici kundërkandidatin e tij nga VV!

    Një përballje e tensionuar politike në prag të balotazhit në Vushtrri ka përfunduar me një kallëzim në polici.

    Kryetari aktual i komunës nga radhët e PDK-së, Ferit Idrizi, e ka denoncuar për kërcënim kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosje, Sylejman Mehollin, me të cilin do të përballet më 9 nëntor në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

    Sipas Idrizit, incidenti ka ndodhur pas xhirimit të një debati televiziv të moderuar nga gazetarja Jeta Xharra në Prishtinë.

    Ngjarja ka alarmuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se është duke hetuar rastin.

    Zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Enis Pllana, ka deklaruar: Sot rreth orës 17:30 është pranuar informata për një Kanosje në rrugën Xhorxh Bush në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen, tha Pllana.

  • ATK-ja do të bëhet me objekt në veri të Mitrovicës, nisin punimet

    ATK-ja do të bëhet me objekt në veri të Mitrovicës, nisin punimet

    Dy ministra të Qeverisë në detyrë dolën sot në veri të Mitrovicës për të shënuar nisjen e punimeve për ndërtimin e aneksit dhe renovimin e objektit për nevoja të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati tha se puna në këtë objekt do të zgjasë 5 muaj dhe më pas do të jetë e qasshme për qytetarët.

    Ndërsa, drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni dhe ministri në detyrë i Pushtetit Lokal folën për nevojën e këtij objekti në këtë pjesë.

    Ky projekt pritet të kushtojë rreth 500 mijë euro.

  • Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Një emigrant shqiptar ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje ligjore që zgjati plot 26 vjet, në një nga rastet më të gjata të emigracionit në historinë e vendit.

    Sipas The Telegraph Gentian Hoti, 41 vjeç, mbërriti në Britani në vitin 1999 në moshën 15-vjeçare, duke kërkuar azil dhe pretenduar se ishte nga Kosova, ndërkohë që në të vërtetë kishte lindur në Shqipëri në vitin 1984.

    Në dokumentet e paraqitura ai deklaroi se ishte viktimë e autoriteteve serbe dhe se ishte ndarë nga familja gjatë arratisjes.

    Kërkesa e tij për azil u refuzua, por iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar deri në vitin 2003. Më pas, Hoti u vu nën kujdesin e autoriteteve lokale dhe në 2004 mori leje qëndrimi me afat të pacaktuar.

    Në vitin 2005 ai mori shtetësinë britanike, por në 2010 nisi një hetim për identitetin e tij, dhe në qershor 2019 i u hoq shtetësia me arsyetimin se kishte përdorur “një identitet të rremë”.

    Hoti apeloi vendimin, dhe gjykata më në fund vendosi në favor të tij, duke konstatuar se që nga viti 2013 ai kishte pranuar origjinën e tij shqiptare.

    Pas më shumë se dy dekadash betejë ligjore, Gentian Hoti e ruan tani të drejtën për të mbajtur shtetësinë britanike.

  • Thirrje kundër Kosovës, skuadrën serbe Cërvena Zvezda gjobitet nga UEFA

    Thirrje kundër Kosovës, skuadrën serbe Cërvena Zvezda gjobitet nga UEFA

    Klubi i futbollit Cërvena Zvezda, është gjobitur nga UEFA të mërkurën. Klubi serb është dënuar nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s për disa shkelje gjatë ndeshjes Braga – Cërvena Zvezda e zhvilluar javën e kaluar, në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Evropës.

    Ndër të tjera një gjobë ka marrë për sjellje raciste dhe diskriminuese nga shikuesit e klubit serb në Portugali, si dhe për transmetimin e një meszhi që nuk është i përshtatshëm për ngjarje sportive. Në një video të publikuar dëgjohen edhe thirrjet anti-Kosovë nga tifo-grupi “Delije”. Janë dëgjuar thirrje “Kosova, Serbia”.

    Për shkeljet e shumta në ndeshjen kundër Bragës, Zvezda është dënuar në total me 62 mijë e 500 euro dhe dy ndeshje pa shikues në ndeshjen në udhëtim kundër Sturm Grazit dhe Malmos.

    Gjobë nga UEFA ka marrë edhe Shkëndija. Tetovarët janë dënuar për shfaqjen e banderolave që nuk përputhen me frymën sportive gjatë ndeshjes Shkëndija – Shelbourne e zhvilluar në Shkup javën e kaluar. Ndeshja me Shelbournen i takoi xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

  • Kadetët kosovarë shkëlqejnë në “Triumfi Dardan 2025″

    Kadetët kosovarë shkëlqejnë në “Triumfi Dardan 2025″

    Kadetët e Qendrës për Studime Universitare kanë përfunduar me sukses patrullën tradicionale “Triumfi Dardan 2025”, një garë ushtarake që zhvillohet çdo vit në kushte të vështira terreni, me qëllim të testimit të aftësive fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve.

    Në këtë edicion morën pjesë gjithsej 27 kadetë, të ndarë në tri skuadra, të cilët gjatë gjithë garës treguan disiplinë, përgatitje dhe profesionalizëm të lartë.

    Një veçanti e këtij viti ishte pjesëmarrja e skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë, që solli një dimension të ri bashkëpunimi mes institucioneve arsimore ushtarake të Kosovës dhe Turqisë.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi patrullën si një dëshmi të qartë të nivelit të përgatitjes dhe përkushtimit të kadetëve kosovarë, si dhe të miqësisë së qëndrueshme me Turqinë.

    “Ky aktivitet jo vetëm që forcon lidhjet ushtarake ndërmjet institucioneve arsimore të dy vendeve, por gjithashtu dëshmon se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët,” ka shkruar Maqedonci në Facebook.

    “Triumfi Dardan 2025” mbetet një ndër garat më të rëndësishme për formimin ushtarak të kadetëve kosovarë, duke shërbyer si platformë për ngritje të aftësive dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

  • “Gruaja kishte rënë nga një lartësi prej 50 metrash”, detaje nga rasti tragjik në Grykën e Rugovës

    “Gruaja kishte rënë nga një lartësi prej 50 metrash”, detaje nga rasti tragjik në Grykën e Rugovës

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Grykën e Rugovës, ku një qytetare humbi jetën pasi ra në një greminë të thellë. Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), i cili ka dhënë detaje për aksidentin tragjik.

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e shpëtimit janë alarmuar nga kalimtarë që kishin vërejtur se një person kishte rënë nga skaji i rrugës Pejë–Rugovë, në afërsi të vendit të njohur si “i 7-ti”.

    “Me datën 25.10.2025 Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka pranuar një thirrje nga kalimtarë në Grykën e Rugovës për një aksident. Dyshohej se një qytetare kishte rënë në një greminë me lartësi rreth 50 metra në skajin e rrugës Pejë–Rugovë (M9), saktësisht te lokacioni i njohur si ‘i 7-ti’. Ekipet e shërbimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes brenda disa minutash dhe menjëherë e kanë lokalizuar viktimën. Për fat të keq, viktima është gjetur pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.

    Autoritetet përkatëse po hetojnë rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes të shtuar të qytetarëve gjatë lëvizjeve në terrene malore.

  • Tërmet në Shqipëri, lëkundet Tirana

    Tërmet në Shqipëri, lëkundet Tirana

    Një tërmet prej 3.6 ballësh është ndjerë sot në Shqipëri.

    Tërmeti ndodhi rreth orës 12:49, afro 11 kilometra në juglindje të Tiranës.

    Tërmeti ishte i thellë 5 kilometra, me lëkundje që janë ndjerë edhe më larg kryeqyteti shqiptar.

  • Ministri belg i Mbrojtjes paralajmëron: NATO do të godasë Moskën nëse Rusia sulmon Brukselin

    Ministri belg i Mbrojtjes paralajmëron: NATO do të godasë Moskën nëse Rusia sulmon Brukselin

    Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka deklaruar se NATO nuk do të ngurrojë të godasë Moskën në rast se Rusia do të kryente ndonjë sulm ndaj Brukselit. Në një intervistë për The Brussels Times, Francken diskutoi çështje strategjike si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe parandalimi bërthamor.

    Kur u pyet nëse ekziston rreziku që Presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë Brukselin me raketa konvencionale, ministri ishte i prerë: “Jo, sepse një sulm i tillë do të godiste zemrën e NATO-s dhe përgjigjja jonë do të ishte e menjëhershme.”

    Francken po ashtu e theksoi mbështetjen e tij të fortë për udhëheqësinë amerikane brenda NATO-s dhe besimin e palëkundur në Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë që mbron Aleancën. I pyetur nëse ish-Presidenti amerikan Donald Trump do ta respektonte këtë nen, ai u shpreh me bindje: “Sigurisht që po. Ka shumë paragjykime kundër SHBA-së në Evropë, por Neni 5 është i patjetërsueshëm.”

    Ministri shprehu shqetësim më të madh për kërcënimet e luftës hibride sesa për një sulm konvencional. Ai gjithashtu kritikoi idenë e një ushtrie evropiane të përbashkët, duke theksuar se vendet e mëdha evropiane prioritojnë interesat e tyre dhe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë në nivelin operacional. “Kushdo që beson se mund të krijohet një ushtri evropiane po gënjen. NATO-ja mbetet garantuesi ynë më i sigurt,” tha ai, duke përmendur efektivitetin e mbrojtjes ajrore të Aleancës në Poloni dhe Estoni.

    Përtej çështjeve ndërkombëtare, Francken foli edhe për sigurinë e brendshme në Bruksel. Ai mbështeti idenë e vendosjes së trupave ushtarake në rrugët e kryeqytetit për të kontrolluar zonat problematike të trafikut të drogës. “Nëse nuk veprojmë kundër pasigurisë dhe drogës, kanceri i Brukselit do të përhapet më tej. Nëse duhet të vendosim ushtrinë në rrugë, atëherë do ta bëjmë,” paralajmëroi ministri.

  • Dua Lipa shpallet artistja më e pasur nën 30 vjeç në Britani

    Dua Lipa shpallet artistja më e pasur nën 30 vjeç në Britani

    Këngëtarja me origjinë kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, është shpallur personi më i pasur nën 30 vjeç nga revista prestigjioze Heat për vitin 2025, me një pasuri të vlerësuar në 129 milionë funte. Kjo e vendos atë përpara shumë emrave të njohur të muzikës dhe filmit, duke dëshmuar fuqinë e saj si një figurë globale e showbizit.

    Raporti i revistës thekson se rritja e pasurisë së Duas ka ardhur nga suksesi i turneut të saj global “Radical Optimism”, fejesa me aktorin britanik Callum Turner, si dhe bashkëpunimet luksoze me Versace dhe Porsche. Përveç muzikës, Dua ka zgjeruar aktivitetin e saj në fusha të tjera, duke përfshirë podcasting, një klub letrar dhe aktrimin, duke u bërë një nga figurat më të kompletuara të showbizit ndërkombëtar.

    Në vendin e dytë të listës është aktori i njohur i filmave Spider-Man, Tom Holland, me £35.7 milion, ndërsa vendi i tretë i takon këngëtarit Lewis Capaldi, me £35 milion.

    Top 10-shen e plotë e përmbyllin:
    Millie Bobby Brown Bongiovi – £24 milion
    Molly-Mae Hague & Tommy Fury – £22.1 milion
    Sophie Turner – £21.9 milion
    Jorja Smith – £17 milion
    Dave – £16.8 milion
    Aitch – £14.4 milion
    Asa Butterfield – £13.7 milion

    Kjo arritje e Duas e vendos atë jo vetëm në majën e muzikës botërore, por edhe si një nga ikonat më të suksesshme financiare të brezit të saj, duke dëshmuar se një vajzë me rrënjë nga Kosova mund të bëhet fytyra më e ndritshme e artit bashkëkohor global.

  • Meriton Mjekiqi reagon ndaj thashethemeve për burg dhe arrati

    Meriton Mjekiqi reagon ndaj thashethemeve për burg dhe arrati

    Moderatori i njohur dhe ish-finalisti i Big Brother VIP 3, Meriton Mjekiqi, ka reaguar publikisht ndaj lajmeve të fundit që pretendonin se ai dhe i vëllai i tij ishin arrestuar pas një konflikti të rëndë. Mjekiqi theksoi se këto informacione nuk përputhen me të vërtetën.

    “Dallimi mes realitetit dhe asaj që shpërndahet online është shumë i madh,” tha ai. “As jam arrestuar, as kam qenë në burg, as jam arratisur. Është një keqkuptim total. Shpesh portalet abuzojnë, sidomos me personazhet e showbizit.”

    Moderatori shtoi se nuk është hera e parë që emri i tij përdoret për të tërhequr klikime. Ai kujtoi një rast të vitit të kaluar, kur u publikuan lajme të rreme për një aksident, gjë që shqetësoi familjen e tij.

    “Pak zhurmë mund të bëjë edhe mirë për marketingun, por jo kur ekzagjerohen akuza si arrestimet,” shtoi Mjekiqi, duke kujtuar një portal që kishte raportuar edhe për një “arrestim” të vitit 2019, të cilin e përshkroi si trillim të plotë.