ATV

Author: K.B.

  • Sukses i madh për Kosovën, SHKK fiton çmimin ndërkombëtar të ekselencës në Stamboll

    Sukses i madh për Kosovën, SHKK fiton çmimin ndërkombëtar të ekselencës në Stamboll

    Kosova ka marrë një vlerësim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Shërbimi Korrektues i Kosovës është shpërblyer në Stamboll me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve (ICPA), për projektin inovativ “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.

    Ky vlerësim prestigjioz dëshmon përkushtimin dhe profesionalizmin e SHKK-së në ndërtimin e një sistemi korrektues më modern, më human dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    Nga SHKK kanë thënë se ky çmim është një dëshmi e punës së pa lodhshme të ekipit dhe një sukses i madh për Kosovën.

    “Ky çmim vlerëson përkushtimin, profesionalizmin dhe vizionin tonë për një sistem korrektues më human, më efikas dhe me standarde ndërkombëtare. Krenarë për ekipin tonë dhe për Kosovën që po njihet në arenën ndërkombëtare për punë dhe rezultate të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

  • 120 shtete tashmë e njohin Kosovën, ja kush mungon ende në listë

    120 shtete tashmë e njohin Kosovën, ja kush mungon ende në listë

    Njohja e Kosovës nga Siria shënon njohjen e tretë të këtij viti, pas asaj nga Sudani dhe Kenia, në muajt mars dhe prill.

    Me këtë zhvillim, Siria i është bashkuar listës së 120 shteteve që e kanë pranuar zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka njoftuar se njohja u arrit gjatë një takimi trilateral mes Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, dhe presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa.

    Tri njohje të reja brenda vitit 2025

    Sudani, vendi afrikan në verilindje të kontinentit, e njohu Kosovën më 12 prill 2025, ndërsa më herët, më 26 mars, Kenia u bë shteti i 118-të që njohu pavarësinë e saj.
    Lajmin për njohjen nga Kenia fillimisht e bëri të ditur ish-presidenti Behgjet Pacolli, ndërsa më pas u konfirmua zyrtarisht edhe nga presidentja Osmani pas komunikimit me homologun kenian, William Ruto.

    Kur ishte njohja e fundit para këtyre tre shteteve?

    Në vitin 2021, Izraeli ishte shteti i fundit që njohu Kosovën, pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Washington.

    Më herët, njohje të rëndësishme kishin ardhur nga Barbadosi (2018), Madagaskari (2017) dhe Bangladeshi (2017).

    Ndër vite, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe shtete si Singapori, Surinami, Niue, Cook Islands dhe disa vende të Karaibeve.

    Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, viti i parë mbetet ai me më së shumti njohje – plot 53 shtete.

    Cilat shtete ende nuk e njohin Kosovën

    Megjithë përparimin e bërë, Kosova vazhdon të mos njihet nga disa vende të rëndësishme, përfshirë pesë shtete të Bashkimit Evropian: Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Sllovakinë dhe Qipron.
    Njohja mungon edhe nga fuqitë botërore si Kina, Rusia e India, si dhe nga disa vende nën ndikimin e tyre si Azerbajxhani, Bjellorusia e Gjeorgjia.
    Po ashtu, disa vende të Amerikës Latine e Afrikës, si Argjentina, Venezuela, Maroku dhe Angola, nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

    Nga pala serbe është pretenduar disa herë se një numër shtetesh kanë tërhequr njohjet, por shumë prej këtyre pretendimeve janë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur.

  • Mot me diell dhe temperatura të larta në fund të tetorit

    Mot me diell dhe temperatura të larta në fund të tetorit

    Kosova sot do të përjetojë një ditë tipike pranverore, me mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta për këtë periudhë të vitit. Gjatë pasdites parashikohen kalime të lehta vranësirash, por pa reshje. Erërat do të fryjnë nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, duke u fuqizuar gradualisht. Temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 16 dhe 19 gradë Celsius.

    Edhe në Shqipëri pritet të mbajë mot me diell, shoqëruar me vranësira të shpërndara, por pa reshje. Më shumë orë dielli do të ketë në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, ndërsa në Mal të Zi moti do të jetë më i vranët, megjithatë reshje nuk priten në asnjë rajon.

    E premtja do të vijojë me mot të ngrohtë e me diell, ndërsa vranësirat pritet të shtohen në jug të Shqipërisë, ku lokalisht mund të ketë reshje të lehta shiu në mbrëmje. Në pjesën tjetër të rajonit moti do të mbetet kryesisht i thatë dhe me periudha të gjata me diell.

    Fundjava do të na gjejë me shumë diellosje, pak vranësira lokale dhe rritje të mëtejshme të temperaturave, duke bërë që tetori të përfundojë në mënyrë të pazakontë të ngrohtë.

  • Punëtori 34-vjeçar humb jetën, gjoba e Inspektoratit nuk mjaftoi për të ndaluar punimet

    Punëtori 34-vjeçar humb jetën, gjoba e Inspektoratit nuk mjaftoi për të ndaluar punimet

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një 34-vjeçar humbi jetën pas një aksidenti gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri”, punime që ishin ndaluar më parë nga Inspektorati i Punës për shkelje të rënda të sigurisë.

    Për këtë rast ka reaguar Inspektorati i Punës, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e punëtorit.

    Inspektorati i Punës, ka bërë me dije se gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.

    Reagimi i Inspektoratit të Punës:

    NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
    Rreth rastit tragjik të ndodhur në vendin e punës
    Inspektorati Qendror i Punës me keqardhje të thellë njofton opinionin publik se sot ka ndodhur një aksident i rëndë në vendin e punës në një subjekt afarist me veprimtari në fushën e ndërtimit në rajonin e Prizrenit, ku si pasojë e rrëzimit nga një lartësi, një punëtor ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat përkundër përpjekjeve mjekësore, kanë rezultuar fatale pas dërgimit të tij në QKUK.
    Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për familjen e punëtorit të ndjerë, duke ndarë dhimbjen me ta për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur.
    Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe shqyrtimit të rrethanave, është konstatuar se subjekti në fjalë kishte qenë më herët objekt i inspektimeve nga Inspektorati i Punës, në kuadër të aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit.
    Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.
    Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër.
    Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
    Inspektorati Qendror i Punës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ndriçimin e plotë të rastit, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente të hetuesisë për përgjegjësitë ligjore të subjektit.

    Inspektorati Qendror i Punës
    Prishtinë, më 29 tetor 2025

  • MagicSal, magjistari shqiptar nga SHBA, pjesë e Big Brother VIP Kosova?

    MagicSal, magjistari shqiptar nga SHBA, pjesë e Big Brother VIP Kosova?

    Edicioni i katërt i Big Brother VIP Kosova po afrohet, dhe emra të shumtë të personazheve publike po qarkullojnë në rrjetet sociale.

    Producentja Olsa Muhameti dhe prezantuesi Alaudin Hamiti po përgatiten për këtë sezon, edhe pse data zyrtare e fillimit ende nuk është bërë publike.

    Një ndër emrat që ka tërhequr më shumë vëmendje është Salih Buzhala, i njohur si MagicSal. Ky magjistar shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka fituar popullaritet për shfaqjet e tij magjike dhe prezencën në rrjete sociale.

    Fansat tashmë po spekulojnë nëse MagicSal do të jetë pjesë e shtëpisë më të famshme të vendit, duke sjellë një kombinim të veçantë magjie dhe karizme. Edhe pse konfirmimi zyrtar nuk ka ardhur ende, prania e tij në listën e mundshme të banorëve ka ndezur pritshmëri të madhe tek publiku kosovar.

  • Osmani falënderon Sirinë dhe Princin e Kurorës Saudite për njohjen e Kosovës

    Osmani falënderon Sirinë dhe Princin e Kurorës Saudite për njohjen e Kosovës

    Republika Arabe e Sirisë njeh tani zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani e konfirmoi këtë sot nga Riad, duke falënderuar edhe mbështetjen e Princit të Kurorës Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

    Osmani tha se marrëveshja u arrit sot në kryeqytetin saudit, duke falënderuar presidentin sirian, Ahmed al Sharaa, për vendimin e njohjes dhe për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës.

    “Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” deklaroi Osmani.

    Ajo gjithashtu theksoi se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë kaluar nëpër sakrifica të mëdha për liri, duke e cilësuar këtë njohje si njohje të sakrificës dhe sovranitetit shtetëror.

    “Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” shtoi ajo.

    VIDEO

  • Spektakël në UFC, Braziliani e mposht kundërshtarin në 94 sekonda

    Spektakël në UFC, Braziliani e mposht kundërshtarin në 94 sekonda

    Luftëtari brazilian Valter Walker e mposhti kundërshtarin britanik Louie Sutherland vetëm pas 94 sekondash, në eventin UFC 321 të mbajtur në Abu Dhab, me një goditje të fuqishme me thembër që e detyroi këtë të fundit të dorëzohej.

    Por, edhe pse fitorja ishte e shpejtë dhe mbresëlënëse, ajo nuk erdhi pa pasoja për Walkerin. Një shkëmbim i shkurtër në fillim të duelit i kushtoi atij një thyerje të fibulës së majtë, pas një goditjeje të fortë që mori në pulpë nga Sutherland.

    Vetë Walker konfirmoi dëmtimin përmes një postimi, duke zbuluar se do t’i duhet kohë për t’u rikuperuar plotësisht.

    Megjithatë, fitorja e fundit e 27-vjeçarit shënon triumfin e katërt radhazi në raundin e parë në UFC, çdo herë me të njëjtën teknikë – një goditje spektakolare me thembër.

  • SHBA prezanton X-59, aeroplani supersonik pa zhurmë dhe më i shpejtë se zëri

    SHBA prezanton X-59, aeroplani supersonik pa zhurmë dhe më i shpejtë se zëri

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë realizuar me sukses fluturimin e parë të një aeroplani “të qetë”, i aftë të udhëtojë me shpejtësi më të madhe se ajo e zërit, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë ajrore të së ardhmes.

    Ky projekt përfaqëson një arritje të madhe për shkencën dhe inxhinierinë amerikane, duke kombinuar inovacionin me qëllimin për të bërë fluturimet supersonike më të pranueshme dhe më miqësore ndaj mjedisit.

    NASA, në bashkëpunim me kompaninë e njohur Lockheed Martin, ka kryer me sukses testet e para të avionit eksperimental X-59. Ky aeroplan është projektuar për të eliminuar tingullin e fortë “boom” që krijohet zakonisht kur një aeroplan kalon shpejtësinë e zërit. Falë dizajnit të veçantë aerodinamik dhe teknologjive të avancuara të kontrollit të zërit, X-59 synon të prodhojë vetëm një zhurmë të butë, të ngjashme me një trokitje e lehtë në distancë.

    Ky aeroplan unik është ndërtuar si një prototip i vetëm dhe shërben si një platformë kërkimore për të testuar mundësitë e rikthimit të fluturimeve pasagjerësh supersonike, të cilat u ndërprenë që prej ndalimit të “Concorde” në fillim të viteve 2000, raporton reuters.

    Nëse testet rezultojnë të suksesshme, X-59 mund të hapë një epokë të re në udhëtimet ajrore, duke mundësuar që njerëzit të udhëtojnë shumë më shpejt midis kontinenteve, për shembull, nga Nju Jorku në Londër për më pak se katër orë.

    Sekretari Amerikan i Transportit, Sean Duffy ka theksuar se ky projekt forcon udhëheqjen e SHBA-së në fushën e aviacionit dhe inovacionit teknologjik, duke theksuar se synimi nuk është vetëm të arrihet shpejtësia, por edhe të përmirësohet përvoja e udhëtimit për publikun. Sipas tij, X-59 mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e perceptojnë udhëtimin ajror, duke e bërë atë më të qetë, më të shpejtë dhe më efikas.

    NASA ka investuar mbi 500 milionë dollarë në zhvillimin e projektit X-59. Aktualisht, inxhinierët dhe shkencëtarët po punojnë për të analizuar të dhënat nga testet fillestare dhe për të përmirësuar më tej teknologjinë e reduktimit të zhurmës. Qëllimi përfundimtar është që, në të ardhmen, të lejohet fluturimi i avionëve supersonikë mbi tokë, diçka që sot është e ndaluar për shkak të ndotjes akustike që shkaktojnë këto lloj fluturimesh.

    Nëse projekti X-59 përmbush pritshmëritë, ai mund të shënojë një revolucion të ri në historinë e aviacionit botëror, duke hapur rrugën për një epokë të re të fluturimeve të shpejta, të qeta dhe të qëndrueshme.

  • Siria njeh Republikën e Kosovës, marrëveshja historike arrihet në Riad

    Siria njeh Republikën e Kosovës, marrëveshja historike arrihet në Riad

    Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar se marrëveshja për njohje është arritur sot në Riad, me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

    Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje ndaj Presidentit sirian, Al Sharaa, për vendimin për njohje dhe për mbështetjen e dhënë ndaj popullit të Kosovës.

    “Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” ka deklaruar Osmani.

    Ajo ka falënderuar gjithashtu Princin e Kurorës së Arabisë Saudite për rolin e tij vendimtar në realizimin e këtij akti historik ndërmjet dy shteteve.

    Me këtë vendim, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës arrin në 120.

    “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë,” ka shtuar Presidentja Osmani.

    Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe asgjë nuk mund ta ndalë!

  • Rivotim nuk do të ketë, PZAP hedh poshtë kërkesën e Vetëvendosjes për Hanin e Elezit

    Rivotim nuk do të ketë, PZAP hedh poshtë kërkesën e Vetëvendosjes për Hanin e Elezit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar si të pasafatshme ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që kishte të bënte me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025 në komunën e Hanit të Elezit.

    LVV pretendonte se në këtë komunë kishte ndodhur manipulim me vota përmes procesit të votimit me asistencë, duke theksuar se 665 nga gjithsej 5,015 vota të vlefshme (13.26%) ishin bërë me ndihmë, një numër që sipas tyre tejkalon shumë realitetin e personave me probleme shikimi.

    Partia e kryeministrit Albin Kurti kërkonte anulim të pjesshëm të vendimit të KQZ-së, rivotim të plotë në Han të Elezit dhe dërgimin e rastit në prokurori.

    Por, KQZ kishte deklaruar se procesi i votimit ishte zhvilluar në përputhje me ligjin, pa asnjë raportim për parregullsi ditën e zgjedhjeve.

    Pas shqyrtimit të ankesës, PZAP vendosi ta hedhë atë si të pasafatshme, duke konfirmuar rezultatin përfundimtar të KQZ-së për zgjedhjet në Han të Elezit.