ATV

Author: K.B.

  • Wesley Clark futet në sallë, nis dëshmia në Hagë!

    Wesley Clark futet në sallë, nis dëshmia në Hagë!

    Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës, si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    I njëjti kishte hyrë një orë më herët në ambientet e Gjykatës Speciale.
    Siç raportoi Mujku, Clark bëri këtë veprim për t’u mos takuar me askënd te hyrja e Gjykatës.

    Ndërkohë, sipas Mujkut, e cila po qëndron në Hagë nga dje, dhe do ta përcjellë nga afër dëshminë e Clarkut, ai fillimisht do të pyetet për të kaluarën e tij, për gjithë përvojën ushtarake që ka pasur para se të shërbente si gjeneral me katër yje dhe si kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s, e më pas do të pyetet për gjithçka që di në lidhje me luftën e fundit në Kosovë.

    Tema e parë që mbrojtja e Thaçit do të ngrejë ndaj Clarkut do të jetë përpjekja e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor të vitit 1998, e më pas për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Më tej, ai pritet të flasë edhe për fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, që solli më pas lirinë për Republikën e Kosovës.

    Përveç kësaj, mbrojtja pritet ta pyesë edhe për marrëveshjen e demilitarizimit dhe hyrjen e KFOR-it në Kosovë në vitin 1999, si dhe për të gjitha përgjegjësitë që ka pasur Hashim Thaçi dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Punëtorët e RTK-së pa paga, Haxhiu: Nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera, zgjidhje të përkohshme

    Punëtorët e RTK-së pa paga, Haxhiu: Nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera, zgjidhje të përkohshme

    Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar për mosekzekutimin e pagave për punëtorët e RTK-së.

    Ajo ka hedhur akuza ndaj ish-opozitës, teksa në mënyrë të pabesueshme është shprehur se “nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera, zgjidhje të përkohshme” për çështjen e pagave për punëtorët e RTK-së.

    Haxhiu ka konfirmuar se pagat mund të ekzekutohen por sipas saj jo në këtë mënyrë, por duke formuar komisionet parlametare.

    Teksa këto përplasje po bëhen, punëtorët e RTK-së janë pa paga që 17 ditë.

    Postimi i saj:

    Qeveria e Kosovës ka bërë zgjidhje për pagat e punëtorëve të RTK-së sa nuk kishte Kuvend të konstituuar duke ndarë një huadhënie për ta.

    Mirëpo tash që kemi Kuvend të konstituuar nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera, zgjidhje të përkohshme, kur krejt çfarë duhet për financimin e plotë dhe të qëndrueshëm të këtij institucioni dhe punëtorëve të tij është që grupet politike të mblidhen e t’i formojnë komisionet parlamentare.

    Nuk është në rregull që opozita të vazhdojë e të bëjë politikë me këtë çështje kur e di sakt edhe ajo që kjo është e vetmja mënyrë përpara për RTK dhe punëtorët e saj.

  • Policia në aksion, sekuestron 116 patentë-shofer

    Policia në aksion, sekuestron 116 patentë-shofer

    Policia e Kosovës, njësia e trafikut të kryeqytetit, ka intensifikuar kontrollet në rrugët e Prishtinës në kuadër të një plani veprimi të fokusuar në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

    Gjatë periudhës nga 3 deri më 16 nëntor 2025, policia ka ndërmarrë aksione të vazhdueshme kontrolli, të cilat kanë rezultuar me shqiptimin e 1851 gjobave për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.

    Ndër këto masa ndëshkuese përfshihen 235 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 31 gjoba për mosrespektim të semaforit.

    Për shkelje më të rënda, policia ka sekuestruar 116 patentë-shofer, duke theksuar se këto masa janë të domosdoshme për rritjen e sigurisë së përgjithshme në trafik.

  • Studimi: Sa më shumë gjuhë të flisni, aq më pak rrezikoni demencën

    Studimi: Sa më shumë gjuhë të flisni, aq më pak rrezikoni demencën

    Një studim i ri shkencor po trondit perceptimet tona mbi procesin e plakjes: njerëzit që flasin rregullisht disa gjuhë plaken dukshëm më ngadalë. Ky hulumtim përfshiu më shumë se 86,000 të rritur nga 27 vende të Evropës dhe u publikua në revistën prestigjioze Nature Aging.

    Ekipi ndërkombëtar i drejtuar nga Agustin Ibañez i Trinity College Dublin analizoi moshën kronologjike të pjesëmarrësve dhe e krahasoi me tregues biologjikë e sjellorë si shëndeti, aktiviteti fizik, stili i jetës dhe angazhimi shoqëror. Pjesëmarrësit ishin të moshës 50 deri në 90 vjeç.

    Rezultatet ishin të qarta: individët shumëgjuhësh kishin shumë më pak gjasa të përjetonin plakje të përshpejtuar, krahasuar me ata që flasin vetëm një gjuhë. Madje, sipas studiuesve, efekti nuk ndalet tek dy gjuhët — çdo gjuhë shtesë rrit ndjeshëm mbrojtjen biologjike ndaj plakjes.

    Peter Berlit, sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Gjermane për Neurologji (DGN), i cili nuk ishte pjesë e studimit, tha se këto gjetje tregojnë qartë edhe për mbrojtje ndaj demencës.
    “Ky studim konfirmon studime më të vogla vëzhguese që kanë treguar se shumë-gjuhësia duket të jetë një faktor mbrojtës kundër demencës.”

    Edhe pse në studim nuk u përfshinë persona me demencë, Berlit thekson se të dhënat japin indikacione të rëndësishme mbi mekanizmat që mund të ngadalësojnë rënien njohëse në moshë të thyer.
    “Rezistenca ndaj rënies njohëse në fakt rritet duke përdorur gjuhë të shumta.”

    Sa më shumë gjuhë, aq më i fuqishëm efekti

    Studiuesit ia atribuojnë këtë fenomen “rezervës njohëse” — një kapacitet i trurit që e mbron atë nga rënia me kalimin e viteve.
    “Shumë-gjuhësia duket të jetë një pengesë në tru”, shpjegon Berlit. “Njerëzit që flasin disa gjuhë kanë më shumë kujtesë për të përdorur në pleqëri.”

    Dy neuroshkencëtarët Jason Rothman dhe Federico Gallo nga Universiteti i Lancaster thonë se tani sfida qëndron te zbërthimi i mekanizmave që qëndrojnë pas këtij efekti, për t’i kthyer ato në strategji konkrete për plakje të shëndetshme. Sipas tyre, shumë-gjuhësia mund të jetë një mjet me kosto të ulët për përmirësimin e shëndetit publik, potencialisht po aq i rëndësishëm sa programet për aktivitet fizik apo ndalimin e duhanit.

    Mësimi i gjuhëve si parandalim i demencës

    Berlit e quan këtë një mundësi të thjeshtë dhe jashtëzakonisht efektive parandaluese:
    “Mësimi i një gjuhe të re është një rekomandim i thjeshtë dhe shumë efektiv për parandalimin e demencës. Është një masë e politikës shëndetësore që kushdo mund ta zbatojë.”

    Tashmë, studiuesit duan të zbulojnë nëse mësimi i gjuhëve të reja në moshë të vonë sjell të njëjtin efekt mbrojtës si shumë-gjuhësia e fituar gjatë gjithë jetës.
    “Studimet e ardhshme duhet të bëjnë dallimin midis gjuhëve të mësuara në fëmijëri dhe atyre të mësuara në pleqëri. Unë besoj se të dyja janë efektive, por kjo ende duhet të provohet”, tha Berlit.

    Ky zbulim vjen në një kohë kur teknologjitë e përkthimit të bazuara në inteligjencë artificiale po e reduktojnë përdorimin e shumë-gjuhësisë në disa fusha — por studiuesit theksojnë se asnjë softuer nuk mund të zëvendësojë përfitimet biologjike që truri merr nga përdorimi i gjuhëve të shumta.

  • Punonjësit e RTK-së në grevë për një orë: Edicioni i orës 11:00 i lajmeve nuk u transmetua

    Punonjësit e RTK-së në grevë për një orë: Edicioni i orës 11:00 i lajmeve nuk u transmetua

    Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) sot kanë mbajtur një orë grevë.

    Meqenëse kanë kaluar 17 ditë pa paga, ata sot kanë ndryshuar formën e protestimit të tyre.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Gëzim Bimbashi, ka treguar se sot lajmet e orës 11:00 nuk kanë shkuar në transmetim.

    Sipas tij, kjo është bërë në shenjë pakënaqësisë të mosekzekutimit të pagave.

    “Ne jemi në transmetim të drejtpërdrejt si televizion Publik, jemi në formën jo të dëshiruar që kemi ardh sot në grevë. Ky është paralajmërim. Edicioni i orës 11:00 i lajmeve nuk është duke shkuar, për shkak se 700 punëtorë janë pa paga dhe në gjendje shumë të rëndë. I bëjmë thirrje prej këtu Qeverisë së Kosovës se mundet ta gjejë një zgjidhje ligjore. Ta gjejnë një zgjidhje ligjore e pastaj le të provojnë të krijojnë komisione e trupa të Kuvendit sepse situata është emergjente, nuk pret. Një falënderim shumë të madh për media, për kryetarin e BSPK, SBASHK, Kusarin dhe gjithë koleget e mediat që po përkrahni dhe solidarizoheni me televizionin Publik”, ka thënë ai.

  • Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

    Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se disa arinj që ishin paraqitur ditëve të fundit në fshatin Bellobrad të Dragashit tashmë janë larguar.

    Siç bëhet e ditur në njoftim arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.

    “Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme. Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse:- Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, – Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”, – Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe- Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi. Nga Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara. Policia informon edhe njëherë banorët e fshatit Bellobrad dhe rrethin se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët”, thuhet në njoftim.

  • Mjekët hedhin poshtë mitet: Mashtrimet më të mëdha shëndetësore që ke besuar gjithë jetën

    Mjekët hedhin poshtë mitet: Mashtrimet më të mëdha shëndetësore që ke besuar gjithë jetën

    Legjendat urbane dhe mitet shëndetësore na kanë shoqëruar brez pas brezi, duke u bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Shpesh i kemi pranuar si të vërteta absolute, edhe pse shkenca ka treguar të kundërtën. Më poshtë, sipas një liste të publikuar nga AgroWeb.org, gjeni disa prej pretendimeve më të përhapura – dhe çfarë thotë realisht shkenca për to.

    A duhet vërtet të pimë 8 gota ujë në ditë?

    Nuk është e nevojshme të numëroni gotat. Studimet tregojnë se njerëzit që pijnë një gotë ujë vetëm kur janë të etur, marrin sasinë e mjaftueshme për të qëndruar të hidratuar.
    Edhe lëngjet, supat apo perimet kontribuojnë në hidratim.
    Ekspertët theksojnë se pijet e tepërta mund të shkaktojnë edhe “overdozë uji”, një gjendje që shfaqet kur trupi merr më shumë se sa i nevojitet.

    A dëmtojnë vezët zemrën?

    Sipas studimeve të Harvard, ngrënia e dy vezëve në ditë nuk rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
    Vezët përmbajnë omega-3 dhe aminoacide thelbësore, të dobishme për shëndetin kardiovaskular.

    A sëmuremi kur rrimë në të ftohtë?

    Qëndrimi për një kohë të gjatë në temperatura të ulëta nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ftoheni.
    Përkundrazi, studimet tregojnë se personat që ekspozohen disa orë në temperatura nën zero shpesh janë më të shëndetshëm.
    Bakteret shumohen më lehtë në ambiente të ngrohta të brendshme.

    Multivitamina çdo ditë?

    Ekspertët thonë se multivitaminat duhen marrë vetëm kur rekomandohen nga mjeku, pasi ato nuk mund të zëvendësojnë vitaminat dhe mineralet që merren natyrshëm nga ushqimi.
    Ushqimi i pasur me fruta, perime, drithëra, arrorë dhe vaj ulliri është alternativa më e shëndetshme.

    A ndihmon mëngjesi në rënien nga pesha?

    Ngrënia e mëngjesit mban larg urinë, por rënia në peshë nuk varet vetëm prej tij.
    Rezultati ndryshon sipas llojit të ushqimeve të konsumuara dhe balancës mes vakteve.

    A i bën sheqeri fëmijët hiperaktivë?

    Sheqeri është i dëmshëm, por studimet thonë se nuk shkakton hiperaktivitet.
    Shpesh janë vetë prindërit që presin këtë efekt dhe ia atribuojnë sjelljet e fëmijëve konsumit të sheqerit.

    A shkakton kërcitja e gishtave artrit?

    Kërcitja e gishtave nuk shkakton artrit. Zhurma vjen nga formimi i gazrave mes kockave të gishtave.
    Megjithatë, bëhet e ditur se kërcitja e shpeshtë mund të shkaktojë enjtje dhe ndjesi shtrëngimi në duar, prandaj këshillohet të shmanget.

  • Shkencëtarët kinezë: Kanceri mund të zhduket brenda 10 viteve, ilaçi i ri premton jetë deri në 150 vjet

    Shkencëtarët kinezë: Kanceri mund të zhduket brenda 10 viteve, ilaçi i ri premton jetë deri në 150 vjet

    Drejtori kryesor teknologjik në kompaninë kineze “Lonvi Biosciences” në Shenzhen, Liu Qinghua, deklaroi se, falë rezultateve të kërkimeve më të fundit, në vitet e ardhshme askush nuk do të vuajë nga kanceri, ndërsa jetesa deri në 150 vjet do të bëhet realitet

    “Të jetosh deri në 150 vjet është një objektiv absolutisht i arritshëm. Pas disa vitesh, kjo do të jetë realitet. Për pesë deri në dhjetë vjet, askush nuk do të sëmuret nga kanceri”, tha Qinghua, raporton The New York Times.

    Optimismi i tyre bazohet në zhvillimin e një ilaçi të ri, i cili ka treguar rezultate mbresëlënëse në studimet laboratorike. Kompania që drejton Qinghua pretendon se ka izoluar molekula “të afta të vrasin qelizat zombie” , qeliza të vjetra dhe senescente, që nuk vdesin dhe dëmtojnë qelizat përreth. Eliminimi i këtyre qelizave është një nga qasjet më premtuese në fushën e senolizës, një teknologji e studiuar gjerësisht nga institute si Mayo Clinic, Scripps Research Institute dhe Buck Institute for Research on Aging.

    Këto qeliza janë të lidhura me plakjen e përshpejtuar, inflamacionin kronik (inflammaging), diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa forma të kancerit. Studime të publikuara në revista të nivelit Nature, Cell dhe Science tregojnë se pastrimi i qelizave senescente te modelet shtazore rrit jetëgjatësinë dhe përmirëson funksionet fizike dhe metabolike.

    Kompania pretendon se ka gjetur një mënyrë për të prodhuar kapsula me përqendrime të larta të këtyre molekulave, duke i dhënë ilaçit potencialin të funksionojë si senolitik oral, një kategori ilaçesh që aktualisht është në fazë të hershme klinike nëpër botë.

    “Kjo nuk është thjesht një pilulë tjetër. Ky është Graali i Shenjtë”, tha drejtori ekzekutiv i “Lonvi Biosciences”, Ip Zuo, i njohur me pseudonimin Ziko.

    Sipas kompanisë, kombinimi i këtyre pilulave me një mënyrë të shëndetshme jetese dhe kujdes të rregullt mjekësor mund të ndihmojë njerëzit të jetojnë nga 100 deri në 120 vjet, madje edhe më shumë. Vlen të theksohet se studimet mbi jetëgjatësinë te njerëzit janë të ndërlikuara dhe kërkojnë prova afatgjata.

    David Furman, profesor i asociuar në Buck Institute for Research on Aging, një nga Qendrat më të njohura të gerontologjisë në botë, tha se pilulat kineze “duken premtuese”, por thekson se ato duhet të testohen në prova të mëdha klinike, të kontrolluara dhe të blinduara ndaj gabimeve metodologjike. Aktualisht, disa senolitikë (si kombinimi dasatinib + quercetin) po testohen te njerëzit, por rezultatet janë ende të kufizuara.

    Kina mbetet një nga vendet kryesore që investon agresivisht në studimet kundër plakjes. Përveç ekstraktit të farës së rrushit, kompanitë kineze po eksplorojnë substanca si manaferrat goji, si dhe teknologji mbështetëse si dhomat kriogjenike, terapia hiperbarike, stimulimi mitokondrial dhe bioinxhinieria e qelizave staminale.

    Kompania “Lonvi Biosciences”, me seli në Shenzhen, ka zhvilluar pilulat kundër plakjes të bazuara në përbërjen procyanidin C1 (PCC1), që gjendet në ekstraktin e farave të rrushit. PCC1 i takon familjes së polifenoleve dhe është studiuar për efektet antioksiduese dhe kundër inflamacionit.

    Studime të kryera në Universitetin e Shangait dhe të botuara në Nature Metabolism treguan se PCC1 rriti jetëgjatësinë e minjve me rreth 10%, duke shkatërruar në mënyrë selektive qelizat senescente dhe duke mbrojtur qelizat e shëndetshme. Te minjtë e moshuar, u vërejt përmirësim i forcës së muskujve, aktivitetit fizik, densitetit të kockave dhe metabolizmit.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se kalimi nga rezultatet te modelet shtazore në prova të suksesshme klinike te njerëzit kërkon vite dhe verifikim rigoroz.

  • Shkencëtari japonez krijon teknologjinë që “lexon mendjen”, epoka e re e Al

    Shkencëtari japonez krijon teknologjinë që “lexon mendjen”, epoka e re e Al

    Një shkencëtar japonez ka zhvilluar një teknikë revolucionare që përdor skanime të trurit dhe Inteligjencë Artificiale për të kthyer imazhet mendore të një personi në fjali të sakta dhe përshkruese.

    Edhe pse është bërë përparim në përkthimin e mendimeve në tekst, konvertimi i përvojave komplekse vizuale në gjuhë deri më tani ka rezultuar të jetë një sfidë e madhe, thekson autori i studimit, Tomoyasu Horikawa, raporton CNN .

    Metoda e re, e quajtur “mbishkrime mendore”, përdor Al për të gjeneruar tekst që pasqyron detaje vizuale nga truri – siç janë objektet, vendet, veprimet dhe ngjarjet, si dhe marrëdhëniet midis tyre.

    Studimi u botua më 5 nëntor në revistën Science Advances.

    Si funksionon teknologjia e re?

    Horikawa, një studiues në laboratorët e kompanisë së telekomunikacionit NTT, filloi duke analizuar aktivitetin e trurit të katër folësvejaponezë, meshkuj dhe dy femra, ndërsa ata shikonin 2,180 videoklipe të shkurtra pa zë.

    Truri i tyre u skanua duke përdorur imazhe me rezonancë magnetike funksionale (fMRI), një teknikë jo invazive që mat aktivitetin e trurit.

    Pastaj, modelet e mëdha gjuhësore – sistemet gjeneruese të Al – i konvertuan përshkrimet e atyre klipeve video në vargje numrash.

    Horikawa më pas trajnoi modele më të thjeshta të Al, të quajtura “dekodues”, për të përputhur aktivitetin e skanuar të trurit me ato vargje numrash.

    Së fundmi, ai përdori dekoderë për të interpretuar aktivitetin e trurit të pjesëmarrësve ndërsa ata shikonin ose kujtonin video që Al nuk i kishte parë më parë, dhe një algoritëm i veçantë gjeneroi fjali që përputheshin më së miri me aktivitetin e dekoduar.

    “Është vetëm një hap tjetër përpara në drejtimin e asaj që, sipas mendimit tim, mund ta quajmë me të drejtë lexim të trurit ose lexim të mendjes”, tha Marcello Ienca, profesor i etikës së Al dhe neuroshkencës në Universitetin Teknik të Mynihut, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

    Potenciali për aplikime revolucionare mjekësore

    Është interesante se modeli i Al gjeneroi tekst në anglisht, edhe pse pjesëmarrësit nuk ishin folës amtarë të asaj gjuhe.

    Horikawa theksoi se metoda mund të krijojë përshkrime gjithëpërfshirëse të përmbajtjes vizuale edhe pa përdorur aktivitet në rajonet gjuhësore të trurit.

    “Kjo sugjeron që kjo metodë mund të përdoret edhe kur dikush ka dëmtime rreth atij rrjeti gjuhësor”, shpjegoi ai.

    Prandaj, teknologjia mund të përdoret potencialisht për të ndihmuar njerëzit me afazi, të cilët kanë vështirësi në shprehjen e vetvetes në mënyrë gjuhësore, ose ata që vuajnë nga skleroza laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje progresive neurodegjenerative që ndikon në të folur.

    “Mendoj se ky studim hap rrugën për disa ndërhyrje të thella për njerëzit që kanë vështirësi në komunikim, përfshirë personat autikë joverbalë”, tha psikologu Scott Barry Kaufman, lektor në Kolegjin Barnard në New York.

    Megjithatë, ai paralajmëroi: “Ne duhet ta përdorim me kujdes dhe të sigurohemi që të mos jemi ndërhyrës dhe që të gjithë të bien dakord me të.”

    “Sfida Përfundimtare e Privatësisë”

    Suksesi i kësaj metode, e cila një ditë mund të përdoret për të deshifruar mendimet e foshnjave, kafshëve apo edhe përmbajtjen e ëndrrave, ngre pyetje serioze etike në lidhje me privatësinë.

    Studimi përmend mundësinë e zbulimit të mendimeve private të një individi përpara se ai t’i ketë shprehur ato me fjalë.

    “Nëse në të ardhmen kjo teknologji përdoret nga konsumatorët jashtë qëllimeve biomjekësore, mendoj se kjo është sfida përfundimtare e privatësisë”, tha Ienca.

    Ai shtoi se shumë kompani, të tilla si Neuralink e Elon Musk, pretendojnë publikisht se së shpejti do të zhvillojnë implante nervore për popullatën e përgjithshme.

    “Nëse arrijmë në këtë pikë, atëherë duhet të kemi rregulla shumë, shumë të rrepta kur bëhet fjalë për dhënien e aksesit në mendjet dhe trurin e njerëzve”, theksoi Ienca, duke vënë në dukje se truri ynë përmban “informacion të ndjeshëm” siç janë “shenjat e demencës së hershme dhe çrregullimeve psikiatrike dhe depresionit”.

    Shkencëtari social Lukasz Szoszkiewicz nga Universiteti Adam Mickiewicz në Poloni beson se privatësia mund të mbrohet.

    “Ne duhet t’i trajtojmë të dhënat nervore si të ndjeshme, të kërkojmë pëlqim të qartë”, tha Szoszkiewicz, i cili gjithashtu nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

    Sa afër jemi me leximin e mendjeve?

    Pavarësisht progresit, Horikawa vuri në dukje se metoda e përdorur në studimin e tij kërkon një sasi të madhe të mbledhjes së të dhënave me bashkëpunimin e pjesëmarrësve aktivë.

    Pra, ndërsa teknologjia është e dobishme për kërkimin shkencor, “nuk është aq e saktë për përdorim praktik”.

    Gjithashtu, studimi përdori video me skena të zakonshme, të tilla si një qen që kafshon një njeri, por jo skena më të pazakonta, kështu që nuk është ende e qartë nëse teknika mund të zbatohet në imazhe mendore më pak të parashikueshme.

    Si rezultat, “ndërsa disa njerëz mund të shqetësohen se kjo teknologji përbën një rrezik serioz për privatësinë mendore”, në realitet, “qasja aktuale nuk mund t’i lexojë lehtësisht mendimet private të një personi”.

  • Fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE-së, vjen reagimi i OEK-ut

    Fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE-së, vjen reagimi i OEK-ut

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

    Sipas OEK, me aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    “Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar”, thuhet në reagim.

    OEK theskon se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin.