ATV

Author: K.B.

  • Me sa gola duhet ta mposhtë Kosova, Zvicrën për të shkuar direkt në Botëror?

    Me sa gola duhet ta mposhtë Kosova, Zvicrën për të shkuar direkt në Botëror?

    Kosova ndeshet të martën me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.

    Dardanët kanë 10 pikë në vendin e dytë, dhe tashmë e kanë siguruar Playoff-in.

    Mirëpo, ata kanë vetëm tri pikë më pak se Zvicra që mban vendin e parë, por me një golaverazh shumë më të mirë prej 13:1 (Kosova e ka 5:4).

    Në mënyrë që të kualifikohet drejtpërdrejt, Kosova duhet të triumfojë së paku 6-0 ndaj helvetëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

  • Shkencëtarët krijojnë për herë të parë embrione nga ADN-ja e lëkurës së njeriut

    Shkencëtarët krijojnë për herë të parë embrione nga ADN-ja e lëkurës së njeriut

    Shkencëtarët amerikanë kanë realizuar një hap të paparë më parë në shkencën e riprodhimit: për herë të parë kanë krijuar embrione njerëzore në fazat e para të zhvillimit duke manipuluar ADN-në e marrë nga qelizat e lëkurës dhe më pas duke e fekonduar atë me spermë.

    Kjo teknikë, sipas studiuesve, mund të hapë rrugën drejt kapërcimit të infertilitetit të shkaktuar nga mosha apo sëmundjet, pasi pothuajse çdo qelizë e trupit mund të shndërrohet në pikënisje për krijimin e jetës së re.

    Megjithatë, metoda kërkon vite përsosjeje – ndoshta deri në një dekadë – përpara se klinikat e fertilitetit të mund ta përdorin. Ekspertët e quajtën zbulimin mbresëlënës, por paralajmëruan se publiku duhet të jetë pjesë e një diskutimi të hapur për atë që po bëhet e mundur nga shkenca moderne.

    Tradicionalisht, riprodhimi ishte thjesht bashkimi i spermës me vezën. Sot rregullat po ndryshojnë. Eksperimenti i fundit nis me një qelizë të lëkurës së njeriut.

    Ekipi kërkimor i Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon nxjerr bërthamën – që përmban gjithë kodin gjenetik – nga qeliza e lëkurës dhe e vendos brenda një veze dhuruese të cilës i janë hequr udhëzimet e saj gjenetike. Deri këtu, teknika ngjan me atë që u përdor për të krijuar Dolly the Sheep në vitin 1996.

    Por veza, e cila tashmë ka një set të plotë kromozomesh, nuk është gati për fekondim. Për këtë arsye, studiuesit e detyrojnë atë të heqë gjysmën e kromozomeve, një proces që e kanë quajtur “mitomejozë” – një kombinim i mitozës dhe mejozës.

    Studimi, i publikuar në Nature Communications, tregon se procesi çoi në krijimin e 82 vezëve funksionale. Ato u fekonduan me spermë dhe disa prej tyre arritën të zhvillohen në fazat e para të embrionit. Megjithatë, asnjë nuk shkoi përtej ditës së gjashtë.

    “Ne arritëm diçka që mendohej e pamundur,” deklaroi Prof. Shoukhrat Mitalipov, drejtor i qendrës së terapive të qelizave embrionale dhe gjenetike në OHSU.

    Sipas studiuesve, suksesi aktual është i ulët – rreth 9% – dhe procesi ndikon që kromozomet të humbasin një fazë kyçe të riorganizimit të ADN-së së tyre, të quajtur “kryqëzim”.

    Prof. Mitalipov theksoi: “Ne duhet ta përsosim atë”. Ai shtoi se “përfundimisht kjo do të jetë e ardhmja, sepse ka gjithnjë e më shumë pacientë që nuk mund të kenë fëmijë”.

    Teknologjia është pjesë e një fushe të re që synon prodhimin e spermës dhe vezëve jashtë trupit – gametogjeneza in vitro. Ende është në fazat e hershme shkencore, por ideja është të ndihmojë çiftet që nuk mund të përfitojnë nga IVF për shkak se nuk kanë spermë ose vezë të përdorshme.

    Kjo qasje mund të ndihmojë gratë në moshë që nuk prodhojnë më vezë të shëndetshme, burrat që nuk prodhojnë mjaft spermë apo pacientët që janë bërë infertilë pas trajtimeve të kancerit.

  • Përjashtimi i Izraelit nga “Eurovision 2026” tashmë duket pothuajse i pamundur

    Përjashtimi i Izraelit nga “Eurovision 2026” tashmë duket pothuajse i pamundur

    Pas vizitës së drejtorit të përgjithshëm të radiotelevizionit publik të Austrisë (ORF), Roland Weissmann, në Jerusalem dhe takimit të tij me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, si dhe me drejtorin e KAN-it, transmetuesit publik izraelit, Golan Yochpaz, mediat vendase raportojnë se mundësia që Izraeli të përjashtohet nga Eurovision 2026 tashmë është thuajse zhdukur.

    Më pak se një muaj na ndan nga Asambleja e Përgjithshme e EBU-së në Gjenevë, ku pritet të sqarohet zyrtarisht çështja e pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e 70-të të Eurovisionit.

    Të dielën, më 9 nëntor, drejtori i ORF-it vizitoi Jerusalemin për të riafirmuar qartë dhe fuqishëm mbështetjen e Austrisë për Izraelin dhe të drejtën e tij për të marrë pjesë në konkurs.

    Eurovisioni vitin e ardhshëm shënon 70-vjetorin e tij, dhe Izraeli prej dekadash është një pjesë e pandashme e festivalit. Drejtori i KAN deklaroi se nuk ka asnjë bazë ligjore apo arsye për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision 2026, pasi vendi gjithmonë ka respektuar rregullat e EBU-së dhe do të vazhdojë t’i zbatojë ato.

    Presidenti Isaac Herzog theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale dhe operacionale të KAN-it si transmetuesi publik i Izraelit. Pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, votimi i planifikuar që pritej të vendoste fatin e pjesëmarrjes së Izraelit u anulua dhe u zëvendësua me një sesion diskutimi që do të mbahet në dhjetor.

    Burime të afërta me procesin tregojnë se rreziku i përjashtimit të Izraelit tani ka kaluar pothuajse krejtësisht dhe vendi pritet të marrë pjesë normalisht në Eurovision 2026.

    Mbështetja e fuqishme e Austrisë ka qenë vendimtare, dhe vizita e drejtorit të ORF-it në Rezidencën Presidenciale të Jerusalemit, e shoqëruar me deklaratat e tij, shihet nga shumëkush si një konfirmim de facto i pranisë së Izraelit në konkursin e vitit të ardhshëm.

  • FSK: Plagosja e ushtarit në Prishtinë ndodhi aksidentalisht, arma nuk ishte zyrtare

    FSK: Plagosja e ushtarit në Prishtinë ndodhi aksidentalisht, arma nuk ishte zyrtare

    Forca e Sigurisë së Kosovës, ka bërë të ditur se plagosja me armë zjarri e një pjesëtari të saj të dielën në Prishtinë ka ndodhur aksidentalisht.

    Nënkoloneli Vëllazërim Qerimi, shef i sektorit për informim publik në FSK, ka thënë për teve1.info se rasti ka ndodhur jashtë ambienteve të FSK-së.

    Ai ka bërë të ditur se arma e përdorur nuk ka qenë zyrtare e FSK-së

    Në këtë rast janë përfshirë dy ushtarë të FSK-së.

    “Ju njoftojmë që rasti ka ndodhur aksidentalisht jashtë ambienteve të FSK-së, arma e përdorur nuk është zyrtare e FSK-së dhe momentalisht rasti është në procedurë të hetimit”, ka thënë Qerimi.

    Policia e Kosovës të dielën ka njoftuar për një plagosje me armë zjarri në fshatin Sharban të Prishtinës.

  • Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene për liberalizimin e tregut të energjisë

    Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene për liberalizimin e tregut të energjisë

    Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, duke aprovuar kështu kërkesëpadinë e Odës Ekonomike e Kosovës, kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Supremja, në komunikatën e saj ka konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike.

    Komunikata:

    Në mbrojtje të konsumatorëve, Gjykata Supreme shpallë të paligjshme dhe shfuqizon nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike

    Prishtinë, 17 nëntor 2025 – Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e paraqitur kundër të paditurës: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017.

    Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

    Në dritën e argumenteve të parashtruara dhe provave të administruara në shqyrtim gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.

    Gjykata Supreme kishte parasysh se, Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e “Acquis communautaire” të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, kjo do të thotë se institucionet shtetërore, janë të detyruara të harmonizojnë legjislacionin energjetik dhe rregullues me detyrimet që dalin nga traktati, të cilat janë ligjërisht të detyrueshme për Palët Kontraktuese.

    Gjykata thekson se parimi i “efektit të konsumuar” (actus consumatus) nuk mund të interpretohet në mënyrë që të përjashtojë nga kontrolli gjyqësor aktet nënligjore që vazhdojnë të prodhojnë efekte faktike dhe juridike, për shkak se një interpretim i tillë do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

    Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.

    Gjykata, dispozitat e ligjit i interpretoi në favor të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në frymën e direktivës së 2009/72/CE, e cila në formulimin e saj i referohet plotësimit të dy kritereve në mënyrë kumulative, si dhe mos përmbushjes së detyrimeve për hapjen efektive të tregut, konstaton se dispozitat e kontestuara të udhëzuesve të lartcekur, kanë prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen.

  • Të mërkurën i mbaron afati Konjufcës, Osmani: Kam pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët

    Të mërkurën i mbaron afati Konjufcës, Osmani: Kam pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për gazetarë, ka folur për seancën për formimin e qeverisë. Ajo ka thënë se do të ftohet me kohë dhe do të respektohen afatet kushtetuese.

    “Siç e dini ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që ajo do të ftohet me kohë qe të respektohen afatet kushtetuese për formimin e qeverisë, kurse në anën tjetër nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati, dhe pastaj është në duart e deputetëve dhe partive se çka diskutojnë, këto janë procese në të cilat s’kam ndërhyrë më parë e nuk mund të ndërhyj as tash”, tha ajo.

    Osmani shtoi se ka pasur shpresë që seanca do të ftohet më herët.

    “Sa i përket ftesës ka qenë optimizëm i imi, si duket të tjetër nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Kam pasur shpresë që do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur”, tha ajo.

    Ajo shtoi se pritet të shihet se cka do të ndodhë të mërkurën.

  • A duhet të shqetësoheni kur fëmija ecën në majë të gishtave edhe pas moshës 2-vjeçare?!

    A duhet të shqetësoheni kur fëmija ecën në majë të gishtave edhe pas moshës 2-vjeçare?!

    Ecja në majë të gishtave mund të jetë normale për fëmijët e moshës 12-15 muaj, pasi provojnë pozicione të ndryshme të këmbëve. Në përgjithësi, ecja në majë të gishtave nuk është asgjë për t’u shqetësuar derisa fëmija mbush 2 vjeç. Përveç zbulimit të mënyrave të lëvizjes, ecja në majë të gishtave mund të mbetet si zakon tek fëmijët, të cilët vazhdojnë ta bëjnë pa pushim. Zakonisht, ata ndalojnë së bëri këtë në moshën 5 vjeç. Megjithatë, për shkak të arsyeve të ndryshme, ecja në majë të gishtave mund të jetë ende e zakonshme tek fëmijët e moshave më të mëdha. Por pse vazhdojnë të ecin në majë të gishtave?

    Mund të jetë një gjendje e veçantë
    Nëse fëmija juaj vazhdon të ecë në majë të gishtave edhe pas moshës 2 vjeç, mund të jetë e nevojshme të vizitoni një mjek. Kontrolloni së pari këmbët e fëmijës për të parë nëse kanë muskuj të fortë të këmbëve, ose nëse kanë vështirësi me koordinimin.

    Shkaku mund të jetë distrofia muskulare
    Kjo është një gjendje gjenetike që mund të diagnostikohet duke kontrolluar muskujt e këmbëve të një fëmije. Në këtë rast, muskujt e tyre janë zakonisht të dobët.

    Një anomali e palcës kurrizore
    Kjo mund të shkaktojë kufizim të lëvizjes së palcës kurrizore. Ndodh kur palca kurrizore është e lidhur me indet përreth shtyllës kurrizore si në bazën e saj, për shembull. Si rezultat, ndërsa shtylla kurrizore rritet, palca kurrizore shtrihet dhe nervat dëmtohen. Kjo gjendje e bën të vështirë ecjen drejt dhe shkakton dhimbje. Fëmija duhet të kontrollohet menjëherë nga një mjek.

    Paraliza cerebrale
    Ecja në majë të gishtave mund të shkaktohet nga paraliza cerebrale. Në këtë rast, fëmija gjithashtu ka muskuj të dobët, ka probleme me mbajtjen e trupit drejt dhe ecën në mënyrë të paqëndrueshme.

    Thjesht një zakon
    Kjo ndodh kur një fëmijë është absolutisht i shëndetshëm, por për disa arsye thjesht refuzon të ecë normalisht dhe preferon të ecë në majë të gishtave. Kjo mund të jetë rezultat i një zakoni të thjeshtë që ata nuk mund ta heqin qafe. Kjo gjendje prek diku nga 5% deri në 12% të fëmijëve të shëndetshëm.

  • Pse disa njerëz thinjen në moshë të re?

    Pse disa njerëz thinjen në moshë të re?

    Nëse mendoni se jeni të vetmit që ju janë thinjur flokët, mendoni gabim. Tingëllon çuditshëm që shumë të rinj janë me thinja, por më e rëndësishmja është se këto shenja nuk kanë lidhje me plakjen.

    Thinjat në moshë të re janë disa shenja që tregojnë se shëndeti juaj nuk është edhe aq i mirë. Në këtë artikull do të njiheni me disa nga arsyet kryesore pse ju dalin thinjat që në moshë të re.

    1. Mund të keni mungesë të vitaminës B12. Sipas ekspertëve mungesa e vitaminës B12 është shkaku më i zakonshëm i thinjave të hershme në flokë. Për ta shmangur këtë sigurohuni që të shtoni ushqimet e duhura si vezë, mish viçi, ton dhe salmon në dietën tuaj. Gjithashtu vitaminën B12 mund ta gjeni edhe në suplemente.

    2.Probleme me tiroiden. Nëse keni probleme me flokët e thatë apo të yndyrshme, normalisht që këto do të pasohen me thinja të parakohshme.

    3. Ju konsumoni më shumë ushqime të gatshme sesa të shëndetshme. Nëse nuk keni një dietë të pasur ushqimore shansi është që të thinjeni para kohe. Studime të ndryshme kanë dalë në përfundimin se ferritina, kalciumi, Vitamina D-3, bakri, zinku dhe hekuri mund t’i mbajnë flokët tuaj të shëndetshme, ndërsa mungesa e tyre mund të çojë në shfaqjen e thinjave që në moshë të re.

    4.Shqetësoheni shpejt për gjërat dhe stresoheni. Nëse stresoheni shpesh, kjo gjë ndikon tek qelizat staminale që janë përgjegjëse për rigjenerimin e flokëve tuaj, prandaj ju dalin më herët thinjat.

    5. Thinja të trashëguara. Ndodh që thinjat e hershme t’i keni të trashëguara nga prindërit, pra janë gjenetike. Nëse dikush në familjen tuaj thinjet herët, kjo do të ndodhë edhe me ju.

    6. Përdorimi i produkteve për flokët me kimikate dëmtuese. Nëse lyeni flokët shumë shpesh, këto kimikate ndikojnë në melaninën tuaj duke humbur kështu ngjyrën natyrale të flokëve.

  • Brukseli jep sinjalin më të fortë deri tani: Shqipëria në shteg të qartë drejt anëtarësimit në BE

    Brukseli jep sinjalin më të fortë deri tani: Shqipëria në shteg të qartë drejt anëtarësimit në BE

    Institucionet evropiane kanë dhënë të hënën e 17 nëntorit një vlerësim të bashkuar dhe të prerë mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar hapjen e grupkapitullit të fundit si një moment që e pozicionon vendin në fazën më të avancuar të negociatave deri më tani.

    Brukseli e konsideron këtë arritje si rezultat të një ritmi të konsoliduar reformash dhe një përkushtimi të palëkundur institucional.

    “Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimit me Bashkimin Evropian… kjo shpejtësi rekord është njohje e punës së madhe drejt së ardhmes evropiane”, theksoi ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

    Zyrtarja daneze nënvizoi se avancimi në negociata nuk është thjesht procedural, por një tregues i qartë i gatishmërisë së vendit për të përqafuar standardet evropiane në mënyrë tërësore.

    Sipas saj, dinamika e deritanishme përbën bazën më të fortë të Shqipërisë për të hyrë në kapitullin vendimtar të procesit.

    “Nëse Shqipëria vazhdon me të njëjtin ritëm, fokus dhe cilësi, jam e sigurt që anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt… Shqipëria i përket familjes evropiane”, shtoi Bjerre, duke e lidhur ecurinë me prioritetin e hapur të Presidencës daneze për zgjerimin.

    Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, theksoi dimensionin strategjik të këtij hapi për Bashkimin Evropian, duke e konsideruar përparimin e Shqipërisë si një shembull të prekshëm të transformimeve që prodhon procesi i zgjerimit. Ajo nënvizoi se përfshirja e plotë ekonomike e vendit në tregun e përbashkët europian po bëhet çdo ditë e më konkrete.

    “Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në… Reformat po sjellin ndryshime reale në sistemin ekonomik shqiptar, duke e bërë atë vërtet evropian”, deklaroi Kos.

    Komisionerja nënvizoi gjithashtu se suksesi në hapjen e grupkapitujve është vetëm gjysma e rrugëtimit, ndërsa theksi tashmë zhvendoset tek përmbushja e piketave dhe mbyllja substanciale e kapitujve, që konsiderohet objektivi real politik.

    Ajo përmendi mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë si një faktor unik në gjithë rajonin.

    “Çelja e grupkapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real… Me më shumë se 95 për qind mbështetje publike për integrimin, Shqipëria është e pozicionuar fort për hapin final”, theksoi Kos, duke konfirmuar angazhimin e Komisionit për të mbështetur vendin deri në anëtarësim.

  • Një analizë gjaku mund të zbulojë 50 lloje kanceri

    Një analizë gjaku mund të zbulojë 50 lloje kanceri

    Në ditët e sotme ekzistojnë metoda të njohura për zbulimin e hershëm të disa llojeve të kancerit, si mamografia për gjirin, testi Pap për qafën e mitrës, kolonoskopia për zorrën e trashë, apo testet për prostatën dhe mushkëritë.

    Por shkencëtarët po zhvillojnë një test të ri që mund ta revolucionarizojë diagnostikimin: një test gjaku që mund të zbulojë deri në 50 lloje të ndryshme të kancerit, shumë përpara se të shfaqen simptomat, ka raportuar USA Today.

    Çfarë është testi Galleri MCED?

    Ky test i njohur si Galleri MCED (Multi-Cancer Early Detection) është një lloj biopsie e lëngshme, që synon t’i identifikojë shenjat e kancerit në gjak në fazat më të hershme.

    Ai funksionon duke analizuar ADN-në dhe proteinat që qarkullojnë në gjak, të cilat mund të tregojnë nëse diku në trup po zhvillohet një tumor. Përmes algoritmeve të inteligjencës artificiale dhe të mësimit makinerik (machine learning), testi përpiqet të përcaktojë edhe vendndodhjen e mundshme të kancerit në trup.

    “Qëllimi është të kapim kancerin para se të ketë dhënë ndonjë shenjë klinike”, shpjegojnë studiuesit që punojnë me këtë metodë.

    Si funksionon “biopsia e lëngshme”?

    Pas marrjes së një mostre gjaku, laboratori e analizon ADN-në me teknologji shumë të avancuar. Nëse zbulohen anomali, ato studiohen më hollësisht për të parë nëse janë të lidhura me ndonjë lloj kanceri.
    Kjo analizë molekulare, e kombinuar me klasifikuesit kompjuterikë, tregon potencial të madh për identifikimin e indeve të origjinës dhe për zbulimin e shumë llojeve të tjera të kancerit.

    “Me këto të dhëna molekulare, mjeku mund të propozojë trajtime më të synuara dhe më efektive,” thuhet në përmbledhjen shkencore të studimit.

    A është testi tashmë i miratuar?

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) në SHBA, asnjë test MCED ende nuk është miratuar nga FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave). Disa versione janë në dispozicion vetëm si teste të zhvilluara në laboratorë privatë, por nuk kanë marrë ende autorizim zyrtar për përdorim të gjerë.

    Megjithatë, FDA u ka dhënë disa testeve MCED statusin “Breakthrough Device Designation”, që do të thotë se procesi i zhvillimit dhe vlerësimit të tyre po përshpejtohet për shkak të potencialit të madh që kanë në shpëtimin e jetëve. Ky status nuk nënkupton miratim, por është një hap i rëndësishëm drejt tij.