ATV

Author: K.B.

  • “Çmontuan mbi 900 banda”, Osmani sqarohet për deklaratën: Ka qenë një gabim i paqëllimshëm

    “Çmontuan mbi 900 banda”, Osmani sqarohet për deklaratën: Ka qenë një gabim i paqëllimshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sërish ka dhënë një sqarim për deklaratën se “çmontuan 900 banda kriminale për pesë vjet”, gjë për të cilën ajo tha se u bë pa qëllim, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në qindra raste.

    Para gazetarëve, Osmani theksoi se nga këto raste, 93 janë vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it.

    “Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si edhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as “Politico” nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”,tha Osmani për media.

  • Qendra Korrektuese në Dubravë bëhet me furrë buke, tenderi mijëra euro (Dokument)

    Qendra Korrektuese në Dubravë bëhet me furrë buke, tenderi mijëra euro (Dokument)

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë.

    Këtë herë, është finalizuar tenderi për furnizim me furrë buke dhe pjesë përcjellëse për Qendrën Korrektuese në Dubravë.

    Vlera e kontratës fillimisht ka qenë 85 mijë euro, derisa për të njëjtin tender kanë aplikuar 3 ofertues.

    Tenderi në fjalë i është besuar operatorik ekonomik “Osa Termosistem”, me shumën prej 79, 956,93 euro.

    “ Operatori ekonomik në çmim duhet te llogarisë edhe mirëmbajtjen për 2 vjet. Pas pranimit teknik operatori ekonomik duhet të ofrojë garanci nga ndonje bankë apo kompani e sigurimeve 10% e vlerës se kontratës për 24 muaj”, thuhet mes tjerash në njoftim, ku precizohen kriteret e kërkuara.

    Furnizimi me furrë buke në Dubravë, pritet të ndikojë në përmisimin e kushteve dhe rehabilitimin e të burgosurve në këtë qendër korrektuese.

  • Shtyhet seanca për Metën, shkak mungesa e avokatit

    Shtyhet seanca për Metën, shkak mungesa e avokatit

    Seanca paraprake për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe të pandehurit e tjerë është shtyrë për më 27 nëntor në orën 12:30.

    Shtyrja u bë për shkak të mungesës së avokatit Kujtim Cakrani, i cili ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Lezhë.

    Ndaj Ilir Metës dhe Fatime Kryemadhit rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion të funksionarëve të lartë në bashkëpunim.

    Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku përballen gjithashtu me akuzën për pastrim parash.

    Ilir Meta vazhdon të qëndrojë në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

    Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024.

    Por mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale.

    Sipas tyre, Prokuroria e Posaçme SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.

    Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.

    Në seancën e mëparshme, prokuroria paraqiti një material prej 31 faqesh, duke argumentuar se disponon fakte dhe prova që mbështesin qëndrimin për vijimin e masës “arrest me burg”.

    Por edhe kjo është kundërshtuar nga mbrojtja, e cila e konsideron dokumentin të papërshtatshëm për të justifikuar qëndrimin e Metës në burg.

  • A po shndërrohet kujdesi i lëkurës për fëmijë në biznes miliardash?

    A po shndërrohet kujdesi i lëkurës për fëmijë në biznes miliardash?

    Industria e kujdesit të lëkurës po zgjerohet në një territor të panjohur: fëmijët e moshave katër vjeç e lart. Dermatologë të njohur kanë kritikuar me tone të ashpra një linjë të re produktesh që përfshin maska fytyre të dizajnuara posaçërisht për të vegjlit, duke e cilësuar këtë valë të re marketingu si “dystopike”, të pakuptimtë dhe pa kurrfarë përfitimi real për lëkurën e fëmijëve.

    Shkak për reagimet u bë lansimi i maskave të fytyrës nga aktorja Shay Mitchell, e njohur nga seriali “Pretty Little Liars”, e cila tha se produktet ishin “të frymëzuara” nga vajzat e saj. Linja “Rini”, e themeluar nga Mitchell bashkë me Esther Song dhe Matte Babel, premton t’i bashkojë “kujdesin e lëkurës dhe lojën”, duke synuar të ndërtojë “zakone të shëndetshme” tek fëmijët.

    Por për dermatologët, ky treg i ri nuk ka as bazë shkencore, as arsye ekzistuese. Emma Wedgeworth, dermatologe në 55 Harley Street në Londër, e cilësoi idenë si “qesharake”. Ajo paralajmëroi se produktet e tilla janë të panevojshme dhe mund të ekspozojnë fëmijët ndaj irritimeve dhe alergjive, në një kohë kur e vetmja rutinë e nevojshme për ta është një pastrim i butë, hidratim sipas nevojës dhe mbrojtje nga dielli.

    Sipas saj, asnjë pastrues i shkrirë, aromë sintetike apo serum i marketinguar si lojë nuk forcon barrierën e lëkurës së fëmijëve. Ajo shtoi se trendet e bukurisë nuk duhet të nxisin fëmijët të fokusohen te pamja apo të krijojnë ankth për dukjen e tyre në moshë kaq të hershme.

    Fenomeni “Sephora kids” është tashmë i konsoliduar në rrjetet sociale, ku fëmijë të moshave të ulëta postojnë video me produkte nga marka të njohura si Drunk Elephant, Bubble dhe Sol de Janeiro.

    Ndërkohë, në SHBA, marka Ever-eden është pozicionuar si linja e parë e kujdesit të lëkurës e zhvilluar nga dermatologë pediatrikë specifikisht për ata nën 14 vjeç. Kompania shkon aq larg sa t’u ofrojë prindërve “rutinë të plotë të kujdesit të lëkurës” për fëmijët trevjeçarë, nga pastruesi te kremi me SPF, duke krijuar kategori të re tregu që e quan “gjenerata alfa”.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, Superdrug synon moshat 13 deri në 28 vjeç përmes linjës POP, duke argumentuar se kjo grupmoshë kërkon produkte “të sigurta për barrierën e lëkurës dhe të përballueshme”. Por specialistët paralajmërojnë se kufijtë mes nevojës dhe marketingut po zbehen me shpejtësi.

  • Gërvalla udhëton për në Itali

    Gërvalla udhëton për në Itali

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të hënën ka udhëtuar për në Romë, ku do të marr pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Italofonisë, me ftesë zyrtare të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

    Kjo konferencë, e para e këtij formati, organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë në bashkëpunim me Shoqatën “Dante Alighieri” dhe synon të promovojë gjuhën italiane si mjet komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet popujve e vendeve të ndryshme.

    “Në qendër të konferencës do të jenë temat e forcimit të identitetit të përbashkët, dialogut ndërkulturor, paqes, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë kulturore. Italofonia do të prezantohet si platformë për zhvillim dhe rritje ekonomike, duke forcuar marrëdhëniet mes shoqërive civile, institucioneve dhe bashkësive që flasin gjuhën italiane anembanë botës”, thuhet në komunikatë për media.

    Gjatë qëndrimit në Romë, ajo do të theksojë rolin e mërgatës shqiptare në Itali si një urë të rëndësishme kulturore dhe gjuhësore, që forcon dita-ditës bashkëpunimin dypalësh si dhe atë rajonal.

  • Ish-kryeministrja e Bangladeshit, dënohet me vdekje

    Ish-kryeministrja e Bangladeshit, dënohet me vdekje

    Një gjykatë speciale e Krimeve Ndërkombëtare në Bangladeshi ka dënuar me vdekje ish-kryeministren Sheikh Hasina, duke e shpallur fajtorë për krime kundër njerëzimit lidhur me shtypjen e dhunshme të protestave studentore vitin e kaluar.

    Trupi gjykues prej tre anëtarësh deklaroi se Hasina kishte inkurajuar dhe urdhëruar vrasje ndaj protestuesve, duke mos marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj përfshirësve. Gjykata theksoi se ish-kryeministrja kishte urdhëruar përdorimin e helikopterëve, dronëve dhe armëve të rënda për të shtypur demonstratat.

    “Është e qartë se ajo urdhëroi dhe inkurajoi eliminimin e protestuesve,” deklaroi një nga gjyqtarët gjatë leximit të vendimit.

    Demonstratat filluan si protesta studentore për pozicionet në shërbimin civil, por shndërruan në një lëvizje masive për dorëheqjen e qeverisë Hasina. Raportohet se gjatë përleshjeve u vranë deri në 1,400 persona, ndërsa rreth 25,000 të tjerë u lënduan, sipas të dhënave të zyrës së të drejtave të njeriut të OKB-së.

    Hasina, e cila mohon të gjitha akuzat, ndodhet aktualisht në vetë-ekzil në Nju Delhi që nga gushti i vitit të kaluar. Avokatët e saj kanë apeluar vendimin në organet ndërkombëtare, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e garancive për një gjyq të drejtë.

    Qeveria e përkohshme e Bangladeshit ka kërkuar ekstradimin e saj nga India, por autoritetet indiane ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare. Vendimi pritet të përshkallëzojë tensionet politike para zgjedhjeve kombëtare të parashikuara për shkurt të vitit të ardhshëm.

  • Gjashtë persona zyrtarë në Suharekë akuzohen se i shkaktuan buxhetit të Kosovës dëm më shumë se 24 mijë euro

    Gjashtë persona zyrtarë në Suharekë akuzohen se i shkaktuan buxhetit të Kosovës dëm më shumë se 24 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët si persona zyrtarë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe njëri prej tyre edhe për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

    Sipas aktakuzës “me datë 14.07.2019, në Suharekë, të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të mundësojnë përfitim të dobie për tjetrin dhe shkaktojnë dëm buxhetit, në atë mënyrë i pandehuri B.K., menaxher i kontratës së nënshkruar ndërmjet Komunës së Suharekës dhe operatorit ekonomik “G.” Sh.P.K lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit, në të cilin janë paraqitur të dhëna të pasakta lidhur me përshkrimin urës metalike. I pandehuri M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku ishte paraparë ndërtimi i urës metalike, për të cilën ishte realizuar pagesa, edhe pse një urë e tillë nuk ishte ndërtuar. I pandehuri E.Sh., drejtor i shërbimeve publike dhe përfaqësues i njësisë së kërkesës, nuk i ka kryer detyrimet e tij lidhur me përgatitjen e detyrës projektuese, specifikimeve teknike si dhe para masës dhe para llogarisë, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje ndërmjet dokumenteve projektuese. I pandehuri A.E., në cilësi të hartuesit të projektit, ka përgatitur para masën dhe para llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, ku ka qenë i paraparë ndërtimi i urës metalike ndërsa nuk ishte i paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa në projekt ishte e kundërta, ishte paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa nuk ishte paraparë fare ndërtimi i urës metalike. Ndërsa, i pandehuri B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i pandehuri Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur përmes tenderit, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës, edhe pse ura metalike e paraparë nuk ishte ndërtuar”.

    Ata akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 24 mijë e 308 euro.

    “ Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e përfaqësuesit të grupit të operatorit ekonomik të lartcekur, ka vepruar në kundërshtim me procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, ka paraqitur raportin në të cilin kishte deklaruar si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, në vlerë prej 24,308.00 €, edhe pse ura metalike nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së. “

  • IHMK paralajmëron vërshime në Kosovë, shkak reshjet e shiut në dy ditët e ardhshme

    IHMK paralajmëron vërshime në Kosovë, shkak reshjet e shiut në dy ditët e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se të martën dhe të mërkurën parashikohen reshje shiu, të cilat mund të shkaktojnë vërshime në disa zona të vendit.

    Sipas IHMK-së, reshjet pritet të nisin të martën mbrëma, fillimisht në pjesën perëndimore, e më pas të shtrihen gradualisht në gjithë territorin e Kosovës.

    Në njoftim theksohet se reshjet do të kenë intensitet mesatar, ndërsa në disa vende edhe më të lartë.

    “Bazuar në të dhënat, modelet dhe vëzhgimet e përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që më 18–19 nëntor 2025 të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona do të shfaqen me intensitet të lartë”, thuhet në komunikatën e Institutit.

    Sipas njoftimit, zonat e kullimit që pritet të preken nga rritja e menjëhershme e prurjeve janë: rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit si dhe disa rrjedha me karakter malor.

  • Të enjtën, shqiptarët në protestë kundër helmimit dhe abuzimit me kafshët

    Të enjtën, shqiptarët në protestë kundër helmimit dhe abuzimit me kafshët

    Të enjten, më 20 nëntor, qytetarët nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Sheshin Skënderbej për një protestë paqësore, por vendimtare, kundër mizorive të kryera ndaj kafshëve endacake.

    Aktivistë, vullnetarë dhe qytetarë të thjeshtë i bëjnë thirrje publikut të bashkohet për të kërkuar hetim, transparencë dhe ndalimin e praktikave çnjerëzore që prej vitesh kryhen ndaj qenve të rrugës, shpesh me fonde publike dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore. Protesta synon të ngrejë zërin për qindra raste të helmimeve, zhdukjeve dhe abuzimeve, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet shqiptare dhe vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë.

    Kjo është një thirrje kombëtare për drejtësi dhe llogaridhënie. Protestuesit kërkojnë ndalimin e mekanizmave të eliminimit të qenve endacakë, hetim të thelluar nga SPAK mbi përdorimin e fondeve bashkiake, dënime reale për abuzuesit dhe transparencë të plotë në strehat veterinare. Demonstrata nis në 11:00 AM, në Sheshin Skënderbej, dhe organizatorët ftojnë të gjithë të marrin pjesë, sepse vetëm duke ngritur zërin sot mund të ndalet dhuna sistematike ndaj kafshëve nesër.

    Njoftimi:

    Bashkohu në protestë! Behu zëri i tyre
    Shpërndajeni masivisht dhe sigurohuni të jeni aty. Nëse nuk ngremë zërin sot, mizoritë do të vazhdojnë nesër. Ju mirëpresim nga e gjithe Shqiperia.

    Kërkojmë drejtësi për kafshët e pambrojtura!

    E enjte, 20 Nëntor 2025
    11:00 AM
    Sheshi Skënderbej, Tiranë

    Kërkesat tona:
    1. Ndalimi i menjëhershëm i helmimeve dhe çdo forme tjetër të zhdukjes së qenve endacakë në gjithë Shqipërinë.
    2. Ndjekje penale dhe largim i menjëhershëm nga detyra për çdo person apo punonjës shtetëror që abuzon me detyrën dhe kryen krime ndaj kafshëve.
    3. Hetim nga SPAK për fondet që bashkitë perdorin për qentë endacakë dhe transparencë se ku përfundojnë. Hetim per numrin e qenve qe marrin ne Strehezat Veterinare dhe ku perfundojne ata.
    4. Përfshirja e strukturave të BE-së për forcimin e bazës ligjore dhe zbatimin real të dënimeve jo vetëm ligje vetem në letër.
    5. Angazhimi i organizatave dhe ambasadave të huaja në mbështetje të kauzës sonë.
    6. Akses i përditshëm për vullnetarët në Strehën Veterinare Tiranë dhe në çdo zonë ku mbahen qentë.

  • Veterinari amerikan: Një nga ushqimet më të përdorura dëmton shëndetin oral të maceve

    Veterinari amerikan: Një nga ushqimet më të përdorura dëmton shëndetin oral të maceve

    Çdo pronar kafshësh shtëpiake dëshiron më të mirën për mikun e tij me qime, por shpesh, edhe me qëllimet më të mira, mund të bëhen gabime të padukshme. Një prej aspekteve që anashkalohet më së shumti tek macet është higjiena dentare, dhe sipas veterinerit amerikan Dr. Mark Dos Anjos, një nga ushqimet më të zakonshme në dietën ditore të maceve mund të shkaktojë dëme serioze: ushqimi i thatë.

    Sipas raportimeve të Parade Pets dhe Index.hr, pavarësisht popullaritetit të madh, ushqimi i thatë mund të paraqesë rreziqe të rëndësishme për dhëmbët dhe shëndetin e përgjithshëm të maceve.

    Miti i ushqimit të thatë dhe pastrimit të dhëmbëve
    Për shumë vite është besuar se ushqimi i thatë krokant ndihmon në pastrimin e dhëmbëve të maceve. Por ekspertët thonë se kjo është thjesht një ide e vjetruar. Macet, të cilat në natyrë marrin shumicën e lëngjeve nga preja, nuk kanë instinkt të fortë për të pirë ujë. Duke qenë se ushqimi i thatë ka përmbajtje të ulët uji, ushqyerja ekskluzive me këtë lloj ushqimi mund të shkaktojë dehidratim kronik.

    Si krijohen problemet dentare?

    Ushqimi i thatë komercial shpesh përmban sasi të larta karbohidratesh, të nevojshme për të formuar formën krokante. Gjatë ngrënies, këto karbohidrate mbeten në sipërfaqen e dhëmbëve dhe shndërrohen në sheqerna, të cilat krijojnë një mjedis ideal për zhvillimin e pllakës dentare.

    Vetëm pas 72 orësh, pllaka ngurtësohet dhe shndërrohet në gurëza – depozita të forta ngjyrë kafe që nuk hiqen me larje të thjeshtë të dhëmbëve. Bakteret që grumbullohen nën to shkaktojnë:

    • Gingivit

    • Karies

    • Infeksione të dhimbshme

    • Rrezik për humbje të dhëmbëve

    Pse larja e dhëmbëve është thelbësore
    Veterinerët rekomandojnë që dhëmbët e maceve të lahen të paktën 2–3 herë në javë, ndërsa idealja është larja e përditshme. Pastrimi ditor parandalon ngurtësimin e pllakës dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve dentare.

    Në treg ka shumë produkte, si furça dhe pasta të posaçme për macet, ndërsa alternativat si aditivët e ujit, pecetat apo sprejrat mund të ndihmojnë, por nuk zëvendësojnë larjen e vërtetë.

    Sidoqoftë, edhe me kujdes të rregullt në shtëpi, veterinerët rekomandojnë pastrim profesional një herë në vit, sidomos për macet e moshuara ose ato me predispozitë për probleme dentare.

    Rreziqe të tjera nga ushqimi i thatë
    Përtej shëndetit oral, dieta e bazuar kryesisht në ushqim të thatë lidhet edhe me probleme të tjera shëndetësore:

    • Sëmundje të veshkave për shkak të dehidratimit kronik

    • Probleme të traktit urinar

    • Obezitet për shkak të përmbajtjes së lartë të karbohidrateve

    • Diabet dhe sëmundje metabolike
    Në natyrë, macet konsumojnë vetëm 2% karbohidrate, ndërsa ushqimi i thatë mund të përmbajë 25–50%. Në SHBA, statistikat tregojnë se rreth 60% e maceve janë obezë, ndërsa 1 në 200–300 mace vuan nga diabeti.

    Si të zgjidhni ushqimin e duhur për macen tuaj
    Ekspertët theksojnë rëndësinë e leximit të etiketave:

    Përbërësi kryesor duhet të jetë proteina shtazore me cilësi të lartë (pule, peshk, gjeldeti).

    Duhet shmangur ushqimi ku përbërës kryesorë janë misri, gruri, orizi, patatet ose bizelet.

    Në fund të ditës, shëndeti oral nuk është vetëm çështje estetike. Ai ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe jetëgjatësinë e maces, duke e bërë kujdesin dentar një pjesë thelbësore të rutinës së përditshme të çdo pronari të përgjegjshëm.