ATV

Author: K.B.

  • Oscar-i i parë për Tom Cruise, aktori emocionon Hollywood-in me fjalimin e tij

    Oscar-i i parë për Tom Cruise, aktori emocionon Hollywood-in me fjalimin e tij

    Pas më shumë se tre dekadash karrierë dhe role ikonike, përfshirë skena të rrezikshme në serinë “Mission: Impossible”, Tom Cruise është vlerësuar për herë të parë me çmimin e Oscar-it.

    Aktori është nominuar më parë katër herë për çmimin më prestigjioz të kinemasë: për “Born on the Fourth of July” (1989), “Jerry Maguire” (1996), “Magnolia” (1999) dhe si producent për “Top Gun: Maverick” (2022).

    Në fjalimin e tij emocional, Cruise foli për ndikimin e kinemasë në jetën e tij:

    “Uria për aventurë, dije dhe njerëzimin më shtyu të tregoj histori. Kinemaja më hapi imagjinatën.”

    Ai shtoi se kinemaja “ndërtohet nga komunitetet”, dhe në fund të fjalimit i bëri të pranishmit me të cilët ka punuar të ngriheshin në këmbë:

    “Ju lutem dijeni se ju mbaj me vete, secilin prej jush, dhe ju jeni pjesë e çdo kuadri të çdo filmi që kam bërë ose do të bëj ndonjëherë.”

    Cruise gjithashtu u zotua të vazhdojë të mbështesë artin kinematografik dhe talentet e reja.

    Përveç Cruise, Akademia nderoi edhe figura të tjera me kontribute të jashtëzakonshme në art:

    Wynn Thomas, dizajner pionier i prodhimit të filmit, i njohur për punën në “Do The Right Thing”, “Malcolm X” dhe “A Beautiful Mind”.

    Debbie Allen, koreografe dhe aktore e njohur, e njohur për filmat dhe shfaqjet “Fame” dhe “Ragtime”.

    Dolly Parton, e vlerësuar për filantropinë e saj gjatë gjithë jetës, duke përfshirë Fondacionin Dollyëood dhe programin global të shkrim-leximit Imagination Library, që ka shpërndarë mbi 285 milion libra për fëmijët që nga viti 1995.

    Përveç karrierës muzikore, Dolly Parton është nominuar dy herë për Oscar me këngë origjinale për filmat “9 to 5” dhe “Transamerica”.

  • Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për Kryetar të PDK’së.

    Fjalën para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së, Hamza e ka filluar duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

    “Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

    Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

    “A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.

    “Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

  • Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

    Në hyrje të Konventës Memli Krasniqi, pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partis

    “Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend. Këto 1600 ditë kanë qenë ditët më domethënëse të jetës sime publike. Sot largohem nga detyra me mirënjohje. Me krenari. Me paqe”, ka theksuar ai.

  • Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Autoritetet shëndetësore në Etiopi kanë konfirmuar të hënën tre vdekje nga virusi hemorragjik Marburg, një sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme që mund të jetë fatale deri në 88% të rasteve të infektuara.

    Ministrja e Shëndetësisë, Mekdes Daba, njoftoi se nga 17 raste të dyshuara të testuara në rajonin Omo, tre kanë rezultuar fatale. Shpërthimi u shpall zyrtarisht të premten, megjithëse aktualisht nuk raportohet për raste aktive. Ajo tha se qeveria po merr masa parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit të ngjashëm me Ebolën.

    Në zonën e prekur është dërguar një ekip i përbashkët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), për të mbështetur testimin, gjurmimin dhe kontrollin e shpërthimit.

    Ndërkohë, Sudani i Jugut, i cili kufizohet me rajonin ku u raportua shpërthimi, lëshoi të dielën një këshillë për shëndetin publik, duke u kërkuar banorëve të katër qarqeve të shmangin kontaktin me lëngje trupore dhe të lajnë duart rregullisht.

    Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se Sudani i Jugut ka një “sistem shëndetësor të brishtë”, gjë që mund ta bëjë më të vështirë kontrollin e shpërthimit nëse virusi përhapet përtej kufirit.

    Çfarë është virusi Marburg?

    Ashtu si Ebola, Marburg e ka origjinën tek lakuriqët e frutave dhe mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë me lëngje trupore të të infektuarve ose sipërfaqe të kontaminuara, përfshirë çarçafët apo objektet personale.

    Simptomat përfshijnë:

    • ethe të larta

    • dhimbje muskujsh

    • diarre

    • të vjella

    • dhe në raste të rënda, gjakderdhje të brendshme ose të jashtme që mund të çojnë në vdekje.

    Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim të autorizuar për virusin.

    Shpërthime të mëparshme

    Edhe pse të rralla, shpërthimet e Marburgut konsiderohen jashtëzakonisht serioze. Sipas OBSH-së, raste të mëparshme janë regjistruar në Ruandë, Tanzani, Guine Ekuatoriale, Angolë, Kongo, Kenia, Afrikën e Jugut, Ugandë dhe Ganë.

  • Viber vjen me një funksion të ri

    Viber vjen me një funksion të ri

    Aplikacioni Viber po sjell një funksion bazuar në inteligjencë artificiale që përmbledh përmbajtjen e një faqeje në internet direkt në biseda. Përdoruesit do të kenë mundësinë që menjëherë të njohin temat kryesore nga artikujt ose faqet e internetit pa e lënë bisedën aktuale. Me opsionin “AI përmbledhje linku”, përdoruesit do të kenë përmbledhje koncize të përmbajtjes së shpërndarë në Viber qoftë një tekst i gjatë, blog, postim apo raport.

    Funksioni gjithashtu përfshin përkthim automatik; nëse gjuha e aplikacionit Viber është vendosur në shqip, por linku është në anglisht, përmbledhja do të shfaqet në shqip. Sipas Rakuten Viber, kjo veçori është falas për të gjithë përdoruesit në biseda si grupe, komunitete, kanale apo biseda një‑me‑një. Teknologjia e AI‑përmbledhjes punon vetëm me linke nga interneti dhe kurrë nuk përpunon mesazhe private të përdoruesve.

    Nëse dyshoni se jeni bllokuar në Viber, ekziston një mënyrë e thjeshtë për ta kontrolluar. Aplikacioni kurrë nuk tregon një mesazh që e konfirmon këtë, por ka një opsion të fshehur në Viber që mund t’ju tregojë nëse dikush ju ka bllokuar. Mjafton të vini re disa detaje të vogla që ndryshojnë kur jeni bllokuar në Viber. Shenja e parë që jeni bllokuar në Viber është zhdukja e fotove të profilit të personit. Nëse më parë mund të shihni foton dhe tani në vend të saj shfaqet një siluetë gri, kjo është një tregues thuajse i sigurt që kontakti ju ka bllokuar.

    Sinjali i dytë është statusi i mesazheve. Kur jeni bllokuar në Viber, mesazhet tuaja duken sikur janë dërguar, por kurrë nuk marrin statusin “dërguar”. Në vend të dy shenjave të purpurt, mbetet vetëm një e vetme gri, pa marrë parasysh sa gjatë prisni. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se konfirmimi përfundimtar fshihet në një opsion të fshehur brenda profilit të kontaktit në Viber. Nëse hyni në profilin e personit dhe shihni që opsioni “Thirr përmes Viber” është i çaktivizuar, kjo do të thotë që nuk mund të bëni thirrje sepse jeni bllokuar.

  • Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për të miturin Mario Përlleshaj që akuzohet për vrasjen e Martin Canit, duke kërkuar dënimin me 25 vite burg për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave.

    Por prokurorja Alma Felaj tha se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar kodin penal për të mitur përkatësisht nenin 97.

    Ky nen përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite, ç’ka do të thotë se nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçja mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar, pra me 12 vite. Në seancën e ardhshme do të mbahen konkluzionet e mbrojtjes por edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara.

    Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar.

    Prej nëntorit të 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.

    Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” më 18 nëntor të vitit të kaluar. Vetëm disa ditë para krimit, adoleshentët ishin konfrontuar me njëri-tjetrin, dhe shkolla pretendoi se i kishte ballafaquar të miturit dhe pas kësaj ishin pajtuar, por në fakt, konflikti vijoi disa ditë më pas sapo fëmijët lanë ambientin e shkollës, ku u regjistruar disa metra larg saj edhe ngjarja e rëndë.

  • Prokuroria shkatërron mbi 350 kg substanca narkotike në Prizren

    Prokuroria shkatërron mbi 350 kg substanca narkotike në Prizren

    Prokuroria e Shtetit ka shkatërruar sot një sasi të madhe substancash narkotike të konfiskuara në raste të ndryshme penale, në një proces të zhvilluar në Prizren me autorizim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe me pjesëmarrjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Petrit Kryeziu.

    Shkatërrimi u krye nga komisioni kompetent, në përbërje të përfaqësuesve të Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë së Kosovës, duke respektuar të gjitha procedurat standarde dhe masat e sigurisë, në një ambient të licencuar.

    Në total u eliminuan 347 kilogramë e 804.79 gram marihuanë, 886.89 gram kokainë, 7 kilogramë e 788.7 gram heroinë, tetë bimë kanabis, 100 kilogramë e 37.7 gram fara kanabisi, 155.7 gram kërpudha narkotike, së bashku me 160 euro para të konfiskuara dhe tri valixhe të përdorura për transport.

    Ky aktivitet u mbështet nga programi HAPE i Bashkimit Evropian, ndërsa Prokuroria e Shtetit theksoi se mbetet e vendosur në luftimin e çdo forme të kriminalitetit dhe mbrojtjen e sigurisë publike.

  • Sami Lushtaku shprehet kundër kthimit të Lladrovcit në PDK

    Sami Lushtaku shprehet kundër kthimit të Lladrovcit në PDK

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku ka thënë se personalisht është kundër kthimit të Ramiz Lladorvcit në PDK.

    Lushtaku para nisjes së konventës së kësaj partie ku do të zgjedhet kryetari i ri, ka thënë se Lladorvci vet ka dal nga partia.

    Megjithatë, ai ka thënë se kjo i takon kryesisë së PDK-së.

    “Ai nuk është në PDK. Këtë çështje e vendos kryesia e PDK-së. Unë gjithmonë kundër, sepse ai me vetëdeshirë ka dal nga PDK”, tha Lushtaku

  • Pak minuta para Konventës, Memli Krasniqi shihet me Vlora Çitakun brenda sallës ku votohet për kryetarin e ri

    Pak minuta para Konventës, Memli Krasniqi shihet me Vlora Çitakun brenda sallës ku votohet për kryetarin e ri

    Kur kanë mbetur edhe pak minuta për të nisur Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të ri, aty tashmë veç ka arritur kryetari i dorëhequr i kësaj partie Memli Krasniqi.

    Afër Memli Krasniqit janë parë edhe deputetja Vlora Çitaku e deputeti tjetër, Rrahman Rama.

    Për kreun e PDK-së po garojnë Bedri Hamza e Enver Hoxhaj.

  • “Vitamina e diellit” që mund të zvogëlojë rrezikun e një infarkti të dytë për më shumë se 50%

    “Vitamina e diellit” që mund të zvogëlojë rrezikun e një infarkti të dytë për më shumë se 50%

    Vitamina D3, e njohur si “vitamina e diellit”, ka qenë prej kohësh në qendër të interesimit të shkencëtarëve. Deri tani, ajo është lidhur kryesisht me shëndetin e kockave, sistemin imunitar dhe funksionimin e muskujve dhe nervave, por hulumtimet e reja tregojnë se roli i saj mund të jetë shumë më i rëndësishëm për shëndetin e zemrës.

    Ekspertët nga Intermountain Health në Salt Lake City kryen një studim te personat që tashmë kanë kaluar një atak në zemër, për të vlerësuar nëse dozimi i personalizuar i vitaminës D3 mund të ulë rrezikun e një infarkti të dytë. Ndryshe nga studimet e mëhershme, ku të gjithë pjesëmarrësit merrnin të njëjtën sasi, në këtë studim doza e D3 është individualizuar për secilin pjesëmarrës bazuar në analizat laboratorike.

    Rezultati ishte befasues: Rreziku për një atak të dytë në zemër u ul për më shumë se 50% te ata që morën suplementim të synuar.

    Si ndikon vitamina D3 në zemër?
    Vitamina D3 ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, zvogëlon inflamacionin e enëve të gjakut dhe mbështet funksionin e shëndetshëm të muskulit të zemrës. Mungesa e saj lidhet me rrezik më të madh për aterosklerozë, hipertension dhe insuficiencë kardiake.

    Ajo mund të merret nga dielli, por edhe nga ushqime si peshku (salmoni, skumbria, toni), vezët, qumështi dhe drithërat e pasuruara. Kur marrja natyrale nuk mjafton, mjeku mund të rekomandojë suplementim.

    Sipas rekomandimeve të Food and Nutrition Board, të rriturit deri në 70 vjeç duhet të marrin rreth 600 IU vitaminë D në ditë, ndërsa të moshuarit dhe ata me mungesë mund të kenë nevojë për dozë më të lartë.

    Terapia e synuar, një hap drejt parandalimit preciz
    Në studimin TARGET-D morën pjesë 630 pacientë me moshë mesatare 63 vjeç, të cilët brenda një muaji pas infarktit pranuan të testohen. Qysh në fillim, 87% kishin nivele të ulëta të vitaminës D në gjak (mesatarisht 27 ng/ml). Qëllimi ishte që nivelet të mbaheshin rreth vlerës optimale prej 40 ng/ml.

    Pothuajse 60% filluan me 5,000 IU në ditë, me monitorim të rregullt të analizave. Nëse niveli binte, doza përshtatej. Rezultatet: shkalla e infarkteve të reja ishte 3.8% në grupin me vitaminë D3, krahasuar me 7.9% në grupin kontroll – një përgjysmëzim i qartë i riskut.

    Fjala e ekspertëve:
    Dr. Cheng-Han Chen, kardiolog, thekson: “Ky rezultat hap derën për një vlerësim shumë më serioz të suplementimit si qasje terapeutike.”
    Dr. Louis Malinow, endokrinolog: “Ky është studimi i parë që synon një nivel specifik të vitaminës D në gjak, në vend se të japë të njëjtën dozë për të gjithë. Kur korrigjoni mungesën dhe ndiqni rezultatin, merrni efekte reale.”

    Vitamina D3 mund të ndihmojë në zvogëlimin e inflamacionit, përmirësimin e elasticitetit të enëve të gjakut dhe stabilizimin e tensionit, mekanizma që mbrojnë zemrën.

    A mund të bëhet pjesë e terapisë pas infarktit?
    Rezultatet janë prezantuar në American Heart Association Scientific Sessions 2025, por ende nuk janë publikuar në një revistë shkencore të rishikuar nga kolegët. Studime më të mëdha janë planifikuar për të vlerësuar edhe personat që nuk kanë pasur infarkt.

    Nëse gjetjet konfirmohen, vitamina D3 mund të bëhet pjesë standarde e terapisë pas infarktit – një mbështetje e thjeshtë, natyrale dhe e sigurt për zemrën.

    Këshilla praktike:

    Kontrolloni nivelin e vitaminës D të paktën një herë në vit.

    Qëndroni 15–20 minuta në diell çdo ditë.

    Mos merrni suplemente pa këshillën e mjekut.

    Vitamina D3 mund të jetë “vitamina e diellit”, por sipas gjetjeve të reja, ajo mund të jetë edhe “vitamina e jetës” për ata që duan të mbrojnë zemrën.