ATV

Author: K.B.

  • Skandali i Adeyem me armë të paligjshme, a rrezikon përjashtim nga Gjermania?

    Skandali i Adeyem me armë të paligjshme, a rrezikon përjashtim nga Gjermania?

    Ylli i Borussia Dortmund dhe përfaqësues i Gjermanisë, Karim Adeyemi, u përfshi në qendër të vëmendjes këtë fundjavë, pasi tabloidi gjerman Bild raportoi se sulmuesi 22-vjeçar ka marrë një urdhër penal dhe është gjobitur me 450,000 euro për posedim armësh të paligjshme.

    Sipas raportimit, Adeyemi kishte në posedim një grusht hekuri (knuckle duster) dhe një taser elektrik, dy objekte që në Gjermani konsiderohen armë të ndaluara dhe rrezikojnë sigurinë publike.

    Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, u pyet rreth incidentit gjatë konferencës për shtyp të dielën. Ai konfirmoi se ka biseduar me lojtarin së bashku me drejtorin sportiv të kombëtares, Rudi Völler, por theksoi se prioriteti i menjëhershëm është ndeshja vendimtare e të hënës kundër Sllovakisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    “Por kjo është një çështje që kërkon shumë kohë dhe vëmendje. Ne kemi një ndeshje të rëndësishme nesër. Prandaj do të merremi me këtë çështje pas ndeshjes,” – deklaroi Nagelsmann.

    Deklarata e trajnerit tregon qartë se përfaqësuesja gjermane po përpiqet të shmangë çdo shpërqendrim para sfidës vendimtare të radhës.

    Pavarësisht zhurmës së krijuar, pritet që Adeyemi të jetë pjesë e skuadrës për sfidën kundër Sllovakisë. Sipas burimeve nga kampi gjerman, lojtari do të jetë i gatshëm për të luajtur, pasi çështja ligjore nuk e pengon përfshirjen e tij në aktivitetet sportive.

    Gjermanisë i mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin për Kupën e Botës 2026, gjë që e bën sfidën e së hënës edhe më të rëndësishme.

  • “Rasti ndodhi në veturë”, detaje të reja nga plagosja e ushtarit të FSK-së

    “Rasti ndodhi në veturë”, detaje të reja nga plagosja e ushtarit të FSK-së

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për plagosjen e ushtarit 22-vjeçar, të dielën në fshatin Sharban të Prishtinës, ku i dyshuar është një koleg i tij.

    Sipas organeve të rendit, rasti kishte ndodhur në veturën e të dyshuarit.

    “Viktima m/k është duke u trajtuar në QKUK pasi që, i njëjti derisa ka qenë në një veturë me të dyshuarin m/k, dyshohet se aksidentalisht i ka shkrepur arma të dyshuarit dhe si pasoj, viktima ka pësuar lëndime trupore. Si provë materiale në vendin e ngjarjes është konfiskuar arma e zjarrit dhe 15 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Ushtari i Kosovës që u qëllua me armë zjarri është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

  • Kurti kërkon urgjent formimin e komisioneve parlamentare: Çdo vonesë po dëmton qytetarët

    Kurti kërkon urgjent formimin e komisioneve parlamentare: Çdo vonesë po dëmton qytetarët

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se formimi i komisioneve të përhershme parlamentare është hapi më urgjent për institucionet, duke paralajmëruar se vonesat po rrezikojnë funksionimin normal të proceseve shtetërore.

    “I kemi edhe dy ditë deri tek seanca e Kuvendit për mandatarin e radhës. Ajo që është urgjente për shtetin e Kosovës është formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare,” tha Kurti.

    Ai theksoi se pas konstituimit të Kuvendit, procedurat duhet të vazhdojnë pa pengesa.
    “Tash që kemi konstituuar Kuvendin, është gabim politik dhe dëm financiar e social mosprocedimi i mëtejshëm në Kuvend,” u shpreh ai.

    Kurti paralajmëroi se çdo ditë pa komisione funksionale po dëmton proceset ligjore, administrative dhe përfitimet që u takojnë qytetarëve.
    “Çështje më urgjente se kjo nuk ka,” shtoi ai.

    Kryeministri në detyrë kujtoi gjithashtu se afati 15-ditor për mandatarin e propozuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, përfundon së shpejti.

    “Pesëmbëdhjetëditëshi i mandatarit Konjufca vlen deri të mërkurën,” tha Kurti, pa zbuluar nëse tashmë janë siguruar numrat për formimin e Qeverisë.

  • Ukraina blen “Rafale” nga Franca, Zelensky firmos në Paris marrëveshjen për blerjen e 100 avionëve

    Ukraina blen “Rafale” nga Franca, Zelensky firmos në Paris marrëveshjen për blerjen e 100 avionëve

    Ukraina ka nënshkruar me Francën një marrëveshje historike ushtarake për blerjen e deri në 100 avionëve luftarakë “Rafale”, së bashku me sisteme mbrojtjeje ajrore dhe dronë. Lajmi u konfirmua nga Pallati Elysee gjatë vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në Paris.

    Në bazën ajrore “Villacoublay”, Zelensky firmosi një letër qëllimi me presidentin francez Emmanuel Macron për blerjen e avionëve “Rafale”, një nga aeroplanët më të avancuar të flotës franceze.

    Detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë ende publike, por kontrata parashikon një paketë të gjerë mbështetjeje që përfshin armatime, dronë dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore.

    Kjo ishte vizita e nëntë e Zelensky-t në Paris që nga pushtimi rus i vitit 2022 — një tregues i rolit gjithnjë e më qendror të Francës në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, sidomos në kushtet e pasigurisë së furnizimeve nga SHBA.

    Të dy liderët nënshkruan marrëveshjen pranë një avioni Rafale të armatosur me bomba të drejtuara AASM dhe pranë një rakete lundrimi SCALP — armë që Franca i ka dërguar tashmë Ukrainës. Në ceremoninë zyrtare ishin ekspozuar edhe një sistem interceptimi SAMP/T dhe një radar GF-300, pajisje të ofruara më parë Kievit.

    Rafale është avion luftarak multifunksional i gjeneratës së katërt, i aftë të kryejë brenda të njëjtës mision bombardime në distancë të gjatë, sulme precize dhe përleshje ajrore. Ai krahasohet shpesh me F-16 amerikan për fleksibilitetin dhe rolin taktik.

  • Çağatay Ulusoy shpallet “Mashkulli më i pashëm i Turqisë”

    Çağatay Ulusoy shpallet “Mashkulli më i pashëm i Turqisë”

    Aktorit të njohur turk, Çağatay Ulusoy, i shtohet një tjetër titull në koleksionin e tij, por këtë herë i bazuar tërësisht në votën e publikut.

    Në një sondazh të ri që ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat turke pikërisht këtë Nëntor, ylli i serialeve është kurorëzuar si “Mashkulli më i pashëm i Turqisë”.

    Sipas raportimeve nga mediat si “Sonsöz Gazetesi”, vlerësimi erdhi si rezultat i një sondazhi të gjerë të zhvilluar në një “platformë ndërkombëtare”, ku fansat dhe ndjekësit patën mundësinë të votonin për yjet e tyre të preferuar.

    Edhe pse në garë ishin shumë emra të njohur të showbiz-it turk, Çağatay ishte ai që grumbulloi numrin më të madh të votave, duke dëshmuar se popullariteti i tij i kapërcen kufijtë e Turqisë.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Eşref Rüya (@esrefruyadizitv)

  • Clark përshkruan takimin me Thaçin: Ishte më i riu dhe më bindësi, por nuk ishte komandanti ushtarak

    Clark përshkruan takimin me Thaçin: Ishte më i riu dhe më bindësi, por nuk ishte komandanti ushtarak

    Gjenerali amerikan Wesley Clark ka dhënë detaje për një takim me Hashim Thaçin, i cili kishte ndodhur para bombardimeve të NATO-s.

    Ai ka treguar se asokohe Thaçi ishte një person me autoritet, por nuk kishte komandant.

    Gjatë dëshmisë së tij, ai e ka përshkrua në detaje këtë takim

    “U takova me Thaçin para se të fillonte fushata bombarduese. Ai ishte një prej personave më me autoritet, më i riu dhe më bindësi. Ishte personi që ishte i veshur më mirë. Me ca kuptova unë jetonte në Zvicër, nuk fliste shumë anglisht, fliste gjermanisht, ishte e vështirë të komunikonim se unë nuk është se flisja mirë gjermanisht. Ai nuk ishte komandanti ushtarak”, ka thënë Clark.

    Më pas, avokati i Thaçit e pyeti gjeneralin amerikan si erdhi në këtë përfundim.

    “E saktë. Kur u takova me të herën e tretë unë kërkova ndihmë dhe nuk morëm asnjë ndihmë pasi ai nuk e kishte idenë çfarë po ndodhte. Problemi që kisha unë si komandat, ishte se ne nuk kishim një forcë në teren, ne mbështeteshim vetmë në fushtatat ajrore. Donim që të mos sulmonim objektivat civile por donim thjesht të ndërhynim në forcat ushtarake në terren”, ka thënë gjenerali amerikan.

  • Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

    Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

    Presidentja Vjosa Osmani, ka ndarë sot “Urdhrin e Lirisë” për Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    Në njoftimin e saj, Presidentja Osmani vlerësoi rolin historik të Bajraktarit, duke theksuar se për më shumë se tri dekada ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ishte nder i veçantë që sot i ndava Urdhrin e Lirisë, z. Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë”, ka shkruar ajo.

    Presidentja shtoi se Bajraktari ishte një mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare.

    “Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare. Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë”, ka shkruar ajo.

  • Shtyhet seanca paraprake për Erion Veliajn

    Shtyhet seanca paraprake për Erion Veliajn

    Seanca paraprake për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë u shty për më 2 dhjetor, ora 09:00. Shkak u bë kërkesa e avokatëve të Veliajt për t’u njohur me aktet e dosjes. Gjykata ende nuk është shprehur për kërkesën që në qelinë e Veliajt të lejohet përdorimi i një laptopi me qëllim leximin e materialeve hetimore.

    Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për të pandehurit Ëngjëll Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Shkëlqim Hoxha, ky i fundit ish-kandidat për kryetar bashkie nga radhët e Partisë Demokratike. Të pestë akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje. Pretenca e prokurorisë pritet të jepet më 2 dhjetor.

    Ndërkohë, biznesmenët Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu kanë kërkuar pushimin e çështjes dhe jo gjykim të shkurtuar. Më herët, edhe biznesmeni Elman Abule ka paraqitur kërkesë për pushimin e çështjes, ose në alternativë, gjykim të shkurtuar.

  • Kim Kardashian në lot: Çfarë ndodhi para provimit që do i ndryshonte jetën?

    Kim Kardashian në lot: Çfarë ndodhi para provimit që do i ndryshonte jetën?

    Kim Kardashian ka ndarë në Instagram momente të sinqerta dhe emocionale nga përgatitjet e saj për provimin e avokatisë në Kaliforni, një hap vendimtar drejt qëllimit të saj për t’u bërë avokate. Në videon e publikuar të dielën, 16 nëntor, 45-vjeçarja tregoi sesi javët e fundit të studimeve u kthyen në një periudhë të lodhshme, stresuese dhe emocionalisht të rëndë. Ajo konfirmoi se më 7 nëntor nuk e kaloi provimin, por theksoi se nuk ka ndërmend të heqë dorë.

    “Kam ndarë shumë nga ky udhëtim me ju,” shkroi ajo. “Ky rezultat ishte zhgënjyes, por jo fundi. Kjo ëndërr ka shumë rëndësi për mua që të tërhiqem.”

    Videoja nis me Kardashian duke qarë në krevat, më pas kthehet pas dy javë, duke treguar përgatitjet intensive për një provim që përfshin ese njëorëshe, teste 90-minutëshe dhe 200 pyetje me alternativa. Ajo shihet duke analizuar raste, duke punuar me profesorët e saj dhe duke studiuar me orë të tëra çdo ditë. Nga lodhja, Kardashian filloi madje të shihte ëndrra sikur po humbiste pikë gjatë provimit.

    Procesi u bë edhe më i vështirë kur themeluesja e SKIMS pësoi probleme në shpinë, duke krijuar “disa çrregullime në disqe”. Në një moment, ajo shpërthen në lot: “Sa herë mendoj se jam një hap përpara, diçka më ndal. Ndihem sikur truri do të më shpërthejë.”

    Megjithatë, përkushtimi i saj nuk u lëkund. Ndërsa katër fëmijët e saj ishin me pushime, Kardashian i kushtoi çdo minutë studimeve për t’u përgatitur sa më mirë. Një ditë para testit, ajo u shfaq e qetë dhe e sigurt: “Ndjehem mirë dhe e përgatitur.”

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Kim Kardashian (@kimkardashian)

    Edhe pse nuk e kaloi këtë herë, Kardashian thotë se do të vazhdojë derisa ta arrijë qëllimin e saj.

  • Të lexuarit e një libri për gjashtë minuta ul stresin me 68%

    Të lexuarit e një libri për gjashtë minuta ul stresin me 68%

    Një studim i kryer nga “Mindlab International” në Universitetin e Sussex, Britani e Madhe, zbuloi diçka mahnitëse: leximi i një libri për vetëm gjashtë minuta mund të ulë nivelin e stresit deri në 68%!

    Rezultatet tregojnë se leximi është më efektiv sesa disa metodat e tjera të njohura për relaksim: stresi ulet me 61% kur dëgjoni muzikë, 54% kur pini një filxhan çaj, dhe vetëm 42% kur bëni një shëtitje.

    Si funksionon?
    Lehtësimi i stresit ndodh për shkak të përqendrimit që kërkon leximi. Truri fokusohet nga shqetësimet e përditshme dhe mendimet ankthoze, duke ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe duke lehtësuar tensionin e muskujve.

    Sipas neuropsikologut Dr. David Lewis, i cili udhëhoqi studimin, zhanri i librit nuk ka rëndësi, për sa kohë që lexuesi mund të përqendrohet dhe të zhytet në botën e autorit.

    Studiuesit shpjegojnë se përqendrimi i kërkuar për lexim ka një efekt fiziologjik në tru, angazhon imagjinatën dhe stimulon kreativitetin. Kur hormonet e stresit ulen, qendra e frikës në tru bëhet më pak aktive dhe zonat e racionalizimit marrin kontrollin – duke ju bërë të ndiheni më të qetë dhe më në kontroll.