ATV

Author: K.B.

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy mërgimtarëve, kërcënuan gazetarin dhe kreun e AGK-së Xhemajl Rexha

    Ngritet aktakuzë ndaj dy mërgimtarëve, kërcënuan gazetarin dhe kreun e AGK-së Xhemajl Rexha

    “Duhet me i var në litar kta tradhtar të serbisë”, ky është njëri nga disa kërcënimet që sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ka marrë gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, në komente në rrjetin social Facebook, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025. Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosja”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha- gazetar dhe kryetar i AGK-së, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj- qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

    Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të serbisë”.

    Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë ‘online’ në rrejtin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.

    Me këtë, Haradinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

    Seanca fillestare për këtë rast pritet të mbahet të mërkurën (19.11.2025), në ora 14:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Në aktakuzë thuhet se të dy të pandehurit kanë treguar se janë mërgimtarë. Njëri jeton në Suedi e tjetri në Zvicër.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Fitim Selmani në deklaratën e tij para Policisë, u shpreh se nuk e njeh dhe nuk e di se me çfarë merret gazetari Rexha.

    “Po, është e vërtetë që unë e kam shkruar këtë mesazh, por nuk e mbaj mend se kur e kam shkruar veç se jam në dijeni se ka qenë një video e postuar dhe e kam lënë një koment për shkak të asaj video e cila tash nuk më kujtohet se çfarë ka qenë dhe nuk kam pasur asnjë qëllim për gazetarin në fjalë”, citohet të ketë deklaruar Selmani, duke shtuar se i kërkon falje të dëmtuarit pasi sipas tij është shkruar “pavetëdije”.

    Ngjashëm thuhet se është shprehur edhe i akuzuari Haradinaj, në deklaratën e tij të dhënë në Polici, ku ka thënë se nuk e njeh të dëmtuarin Xhemajl Rexha dhe se nuk e di se me çfarë merret.

    “Ndoshta e kam shkruar komentin në fjalë, por nuk më kujtohet se pse e kam shkruar këtë koment, nuk kam pasur qëllim të keq ose diçka tjetër nëse është në komentin tim. I kërkoj falje publikisht personit në fjalë dhe jam i gatshëm t’i kërkoj falje edhe live pasi që po ndihem shumë keq për momentin”, citohet se ka thënë në deklaratën e tij Blerim Haradinaj.

    Në anën tjetër, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në deklaratën e dhënë në Polici, ka theksuar se shqetësimet e tij lidhen me një sërë komentesh online në disa faqe të rrjetit social Facebook, si reagim i deklaratave të tij publike për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë.

    “Nga mijëra komente të natyrës së ofendimeve personale, disa prej tyre kam arritur pak më vonë t’i shoh, që janë shkruar, janë të natyrës kërcënues, ato përfshijnë mes tjerash thirrje për vrasje, për varje në shesh të qytetit, likuidim dhe të ngjashme”, ka thënë Rexha.

    Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Rexha ka thënë se leximi i këtyre mesazheve ka bërë që të ketë shqetësim serioz për sigurinë e tij fizike dhe përveç kësaj, sipas tij kanë pasur efekt negativ psikologjik, duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

    “Motivi i këtyre shkrimeve lidhet ekskluzivisht me punën time si gazetar dhe si kryetar i AGK-së në mbrojtje të gazetarëve, lirisë së shprehjes dhe mediave në Kosovë dhe për këtë ndihem i rrezikuar për sigurinë time”, citohet se ka deklaruar gazetari Rexha.

  • Nëse keni probleme me kujtesën, kërpudhat mund t’ju ndihmojnë

    Nëse keni probleme me kujtesën, kërpudhat mund t’ju ndihmojnë

    Konsumimi i kërpudhave më shumë se dy herë në javë mund të parandalojë problemet me kujtesën dhe të folurit që shfaqen pas moshës 60-vjeçare, ka treguar një hulumtim nga Singapori.

    Një antioksidant unik i pranishëm në kërpudha mund të ketë një efekt mbrojtës në tru, zbuloi studimi.

    Në hulumtim sa më shumë njerëzit hanin kërpudha, aq më mirë kryenin testet e të menduarit dhe përpunimit.

    Por, studiuesit thanë se nuk ishte e mundur të provohet një lidhje e drejtpërdrejtë midis kërpudhave dhe funksionit të trurit.

    Gjetjet e studimit të Universitetit Kombëtar të Singaporit u bazuan në 663 të rritur kinezë, të moshës mbi 60 vjeç, dieta dhe mënyra e jetesës e së të cilëve u monitorua nga viti 2011 deri në vitin 2017.

  • Punëtorët e RTK-së nga e hëna hyjnë në grevë të përgjithshme

    Punëtorët e RTK-së nga e hëna hyjnë në grevë të përgjithshme

    Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës nga e nëna hyjnë në grevë të përgjithshme pasi ende nuk i kanë marrë pagat.

    Sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti deri te bordi që të marrin vendim të qartë për mosmbulimin e asnjë ngjarje politike deri të realizohen kërkesat e tyre.

    Sindikata ka kërkuar edhe që në ekranin e RTK-së çdo ditë të shfaqet njoftimi “Punëtorët e RTK-së pa paga”, derisa të zgjidhet situata.

    “Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete dhe të alokojë buxhetin e RTK-së, sipas ligjit, pasi RTK është institucion publik dhe funksionimi i tij nuk mund të lihet në krizë financiare.”, thuhet në komunikatë.

    Komunikata e plotë:

    Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)

    SPERTK njofton se greva e përgjithshme në RTK do të fillojë të hënën, duke shënuar nisjen e masave sindikale për shkak të mosshpërndarjes së pagave dhe neglizhencës së institucioneve për zgjidhjen e krizës së rëndë financiare në transmetuesin publik.

    Sindikata kërkon nga të gjithë vartësit, nga menaxhmenti deri te Bordi i RTK-së, që të marrin vendim të qartë për MOS-MBULIMIN e asnjë ngjarjeje politike në Kosovë, deri në realizimin e kërkesave legjitime të punëtorëve.

    Si shenjë proteste, SPERTK kërkon që në ekranin e RTK-së çdo ditë të shfaqet njoftimi “Punëtorët e RTK-së pa paga”, derisa të zgjidhet situata.

    SPERTK paralajmëron se së shpejti do të fillohen protestat në shesh, para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si vazhdim i presionit sindikal ndaj institucioneve të vendit.

    Pergjegjesi për këtë krizë të rëndë financiare e kanë të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

    Ne nuk po e kuptojmë se në një situatë të tillë, ju vazhdoni të veproni normalisht, duke injoruar ekzistencën e 700 familjeve që varen nga puna në RTK.

    Kjo është shkelje e rëndë dhe cenim i të drejtave të njeriut, për të cilën dikush mund të mbajë përgjegjësi ligjore.

    Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete dhe të alokojë buxhetin e RTK-së, sipas ligjit, pasi RTK është institucion publik dhe funksionimi i tij nuk mund të lihet në krizë financiare.

    Kjo situatë nuk do të tolerohet më.

    Sindikata paralajmëron se masat sindikale do të ashpërsohen dita-ditës, derisa kërkesat e punëtorëve të realizohen plotësisht.

    Me këtë letër njoftojmë institucionet kompetente se shpallim zyrtarisht grevën nga e hëna e javës së ardhshme në gjithë RTK-në.

    SPERTK i fton të gjithë kolegët që të vazhdojnë mbështetjen, siç kanë bërë deri tani, dhe të ruajnë unitetin, i cili është forca jonë kryesore në këtë proces.

  • Welsley Clark përmbyll dëshminë e tij në Hagë

    Welsley Clark përmbyll dëshminë e tij në Hagë

    Gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, në mbyllje të dëshmisë së tij para Gjykatës Speciale përsëriti se Hashim Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë.

    “E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, tha ai.

    Sipas Clarkut, UÇK-ja nuk ishte terroriste pasi pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

    “Ata nuk janë terroristë, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë ata më thanë që ata janë terroristë. Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, tha ai.

    “Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre. Ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet të kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë e tyre dhe dinjitetin e tyre”, shtoi ai.

  • Rënia e “Cloudflare” terron botën, probleme edhe në ChatGPT

    Rënia e “Cloudflare” terron botën, probleme edhe në ChatGPT

    Një numër i madh i ueb faqeve, përfshirë rrjetin social “X” dhe ChatGPT, kanë rënë nga sistemi për shkak të problemeve që ka pasur kompania e infrastrukturës së internetit “Cloudflare”.

    Miliona përdorues kanë raportuar problemet me faqet, gjithashtu edhe shërbime të tjera.

    Clouflare ka deklaruar se ka pasur një ngritje të pazakontë të trafikut në një prej shërbimeve të veta rreth orës 11:20, që ka shkaktuar problemet për trafikun që kalon nëpërmjet rrjetit të saj.

    “Ende nuk e dimë shkakun e kësaj rritjeje të pazakontë në trafik”, thuhej në një deklaratë.

    Edhe ChatGPT ka pasur probleme shkaku i rënies së Cloudflare.

    Cloudflare është ofrues i sigurisë në internet nëpër krejt botën dhe menaxhon me shërbimet siç janë kontrolli i lidhjeve të vizitorëve në faqe nëse janë njerëz apo botë.

    Rreth 20 për qind e krejt faqeve nëpër botë përdorin shërbimet e Cloudflare.

    Deri më tani ende nuk dihet se sa faqe të internetit janë në terr shkaku i këtyre problemeve.

  • Ministria e Arsimit: Veç në Prishtinë nuk u zhvillua mësimi, orët e humbura do të zëvendësohen

    Ministria e Arsimit: Veç në Prishtinë nuk u zhvillua mësimi, orët e humbura do të zëvendësohen

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se nga informatat e mbledhura nga sektorët rajonalë të Inspektoratit të Arsimit, në të gjitha shkollat mësimi është zhvilluar normalisht, edhe në ato institucione që punojnë me dy ndërrime, me përjashtim në komunën e Prishtinës.

    Në njoftim thuhet se Inspektorati do të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të gjitha orët e humbura, të zëvendësohen.

    “Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, ndërkaq, ka njoftuar për pezullimin e procesit mësimor për ditën e sotme në të gjitha shkollat, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe vështirësive në komunikacion.

    Inspektorati i Arsimit, bazuar në kompetencat e tij ligjore, do të monitorojë dhe do të sigurohet që të gjitha orët e humbura të procesit mësimor të ditës së sotme të zëvendësohen, në përputhje me legjislacionin në fuqi, respektivisht Udhëzimin Administrativ (MAShTI) Nr. 01/2025 për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.

    MAShTI do të vazhdojë të jetë në komunikim me komunat dhe institucionet arsimore për të garantuar vijueshmërinë e procesit edukativo-arsimor, duke e pasur prioritet sigurinë e nxënësve.”

  • Rafuna i kërkon ZRRE-së ta respektojë vendimin e Supremes për daljen në treg të lirë

    Rafuna i kërkon ZRRE-së ta respektojë vendimin e Supremes për daljen në treg të lirë

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna ka thënë se vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me çështjen e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike ka dëmtuar rëndë ekonominë, bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

    Ai në një konferencë për media ka thënë se pati inflacion mbi 5.1 për qind, e për çka i bëri thirrje ZRRE-s që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme rreth kësaj.

    Rafuna ka theksuar se nuk është kundër dalje në treg të hapur por duhet të bëhet një diskutim.

    “ZRRE duhet të ulet bashkë me sektorin privat në mënyrë që të caktohet kur të dalim në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë ka shkaktuar dëm të madh sektorit privat dhe ekonomisë së vendit. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë dhe veprimet që ka ndërmarrë i ka shkaktu dëm të madh sektorit privat, ekonomisë së vendit por edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të ASK, ato të dhëna na argumentojnë se inflacioni ka kaluar 5.1 për qind, dhe shtytësi kryesor i këtij inflacionit, që nënkupton i ka varfëruar qytetarët, është pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Rafuna.

  • Pas Osmanit, ministri gjerman takon Kurtin

    Pas Osmanit, ministri gjerman takon Kurtin

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, në Kuvendin e Kosovës.

    Takimi me Kurtin vjen pas një vizite që Wadephul e zhvilloi më herët te Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me të cilën mbajti edhe një konferencë për media.

  • Osmani kërkon heqjen sa më të shpejtë të masave të BE-së ndaj Kosovës

    Osmani kërkon heqjen sa më të shpejtë të masave të BE-së ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, përkrahje për heqjen e masave që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës qysh në qershorin e vitit 2023.

    Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Osmani ka theksuar se heqja e këtyre masave është një urgjencë e domosdoshme.

    “Heqja sa më parë dhe sa më e shpejt e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë në fuqi nga qershori 2023 dhe ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë, është një urgjencë e domosdoshme, për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, ka deklaruar Osmani.

    Presidentja ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe ndaj një dialogu të barabartë e të drejtë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Përderisa Kosova mbetet nën masa të vetë BE-së, as dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor apo i barabartë”, ka thënë ajo.

    Mbështetjen e Gjermanisë, që e quajti shtet aleat dhe historik, Osmani e ka kërkuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe Këshillin e Evropës, duke theksuar se vendi synon të hyjë si kontributdhënëse dhe jo si barrë.

    “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj strategjik, anëtarësimi në NATO, BE, Këshillin e Evropës dhe në çdo organizatë ndërkombëtare që forcon pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, sepse si shtet gjithnjë kemi mbrojtur vlerat mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë këto organizata. Në gjithë këta mekanizma ndërkombëtare ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës, jo si barrë. Në këtë rrugëtim, Kosova ka nevojë për mbështetjen e vendosur të Gjermanisë, prandaj heqja sa më parë dhe sa më e shpejt e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë në fuqi nga qershori 2023 dhe ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë, është një urgjencë e domosdoshme, për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, deklaroi ajo.

    Osmani ka theksuar gjithashtu se Bashkimi Evropian mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpreson që aplikacioni i Kosovës për anëtarësim të procedohet nga Komisioni Evropian, për t’i hapur rrugë anëtarësimit final.

    “Vizita juaj në Kosovë si stacioni i radhës në udhëtimin tuaj në Ballkanin Perëndimor është një dëshmi e qasjes tuaj dhe qeverisë së udhëhequr nga kancelari Merz se Bashkimi Evropian mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Ky vizion strategjik është i një rëndësie historike si për rajonin tonë, ashtu edhe për paqen në gjithë kontinentin evropian. Republika Federale e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet një aleat historik dhe tradicional i popullit të Kosovës. Ka qëndruar me ne në momentet më të vështira në arritjen e lirisë dhe pavarësisë, në rindërtim, shtetndërtim dhe konsolidim. Prandaj populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si mikun më të afërt dhe aleatin më të besueshëm në kontinentin evropian”, deklaroi presidentja Osmani.

  • Pse Alzheimeri fshin kujtimet e të dashurve?

    Pse Alzheimeri fshin kujtimet e të dashurve?

    Pamundësia për të njohur të dashurit, tipike për sëmundjen e Alzheimerit, mund të jetë rezultat i përkeqësimit të rrjeteve mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru, megjithatë, ekzistojnë ilaçe, të cilat tashmë po studiohen në trajtimin e tumoreve dhe artritit, që mund të rivendosin këto struktura dhe të ruajnë kujtimet, sipas një eksperimenti mbi minj të kryer nga Universiteti i Virxhinias dhe Virxhinia Tech, botuar në revistën “Alzheimer and Dementia”.

    “Zbulimi i një ndryshimi strukturor që shpjegon humbjen specifike të kujtesës në sëmundjen e Alzheimerit është jashtëzakonisht emocionues”, tha koordinatori i studimit Harald Sontheimer.

    Sipas tij, është një objektiv krejtësisht i ri, dhe ne tashmë kemi ilaçe të mundshme në dispozicion.

    Ekipi i tij kërkimor ka treguar më parë se në rajone të caktuara të trurit ekzistojnë struktura (të quajtura rrjeta perineurale) që formojnë një matricë rrjetë rreth neuroneve, duke shërbyer si një pengesë kyçe që u lejon neuroneve të komunikojnë siç duhet dhe të formojnë kujtime të reja.

    Bazuar në këtë, studiuesit hipotezuan se ndryshimet në këto rrjete mund të jenë një pikë kthese kritike në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.

    Eksperimentet e reja mbi minjtë e konfirmojnë këtë: individët me rrjete perineuronale të dëmtuara në zonën CA2 të hipokampusit humbasin aftësinë për të kujtuar minjtë e tjerë (të ashtuquajturën kujtesë sociale), megjithëse ata ende mund të krijojnë kujtime të reja rreth objekteve në mjedisin e tyre.

    Kjo pasqyron atë që shihet te njerëzit me Alzheimer, tek të cilët kujtesa sociale shpesh zhduket përpara kujtesës së objekteve.

    Studiuesit më pas provuan të përdorin ilaçe – frenues të metaloproteinazës së matricës (MMP), të cilët bllokojnë enzimat e afta për të zbërthyer proteinat e matricës jashtëqelizore, duke përfshirë ato në rrjetet perineuronale.

    Rezultatet tregojnë se minjtë që morën frenues të MMP-së kanë më pak degradim të këtyre rrjeteve dhe ruajnë kujtesë më të mirë sociale pavarësisht sëmundjes së Alzheimerit.

    Përpara se kjo qasje të testohet te njerëzit, paralajmëron Sontheimer, do të duhen kryer kërkime shtesë mbi sigurinë dhe efikasitetin.