ATV

Author: K.B.

  • Vuçiq denoncohet lidhur me rastin “Sarajevo Safari” në prokurorinë e Milanos

    Vuçiq denoncohet lidhur me rastin “Sarajevo Safari” në prokurorinë e Milanos

    Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq i ka dërguar një kallëzim Zyrës së Prokurorit Publik në Milano lidhur me “Sarajevo safarin”, përkatësisht në lidhje me nisjen e hetimeve në Itali për akuzat se të huajt paguanin për të qëlluar mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës, para tri dekadash.

    “Presidenti i sotëm i Serbisë, në vitet 1992 dhe 1993, ndodhej në Sarajevë si një vullnetar i paligjshëm i luftës. Vuçiq ka qenë, pa dyshim, gjatë viteve 1992 dhe 1993, si vullnetar nga një shtet tjetër (Serbia), pjesëtar i një njësie famëkeqe dhe kriminale vullnetare e paramilitare, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe. Më saktë, ai ishte pjesëtar i njësisë që komandohej nga Slavko Aleksić”, thuhet në njoftim.

    Më tej shkruhet se “kjo njësi ishte e stacionuar në Varrezat Hebreje në Sarajevë, ku gjatë viteve 1992 dhe 1993 ndodhej si vullnetar edhe Vuçiq, gjë që është konfirmuar në Hagë nga Vojislav Sheshel dhe shefi i ekipit të tij juridik, Zoran Krasiq”.

    “Pikërisht Varrezat Hebreje në Sarajevë ishin një pozicion brenda ‘ofertës turistike’ të tmerrshme të një safarije njerëzore për njerëz të pasur dhe me ndikim nga Italia; dhe njiheshin si një nga lokacionet më luksoze, më të kërkuara dhe më të shtrenjta për ‘gjueti njerëzish’ në Sarajevë, veçanërisht për safari të vrasjes së fëmijëve në krahët e nënave të tyre”, thuhet në kallëzim.

  • Trondit tezja e Daorsa Spahijas: E ka vrarë i dashuri që ka qenë në lidhje

    Trondit tezja e Daorsa Spahijas: E ka vrarë i dashuri që ka qenë në lidhje

    Tezja e Daorsa Spahijas, studentes së mjekësisë që dyshohet se u vetëvra në Tetovë, pretendon se ajo është vrarë nga i dashuri.

    Tezja e viktimës thotë se ajo prej kohësh vuante nga presioni dhe xhelozia e të dashurit të saj.

    “Ne dyshojmë se Daorsa është vrarë. Nuk ka qenë me mendime për ta vrarë veten, ka pasur qëllime të mëdha në jetë. Ka menduar për doktoraturë në Tiranës. Vetëm është vrarë, këto mendojmë ne familja. E ka vrarë i dashuri që ka qenë në lidhje. Ka qenë lidhje familjare është prezantuar në familje. Ka pasur xhelozi të madh, kërcënime, kemi gjetur prova dhe dëshmi. “Nuk guxon të më lësh”-i ka thënë ai. Ai i ka thënë kam një vajzë që jeton me nënën, nuk kam partnere.

    Ditën që është vrarë më ka kontaktuar në 11:30 paradite me kamera mbesa. Nuk ka shfaqur shqetësim. Dhunën psikike jam dëshmitare, i kërkonte të mbante kamerën hapur natën. Nuk e di si i ka dhënë provimet në presionin e tij. E ka vrarë se në muajin Gusht kur Daorsa është ndarë, i ka bërë presion. I ka thënë ose gjallë ose vdekur Daorsa prej meje nuk ndahet. Nuk e di pse është në liri”, tregoi tezja për top channel.

    Tezja e viktimës hodhi akuza edhe për shoqen e Daorsës, e cila sipas saj, ka gisht në këtë vrasje duke fshehur informacionet që di.

  • Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Tri fshatra të Kaçanikut do të mbesin pa furnizim me ujë shkaku i shembjes së dheut në rrjetin kryesor të Lubotenit.

    Lagja Dushkaja dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, do të kenë mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditës.

    Ndërprerja e ujësjellësit vjen si pasojë e shembjeve të dheut në pjesën ku është rrjeti kryesor i Lubotenit, prej nga edhe furnizohen konsumatorët e këtyre zonave.

    “Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, janë në teren dhe po punojnë në sanimin e këtij defekti që furnizimi me ujësjellës të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një njoftim të “Bifurkacionit”.

  • Bie interneti në të gjithë botën, disa website ndalojnë së funksionuari

    Bie interneti në të gjithë botën, disa website ndalojnë së funksionuari

    Disa pjesë të internetit duket se kanë ndaluar së funksionuari për shkak të një problemi teknik në Cloudflare .

    Vizitorët e faqeve të internetit si X, i njohur më parë si Twitter , dhe faqja e recensioneve të filmave Letterboxd panë një mesazh gabimi që tregonte se problemet e Cloudflare nënkuptonin që faqja nuk mund të shfaqej.

    Cloudflare është një infrastrukturë interneti që ofron shumë nga teknologjitë kryesore që fuqizojnë përvojat e sotme online. Kjo përfshin mjete që mbrojnë faqet e internetit nga sulmet kibernetike dhe sigurojnë që ato të qëndrojnë online edhe pse ka trafik të rënduar, për shembull.

    “Cloudflare është në dijeni dhe po heton një problem që potencialisht ndikon te shumë klientë”, tha kompania në një përditësim të ri. “Detaje të mëtejshme do të ofrohen sapo të bëhen të disponueshme më shumë informacione”.

  • Presidenti i FFK-së: Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme

    Presidenti i FFK-së: Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme

    Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se gjithçka është gati për ndeshjen e sotme ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës.

    Dardanët dhe zviceranët do të përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Pavarësisht shiut të pandërprerë që ka përfshirë vendin, Ademi tha se ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit, duke u siguruar që çdo detaj të jetë në vend.

    “Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme! Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend. Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium!”, ka shkruar Ademi.

  • Reshjet e shiut, KEDS del me njoftim: Më të afektuara janë Gjilani dhe Suhareka

    Reshjet e shiut, KEDS del me njoftim: Më të afektuara janë Gjilani dhe Suhareka

    KEDS ka njoftuar se në komunën e Gjilanit dhe Suharekës ka pasur prishje në rrjetin elektrik, si pasojë e reshjeve të shiut.

    KEDS thotë se ekipet janë në terren dhe po punojnë për ta rikthyer furnizimin me energji.

    “Vendi po përballet me reshje të dendura gjatë orëve të fundit, ndërkohë që në disa zona janë paraqitur prishje në rrjetin elektrik. Më të afektuara aktualisht janë komunat e Gjilanit dhe Suharekës, ku ekipet tona të terrenit po punojnë intensivisht për t’i rikthyer furnizimin me energji të gjithë konsumatorëve sa më shpejt që të jetë e mundur. KEDS po e monitoron situatën në vazhdimësi dhe ka angazhuar të gjitha ekipet e nevojshme për ndërhyrje të menjëhershme aty ku paraqitet nevoja. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.”

  • Përparim Rama e çon në Kushtetuese çështjen e buxhetit të Prishtinës

    Përparim Rama e çon në Kushtetuese çështjen e buxhetit të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kanë dorëzuar kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese pas “bllokimit arbitrar” të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave.

    “Ky veprim i paprecedentë ka vënë në rrezik funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës nga pastërtia, siguria sociale, mirëmbajtja e infrastrukturës, e deri te pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit. Kjo është goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe ndaj vetë qytetarëve, të cilën nuk mund ta tolerojmë”.

    Rama tha se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese “për të mbrojtur, ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit”.

    “Në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje, jo pengesa, presim vendimmarrje të shpejtë e të drejtë që t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit dhe rikthimit të stabilitetit financiar”.

  • Nesër rifillon procesi mësimor normalisht në të gjitha shkollat e Prishtinës

    Nesër rifillon procesi mësimor normalisht në të gjitha shkollat e Prishtinës

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër procesi mësimor rifillon normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të qytetit dhe të fshatrave të Prishtinës.

    “Bazuar në vlerësimin e Shtabit Emergjent, informacionet e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimin me drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për zhvillimin e rregullt të mësimit”.

    Komuna tha se intensiteti i reshjeve gjatë natës pritet të bie dukshëm sipas vlerësimeve të fundit të IHMK-së, ndërsa shtoi se ekipet emergjente janë në terren dhe po sigurohen që infrastruktura shkollore të jetë plotësisht e gatshme.

    “Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve të Kryeqytetit”, tha komuna.

  • Aksidenti fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, i lënduar edhe ish-deputeti i PDK-së

    Aksidenti fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, i lënduar edhe ish-deputeti i PDK-së

    Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të martë në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Prizren-Suharekë.

    Një person ka mbetu i vdekur dhe i lënduar nga ky aksident ka mbetur ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

    “Rreth orës 11:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë drejtimi Prizren-Suharekë kilometri i 32-të. Në aksident është përfshirë një veturë dhe dyshohet se një person është pa shenja jete dhe një tjetër ka pësuar lëndime”, tha Krasniqi

  • Këngëtarja ikonë e muzikës, Shkurte Fejza, sot feston ditëlindjen!

    Këngëtarja ikonë e muzikës, Shkurte Fejza, sot feston ditëlindjen!

    Artistja e njohur Shkurte Fejza sot feston ditëlindjen, ndërsa urimin më të veçantë e ka marrë nga bashkëshorti i saj, Hajrushi, i cili në një postim në rrjetet sociale ka shprehur dashurinë dhe mirënjohjen për këngëtaren.

    “Sot nusja ime ka ditëlindjen dhe dua të zgjedh fjalët më të mira për t’ia uruar, por nuk i gjej të gjitha ato që i meriton. Vetëm e di se e kam dashur shumë dhe do ta duam edhe më shumë në çdo ditë që do të jemi bashkë,” ka shkruar ai.

    Ai ka uruar që këngëtarja të gëzojë edhe shumë vite të lumtura pranë familjes dhe më të dashurve të saj, duke përmendur kontributin e madh që ajo ka dhënë ndër vite me këngët e saj.

    “Uroj t’i gëzosh edhe shumë e shumë vite të lumtura bashkë me ne më të dashurit e tu, me këngët e bukura që u ke dhuruar shumë brezave, me miq, bashkëpunëtorë dhe me ju adhurues të këngës së bukur shqipe. Një shekull më duket pak,” ka përfunduar ai.