ATV

Author: K.B.

  • Reshjet e shiut, Shaqir Totaj krijon shtab emergjent

    Reshjet e shiut, Shaqir Totaj krijon shtab emergjent

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka aktivizuar shtabin emergjent ne komunën e Prizrenit.

    Totaj ka bërë të ditur se ky vendim vjen pas reshjeve të mëdha të shiut.

    “Bazuar në vazhdimësinë e reshjeve të shiut në territorin e Komunës së Prizrenit, sot kam marrë vendim për themelimin e Shtabit Emergjent, me qëllim të garantimit të gatishmërisë së plotë ndaj situatës së krijuar” ka shkruar Totaj.

    Tutje bëhet e ditur se ky shtab do të jetë i angazhuar 24 orë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e pasojave që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura atmosferike.

    “Apelojmë për kujdes të shtuar, veçanërisht në komunikacion, dhe ju lutemi që në çdo rast urgjence të kontaktoni numrat e mëposhtëm:

    112 – Linja e Emergjencës
    194 – Ndihma e Shpejtë
    192 – Policia
    193 – Zjarrfikësit
    0800 791 99 – KEDS

    Qëndroni të sigurt dhe të informuar!” tha ndër të tjera Totaj.

  • Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, reshjeve të dendura të shiut dhe situatës së rënduar në qarkullimin rrugor, është aktivizuar Shtabi Emergjent i Kryeqytetit.

    Qëllimi është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë publike.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

    Çdo rast emergjent mund të raportohet në Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.

  • OKB miraton planin amerikan për paqe në Gaza, Trump e quan moment historik

    OKB miraton planin amerikan për paqe në Gaza, Trump e quan moment historik

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin e planit të paqes të presidentit Donald Trump në Gaza, me abstencën vendimtare të Rusisë dhe Kinës. Ambasadori amerikan Waltz e ka përshkruar votimin si hapin e parë për konsolidimin e paqes dhe ndërtimin e stabilitetit në rajon, duke theksuar se SHBA-ja nuk e miraton rezolutën si kompromis, por si një angazhim për të shpëtuar jetë njerëzish.

    Presidenti amerikan Donald Trump e quajti votimin një moment historik, duke deklaruar se rezoluta do të kontribuojë në paqe globale. Ai tha se Board-i i Paqes, i cili do të drejtohet nga ai dhe përfshin liderët më të fuqishëm dhe më të respektuar të botës, do të mbahet si një nga miratimet më të mëdha në historinë e OKB-së dhe do të ndihmojë në promovimin e paqes në gjithë botën.

    Rezoluta, e cila u kundërshtua menjëherë nga Hamas për shkak se imponon një mbrojtje ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, ka për qëllim zbatimin e planit të paqes në 20 pika të propozuar nga Trump. Ajo parashikon kalimin nga armëpushimi aktual drejt fazës së dytë të planit, krijimin e një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi, formimin e Board-it të Paqes për qeverisjen e Gazës dhe disarmimin e Hamasit. Ky proces ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve gjatë vizitës së princit saudit Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë.

    Versioni i parë i rezolutës nuk përfshinte një referencë të drejtpërdrejtë për krijimin e një shteti palestinez, gjë që e bëri të pamundur mbështetjen e vendeve arabe. Për të siguruar votën e tyre dhe për të shmangur veton e Rusisë dhe Kinës, SHBA-ja ndryshoi gjuhën e rezolutës, duke shtuar se nëse Autoriteti Palestinez përmbush reformat e kërkuara, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe sovranitetit palestinez.

    Megjithatë, kryeministri izraelit Netanyahu ka bërë të qartë se është kundër krijimit të një shteti palestinez, duke lënë të paqarta shumë pikëpyetje për zbatimin e planit. Rusia kishte propozuar një tekst alternativ, më pranë pozicioneve të vendeve të Lindjes së Mesme, ndërsa Kina nuk u përfshi në kundërshtim, duke pasur prioritet marrëveshjen e re tregtare me SHBA-në.

    Detajet për implementimin mbeten të paqarta: nuk dihet se kush do të drejtojë Board-in e Paqes, përveç kandidaturës së ish-kryeministrit britanik Tony Blair, dhe anëtarët e Forcës së Stabilizimit do të zgjidhen në bashkëpunim me Egjiptin dhe Izraelin, i cili nuk pranon praninë e forcave turke. Trajnimi i policisë lokale mund të realizohet jashtë Gazës, në Jordani ose në Qendrën e Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit (CoESPU) në Vicenza, Itali.

    Pavarësisht pasigurisë dhe sfidave, rezoluta përfaqëson një hap të parë drejt përparimit dhe përpiqet të parandalojë rikthimin e konfliktit të armatosur. Megjithatë, stabiliteti afatgjatë i rajonit mbetet ende i pasigurt, duke e lënë të hapur pyetjen nëse plani i paqes do të mund të implementohet plotësisht.

  • Hajnat futen në xhami, grabisin kasafortat me 20 euro

    Hajnat futen në xhami, grabisin kasafortat me 20 euro

    Një imam në xhaminë e fshatit Pozheran të Vitisë ka raportuar në polici se persona të panjohur janë futur brenda xhamisë dhe kanë hapur me forcë dy kasaforta metali.

    Bëhet e ditur se në kasaforta ndodheshin 20 euro, të cilat edhe janë grabitur nga hajnat.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 16 nëntorit.

    Rasti është duke u hetuar.

  • Dëboi vajzën e mitur nga shtëpia në Gjakovë arrestohet babai

    Dëboi vajzën e mitur nga shtëpia në Gjakovë arrestohet babai

    Një burrë në Gjakovë është arrestuar të dielën pasditen, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij të mitur dhe e ka dëbuar atë nga shtëpia.

    Sipas raportit të policisë, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është penduar për sjelljet e tij, duke kërkuar që vajza të kthehet në shtëpi.

    “Viktima është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari, pas konsultimit me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt”, thotë Policia.

  • Mbretëria e Bashkuar do të dëbojë rreth 700 familje shqiptare, thotë ministrja e Brendshme

    Mbretëria e Bashkuar do të dëbojë rreth 700 familje shqiptare, thotë ministrja e Brendshme

    Pavarësisht ndryshimit të qeverisë në Londër, duket se për shqiptarët politika e azilit mbetet e njëjtë. Ata që menduan se largimi i Suella Braverman do t’i jepte fund retorikës së ashpër ndaj emigrantëve nga Shqipëria, sot ndihen të zhgënjyer.

    Pasuese e saj në Ministrinë e Brendshme, laburistja Shabana Mahmood, vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës, ka prezantuar planin më të gjerë të ristrukturimit të sistemit të azilit në 40 vitet e fundit dhe në qendër të tij janë pikërisht rreth 700 familje shqiptare, të cilave u është refuzuar kërkesa për azil.

    “Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, megjithatë, largimi i tyre nuk po zbatohet aktualisht nga Ministria e Brendshme, pavarësisht se Shqipëria ka një standard të artë bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar për kthimet dhe është nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne do të nisim një konsultim mbi procesin e zbatimit të largimit të familjeve, përfshirë fëmijët”, deklaroi një ditë më parë në parlament Shabana Mahmood, teksa tregoi ndryshimet drastike të ligjit të emigracionit.

    Masat kanë shkaktuar shqetësim edhe brenda vetë Partisë Laburiste, që pranojnë se deportimi i fëmijëve dhe familjeve konsiderohet “i dhimbshëm dhe politikisht delikat”.

    Pavarësisht se Shqipëria vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar si një partner i besueshëm në rikthimin e shtetasve, vendi ynë është rikthyer në qendër të debatit britanik për migracionin.

  • 18-vjeçari kosovar aksidentohet rëndë në Francë

    18-vjeçari kosovar aksidentohet rëndë në Francë

    Raportohet se njëi ri kosovar në Francë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u përfshi në një aksident, në autostradën A36 në rajonin Jura, në Lavans-les-Dole, midis Dole dhe Besançon, të shtetit francez.

    Raporti tregon se tre persona mbetën të lënduar dhe mes tyre edhe D.S, 18-vjeçar nga Kaçaniku, i jeton me familjen e tij në Francë.

    Persona të afërt me familjen kanë bërë të ditur për Klanin se kosovari është në koma që nga mëngjesi i ditës së djeshme dhe po lufton me jetën.

    I riu dhe miqtë e tij u vetaksidentuan me makinë, pasi shoferi humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke e goditur mbrojtësen.

    Referuar policisë franceze, në vendin e ngjarjes dolën rreth 16 zjarrfikës për të ndërhyrë në rast, të cilët i gjetën dy nga të lënduarit në gjendje kritike për jetën.

    I lënduar rëndë ka mbetur shoferi, ndërsa pasagjeri i dytë thuhet të ketë lëndime më të lehta.

    Hetimi për aksidentin tashmë ka nisur nga autoritetet atje, që do të zbulojnë edhe shkaqet e rastit të rëndë.

  • SHBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026

    SHBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendi do të përshpejtojë procesin e lëshimit të vizave për vizitorët e huaj që kanë bileta për ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, i cili do të zhvillohet në 11 qytete amerikane.

    Sipas Trump, Washingtoni do të krijojë një sistem të veçantë për caktimin e takimeve të intervistave për vizë, duke u dhënë përparësi tifozëve të futbollit që do të udhëtojnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet nga 11 qershori deri më 19 korrik.

    Ndeshjet e Botërorit do të zhvillohen gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.

    Duke folur nga Zyra Ovale, presidenti theksoi se agjencitë qeveritare kanë punuar “për të siguruar që tifozët e futbollit nga e gjithë bota të kontrollohen siç duhet dhe të kenë mundësi të hyjnë lehtësisht në SHBA verën e ardhshme”.

    Ai shtoi se administrata e tij tashmë ka përshpejtuar ndarjen e vizave për shumicën e vendeve, duke e ulur kohën e pritjes në më pak se 60 ditë.

    Trump vlerësoi se Botërori 2026 mund të sjellë rreth 30 miliardë dollarë të ardhura dhe të krijojë 200 mijë vende pune, duke e cilësuar ngjarjen si një mundësi të madhe ekonomike për vendin.

  • Ky është roboti luftarak ukrainas që mbrojti territorin për 45 ditë

    Ky është roboti luftarak ukrainas që mbrojti territorin për 45 ditë

    Roboti pa pilot, UGV, Droid TW 12.7 nën kontrollin e operatorëve të kompanisë NC13 të Brigadës së 3-të ukrainase zëvendësoi një nga pozicionet e këmbësorisë dhe e mbajti pozicionin për një muaj e gjysmë ndaj sulmeve ruse.

    Sipas një ushtari ukrainas, detyra e UGV-së me mitraloz ishte të kontrollonte një kryqëzim nga një vendbanim të caktuar, nga ku forcat armike lëviznin herë pas here.

    Çdo mëngjes, operatorët e çonin robotin në pozicion për detyrë luftarake dhe e kthenin atë në mbrëmje.

    Në total, detyrat zgjatën një muaj e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe, Droid TW 12.7 përfundoi me sukses disa misione kundër armikut. Në fund, pushtuesit nuk ishin në gjendje të kalonin nëpër këtë zonë dhe mbetën nën sulme të vazhdueshëm nga UGV.

    Në përgjithësi, nëse flasim për UGV-të sulmuese si një mjet, mjete të tilla mund të mbështesin njësitë e këmbësorisë, si për t’i ndihmuar ato gjatë veprimeve sulmuese ashtu edhe për t’i mbuluar ato gjatë mbrojtjes. Domethënë, ato mund të lehtësojnë një pjesë të barrës nga këmbësorët”, ka treguar komandanti i kompanisë së UGV-ve sulmuese NC13.

    Sipas ushtarakut, po punohet gjithashtu për të përdorur jo vetëm një njësi të vetme, por grupe UGV-sh sulmuese me 2-4 dronë gjatë operacioneve të sulmit.

    Për të koordinuar një operacion të tillë, është e nevojshme që operatorët e dronëve të jenë “në të njëjtën vend dhe të jenë në gjendje t’i kontrollojnë të gjithë shpejt”.

    Droid TW 12.7 është një sistem robotik tokësor i prodhuar nga DevDroid, i cili është i armatosur me një modul luftimi me një mitraloz M2 Browning 12.7 mm.

  • Reshje të dendura shiu përfshijnë edhe Shqipërinë, përmbytje në Lezhë

    Reshje të dendura shiu përfshijnë edhe Shqipërinë, përmbytje në Lezhë

    Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane, raportojnë mediat në Shqipëri.

    Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.

    Niveli i ujit ka arritur deri në rreth 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin.

    Ndërkohë, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet e shërbimeve publike po punojnë për normalizimin e situatës.