ATV

Author: K.B.

  • Vajza e Cimës, këngëtarja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

    Vajza e Cimës, këngëtarja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se artistja Adelina Thaçi i është bashkuar partisë së tij.

    Abdixhiku tha se ajo i bashkohet LDK-së “duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet, humanizëm dhe një reputacion që na nderon”.

    Njoftimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

    Mirë se vjen, Adelina!

    Adelina Thaçi Meta, një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Me mbi dy dekada karrierë të suksesshme në muzikën klasike dhe atë moderne, Adelina është një prej emrave më përfaqësues të kulturës sonë. Soprano profesionale, këngëtare e suksesshme e muzikës pop dhe profesoreshë me përvojë të gjatë në vokal, ajo ka shënuar arritje që e vendosin ndër artistet më të respektuara të vendit dhe rajonit.

    Ajo ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë, profesoreshë e solo-këndimit për 23 vite, dhe aktualisht ligjëruese universitare në lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor. Arsimimin e kreu në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Adelina ka ndërtuar një profil të lartë profesional e akademik.

    Në skenën ndërkombëtare ka shkëlqyer me interpretimet e saj operistike, bashkëpunimet me dirigjentë të njohur, debutimet në role të rëndësishme dhe me projektin madhor të duetit “Dolce Suono” me tenorin me famë botërore José Carreras. Po ashtu, ajo ka përfaqësuar vendin në festivale të mëdha në Kroaci, Itali, Gjermani e deri në SHBA.

    Në muzikën pop, Adelina është artiste fituese e shumë çmimeve të para në festivale prestigjioze në Kosovë e Shqipëri, me tri albume e dhjetëra këngë e videoprojekte të suksesshme. Si trajnere vokale dhe themeluese e Ansamblit Vokal “Zanat”, ajo ka kontribuar në rritjen e brezave të rinj të artistëve dhe në promovimin e vlerave tona kulturore e muzikore në vend dhe jashtë tij.

    Sot, Adelina Thaçi Meta hap një kapitull të ri të angazhimit qytetar e politik. Ajo i bashkohet LDK-së duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet, humanizëm dhe një reputacion që na nderon.

    LDK fiton sot një kuadër të çmuar një artiste që beson në vlerat tona, në rrugëtimin tonë dhe në misionin për të ndërtuar një Kosovë me më shumë kulturë dhe zhvillim.

    Ardhja e saj, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim e që angazhohet për të.

    Dyert tona janë të hapura.

    Adelina është e martuar me Bardhylin dhe kanë dy vajza Fionën dhe Melisën.

    Mirë se vjen, Adelina Thaçi Meta!

  • Aksidenti në Pejë ku u përfshi edhe një automjet i KFOR-it, dalin pamjet nga momenti kur një veturë godet policin

    Aksidenti në Pejë ku u përfshi edhe një automjet i KFOR-it, dalin pamjet nga momenti kur një veturë godet policin

    Polici goditet nga vetura që e urdhëroi të ndalojë, një automjet i KFOR-it u përfshi në aksident – pamje

    Një aksident trafiku ka ndodhur dje në Pejë ku u përfshi edhe një veturë e KFOR’it.

    Një polic trafiku e sinjalizoi të ndalojë një veturë në rrugë, e cila duke tentuar që të ndalojë goditet nga pas nga një automjet i KFOR-it. Për pasojë vetura përplas policin, i cili po qëndronte afër një kamioni.

    Sipas pamjeve, pjesëtarë të KFOR’it shkojnë për t’i ofruar ndihmë policit të lënduar.

  • Spitali Rajonal i Pejës: Pranuam 13 pacientë nga zjarri që shpërtheu në një banesë

    Spitali Rajonal i Pejës: Pranuam 13 pacientë nga zjarri që shpërtheu në një banesë

    Spitali Rajonal i Pejës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme kanë pranuar 13 pacientë me probleme në frymëmarrje, pasi dyshohet se u shkaktuan nga tymi i një zjarri që ka shpërthyer në një banesë sot në rrugën “Bill Klinton”.

    Në njoftimin e Spitalit thuhet se shtatë pacientë po trajtohen në Repartin e Pediatrisë, ndërsa pacientë të tjerë në Emergjencë.

    Sipas Spitalit, “pas trajtimit të nevojshëm mjekësor, gjendja e të gjithë pacientëve është stabile, nën monitorim dhe jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet që të lirohen”.

  • PDK-ja mbledh Kryesinë, pritet edhe konferencë për media

    PDK-ja mbledh Kryesinë, pritet edhe konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbledh sot Kryesinë. Më pas pritet të ketë konferencë për media.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë PDK-ja përmes një njoftimi. Konferenca pritet të mbahet në ora 15:30.

    Kujtojmë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë të enjten nga presidentja Vjosa Osmani. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor.

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se pavarësisht se data nuk është ajo që kishte kërkuar, partia është e gatshme për zgjedhje.

    “Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

  • Deputetët afatshkurtër të Kosovës- Morën paga për 8 muaj pa bërë asgjë e tani mbeten ish-deputetë

    Deputetët afatshkurtër të Kosovës- Morën paga për 8 muaj pa bërë asgjë e tani mbeten ish-deputetë

    Kjo seancë parashihej të ishte konstituive, por doli të jetë një seancë tejet e gjatë.

    Seanca konstituive zgjati deri me 10 tetor, kur u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.

    Por, atij nuk i ra shumë të jetë nënkryetar i Kuvendit. Dje, me 20 nëntor, Kuvendi i Kosovës u shpërbë, pasi nuk u arrit formimi i Qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje si fitues i zgjedhjeve.

    Kjo parti nuk arriti të siguroi numrat në dy tentime.Nga 15 prilli e deri më 20 nëntor, ish-deputetët morën hiq më pak se 8 paga.

    Këto paga i morën pa e kryer asnjë punë. Përveç që morën pjesë nëpër seanca, asnjë hajr nuk ua pa qytetari.

    Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro, pa përfshirë këtu edhe shtesat nga përvoja e punës.

    Nëse e llogarisim se sa para kanë shkuar në paga të deputetëve, pa përfshirë shtesat nga përvoja e punës, atëherë janë harxhuar nga buxheti i shtetit hiq më pak se 1 milion e 837 mijë 440 euro.

    Po ashtu gjatë kësaj kohe kanë marrë paga edhe stafi mbështetës politik, ku shuma llogaritet diku rreth 600 mijë euro.

    Shumica e seancave të mbajtura sivjet zgjatën për disa minuta, ku Vetëvendosje tentonte me çdo kusht të zgjidhte Albulena Haxhiun si kryetare të kuvendit, por që s’arriti të siguronte një marrëveshje me partitë tjera që ta votonin.

  • Fatima Bosch nga Meksika, e cila u largua nga organizatorët, u kurorëzua Miss Universe

    Fatima Bosch nga Meksika, e cila u largua nga organizatorët, u kurorëzua Miss Universe

    Miss Meksika Fatima Bosch është kurorëzuar Miss Universe në një ceremoni në Bangkok, duke shënuar fundin e një sezoni jashtëzakonisht të mbushur me skandale.

    Konkurrentja 25-vjeçare ishte larguar nga një event më herët në nëntor, pasi një zyrtar tajlandez e qortoi publikisht para dhjetëra konkurrenteve dhe kërcënoi të skualifikonte ata që e mbështetën.

    Kjo kthesë dramatike u pasua një javë më vonë nga dorëheqja e dy gjyqtarëve, njëri prej të cilëve akuzoi organizatorët për manipulim të konkursit.

    Këto vijnë ndërsa një nga konkurset e bukurisë më jetëgjatë në botë përballet me pyetje mbi rëndësinë e tij në mes të një audience në rënie.

    Rezultati i fundit i konkursit i ka shtuar polemikat, me lajmin për fitoren e Mis Meksikës që menjëherë ka ndarë opinionin në internet. Shumë meksikanë festuan fitoren e saj, ashtu si edhe të tjerë që e kishin duartrokitur largimin e saj. Por disa kanë pyetur veten nëse organizatorët ia dhanë kurorën për të kompensuar skandalin e mëparshëm. Mis Tajlanda Praveenar Singh u rendit e para, ndërsa Mis Venezuela Stephany Abasali u rendit e treta, e ndjekur nga Mis Filipinet Ma Ahtisa Manalo dhe Mis Bregu i Fildishtë Olivia Yace.

    Dramë në Bangkok

    Gjërat morën një kthesë dramatike në një ceremoni para-paraqitjes së konkursit të bukurisë në fillim të këtij muaji, kur manjati i medias tajlandeze dhe organizatori i konkursit të bukurisë, Nawat Itsaragrasil, e qortoi Bosch para dhjetëra konkurrenteve për mospostimin e përmbajtjes promovuese.

    Kur ajo kundërshtoi, Nawat thirri sigurinë dhe kërcënoi të skualifikonte ata që e mbështesnin. Bosch më pas u largua nga salla dhe të tjerë iu bashkuan asaj në shenjë solidariteti, në një veprim që bëri bujë në të gjithë botën.

    Organizata e Mis Universe e dënoi sjelljen e Nawat si “keqdashëse” dhe Rocha, duke folur me video nga Meksika, i tha partnerit të tij të biznesit tajlandez të “ndalet”.

    Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e vlerësoi .Bosch në atë kohë si një “shembull se si ne gratë duhet të flasim hapur” përballë agresionit.

    Gjatë finales së së premtes, Nawat postoi foto nga publiku në historitë e tij në Instagram, por nuk u pa në skenë.

    Pas kurorëzimit të Bosch, ai postoi një deklaratë me një rresht në gjuhën tajlandeze në llogaritë e tij në mediat sociale, duke thënë: “Një miliard fjalë që nuk mund të thuhen”.

    Ai gjithashtu u tha gazetarëve: “Sa i përket rezultatit, ua lëmë shikuesve në shtëpi të gjykojnë… njerëzit kudo mund të bëjnë vlerësimin e tyre”.

    Në mediat sociale, disa fansa thanë se drama prapa skenave e ndihmoi Bosch të fitonte kurorën, e cila është e katërta e Meksikës.

    “Vitin tjetër, kushdo që të largohet do të fitojë”, shkruhej në një koment, ndërsa një tjetër thoshte: “Ata duhej ta kurorëzonin atë për të kompensuar padrejtësinë më parë për të shpëtuar Mis Universe!”.

  • Polonia shpall masa të ashpra kundër Rusisë

    Polonia shpall masa të ashpra kundër Rusisë

    Polonia po bëhet gjithnjë e më shumë një shënjestër sulmesh. Pas sabotimit në një rrugë hekurudhore strategjikisht të rëndësishme, Ministri i Jashtëm Radosław Sikorski akuzon Rusinë për “terrorizëm shtetëror”.

    Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski nuk e fshehu seriozitetin e situatës pas sabotimit në rrjetin hekurudhor polak. “Nuk ishte një akt sabotimi si më parë, por terrorizëm shtetëror, sepse qëllimi i tij i qartë ishte të shkaktonte viktima njerëzore”, tha Sikorski në parlament në Varshavëtë mërkurën.

    “Një vend i huaj dërgoi njerëz të përgatitur mirë, të cilët vetëm për fatin tonë të mirë nuk e arritën qëllimin e tyre”, shtoi Ministri i Jashtëm polak, duke akuzuar shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU për punësimin e njerëzve për “punë të ndyra”. Ai më pas u tha gazetarëve se konsullata ruse në Gdansk, posti i fundit konsullor rus i mbetur në Poloni, do të mbyllet.

    Tusk: Incidenti më serioz që nga sulmi ndaj Ukrainës

    Një ditë më parë, Kryeministri polak Donald Tusk e quajti incidentin si “goditjen ndoshta më serioze për sigurinë e vendit që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë”. Ai theksoi se kjo “ka kaluar një vijë të caktuar”.

    Të gjitha linjat hekurudhore në Poloni tani janë në nivelin e dytë më të lartë të gatishmërisë – Charlie. Rregulloret përcaktojnë siguri 24-orëshe në objektet e rëndësishme hekurudhore, si dhe armatosjen e rojeve me municion të vërtetë. Masat e rrepta të sigurisë pritet të jenë në fuqi deri në fund të shkurtit.

    Forcave polake të sigurisë iu deshën vetëm 70 orë për të identifikuar të dyshuarit në të dy aktet e sabotimit. Të dielën në mëngjes, një makinist treni në linjën Varshavë-Lublin ndaloi trenin pranë Mikës për shkak të dëmtimeve serioze në shina dhe njoftoi menaxhmentin e Hekurudhave Shtetërore Polake (PKP). Pak më vonë, një tjetër vend i dëmtuar u zbulua pranë Pulawy në këtë rrugë hekurudhore strategjikisht të rëndësishme që të çon nga kryeqyteti polak në kufirin ukrainas.

    Dy ukrainas në shërbim të Rusisë

    Të dyshuarit janë dy shtetas ukrainas që kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse për një kohë të gjatë. Identitetet e tyre dihen. Njëri u dënua në Lviv të Ukrainës në maj për sabotim, ndërsa tjetri vjen nga Donbasi në Ukrainën lindore. Të dy hynë në Poloni nga Bjellorusia së bashku në vjeshtë. Pas sulmit, ata dyshohet se u larguan nga Polonia nëpërmjet pikës kufitare të Terespolit dhe u kthyen në Bjellorusi, tha Tusk.

    Siç raportoi gazeta Rzeczpospolita të martën, hetuesit gjetën gjurmët e gishtërinjve të njërit prej sulmuesve dhe një kartë SIM nga telefoni i tij në vendngjarje. Telefoni dyshohet se është përdorur për të regjistruar shpërthimin. Gjithashtu thuhet se shërbimet e inteligjencës nga vendet mike ndihmuan në hetim.

    Hetimi tregon se tre pajisje shpërthyese u vendosën pranë qytetit Mika, nga të cilat vetëm dy shpërthyen të shtunën në mbrëmje. Ato u aktivizuan me ndihmën e një kablloje 300 metra të gjatë. Forca shpërthyese doli të ishte shumë e dobët për të shkatërruar trenin e mallrave që ishte i synuar. Makinisti i trenit as nuk e vuri re shpërthimin. Megjithatë, gjendja e asaj pjese të binarit u përkeqësua me kalimin e çdo treni tjetër, derisa u bë e rrezikshme të dielën.

    Në Pulavi, u instalua një kapëse çeliku që supozohej të shkaktonte daljen e trenit nga shinat, por rezultoi joefektive. Përveç kësaj, u dëmtua edhe rrjeti i kontaktit. Treni i pasagjerëve duhej të ngadalësonte, por askush nuk u lëndua.

    Polonia si shënjestër

    Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Polonia ka qenë shënjestër e sabotimit në disa raste. Qeveria polakei ka qëndruar pranë Ukrainës që nga fillimi, duke dërguar armë dhe duke ofruar ndihmë humanitare. Më shumë se një milion ukrainas kanë gjetur strehim në vendin fqinj.

    Në Parlament, Tusk kujtoi se në janar 2024, një fabrikë bojërash u dogj në Wrocław. Një qendër tregtare u dogj në Varshavë. Gjithsej 55 persona u arrestuan me dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme, 23 prej të cilëve janë në paraburgim. Kohët e fundit, tetë persona janë arrestuar gjithashtu me dyshimin për spiunazh në objekte strategjike. “Kjo është një lojë e pabesë e shërbimeve të inteligjencës ruse, të cilat po menaxhojnë këto fushata”, tha nënkryetari i Parlamentit, Piotr Zgorzhelski, për TVN.

    Një fushatë urrejtjeje online kundër Ukrainës

    Tusk paralajmëroi gjithashtu për dezinformimin rus. Udhëheqja ruse është e shqetësuar jo vetëm për pasojat e menjëhershme të veprimeve të tilla, por edhe për ato sociale dhe politike.

    “Kjo do të thotë: shpërbërje, kaos, panik, spekulime, pasiguri.” Punësimi i ukrainasve për të kryer sabotim synon gjithashtu të nxisë ndjenjat anti-ukrainase në Poloni. Sondazhet tregojnë se mbështetja për Ukrainën midis polakëve ka qenë në rënie për njëfarë kohe.

    Sikorski njoftoi se Polonia do t’i kërkonte Bjellorusisë të ekstradonte të dyshuarit, megjithëse shanset janë të pakta. Ai tha gjithashtu se Polonia nuk planifikon të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. Megjithatë, diplomatët rusë do të duhet të kërkojnë leje nga autoritetet polake për të udhëtuar jashtë zonës së Varshavës. Sikorski do t’u rekomandojë aleatëve të Polonisë të ndalojnë diplomatët rusë të lëvizin lirshëm nëpër zonën Shengen.

    Kremlini i hodhi poshtë akuzat e Tuskut. “Rusia akuzohet për të gjitha format e luftës hibride dhe të drejtpërdrejtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për televizionin shtetëror rus. Sipas mendimit të tij, do të ishte e çuditshme nëse Rusia nuk do të akuzohej menjëherë edhe këtë herë. Polonia është gjithmonë e para që e bën këtë. “Në këtë drejtim, rusofobia po lulëzon atje”, tha Peskov.

  • Vuçiq përballet me padi ligjore në rastin e “Sarajevo safari”

    Vuçiq përballet me padi ligjore në rastin e “Sarajevo safari”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përballur me një kallëzim penal në Milano, i lidhur me të ashtuquajturën aferë “Sarajevo safari”, një skandal që daton nga vitet ’90, kur thuhet se qytetarë nga Italia dhe vende të tjera perëndimore udhëtonin në Bosnje për të qëlluar me snajper mbi civilët e Sarajevës gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit.

    Kallëzimi është paraqitur nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq, i cili i është bashkuar hetimit të nisur javën e kaluar nga prokurorët e Milanos. Ata po synojnë të identifikojnë shtetas italianë të dyshuar për vrasje me paramendim, të kryer me mizori dhe për motive të ulëta.

    Sipas hetimeve, “turistë snajperë” dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha ushtarëve të ushtrisë së Radovan Karaxhiqit, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2016 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për t’i dërguar në pozicionet e artilerisë në kodrat përreth Sarajevës, ku ata qëllonin mbi popullatën civile për qejf, raporton The Guardian..

    Më shumë se 10 mijë njerëz u vranë në Sarajevë nga snajperët dhe granatimet gjatë viteve 1992–1996, në rrethimin më të gjatë të historisë moderne pas shpalljes së pavarësisë së Bosnje e Hercegovinës.

    Burimi i hetimit aktual është puna e shkrimtarit milanez Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur dëshmi për dekada, si dhe një raport i dorëzuar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni thotë se u rikthye tek këto akuza pas shfaqjes së dokumentarit “Sarajevo Safari” (2022) nga regjisori slloven Miran Zupaniç.

    Sipas raportimeve nga Sarajeva, Margetiq ka publikuar së fundi dëshmi në rrjetet sociale që, siç pretendon ai, tregojnë se Vuçiq, atëkohë vullnetar i ri, gjendej në një nga postblloqet ushtarake prej nga dëshmitarët thonë se të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin ndaj civilëve në një “safari makabre turistike”, transmeton The Guardian.

    Avokati italian Nicola Brigida, i përfshirë në përgatitjen e dosjes, ka deklaruar se provat e mbledhura “janë të qëndrueshme” dhe mund të çojnë në identifikimin e përgjegjësve. Gavazzeni thotë se shumë italianë – por pa dhënë shifra – dhe gjithashtu gjermanë, francezë, britanikë e të tjerë nga vendet perëndimore, kanë paguar për të marrë pjesë në këto veprime. Sipas tij, nuk ka pasur motive politike apo fetare, por bëhej fjalë për njerëz të pasur që kërkonin “argëtim”.

    Ai pretendon se këta persona mblidheshin në Trieste dhe udhëtonin fillimisht drejt Beogradit, prej ku më pas shoqëroheshin nga ushtarë serbë drejt pozicioneve në kodrat e Sarajevës.

    Presidenti Vuçiq ende nuk ka komentuar mbi këto akuza, thuhet në raporti e Guardian. Megjithatë, deklarimet për praninë e tij në zonën e luftës kanë qarkulluar prej vitesh. Në një intervistë të vitit 2021 për një televizion boshnjak, ai kishte mohuar kategorikisht se kishte qëlluar ndonjëherë mbi qytetin e rrethuar, duke i quajtur akuzat manipulime politike të lidhura me retorikën nacionaliste të periudhës së tij të hershme.

  • Në cilin rast fotografimi i Kullës Eiffel natën mund të shkelë të drejtat e autorit?

    Në cilin rast fotografimi i Kullës Eiffel natën mund të shkelë të drejtat e autorit?

    Kur errësira mbulon Parisin, Kulla Eiffel ndriçohet nga 20,000 drita që krijojnë një shfaqje magjepsëse deri në mesnatë (ose 01:00 gjatë verës). Ky spektakël i njohur e ka bërë monumentin më të famshëm të Francës një destinacion të preferuar për fotot dhe videot në rrjetet sociale.

    Megjithatë, këto pamje të ndriçuara nuk janë thjesht dekorative – ato janë të mbrojtura nga ligji i të drejtës së autorit. Ndërsa vetë Kulla Eiffel mund të fotografohet dhe të ndahet lirisht gjatë ditës, shfaqja e saj e ndriçimit, e krijuar në vitin 1985, konsiderohet ende një vepër e mbrojtur.

    Çfarë do të thotë kjo për turistët?

    Fotot personale për Instagram, TikTok apo Facebook nuk shkelen nga ligji.

    Por përdorimi profesional ose komercial i imazheve të ndriçuara natën, si për revista, reklama ose libra, kërkon leje nga kompania që menaxhon Kullën Eiffel, Société d’Exploitation de la Tour Eiffel.

    Nëse fotot tuaja ndahen vetëm në rrjetet sociale, nuk ka asnjë problem praktik, pasi masat ligjore ndaj përdoruesve të zakonshëm do të ishin të komplikuara.

    Faqja zyrtare e Kullës Eiffel sqaron: “Fotografimi i Kullës Eiffel natën nuk është i ndaluar për individët. Por çdo përdorim profesional i shfaqjes së ndriçimit kërkon autorizim dhe mund të shoqërohet me tarifa.”

    Pra, mund të bëni qindra foto dhe t’i ndani magjinë e Kullës Eiffel, thjesht sigurohuni që ato të mos përdoren për qëllime komerciale pa leje.

  • “Shefi” i Amir Rrahmanit rrezikon burgun, akuzohet për mashtrim

    “Shefi” i Amir Rrahmanit rrezikon burgun, akuzohet për mashtrim

    Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis është në telashe të mëdha. Ai po akuzohet për kontabilitet të rremë.

    Siç raporton “Sky Sport”, pronari i klubit italian është dërguar në gjyq, pasi dyshohet për mashtrim kontabiliteti në vitet 2019, 2020 dhe 2021.

    Në këtë hetim, janë të përfshira transferimet e lojtarëve, si: Manolas dhe Victor Osimhen.

    76-vjeçari mori Napolin në vitin 2004, kur kjo e fundit kishte rënë në Serie C1, në divizionin e tretë të futbollit italian.

    Pas shumë vitesh suksesi, tani presidenti italian është në telashe të mëdha duke rrezikuar edhe burgun.