ATV

Author: K.B.

  • Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

    Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues me të cilin i akuzuari D.Z., është dënuar me dënim unik prej 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

    Aktgjykimi ndaj D.Z., u shpall të enjten nga gjyqtarja Valbona Përlaska.

    Sipas vendimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari u dënua me 5 vjet burgim, kurse për “Kanosje” me 2 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet edhe për shpenzimet e procedurës penale- 20 euro për paushall gjyqësor dhe 20 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest juridiko-civil. Ndaj vendimit, lejohet ankesa në afat prej 30 ditësh.

    Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit. D.Z., shpalljen e përcjelli nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

    I akuzuari D.Z., në seancën e 17 nëntorit 2025, ka pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

    Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par.2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohen gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore

    Arrestohen gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore

    Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) në gjashtë raste të ndara ka arrestuar gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore. Arrestimet janë kryer në bazë të vendimeve të gjykatave kompetente.

    Personat e arrestuar janë:

    I.I. (47 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” me dënim burgimi prej 150 ditësh.

    D.S. (41 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Kanosje” me dënim burgimi prej 50 ditësh.

    M.K. (47 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur” me dënim burgimi prej 40 ditësh.

    B.B. (37 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Sulmi” me dënim burgimi prej 36 ditësh.

    J.A. (22 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Dhuna në familje” me dënim burgimi prej 25 ditësh.

    N.B. (41 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Kanosje” me dënim burgimi prej 17 ditësh.

    Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në vuajtje të dënimit sipas procedurave ligjore.

    Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje të gjithë personave që janë në kërkim me urdhëresë gjyqësore që të paraqiten në gjykatë dhe të kryejnë obligimet e tyre ligjore.

    Në të kundërtën, Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tyre, siç parashihet me ligj.

  • Lamine Yamal është gati për rikthimin në fushë, ja plani i Barcelonës për talentin 18-vjeçar

    Lamine Yamal është gati për rikthimin në fushë, ja plani i Barcelonës për talentin 18-vjeçar

    Barcelona po përshpejton procesin e rikuperimit të Lamine Yamal, talentit që po shkakton ankth tek tifozët blaugrana për shkak të një dhimbjeje të vazhdueshme në ijë.

    Klubi katalanas nuk po merr përsipër rreziqe dhe ka zbatuar një protokoll jashtëzakonisht rigoroz rikuperimi për sulmuesin e krahut, duke synuar ta ketë atë në formën më të mirë për ndeshjet e ardhshme vendimtare.

    Pika e kthesës erdhi më 10 nëntor, kur Yamal iu nënshtrua një trajtimi invaziv me radiofrekuencë. Pas kësaj procedure, talenti spanjoll mori disa ditë pushim të plotë, gjë që ishte thelbësore përpara se të fillonte një program intensiv rehabilitimi.

    Prioriteti i Barçës është i qartë, të mos nxitohen gjërat dhe të lejohet Yamal të arrijë gjendjen optimale për të shmangur çdo rrezik të një rikthimi.

    Ndeshja kundër Chelseat është data përfundimtare për një rikthim të plotë, por nuk përjashtohet as një rikthim në fundjavë, në ndeshjen kundër Atletik Bilbaos në Camp Nou.

  • Kurti në Samitin e BE-së: Hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së, duhet të hiqen plotësisht

    Kurti në Samitin e BE-së: Hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së, duhet të hiqen plotësisht

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë punimeve të Samitit të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që u mbajt në Tiranë ka thënë se është hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së pasi siç tha “Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht”.

    Kurti tha se asnjë vend në rajon nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot.

    “Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks. Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave”, ka thënë Kurti.

    Dua të filloj duke uruar Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian me hapjen e kapitullit të fundit, duke shënuar hapjen e secilit prej 33 kapitujve. Kjo është një arritje e rëndësishme.

    Prej takimit tonë të fundit në Maqedoninë e Veriut këtë vit, u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, ku dhamë mbështetjen për të arriturat e reja dhe miratuam Agjendën e Gjelbër të rishikuar për Ballkanin Perëndimor.

    Muajin e kaluar organizata Ëorld Justice Project publikoi indeksin mbi sundimin e ligjit, e cila e renditi Kosovën të tretën mes 15 shteteve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, dhe të dytën mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit.

    Renditemi si vendi më i sigurtë në rajon, me kriminalitetin më të ulët dhe progresin më të madh në luftimin e korrupsionit. E kemi shënuar rritjen ekonomike më të fuqishme dhe pas takimit tonë në korrik në Maqedoni të Veriut, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e hoqën Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe të ndikuara nga konfliktet.

    Ky progres i verifikuar ndërkombëtarisht dhe i bazuar në dëshmi është në kontrast të plotë me politikën e BE-së për masa ndëshkuese dhe mungesën e progresit në dhënien e statusit të merituar të vendit kandidat për Kosovën. Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.

    Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell.

    Gjithashtu, asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks.

    Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave.

    Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë.

    Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes.

    Ne i mirëpresim nismat e reja. Gjithashtu e kuptojmë se përparimi ynë individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin tonë kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale, ose, siç do të thoshte Komisioni, Shtylla e Parë është e lidhur me Shtyllën e Dytë të Planit të Rritjes.

    Ne nuk shohim pengesa në Udhërrëfyesin e Roaming-ut.

    Në samitin e fundit në Shkup, identifikuam tre sektorë për “nearshore” si pjesë e nismës së Autostradës së Tregut Unik: 1) Teknologjinë Informative dhe të Komunikimit, 2) Mbrojtjen 3) Agrikulturën.

    Transformimi ekonomik i Inteligjencës Artificiale ka filluar dhe ne duhet të sigurohemi që është gjithëpërfshirës, etik dhe demokratik. Ne kryesojmë në digjitalizim dhe kemi mbulim të lartë të rrjetit me brez të gjerë të internetit. Gjithashtu kemi çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon. Këto elementë: lidhshmëria, përballueshmëria dhe gatishmëria digjitale – formojnë infrastrukturën e së ardhmes, duke na bërë një qendër të fuqishme potenciale për Fabrikat e Inteligjencës Artificiale të Bashkimit Evropian.

    Për mandatin tonë të ardhshëm, ne planifikojmë të ndajmë të paktën një miliard euro në vit në investime kapitale për projekte strategjike. Ne kemi një klimë ekonomike gjithnjë e më të fortë. Ne renditemi të 26-tët në nivel global dhe të parët në Ballkanin Perëndimor, sipas Indeksit Global të Riskut dhe Rezistencës së Investimeve të Henley & Partners. Të frymëzuar nga pritja pozitive e konferencave të investimeve në Tiranë dhe Podgoricë, ne mezi presim mundësinë për të sjellë një forum edhe në Prishtinë.

    Së fundmi, avancimi i integrimit ekonomik kërkon infrastrukturën në thelb të tij. Një përditësim i Rrjetit Trans-Evropian është thelbësor për të siguruar që korridoret rajonale të funksionojnë me efikasitet maksimal. Pozicioni i Kosovës ka rëndësi unike. Ne kemi potencialin për të shërbyer si rruga më e shpejtë brenda rajonit dhe nga rajoni drejt BE-së. Në këtë kontekst, hekurudha Prishtinë-Durrës meriton vëmendje të veçantë. Si një lidhje midis korridoreve 8 dhe 10 të rrjeteve evropiane TEN-T, do t’i shërbente lidhjes dhe arkitekturës evropiane të transportit.

    Mbi progresin e Planit të Rritjes dhe angazhimet tona të përbashkëta:

    Për Korsitë e Gjelbra – Ne mirëpresim përfshirjen e dy pikave doganore më të ngarkuara “Hani i Elezit – Bllacë” si pjesë e nismës Korsitë e Gjelbra dhe Vërmicë/Morinë me Shqipërinë si pjesë e nismës brenda CEFTA-s. Modernizimi i këtyre dy pikave kufitare do të përmirësojë më tej tregtinë.

    Për SEPA-n – Ne kemi dorëzuar të gjitha ligjet e nevojshme si kritere teknike për aplikimin tonë një vit më parë, por ato mbeten nën shqyrtim në Gjykatën tonë Kushtetuese. Kosova i plotëson të gjitha kushtet për t’u bashkuar me SEPA-n, dhe ne do të mirëprisnim shqyrtimin e BE-së në mënyrë që të mund të ecim shpejt sapo gjykata të përfundojë procesin e saj.

    Për nismën ËIFI – Pothuajse të gjitha komunat, 33 nga 38, janë përzgjedhur për nismën ËIFI4ËB. Instalimet pritet të fillojnë në dhjetor, ndërsa vendosja e të gjitha pikave është planifikuar të përfundojë deri në shkurt.

    Për Portofolin Digjital – kemi nisur pilotimin e parë për sistemin tonë kombëtar të identifikimit elektronik, portofolin elektronik të Kosovës, i modeluar sipas Portofolit Digjital të Identitetit të BE-së. Ofron autentifikim elektronik, nënshkrime, vula dhe një portofol digjital.

    Mbi Marrëveshjen për Pranimin e Vlerësimit të Konformitetit – produktet e akredituara dhe të shënuara në përputhje me rregulloren e BE-së duhet të pranohen brenda Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6).

    Dosjet e Shtyllës së Parë ofrojnë anëtarësim dhe bashkëpunim me agjencitë e BE-së dhe organe të tjera që lidhen me turizmin, aleancën mjekësore, Autostradën e Tregut Unik, ACAA-në dhe mbrojtjen e konsumatorit.

    Qasja e barabartë dhe partneriteti simetrik me këto mekanizma janë thelbësore për të gjithë anëtarët e BP6 për të përfituar nga Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Tregu Unik i BE-së. Në këtë drejtim, ne përballemi me pengesa strukturore për anëtarësim në këto agjenci dhe organe. Një e tillë e rëndësishme është Konventa e Transitit të Përbashkët (CTC). Ne aplikuam për anëtarësim në Konventën e Transitit të Përbashkët në vitin 2015. Më shumë se një dekadë pritjeje pa një vendim për aplikimin tonë pasqyron një ritëm të ngadaltë të vendimmarrjes.

    Mbi Shtyllën e Dytë (Tregu i Përbashkët Rajonal):

    Ne kemi nënshkruar pesë marrëveshje lëvizshmërie, megjithatë, pas tre vitesh, ato mbeten të pazbatuara. Që kur nisën bllokada në zbatimin e Marrëveshjes për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), unë i dhashë detyrë SHERPA-s sonë që të ndjekë në mënyrë aktive një zgjidhje. Është për të ardhur keq që përpjekjet dhe gatishmëria jonë nuk janë ndjekur edhe nga pala tjetër. Status quo-ja për këtë çështje nuk mund të qëndrojë. Kjo marrëveshje, së bashku me Marrëveshjen për Qasjen në Studimin dhe vendimin për lejet e punës dhe Vendimin e CEFTA-s për Njohjen e Kualifikimit Profesional, është thelbësore për lëvizshmërinë e studentëve dhe punëtorëve, pa të cilat nuk mund të arrijmë një treg të përbashkët rajonal.

    Përshëndes angazhimin e fundit të Komisionit për këtë çështje dhe ju inkurajoj të punoni me SHERPA-t në zgjidhjen e çështjeve në lidhje me zbatimin e arritjeve të Tregut të Përbashkët Rajonal.

    Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, ne po tregojmë lidership dhe po ofrojmë përfitime për të gjitha vendet e CEFTA-s. Ne zgjodhëm një Drejtor të CEFTA-s pas një bllokimi dyvjeçar që vuri në rrezik një grant të BE-së prej 7 milionë eurosh. Kemi miratuar vendime për të thelluar tregtinë dhe presim që vendime të mëdha, të tilla si Njohja e Shërbimeve të Besimit, mbi Njohjen e Kualifikimit Profesional dhe Strategjia e Menaxhimit të Rrezikut, të miratohen këtë dhjetor në Prishtinë gjatë Javës së CEFTA-s.

    E fundit, ndonëse gjithmonë e shijoj qëndrimin në Tiranë, do ta mirëpres nëse samiti i ardhshëm zhvillohet në Prishtinë.

  • BE-ja e panjoftuar për planin e Trumpit: Çfarëdo marrëveshje kërkon aprovimin e partnerëve evropianë

    BE-ja e panjoftuar për planin e Trumpit: Çfarëdo marrëveshje kërkon aprovimin e partnerëve evropianë

    Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, ka pranuar se Bashkimit Evropian nuk i është treguar për planin e SHBA-së.

    E, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të bisedojnë me liderët evropianë por edhe të shteteve të tjera lidhur me planin 28-pikësh. Ajo ka theksuar se parimi mbetet që “asgjë për Ukrainën nuk bëhet pa Ukrainën”, ndërkohë që ka shtuar se do të flasë me presidentin ukrainas.

    Një zëdhënës i kancelarit gjerman, Friederich Merz, ka konfirmuar se Merz, presidenti francez dhe ai i Britanisë kanë biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raportoi Guardian.

    Sipas zëdhënësit, të tre liderët kanë konfirmuar mbështetjen e plotë për Ukrainën, duke përgëzuar përpjekjet e SHBA-së por edhe duke theksur se ata do të vazhdojnë të ndjekin synimin e “ruajtjes së interesave evropiane dhe ukrainase në terma afatgjatë”.

    Liderët kanë theksuar se çfarëdo marrëveshje paqeje “që prek shtetet evropiane, Bashkimin Evropian ose NATO-n, kërkon aprovimin e partnerëve evropianë ose një konsensus mes aleatëve”.

  • FSHF zbulon pesë futbollistët më të shpejtë – Bajrami ‘vetëtima’ e Shqipërisë

    FSHF zbulon pesë futbollistët më të shpejtë – Bajrami ‘vetëtima’ e Shqipërisë

    Faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka publikuar statistikat e pesë futbollistëve më të shpejtë të Kombëtares së Shqipërisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026.

    Shqipëria e mbylli grupin në vendin e dytë, pas Anglisë, duke siguruar kalimin në fazën e ‘play-off’, ku pas hedhjes së shortit u mësua se kundërshtari i gjysmëfinales është Polonia, ndërsa në rast kalimi në finale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.

    Por, një ditë pas shortit, faqja zyrtare e FSHF-së është përkujdesur t’i zbulojë disa statistika nga ndeshjet kualifikuese të grupeve, ku ndër to janë edhe shpejtësia maksimale e arritur nga lojtarët e kombëtares.

    Sipas faqes së FSHF-së, Nedim Bajrami ishte lojtari që arriti shpejtësinë më të madhe gjatë ndeshjeve kualifikuese, pasi sprinti i tij në njërën nga ndeshjet shkoi deri në 34.18km/h.

    Pas tij vjen Arbër Hoxha, i cili arriti një shpejtësi prej 32.98 km/h, ndërsa Armando Broja dhe Myrto Uzuni arritën shpejtësi të njëjtë prej 32.23 km/h.

    Lojtari i pestë më i shpejtë i kombëtares kuqezi në këto kualifikuese ishte Mario Mitaj me një shpejtësi të arritur prej 31.47 km/h.

  • Gjuriq falënderon Botsuanën për mos njohje të Kosovës

    Gjuriq falënderon Botsuanën për mos njohje të Kosovës

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se Botsuana mbështet qëndrimin e Serbisë lidhur me Kosovën, për çka u shpreh veçanërisht mirënjohës, duke theksuar se të dy vendet ndajnë mirëkuptimin për nevojën e “respektimit të së drejtës ndërkombëtare” si bazë për ruajtjen e paqes në botë.

    Ministri i Jashtëm i Botsuanës, Phenyo Butale, ka thënë se vendi i tij dhe Serbia ndajnë të njëjtat vlera, sidomos “sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtjes së integritetit territorial”.

    “Botsuana e ka shprehur miqësinë e saj duke mbështetur qëndrimin tonë mbi shpalljen “e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë”, dhe jemi posaçërisht mirënjohës për mbështetjen e Botsuanës ndaj “integritetit territorial dhe sovranitetit” të Serbisë,” ka pretenduar Gjuriqi në konferencën e përbashkët pas takimit me ministrin e Jashtëm të Botsuanës, Phenyo Butale.

    Ai gjithashtu ka shtuar se “e ka informuar” kolegun e tij mbi situatën aktuale në Kosovë.

    “Serbia dhe Botsuana ndajnë një mirëkuptim më të gjerë për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare si themel i ruajtjes së paqes dhe barazisë në botë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në rrethanat e sotme”, ka përfunduar Gjuriqi me demagogjinë e tij tashmë të njohur.

  • Përmbytet banesa në Pogradec, momenti kur kryefamiljari nxjerr fëmijët

    Përmbytet banesa në Pogradec, momenti kur kryefamiljari nxjerr fëmijët

    Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që shumë banesa në zona të ndryshme të vendit të përmbyten nga uji.

    Një rast i tillë është shënuar edhe në fshatin Rrëmenj, ku kryefamiljari nxjerr fëmijët nga banesa gjatë orëve të natës pasi uji brenda saj arriti 30 cm.

    Nga video e siguruar shihet momenti kur njëri prej fëmijëve dëgjohet duke qarë.

  • Biserko për “Sarajevo Safari”: A mund të bëhej president dikush që mbante pushkë në kodrat e Sarajevës?

    Biserko për “Sarajevo Safari”: A mund të bëhej president dikush që mbante pushkë në kodrat e Sarajevës?

    Gazetari investigativ kroat, Domagoj Margetić, e ka i ka depozituar një ankesë pranë prokurorëve italianë për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin “Sarajevo Safari”, duke kërkuar nisjen e një hetimi në Itali mbi akuzat se qytetarë të huaj paguan për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës tre dekada më parë.

    Sonja Biserko, themeluesja dhe presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, tha për Antenu M se përfshirja e Vuçiçit në këtë rast është e padiskutueshme:

    “Është e padiskutueshme që Aleksandar Vuçiq, gjatë safarive njerëzore në Sarajevë, qëndroi në varrezat hebraike, një nga pozicionet më të rrezikshme dhe më të kërkuara në qytet. Ai vetë deklaroi se ishte vullnetar dhe kaloi një kohë të caktuar atje,” theksoi Biserko.

    Ajo shtoi se e njëjta gjë u konfirmua edhe nga Vojislav Šešelj gjatë gjyqit në Hagë dhe se çështja është diskutuar disa herë: “Por pyetja nuk është bërë kurrë hapur – a mund të bëhet president i vendit dikush që mbante pushkë në kodrat e Sarajevës?”

    Biserko vuri në dukje se kjo situatë tregon shumë për shoqërinë serbe:
    “Për një shoqëri që nuk është e gatshme të përballet me përgjegjësinë e saj për luftërat e viteve 1990 dhe të mbajë qëndrim të qartë ndaj bartësve të asaj politike të dëmshme. Millosheviqi sot perceptohet nga një pjesë e konsiderueshme e publikut si një luftëtar i madh për interesat kombëtare serbe,” përfundoi ajo.

    Rasti “Sarajevo Safari” përshkruan praktikën ku qytetarë të pasur të huaj paguanin për mundësinë e të qëlluarit civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, gjatë rrethimit të qytetit. Margetić po ashtu publikoi materiale që ai pretendon se konfirmojnë praninë e Vuçiçit në një nga pozicionet më të kërkuara të snajperëve mbi qytet.

  • “Jemi në prag të kolapsit financiar”, Linja 3A pezullon qarkullimin

    “Jemi në prag të kolapsit financiar”, Linja 3A pezullon qarkullimin

    Linja 3A ka njoftuar se do të pezullojë përkohësisht qarkullin e autobusëve.

    Sipas njoftimit, pezullimi do bëhet përkohësisht deri në zgjidhjen e çështjeve aktuale financiare me të cilat po përballet komuna shkaku i mungesës së buxhetit.

    “Si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale”,thuhet në njoftim.

    Postimi i plotë:

    Qendra sh.p.k – Linja 3A Prishtinë

    Të nderuar qytetarë dhe udhëtarë,

    Ju njoftojmë se Kompanija Qendra sh.p.k, Linja 3A, është e detyruar të pezullojë përkohësisht qarkullimin e autobusëve deri në zgjidhjen e çështjeve aktuale financiare me të cilat po përballet kompania.

    Lajmërohen të gjithë pasagjerët e Linjës 3A: Kodra e Trimave – Muharrem Fejza – Matiqan – Zllatar se pezullimi i përkohshëm i qarkullimit vjen jo nga dëshira jonë, por si imponim i situatës së krijuar tash e 7 muaj, për arsye se nuk na janë paguar shërbimet tona për të njëjtën periudhë.

    Si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale.

    Lusim Komunën e Prishtinës, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhjeje urgjente në lidhje me buxhetin, sepse ndalja e transportit publik në Kryeqytet do ta paralizojë të gjithë qytetin dhe do të krijojë pasoja të rënda për mijëra qytetarë që varen nga ky shërbim.

    Për çdo ndryshim apo informacion të ri, do të ju njoftojmë menjëherë përmes kanaleve tona zyrtare.

    Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju falënderojmë për durimin e bashkëpunimin.

    Me respekt,

    Qendra sh.p.k – Linja 3A Prishtinë