ATV

Author: K.B.

  • Skandal i ri për BBC, libri i ri zbulon mashtrimin pas intervistës së Princeshës Diana

    Skandal i ri për BBC, libri i ri zbulon mashtrimin pas intervistës së Princeshës Diana

    Një libër i ri ka sjellë sërish në vëmendje një nga momentet më të diskutueshme të historisë televizive britanike: intervistën e famshme të Princeshës Diana me BBC-në në vitin 1995. Autori Andy Webb, ish-gazetar i BBC-së, pretendon se rrjeti publik britanik ka ditur prej dekadash se intervista u sigurua përmes mashtrimit dhe se qëllimisht e ka mbuluar këtë fakt për më shumë se 20 vite.

    Libri, i titulluar “Dianarama: Tradhtia e Princeshës Diana”, publikohet sot dhe pretendon se zbulon “shkallën e tradhtisë ndaj princeshës dhe mbulimin e mëvonshëm”. Publikimi i tij vjen në një moment delikat për BBC-në, e cila aktualisht përballet me kritika të ashpra për redaktimin mashtrues të një fjalimi të Donald Trump.

    Sipas një hetimi të pavarur të kryer në vitin 2021, gazetari Martin Bashir kishte përdorur dokumente të falsifikuara për t’i krijuar vëllait të Dianës, Charles Spencer, përshtypjen se njerëz të afërt e spiunonin princeshën dhe se puna e tyre lidhej me shërbimet sekrete. Ky manipulim ishte vendimtar për të bindur Spencer që të ndërmjetësonte intervistën historike.

    Autori Andy Webb shkon edhe më tej, duke thënë se brenda BBC-së disa persona e dinin të vërtetën vetëm katër muaj pas transmetimit. Megjithatë, ata zgjodhën të mos e informonin Dianën, duke e lënë atë në një gjendje pasigurie të thellë një pasojë që sipas librit vazhdoi të ndikonte në jetën e saj deri në fund.

    Dokumentet e falsifikuara, sipas librit, bënë që Diana të besonte se rrethi i saj i ngushtë ishte duke e tradhtuar. Ajo dyshonte te policia, ndihmësit dhe madje te sekretarja e saj personale, duke u distancuar nga shumica e njerëzve që e kishin mbështetur.

    Në një intervistë për ITV, Webb thotë se Charles Spencer lidh këtë izolim të Dianës me ngjarjet tragjike që do të pasonin. “Ajo e humbi besimin te të gjithë,” tha ai. “Dhe 18 muaj më vonë, e gjejmë në një Mercedes me një shofer të dehur një situatë nga e cila ajo nuk kishte më asnjë mekanizëm mbrojtës.”

    Pretendimet e librit pritet të rikthejnë debatin e ashpër për etikën journalistike të BBC-së. Rrjeti tashmë e ka pranuar se dokumentet e Bashir ishin falsifikuar dhe ka kërkuar falje, por akuzat e reja për një mbulim të qëllimshëm shumëvjeçar e vendosin BBC-në sërish nën presion.

  • Samiti në Tiranë, Rama pret Kurtin: E keni kthyer telenovelë, a e do, a s’e do

    Samiti në Tiranë, Rama pret Kurtin: E keni kthyer telenovelë, a e do, a s’e do

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama priti homologun Albin Kurti në Pallatin e Brigadave, në nisje të samitit “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”.

    Teksa pati një shtrëngim duarsh me Kurtin, nuk munguan as pyetjet e gazetarëve për marrëdhënien mes dy kryeministrave.

    “A e do a se do, a të do a s’të do. 1 mijë episode. Po të këtë përgjigje nuk vazhdon telenovela”, u tha Rama gazetarëve.

    Shqipëria do të mirëpresë sot Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos. Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Diskutimet për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, do të jenë në fokus të punimeve të këtij samiti.

  • E trishtë: E reja nga Llapi humb betejën me sëmundjen e rëndë

    E trishtë: E reja nga Llapi humb betejën me sëmundjen e rëndë

    Një rast tragjik ka tronditur fshatin Orllan të Podujevës.

    Erinda Sekiraqa, nga ky fshat, vdiq në moshë të re pasi nuk fitoi betejën ndaj një sëmundje të rëndë.

    Familja e të resë ka njoftuar se varrimi i saj do të bëhet sot në Fushë Kosovë, aty ku dhe banonte.

    Ceremonia e varrimit zhvillohet sot nga ora 13:00 në Varrezat e qytetit të Fushë Kosovës.

    “Njoftojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë më e dashura jonë, Erinda Shefqet Sekiraqa. Varrimi i të ndjerës bëhet me datë : 21.11.2025, në ora 13:00 pas namazit të xhumasë tek Varrezat e Fushë Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • U tha se Kryeprokurori Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të Besim Kelmendit, Prokuroria Speciale del me reagim

    U tha se Kryeprokurori Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të Besim Kelmendit, Prokuroria Speciale del me reagim

    Nga Prokuroria Speciale kanë reaguar lidhur me deklaratën e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqit, i cili tha se prapa shkarkimit të Besim Kelmendit si U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Nga kjo Prokurori kanë mohuar se Isufaj qëndron prapa kësaj, duke thënë se çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.

    :Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se Isufaj “mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”.

    Ndryshe, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të deyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bazohet në energjinë e qartë të një puçi institucional.

    “Propozimi për shkakrimin e zotit Kelmendi bazohet në një energji të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimist mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.

    Krasniqi tha se prapa gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

    “Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai.

  • Bitcoin vazhdon të bjerë – kriptovalutat mund të humbin edhe më shumë në vlerë

    Bitcoin vazhdon të bjerë – kriptovalutat mund të humbin edhe më shumë në vlerë

    Kriptovalutat sot vazhduan rënien e fortë për shkak të shitjes së përgjithshme të aseteve me rrezik.

    Bitcoin ra 2,4 për qind në 83,691 dollarë, ndërsa Etheriumi humbi mbi 2 për qind duke zbritur në 2,722 dollarë.

    Të dy kriptovalutat regjistrojnë humbje rreth 8 për qind në nivel javor, duke treguar ndjeshmëri të tregut ndaj rrezikut.

    Gjatë gjashtë javëve të fundit janë fshirë rreth 1,2 trilion dollarë nga tregu i kriptovalutave.

    Shitjet e forta pasuan rritjen rekord të Bitcoin këtë vit mbi 120 mijë dollarë në muajin tetor.

    Aksionet e kompanive që investojnë në kriptovalutave ranë, si Strategy (-11 për qind) dhe Metaplanet (-80 për qind).

    Analistët thonë se kushtet e tregut për Bitcoin janë më pesimiste që nga janari i vitit 2023.

    Shumë e mundshme që valë e madhe e kërkesës në këtë cikël ka kaluar tashmë.

  • 6 ushqime që luftojnë kapsllëkun

    6 ushqime që luftojnë kapsllëkun

    Kapsllëku është një problem që prek të paktën 20% të popullsisë. Një nga shkaqet më të zakonshme është lëvizja e reduktuar e ushqimit përmes sistemit tretës. Nëse nuk ushtroheni fare dhe nuk hani sasi të mjaftueshme fibrash, problemi mund të përkeqësohet. Përpara se të detyroheni të drejtoheni te ndihmat farmaceutike për të luftuar kapsllëkun, mund të përfshini ushqimet e mëposhtme në rutinën tuaj të përditshme dhe të merreni me problemin e zorrëve me një metodë natyrale.

    Mollë

    “Një mollë në ditë e mban mjekun larg” dhe kjo nuk është një shprehje e rastësishme. Fruti që ju jep 4 gramë fibra dhe ndihmon zorrët tuaja të lëvizin çdo ditë. Mollët përmbajnë pektinë, e cila është një fibër e tretshme, e njohur për vetitë e saj laksative. Në një studim, 80 pjesëmarrës morën shtesa pektine dhe rezultatet ishin spektakolare pas 4 javësh. Pra, hani mollët tuaja të pastra, me kos, me bollgur, në sallatë frutash dhe në çdo mënyrë tjetër krijuese që mund të mendoni.

    Kivi

    Fruti që njihet për veprimin e tij kundër kapsllëkut. Ai stimulon sistemin tretës dhe përshpejton jashtëqitjen. Në një studim të mëparshëm të kryer mbi pjesëmarrësit që u ndanë në të kapsllëkuar dhe jo të kapsllëkuar, u vu re se kishte rezultate pozitive në të gjithë grupin. Pra, bëni një smoothie me kivi. Dhe lehtësim dhe freski në verë.

    Fiq

    Fiqtë e thatë, në veçanti, ju japin edhe më shumë fibra. Merrni parasysh se gjysmë filxhani është i barabartë me 30% të nevojave tuaja ditore për fibra. Në një studim me 40 vullnetarë, fiqtë përmirësuan strukturën e jashtëqitjes dhe ulën ndjeshëm dhimbjet e barkut të shkaktuara nga kapsllëku.

    Thjerrëzat

    E dini që shumica e bishtajoreve janë shumë të dobishme në jashtëqitje. Përveçse përmbajnë shumë fibra, thjerrëzat rrisin prodhimin e acidit butirik, i cili rrit lëvizjen e sistemit tretës. Në verë, do t’i hani më lehtë në sallata perimesh të freskëta.

    Patate të ëmbla

    Tashmë keni shumë arsye për të ngrënë patate të ëmbla. Por tani zbuloni se ato ju ndihmojnë të shkoni në tualet më shpesh. Ato kanë aq shumë fibra saqë nuk mund të mos i përfshini në receta të ndryshme dhe të zëvendësoni patatet klasike me to.

    Kefir

    Qumështi i fermentuar përmban probiotikë, të cilët janë baktere të shëndetshme në zorrë. Studime të panumërta kanë treguar se kefiri është një aleat i shkëlqyer kundër kapsllëkut dhe kontribuon ndjeshëm në hidratimin e zorrëve. Mund të bëni smoothie me kefir në vend të qumështit klasik ose ta kombinoni atë me tërshërë.

  • Rama pret Kurtin në Samitin “Our pathway to EU”, shtrëngojnë duart

    Rama pret Kurtin në Samitin “Our pathway to EU”, shtrëngojnë duart

    Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ka nisur pritja e liderëve të Ballkanit Perëndimor, për samitin Growth Plan “Our pathway to EU”.

    Kryeministri Edi Rama është nikoqir i këtyre udhëheqësve.

    Ndër të parët që mbërriti në samit, ishte kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Pas përshëndetjes dorë për dore me Ramën, Kurti u fut në objektin kur do të mbahet samiti.

  • Niveli i lumit Vjosa në kuota maksimale, përmbyten 10 banesa

    Niveli i lumit Vjosa në kuota maksimale, përmbyten 10 banesa

    Situata në lumin Vjosë mëngjesin e kësaj të premteje vazhdon që të jetë kritike. Përgjatë mbrëmjes të së enjtes niveli Vjosës ka arritur në 8.3 metra ndërsa tendenca e prurjeve në orët e mëngjesit ka vazhduar në ulje.

    Këtë të premte niveli është në 8.1 metra ku vazhdon të mbetet në kuotën maksimale. Duhen parë prurjet në vazhdimësi nga Memaliaj dhe Përmeti që të vlerësohet situata. Janë 10 banesa të cilat janë përmbytur në oborret dhe territorin përreth. Banorët e këtyre shtëpive janë evakuuar ndërsa rreziku për banesat e tjera vijon të jetë ende i lartë.

  • Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës së Kosovës nga e hëna kanë hyrë në grevë. E greva ka filluar pasi që kërkesat e tyre, si rritja e pagave, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, nuk u janë realizuar, përkundër kërkesave të vazhdueshme, që ata i kanë bërë tek menaxhmenti.

    Driton Gashi, i cili së bashku me 25 punëtorë të tjerë të postës numër 6 në Prishtinë janë në grevë, janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    “Nga e hëna jemi në grevë. I kemi paralajmëru. Kërkesë ka qenë rritja e pagës, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, sepse nuk po mundemi me e mbulu tërë rajonin e Prishtinës”, tha Gashi.

    Ndërsa theksoi se që nga e hëna kur dhe ka filluar greva e tyre, puna është paralizuar dhe se nuk është realizuar asnjë shpërndarje e dokumenteve, letrave as në Gjykata dhe as në ndonjë institucion tjetër.

    Ndërsa thotë se përkundër takimeve me menaxhmentin e Postës, ata nuk kanë marrë ndonjë konfirmim për realizimin e kërkesave të tyre.

    “Gjithçka është paralizu, nuk ka shpërndarje as në gjykata as në institucione tjera. Jemi takuar me menaxhmentin, të cilët na kanë thënë nisjani punës dhe ne do të shikojmë për kërkesat tuaja. Por s’ka reflektim, nuk na kanë dhënë ndonjë datë apo konfirmim. Jemi të vendosur të vazhdojmë grevën, deri në realizimin e kërkesave”, tha ai.

  • Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2147 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 42 aksidente trafiku me dëme materiale, 15 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar, kurse një aksident përfundoi me fatalitet

    Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona, kurse 12 janë dërguar në mbajtje.