ATV

Author: K.B.

  • Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Shqipëri, Sami Mhanna, ka thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem.

    Ai ka thënë se megjithatë, nuk i dihet kurrë nëse vendi i tij do të ndryshojë qëndrim për sa i përket kësaj çështjeje.

    “Sa i përket njohjes së Kosovës, nuk i dihet kurrë. E kam thënë shumë herë më parë në intervista, dhe shumë njerëz janë zemëruar me mua. I kam parë komentet, jam përballur me kritika. Unë kam folur nga këndvështrimi i qeverisë sime. Palestinezët në përgjithësi, edhe qeveria e Palestinës, nuk kanë asgjë kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës”.

    “Çështja e zhvendosjes, ose më saktë themelimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Jerusalemi është territor i pushtuar. Sipas të drejtës ndërkombëtare, konsiderohet territor i pushtuar, dhe nuk mund të hapësh ambasadë atje sepse konsiderohet shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Këtë ia kam thënë edhe presidentit (Bajram) Begaj. Ai më pyeti pse Palestina nuk e ka njohur Kosovën. Unë i thash, kjo është arsyeja kryesore”, deklaroi Mhanna.

    Ndër të tjera, ambasadori ka thënë se e njeh personalisht homologun e tij kosovar në Tiranë, me të cilin thotë se flet normalisht.

    Shton se vendi i tij nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës.

    Më tutje, ai përmend edhe një deklaratë që i atribuohet presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili është cituar të ketë thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të Serbisë.

    “Kështu është thënë, por ai nuk e ka thënë atë gjë. Të gjitha ato raporte kanë qenë të gabuara. Çështja e Kosovës ka qenë e lidhur me të drejtën ndërkombëtare, kështu e di unë”, thotë Mhanna.

    Për çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ambasadori palestinez tha se shumë njerëz i thonë se kjo nuk është arsye e fortë për të mos njohur mëvetësinë e vendit, duke ia rikujtuar historinë e re se çfarë ka ndodhur.

    “Por unë nuk e di çka ka ndodhur atëherë, ndoshta ka gjëra që ne nuk i dimë. Unë po e them pozicionin e vendit tim. Çështja është se Ambasada u hap në Jerusalem. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, deklaroi ambasadori Sami Mhanna.

    I pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në Kosovë, ai tha: “Kur më caktuan për ambasador në Shqipëri, erdha me makinë. Kalova nëpër Kosovë, nuk u ndala në Prishtinë, por është shumë e bukur. Pash male e natyrën. Absolutisht planifikoj ta vizitoj së shpejti”.

  • Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Ministria e Brendshme e Turqisë ka dhënë lejen për të nisur hetimet ndaj kryetarit të Ankarasë, Mansur Yavaş, dhe shefit të kabinetit të tij, Nevzat Uzunoglu, për akuzat e “keqpërdorimit të detyrës” dhe “neglizhencës në mbikëqyrje”.

    Ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me menaxhimin e shpenzimeve për koncerte të organizuara nga bashkia.

    Sipas hetimeve të Prokurorisë së Ankarasë, aktakuza ka evidentuar dyshime se Yavaş dhe Uzunoglu mund të jenë përfshirë në keqpërdorime dhe se kanë dështuar në detyrën e tyre për të kontrolluar dhe mbikëqyrur shpenzimet e bashkisë, raporton cnnturk.

    Hetimet janë bazuar në kontrolle të kryera nga inspektorët e Ministrisë së Brendshme, analiza të MASAK-ut (Agjencia për Kontrollin Financiar) dhe raportet e ekspertëve financiarë.

    Prokuroria kërkon mbi 2,000 vjet burg për kryetarin e bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Rezultatet e këtyre kontrolleve tregojnë se në 32 koncerte të ndryshme, shpenzimet kanë arritur në shumën e 154.4 milionë lirave turke (rreth 3.1 milionë euro), duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm për buxhetin e komunës.

    Më 23 shtator, autoritetet ndaluan 14 persona, përfshirë ish-zyrtarë të komunës dhe përfaqësues të disa kompanive që kanë qenë të përfshirë në organizimin e koncerteve, të cilët akuzohen për “keqpërdorim detyre” dhe “manipulim me tenderat”.

    Për më tepër, vlen të theksohet se Mansur Yavaş konsiderohej ndër kandidatët kryesorë që mund të sfidonin presidentin Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, veçanërisht pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke i dhënë kësaj çështjeje një rëndësi të veçantë politike.

  • Truri mund të ndryshojë – Neurologët zbulojnë zakonin që duhet ta ndaloni pas moshës 60 vjeç

    Truri mund të ndryshojë – Neurologët zbulojnë zakonin që duhet ta ndaloni pas moshës 60 vjeç

    Neurologët thonë se një zakon i përditshëm e dëmton më shumë trurin me kalimin e viteve që shumica prej nesh e bëjnë pa e kuptuar

    Ndërsa hyjmë në të dyzetat dhe të pesëdhjetat, shumë njerëz fillojnë të mendojnë se si t’i ruajnë aftësitë kognitive në afat të gjatë. Edhe të gjashtëdhjetat janë periudhë kyçe për shëndetin e trurit, sepse truri fillon të tkurret që në të tridhjetat dhe të dyzetat, ndërsa ky proces përshpejtohet rreth moshës 60 vjeç. Edhe pse është normale që me kalimin e viteve truri të zvogëlohet dhe neuronet të vdesin gradualisht, ka mënyra për ta ngadalësuar këtë proces përmes ushqimit dhe zakoneve të përditshme që mbështesin shëndetin e tij.

    Sipas ekspertëve, ekziston një zakon të cilin njerëzit duhet ta braktisin deri në moshën 60-vjeçare, nëse duan ta mbrojnë sa më mirë trurin: ‘multitasking’ – kryerja e disa detyrave njëkohësisht.

    “Kur bëjmë multitasking, në fakt po kalojmë me shpejtësi nga një detyrë në tjetrën dhe kjo kërkon më shumë përpjekje mendore. Ndikon në aftësinë tonë për të ruajtur fokusin dhe e ngarkon kujtesën punuese”, shpjegon neurologu dr. Greg Cooper për Parade.

    Neurologu dr. Brendon Crawford shton: “Sa herë që ndërroni fokusin, korteksi prefrontal duhet të shkëputet nga një detyrë, të shtypë atë qark nervor, të aktivizojë një tjetër dhe të ri-orientohet”, përcjell Telegrafi, transmeton Periskopi.

    Pse përqendrimi në një detyrë është më i shëndetshëm?

    Të dy specialistët theksojnë se multitasking ka pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.

    “Së shpejti, multitasking shkakton lodhje kognitive”, thotë dr. Crawford, dukuri që manifestohet me vështirësi në përqendrim dhe rraskapitje mendore.

    Dr. Cooper thekson se multitasking rrit numrin e gabimeve dhe e vështirëson procesin e të mësuarit, ndërsa dr. Crawford paralajmëron se afatgjatë “ul sasinë e lëndës gri të trurit” dhe rrit nivelin e kortizolit, gjë që mund të jetë neurotoksike për hipokampusin.

    Në vend të multitaskingut, ekspertët rekomandojnë të fokusoheni në një detyrë në një moment.

    Dr. Crawford thotë se një qasje e tillë përmirëson cilësinë e punës dhe ul lodhjen mendore. “Këshilla ime: filloni me blloqe vëmendjeje, periudha 20-minutëshe pune të përqendruar, me telefonin në ‘airplane mode’ dhe me njoftimet e fikura.”

    Ai shton se në këtë mënyrë mund të riparoni gradualisht dëmin që multitaskingu ka shkaktuar ndër vite: “Lajmi i mirë është se truri mund të ndryshojë.”

    Përqendrimi në një detyrë sjell më shumë qartësi mendore dhe ndjenjë më të vogël mbingarkese.

    Dr. Crawford shpjegon se “monotasking”, përqendrimi i plotë në një detyrë, ndihmon në rinovimin e kapacitetit të vëmendjes, edhe pse në fillim mund të duket i pakëndshëm sepse bie ndesh me zakone të ndërtuara prej vitesh.

  • Bitcoin humb fitimet e vitit – pse dhe çfarë pritet më tej?

    Bitcoin humb fitimet e vitit – pse dhe çfarë pritet më tej?

    Tregjet globale po përballen me goditje të njëpasnjëshme për shkak të tarifave të reja amerikane, rritjes së inflacionit dhe pasigurisë së vazhdueshme mbi drejtimin e normave të interesit.

    Këta faktorë kanë krijuar presion të fortë mbi asetet e rrezikshme, duke përfshirë edhe kriptomonedhat, të cilat po tërhiqen me shpejtësi. Si rezultat, Bitcoin është rrëzuar nën nivelin me të cilin e nisi vitin, duke humbur vrullin që e shoqëroi gjatë muajve të parë të 2025-s.

    Sipas ekspertëve të tregut, kriptomonedhat nuk po funksionojnë më si “strehë e sigurt”, siç janë perceptuar shpesh në të kaluarën. Përkundrazi, ato po lëvizin në të njëjtin ritëm me pasiguritë makroekonomike globale, duke u bërë të varura nga zhvillimet gjeopolitike dhe politikat monetare të bankave qendrore.

    Bitcoin e nisi vitin me çmimin 93,540 dollarë dhe në tetor arriti një rekord të ri prej 126,200 dollarësh. Megjithatë, entuziazmi nuk zgjati: çmimi është kthyer rreth 83,425 dollarëve, duke fshirë kështu të gjitha fitimet e grumbulluara gjatë 2025-s.

    Rënia nuk i ka kursyer as kriptomonedhat e tjera kryesore. Ethereum, për shembull, ka rrëshqitur ndjeshëm deri në 2,733 dollarë, duke reflektuar të njëjtën tendencë të presionit të përgjithshëm të tregut.

    Në këtë klimë pasigurie, investitorët po i zvogëlojnë ekspozimet ndaj aseteve të rrezikshme dhe po kërkojnë stabilitet. Tregu i kriptomonedhave po hyn në një fazë konsolidimi, ndërsa pjesëmarrësit po rishikojnë strategjitë e tyre dhe po presin qartësi mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike.

    Megjithatë, disa analistë, përfshirë ekonomistin Harvey, kujtojnë se kriptomonedhat historikisht kanë treguar aftësi të rimëkëmbjes pas periudhave të rëna të forta.

    Ai thekson se ciklet e ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe se tregu i kriptove mund të rikthehet në rritje pasi të stabilizohen faktorët globalë.

    Ndërkohë, vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt stablecoin-ëve – monedha digjitale të mbështetura nga asete reale, kryesisht dollarë amerikanë—që shihen si një alternativë më e qëndrueshme në kohë turbulencash.

    Investitorët po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm, veçanërisht ndaj skemave të rrezikshme të aseteve digjitale, duke kërkuar forma më të sigurta për të ruajtur kapitalin në një periudhë të mbushur me pasiguri ekonomike.

  • Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi të premten pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.

    Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiqi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.

    Vuçiq, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.

    “ Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë” për t’i paditur mediat si The Guardian, Daily Mail dhe të tjera që kanë raportuar për këtë.

    Vuçiq tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.

  • Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Reshjet e borës përfshiu pjesën më të madhe të Kroacisë gjatë natës, duke krijuar kushte të vështira udhëtimi dhe duke nxitur paralajmërime nga meteorologët dhe autoritetet rrugore.

    Bora që mbuloi pjesë të Kroacisë sot ka krijuar gjithashtu probleme të mëdha, raporton Index.hr.

    Autostrada A1 është e mbyllur për të gjithë trafikun midis kryqëzimeve të Sveti Rok dhe Posedarje.

    Përveç rrugëve që janë mbyllur, edhe një alarm i kuq për motin është lëshuar për rajonin e Rijekës.

  • Gruaja e ish-policit Arbnor Spahiu me postim emocionues: Mirë se erdhe, dashuria ime e jetës

    Gruaja e ish-policit Arbnor Spahiu me postim emocionues: Mirë se erdhe, dashuria ime e jetës

    Jeta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut, ka reaguar me një postim emocionues pas lirimit nga burgu të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Kosovës, i cili ishte burgosur nga autoritetet serbe.

    Ajo përmes një postimi në Facebook i uroi mirëseardhje bashkëshortit të saj, të cilin e përgëzoi për durimin.

    Tutje, ajo ka shkruar se periudha e gjatë e vuajtjeve dhe pasigurisë kishte qenë e rëndë për të dy, por gjithashtu shprehu besimin e fortë që e vërteta do të triumfonte.

    Ajo e përshkroi këtë moment si një pikë kthese, ku fundi i dhimbjes është gjithashtu një fillim i një jete më të lumtur për ta si familje.

    “Bashkëshorti im u lirua më në fund. Pas kaq shumë dhimbjesh, pas kaq shumë netëve pa gjumë, pas gjithë asaj barre që e mbajte i vetëm atje brenda… sot më në fund je në shtëpi. Nuk u dorëzove asnjëherë, sepse e dija që e vërteta jonë do fitonte. Mirë se erdhe dashuria ime e jetës. Ke përjetuar shumë, ke hequr më shumë se çdo kush mund ta imagjinojë..por ja ku jemi sot: bashkë, më të fortë se kurrë. Fundi i dhimbjes është fillimi i lumturisë sonë”, ka shkruar Jeta Spahiu në reagimin e saj në Facebook.

  • 4 shenja të çuditshme që tregojnë se po plakeni

    4 shenja të çuditshme që tregojnë se po plakeni

    Plakja është diçka që e përjetojmë të gjithë, por disa ndryshime ndodhin në heshtje dhe mund të na habisin. Ndryshimet e vogla në dhëmbë, zë, gjatësi apo edhe migrenë mund të tregojnë se koha po bën gjurmën e saj në mënyra që nuk i presim. Le të shohim se çfarë kanë për të thënë ekspertët për këto shenja të çuditshme të moshës.

    Plakja mund të shkaktojë ndryshimin e pozicionit të dhëmbëve

    Mund të vini re se dhëmbët tuaj të poshtëm janë bërë më të shtrembër, edhe nëse keni mbajtur aparate ortodontike në të kaluarën. Ekspertët shpjegojnë se është normale që dhëmbët të “zhvendosen” me moshën, veçanërisht ata në nofullën e poshtme.

    Arsyet e zakonshme për këtë ndryshim janë:

    Humbja e dhëmbëve.

    Sëmundja periodontale i bën dhëmbët më pak të qëndrueshëm.

    Konsumimi dhe grisja nga bluarja.

    Nuk u ndodh të gjithëve, por nëse vini re ndryshime, një dentist mund t’ju japë zgjidhje për t’i korrigjuar ose parandaluar ato.

    Zëri juaj mund të ndryshojë me moshën

    Ndërsa plakemi, kordat tona vokale bëhen më të holla dhe më pak elastike. Ekspertët shpjegojnë se zëri mund të bëhet “më i dobët” ose i ngjirur.

    Tek burrat, zëri mund të rritet në ton, duke humbur timbrin e thellë të rinisë.

    Tek gratë, ndryshimet hormonale mund të ulin lartësinë e zërit.

    Sidoqoftë, ndryshimet e papritura ose të zgjatura në zë duhet të vlerësohen nga një ORL për të përjashtuar problemet shëndetësore.

    Plakja zvogëlon gjatësinë tuaj

    Humbja e gjatësisë fillon rreth moshës 40 vjeç dhe vazhdon me moshën:

    Burrat humbasin rreth 2.5 cm deri në moshën 70 vjeç.

    Gratë janë afër 5 milionë.

    Pas 80 vjeç, humbja mund të arrijë edhe 2.5 cm të tjera.

    Shkaqet:

    Reduktimi i kockave dhe kërcit në shpinë.

    Dobësi muskulore në bark dhe bel.

    Qëndrimi dhe rënia e harkut të shpinës.

    Ushtrimet e rregullta, forcimi i barkut dhe marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D mund të ndihmojnë në kufizimin e humbjes së gjatësisë. Nëse vini re një humbje të madhe të gjatësisë në një periudhë të shkurtër kohore, konsultohuni me mjekun tuaj.

    Migrena juaj mund të ulet

    Një lajm i mirë për gratë pas menopauzës është se migrenat shpesh ulen. Ekspertët thonë se shumë gra përjetojnë më pak frekuencë, intensitet ose edhe zhdukje të sulmeve. Në shumë raste, migrenat mbeten bezdisëse, por jo shkatërruese, dhe simptomat shoqëruese, të tilla si dhimbja e kokës ose të përzierat, gjithashtu mund të ndryshojnë.

    Bazuar në të gjitha sa më sipër, plakja sjell ndryshime të vogla, por të qarta: lëvizje dhëmbësh, ndryshim zërash, humbje gjatësie dhe ulje të migrenës. Gjëja e rëndësishme është të dini se çfarë është normale dhe çfarë jo, të vëzhgoni trupin tuaj dhe të konsultoheni me ekspertë kur është e nevojshme. Plakja nuk do të thotë humbje kontrolli, është një mundësi për të përqafuar ndryshimin, për t’u kujdesur për shëndetin tonë dhe për të përvetësuar zakone të reja që na mbajnë aktivë, të shëndetshëm dhe dinamikë.

  • Qytetet më të këqija në Britani për të pasur një qen

    Qytetet më të këqija në Britani për të pasur një qen

    Me parket e shumta, shëtitore buzë lumit dhe pub-e mikpritëse, Cambridge mund të duket vendi ideal për një qen. Por sipas një studimi të madh mbi mirëqenien e kafshëve, kjo nuk është aq e bukur për qenin tuaj.

    Indeksi “Happy Place”, i përpiluar nga organizata Dogs Trust, ka analizuar faktorë të ndryshëm që ndikojnë në lumturinë e qenve, duke përfshirë nevojat bazë si strehimi dhe kujdesi shëndetësor, kohën cilësore që kalojnë me pronarin dhe stimulimin mendor që marrin.

    Prof. Mark Rowlands, filozof në Universitetin e Miami-t, krijoi një sistem që jep një “vlerësim të lumturisë canine” nga 1 deri në 10.

    “Shpesh ne ndjekim një rutinë të ngjashme me qentë tanë – hamë, flemë, pushojmë dhe përsërisim. Por nëse nuk kemi kontakte sociale apo aktivitete cilësore, humbasim gëzimin e jetës. E njëjta gjë vlen edhe për qentë,” shpjegoi ai.

    Sistemi i tij renditi Plymouth dhe Liverpool si qytetet më të lumtura për qentë. Por qyteti që doli më keq nga ky studim ishte Cambridge, me një notë prej 6.32 nga 10. Sipas raportit, oraret e gjata të punës dhe ritmi i shpejtë i jetës kufizojnë kohën që pronarët mund të kalojnë me kafshët e tyre.

    Megjithatë, banorët e Cambridge duket se kujdesen shumë për qentë e tyre, me 38% që i krahasojnë me fëmijët e tyre, por qyteti bie në renditje sidomos për shëtitjet më të rralla gjatë dimrit dhe për lënien e qenve vetëm për periudha të gjata.

    Pas Cambridge, qytetet më keq të renditura ishin Bristol (6.65) dhe Durham (6.71). Raporti thekson se qytetet urbane, me hapësira të vogla dhe orare pune të gjata, kufizojnë aksesin në natyrë dhe kohën që pronarët kalojnë me qentë e tyre.

    Përkundër diferencave rajonale, qentë në Britani trajtohen mirë, sipas autorëve të studimit. Rreth tre të katërtat e pronarëve kujdesen më shumë për shëndetin e qenve sesa për veten, mbi gjysma u japin stimulim mendor një herë në ditë, dhe dy të tretat pranojnë se kanë anuluar plane për të qëndruar me kafshët e tyre.

    Një problem i përbashkët është koha e gjatë që qentë lihen vetëm – mesatarja kombëtare është 5 orë, duke kaluar kufirin e rekomanduar nga Dogs Trust prej katër orësh.

    Prof. Rowlands sugjeron që një vëmendje më e madhe ndaj shëtitjeve dhe kohës së kaluar së bashku me qenin mund të përmirësojë dukshëm mirëqenien e tij.

    Si llogaritet lumturia e qeneve

    Vlerësimi i Prof. Rowlands bazohet në tre kategori:

    Mirëqenia fizike – ushqimi, uji, strehimi dhe kujdesi shëndetësor.

    Mirëqenia sociale – koha cilësore, siguria dhe shoqëria.

    Mirëqenia individuale – stimulimi mendor, komunikimi dhe lidhja emocionale me pronarin.

    Qytetet më të lumtura për qentë

    Plymouth – 7.26

    Liverpool – 7.21

    Belfast – 7.20

    Southampton – 7.12

    Birmingham – 7.09

    Qytetet më pak të lumtura për qentë

    Cambridge – 6.32

    Bristol – 6.65

    Durham – 6.71

    Nottingham – 6.75

    Canterbury – 6.78

    Raporti përfundon se, pavarësisht diferencave rajonale, britanikët e kuptojnë dhe e respektojnë rëndësinë e lumturisë së qeneve, duke ofruar kujdes dhe dashuri të thellë për shokët e tyre katërkëmbësh.

  • Mediat serbe “detyrohen” ta publikojnë flamurin e Kosovës

    Mediat serbe “detyrohen” ta publikojnë flamurin e Kosovës

    Flamuri i Kosovës si rrallë ndonjëherë është publikuar nga mediat serbe.

    Pas shortit për plejof, media si “b92.net” kanë publikuar grafikat ndërkombëtare me çiftet e gjysmëfinaleve dhe rrugën për finale.

    Dhe natyrisht në to është Kosova dhe flamuri i saj.

    Ka pasur komente që mos të paraqitet flamuri i Kosovës.

    Në shkrim “b92.net” e ka shkruar “e ashtuquajtura Kosovë”.

    Serbia nuk është kualifikuar në Botëror e as në plejof.

    Dhe kualifikimi i Kosovës solli “dhembje” për mediat në Serbi dhe shumë njerëz në këtë vend.