ATV

Author: K.B.

  • AUV kthen në Shqipëri 485 dele dhe 25 qingja të ndaluara në territorin e Kosovës

    AUV kthen në Shqipëri 485 dele dhe 25 qingja të ndaluara në territorin e Kosovës

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka marrë vendim për kthimin në vendin e origjinës së kafshëve të ndaluara të cilat janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
    Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për 485 dele dhe 25 qingja.

    “Më datë 16.11.2025, Policia Kufitare, Dogana dhe Shërbimi Veterinar kanë ndaluar në Prizren një grup kafshësh të kontrabanduara të llojit dele dhe dhi, të cilat kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar nga Republika e Shqipërisë.

    Arrestohet burri që dyshohet se sulmoi me sëpatë gruan e tij në Lipjan, prokuroria jep detaje
    Gjykata Speciale sërish s’i njeh festat zyrtare të Kosovës: Hashim Thaçi në seancë më 28 Nëntor
    Për shkak se këto kafshë nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare dhe paraqisnin rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, AUV ka kthyer në vendin e origjinës, Shqipëri, 485 dele dhe 25 qingja. Veprimet e ndërmarra janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganën dhe Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftim.

    AUV njofton se vazhdon të zbatojë monitorim rigoroz dhe të vazhdueshëm mbi gjendjen shëndetësore dhe lëvizjet e të gjitha kategorive të kafshëve brenda territorit të vendit, me synim parandalimin e futjes dhe përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të dëmtojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.

    “Njëkohësisht, AUV njofton opinionin e gjerë se importi i kafshëve të gjalla lejohet të kryhet vetëm përmes pikave kufitare të autorizuara, ku realizohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, me qëllim që të shmanget çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

  • RrGK reagon pas sulmit me sëpatë të gruas në Lipjan

    RrGK reagon pas sulmit me sëpatë të gruas në Lipjan

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj një gruaje në Gadime të Ulët të Lipjanit, e cila u sulmua me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht se ndaj tij kishte urdhër për mbrojtje aktiv.

    RrGK ka theksuar se ky rast tregon edhe një herë se zbatimi i pamjaftueshëm i Urdhrave për Mbrojtje vazhdon të rrezikojë jetën e grave në Kosovë.

    Organizata kërkon nga Policia e Kosovës të forcojë monitorimin dhe zbatimin e këtyre urdhërave, si dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme për kapjen e të dyshuarit.

    Po ashtu, RrGK kërkon nga Gjykata vendosjen e Bylyzykut për Mbikëqyrje Elektronike dhe sigurimin e një dënimi meritor dhe proporcional me rrezikshmërinë e veprës.

    “Gjykata që të jep vendimin për vendosjen e Bylyzykut për Mbikqyrje Elektronike, të sigurojnë dënim meritor dhe proporcional me rrezikshmërinë e veprës, të përshpejtojnë procedurat në rastet e dhunës në familje dhe të mos lejojnë tolerim ndaj dhunuesve. Përveç kësaj ftojmë institucionet përgjegjëse që ndaj dhunuesit të caktohet masa e rehabilitimit; ndjekja e Programit të Kryesve të Dhunës”, thuhet në reagim.

  • Bedri Hamza: Iniciativa Qytetare “Demokracia” i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës

    Bedri Hamza: Iniciativa Qytetare “Demokracia” i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës

    Partisë Demokratike të Kosovës sot zyrtarisht i është bashkuar Iniciativa Qytetare “Demokracia”, e udhëhequr nga ish-deputeti Shkumbin Demaliaj. Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili e ka vlerësuar këtë hap si një forcim të rëndësishëm për partinë dhe për jetën demokratike të vendit.

    “Shkrirja e kësaj iniciative qytetare në PDK është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të përbashkët për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar,” ka deklaruar Hamza.

    Kryetari i PDK-së ka theksuar se bashkëpunimi me Iniciativën “Demokracia” përbën një shtesë të vlefshme në mobilizimin dhe zgjerimin e bazës qytetare të partisë.

    “Vazhdojmë përpara me përkushtim dhe bashkëpunim për një Kosovë më të mirë!” ka shtuar ai.

    Me këtë bashkim, PDK synon të vazhdojë zgjerimin dhe konsolidimin e saj në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

  • Edicioni i lajmeve në RTK nis me protestë

    Edicioni i lajmeve në RTK nis me protestë

    Punëtorët e RTK-së për dy orë nga ora 11:00 e deri në orën 13:00 kanë mbajtur një grevë të përgjithshme, në shenjë pakënaqësie me situatën financiare.

    Po ashtu edhe edicioni i lajmeve nisi me protestë, ku brenda studios u shfaqën në prapavijë punëtorët me pankarta që jepnin porosi si:

    “Pa paga, s’ka punë”, “Greva është zëri ynë” etj.

    Po ashtu prezantuesja nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme dhe i gjithë edicioni kaloi vetëm me pamje dhe me titra të shfaqura në ekran.

  • Në Spitalin e Pejës kryhet me sukses intervenimi i parë laparoskopik urologjik në veshkë

    Në Spitalin e Pejës kryhet me sukses intervenimi i parë laparoskopik urologjik në veshkë

    Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është kryer me sukses intervenimi i parë laparoskopik urologjik në veshkë, një procedurë që deri më tani nuk ishte realizuar në spitalin tonë.

    Gjatë operacionit, një pacienti i është larguar një cist me madhësi rreth 20 cm. Intervenimi u realizua nga Dr. Kushtrim Fejza, me asistimin e Dr. Vigan Vokshit dhe Dr. Xhavit Krasniqit, si dhe me mbështetjen profesionale të ekipit të Anestezionit dhe instrumentarëve.

    “Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve urologjike në Spitalin e Pejës dhe në të gjithë rajonin, duke dëshmuar përkushtimin tonë për ofrimin e trajtimeve moderne dhe minimale invazive për pacientët tanë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.

  • Rregullat e reja të votimit në Eurovision pas akuzave për ndërhyrje të Izraelit

    Rregullat e reja të votimit në Eurovision pas akuzave për ndërhyrje të Izraelit

    Konkursi i Këngës në Eurovision po ndryshon rregullat e votimit dhe promovimit pas polemikave të shkaktuara nga rezultati i Izraelit në konkursin e këtij viti dhe akuzat për “ndërhyrje” nga qeveria izraelite.

    Kjo vjen pasi disa vende kërkuan një auditim pasi Izraeli kryesoi votimin e publikut në konkursin e majit. Izraeli përfundoi i dyti në konkursin e këtij viti pasi u morën në konsideratë votat e jurisë.

    Unioni Evropian i Transmetimeve, EBU, i cili drejton ekstravagancën muzikore, tha se ndryshimet përpara edicionit të vitit të ardhshëm në Vjenë ishin “të dizajnuara për të forcuar besimin, transparencën dhe angazhimin e audiencës”.

    “Ne kemi dëgjuar dhe kemi vepruar. Neutraliteti dhe integriteti i Konkursit të Këngës në Eurovision është me rëndësi të madhe për EBU-në, anëtarët e saj dhe të gjithë audiencën tonë. Është thelbësore që drejtësia e Konkursit të mbrohet gjithmonë.”, tha drejtori i Eurovisionit, Martin Green.

    Si pjesë e masave të reja të Eurovisionit, numri i votave për metodë pagese do të reduktohet përgjysmë në 10, tha EBU.

    Përveç kësaj, juritë do të kthehen në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 2022, një veprim që do t’i japë afërsisht 50-50 përqind peshë votave të audiencës dhe jurisë.

    Numri i anëtarëve të jurisë është rritur nga pesë në shtatë, të cilët do të detyrohen të nënshkruajnë një deklaratë zyrtare që konfirmon se do të votojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Do të shtohen gjithashtu anëtarë të jurisë të moshës 18-25 vjeç për të “pasqyruar tërheqjen” e konkursit me audiencën më të re.

    Organizatorët gjithashtu do të forcojnë masat mbrojtëse për të penguar “aktivitetin e dyshimtë ose të koordinuar të votimit” dhe do të forcojnë sistemet e sigurisë që monitorojnë, zbulojnë dhe parandalojnë modelet mashtruese”, tha EBU.

    EBU gjithashtu po u ndalon transmetuesve dhe artistëve pjesëmarrës që të angazhohen “aktivisht”, të lehtësojnë ose të kontribuojnë në fushata promovuese nga palë të treta “që mund të ndikojnë në rezultatin e votimit dhe, siç përshkruhet në Kodin e Sjelljes të përditësuar, çdo përpjekje për të ndikuar padrejtësisht në rezultate do të çojë në sanksione”.

    Lajmi për ndryshimet vjen një muaj pasi EBU shtyu një votim nëse Izraeli duhet të lejohet të performojë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.

    Izraeli ka garuar në Eurovision për më shumë se 50 vjet dhe ka fituar katër herë. Megjithatë, thirrjet për përjashtimin e Izraelit janë intensifikuar për shkak të veprimeve të qeverisë së Benjamin Netanyahut në Gaza.

  • Arrestohet Kosovar Elshani, që tentoi ta vras ish-gruan në Lipjan

    Arrestohet Kosovar Elshani, që tentoi ta vras ish-gruan në Lipjan

    Është arrestuar i dyshuari që sulmoi me sëpatë ish-gruan e tij në Gadime të Epërme të Lipjanit.

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

    Lidhur me rastin, autoritetet e rendit dhe Prokuroria kanë nisur hetimet dhe rasti po cilësohet si “Vrasje në tentativë”.

  • OVL UÇK për seancën e 28 Nëntorit në Hagë: Fyerje dhe shpërfillje e realitetit tonë historik

    OVL UÇK për seancën e 28 Nëntorit në Hagë: Fyerje dhe shpërfillje e realitetit tonë historik

    OVL UÇK, ka shprehur indinjatë dhe zhgënjim për faktin që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar mbajtjen e një konference përgatitore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, pikërisht më 28 Nëntor, festë kjo që e kremton i gjithë populli shqiptar.

    Parmes një komunikate për media, organizata thotë se mbajtja e një seance gjyqësore në këtë datë përbën fyerje ndaj ndjenjave kombëtare, si dhe sipas tyre, shpërfillje të realitetit historik të popullit të Kosovës.

    “28 Nëntori është dita kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, duke shënuar ringritjen e shqiptarëve, është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit tonë Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ne, kjo datë nuk është vetëm një simbol kombëtar, është një identitet i tërë, i mbështetur mbi gjak, sakrificë dhe krenari”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

    “Kjo zgjedhje e panevojshme dhe e pakuptimtë vetëm sa e thellon bindjen se Dhomat e Specializuara vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie dhe një qasje të njëanshme ndaj historisë sonë çlirimtare dhe ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri”.

  • Rasti i Liridona Ademajt, seanca shtyhet për 12 dhjetor

    Rasti i Liridona Ademajt, seanca shtyhet për 12 dhjetor

    Sot, në Pallatin e Drejtësisë është mbajtur seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt.

    Në këtë seancë pritej të dëshmonte edhe babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, por që i njëjti mungoi.

    Kryetarja e trupit gjykues lexoi dëshminë që Shaban Murseli kishte dhënë në polici më 6 dhjetor të vitit 2023, pak ditë pasi kishte ndodhur vrasja e Liridona Ademajt.

    Kjo seancë njëherë u ndërpre për probleme teknike, e më pas rifilloi por pastaj u shtye për 12 dhjetor.

    Seanca u shtye pasi Prokuroria e Shtetit nuk i kishte të selektuara provat materiale.

  • Pse disa njerëz ndihen të lodhur dhe të përgjumur edhe pasi pijnë kafe?

    Pse disa njerëz ndihen të lodhur dhe të përgjumur edhe pasi pijnë kafe?

    Për shumë njerëz, filxhani i kafesë është rit i mëngjesit, shpëtim gjatë ditës dhe “butoni i nisjes” për trurin.

    Por ka edhe nga ata që pinë kafe, nuk ndiejnë asgjë të veçantë… dhe madje u zë gjumi menjëherë pas saj.

    Nëse edhe ti je një prej tyre, shkenca ka disa shpjegime shumë interesante.

    Ky fenomen nuk lidhet vetëm me lodhjen apo “kafen e dobët”, por me mënyrën se si trupi yt është programuar, sa kafeinë konsumon dhe si fle.

    Gjenet

    Organizmi yt mund ta “përtypë” kafeinën shumë shpejt. Studime nga Boston University dhe qendra të tjera kërkimore tregojnë se disa njerëz kanë variante gjenetike që bëjnë që trupi i tyre të metabolizojë kafeinën shumë shpejt. Enzima CYP1A2, që përpunon pjesën më të madhe të kafeinës, nuk funksionon njësoj tek të gjithë:

    – Tek disa, kafeina “digjet” shumë shpejt, ndaj efekti zgjues zgjat pak dhe shpejt futesh sërish në ritmin tënd normal të lodhjes;

    – Tek të tjerët që janë më të ndjeshëm, edhe pak kafe mund të shkaktojë nervozizëm, rrahje zemre apo pagjumësi.

    Pra, nuk është se “kafja nuk bën punë”, por thjesht trupi yt e mbaron punën me të më shpejt se të tjerët.

    Truri yt është mësuar me kafeinën

    Nëse pi kafe çdo ditë, disa herë në ditë, trupi dhe truri adoptohen. Receptorët në tru që normalisht bllokohen nga kafeina “shtohen me numër”, dhe pas njëfarë kohe ke nevojë për më shumë kafe për të pasur të njëjtin efekt.

    Pi kafe, por nuk ndihesh më shumë energjik. Madje, sapo efekti i vogël kalon, vjen ai momenti i famshëm i “crash-it”: ndihesh më i lodhur, më i përgjumur dhe mendon se zgjidhja është… edhe një kafe.

    Adenosina- “molekula” e gjumit

    Kafeina funksionon duke bllokuar receptorët e adenosinës, molekulë që sinjalizon lodhjen dhe gjumin. Por studimet tregojnë se disa njerëz kanë receptorë pak më “kokëfortë” ndaj kafeinës, pra ajo nuk bllokon lodhjen aq mirë.

    Ndodh kështu:

    – Gjatë ditës, adenosina grumbullohet në tru.

    – Ti pi kafe, truri për pak kohë “harrohet”.

    – Kur efekti zgjues bie, gjithë ajo adenosinë e mbledhur “sulmon” njëherësh receptorët… dhe ti përfundon më i përgjumur se më parë.

    Gjumi yt nuk është aq i mirë sa mendon

    Edhe nëse bie në gjumë lehtësisht pas kafesë, kjo nuk do të thotë se po bën gjumë cilësor. Ekspertët e gjumit thonë se kafeina mund të prishë fazat e gjumit të thellë, edhe kur ti s’e vëren.

    Kjo do të thotë:

    – Zgjohesh më i lodhur.

    – Ke nevojë për më shumë kafe të nesërmen.

    – Krijohet një cikël i pafund “kafe – lodhje – kafe”.

    Shumë njerëz thonë:

    Unë pi kafe në darkë dhe fle pa problem!

    Po, mund të flesh, por truri yt mund të mos pushojë sa duhet.

    Koha kur pi kafe bën diferencë

    Mjekët e gjumit rekomandojnë që kafeja të shmanget pas orës 14:00–15:00, pasi kafeina mund të qëndrojë në trup disa orë. Te disa njerëz, gjysma e kafeinës mund të jetë ende aktive 6–8 orë më vonë.

    Kjo nuk të pengon patjetër të mbyllësh sytë, por mund të ndikojë:

    – Sa i thellë është gjumi.

    – Sa i freskët zgjohesh në mëngjes.

    Pse je gjithmonë i lodhur, edhe pse pi kafe?

    Arsyet mund të jenë një kombinim i këtyre faktorëve:

    1. Gjenet – kafeina nuk ka efekt të fortë tek ti

    2. Toleranca – trupi yt është mësuar me të

    3. Gjumi i keq – nuk po e rikuperon dot lodhjen

    4. Stresi, ankthi, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja e dobët – që kafeja nuk i rregullon dot.

    Ekspertët e shëndetit theksojnë se asnjë filxhan kafje nuk mund të zëvendësojë:

    – 7–9 orë gjumë cilësor në natë.

    – Hidratimin e mirë.

    – Lëvizjen fizike.

    – Ushqimin e balancuar.

    Çfarë mund të provosh në përditshmëri

    – Kufizo kafen pas mesditës.

    – Bëj një “pauzë kafeine” 5–7 ditë për të ulur tolerancën.

    – Zëvendëso ndonjë kafe me çaj bimor ose ujë.

    – Vëzhgo si ndihesh kur fle më herët dhe më gjatë, jo kur pi edhe një espresso tjetër.

    Në fund të ditës, nëse kafeja nuk të zgjon, kjo nuk do të thotë që “diçka nuk shkon me ty”, shpesh do të thotë që trupi yt po të jep sinjale se ka nevojë për gjumë të vërtetë, jo për stimulues.

    Kafja mund të jetë ritual i bukur, por nuk mund të bëjë mrekulli mbi lodhjen kronike.