ATV

Author: K.B.

  • “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    Pasdite ka përfunduar takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin.

    Kryesindikalisti Ilmi Gashi tha se ky diskutim ka qenë i pasuksesshëm.

    “Deri në këto momente që po flasim, ndaras kishim takim sepse nuk pranoi stafin e komunës të jetë në takim, vetëm neve shoqatat sindikaliste. Nuk morëm asnjë përgjigje prej ministrit, asnjë premtim prej ministrit se tha nuk është në detyrën time. E kemi lutë, qoftë në gjuhën politike, ndash me gjuhën popullore, çfarëdo lutje i kemi bë, hajde çelna një dritare për me bë zgjidhje në emër të qytetarëve të Prishtinës. Ju lutna, tha nuk e kam mundësinë me e bë atë punë”, tha Gashi i cili shton se Murati i dërgoi te kryetari i Komunës, Përparim Rama.

    “Kryetari është i gatshëm që në çdo kohë të ballafaqohet me ministrin, me neve bashkë, ata nuk na e pranuan ballafaqimin, neve u munduan me na e mbushë kupën e kokës, por nuk arritën”, shtoi Gashi.

    Sipas tij, në këtë situatë, do të vazhdojë greva e protesta.

    “Me keqardhje duhet të them për qytetarët e Prishtinës që greva vazhdon nesër e mund të përshkallëzohet”, përfundoi kryesindikalisti.

  • Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kongresistin Michael Turner (R–OH) si dhe Kongresistin Donald Norcross (D–NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

    Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës. Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë. Asnjë nga këto të arritura, theksoi Presidentja Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane.

    Më tej, Presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të. Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e Presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

    Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh.

    “Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut”, thuhet në njoftim.

    Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen.

  • Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” në Dragash ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses një aksion katërditor për largimin e dy arinjve që ishin shfaqur në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit, duke shkaktuar shqetësim për banorët.

    Aksioni është udhëhequr nga kryetari i shoqatës, së bashku me stafin profesional dhe anëtarët që morën pjesë në operacion.

    Sipas shoqatës, arinjtë janë larguar në një zonë të sigurt, larg vendbanimeve, gjithmonë duke u kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e tyre.

    Shoqata ka falënderuar Komunën e Dragashit dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe asistencën gjatë gjithë kohës, duke siguruar mbrojtje për qytetarët dhe mbarëvajtjen e operacionit.

  • Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur këtë të hënë në Breg të Diellit.

    Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana, tha se nga të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.

    Po ashtu, nuk raportohet për persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”.

    “Nga informatat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana.

  • Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026.

    Sipas njoftimit seanca do të mbahet ditën e enjte me datën 27 nëntor duke filluar nga ora 15:00.

  • Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në të cilën po shqyrtohen temat kryesore politike dhe organizative të partisë, me fokus në proceset zgjedhore dhe nominimet udhëheqëse.

    Në rend dite është prezantimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale, krahas analizës politike dhe organizative të fushatës, identifikimit të pikave të forta dhe dobësive, si dhe vlerësimit të performancës së degëve dhe kandidatëve.

    Një pikë tjetër qendrore e mbledhjes është nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër, ku parashihet paraqitja e propozimeve, diskutimet mes anëtarëve të Kryesisë dhe procedura e votimit për miratimin e kandidaturës zyrtare.

    Po ashtu, Kryesia po shqyrton përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, duke përfshirë hartimin e planit të fushatës, organizimin e strukturave dhe Shtabit Zgjedhor, mobilizimin e degëve e nëndegëve, si dhe strategjinë e komunikimit publik.

    Në mbledhje pritet të caktohet edhe data e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, së bashku me agjendën, procedurat statutare dhe përgatitjen e materialeve zyrtare.

    Ndër pikat “të tjera” përfshihen shënimi i përvjetorit të themelimit të LDK-së dhe çështjet e ngritura nga anëtarët e Kryesisë, me mundësi për vendime të mëtejshme sipas nevojës.

    Pas mbledhjesë së kryesisë do të mbahet një konferencë për media.

  • S’ndalet Izraeli, sulmon tani Sirinë

    S’ndalet Izraeli, sulmon tani Sirinë

    Forcat e ushtrisë izraelite kanë nisur inkursion të ri sot në një fshat të Quneitras në Sirinë jugore.

    Një forcë izraelite e përbërë nga pesë automjete ushtarake përparoi drejt fshatit Al-Samadaniyah al-Sharqiyah përpara se të lëvizte në drejtim të vendbanimit Tal Kroom Jaba.

    Bastisja vjen një ditë pasi trupat izraelite hynë në zonën midis qytetit Jubata al-Khashab dhe fshatrave Ofania dhe Ain Al-Bayda në fshatin verior.

    Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite ose autoritetet siriane mbi raportin.

    Inkursionet izraelite në Quneitra janë intensifikuar kohët e fundit, me vendasit që ankohen për përparime në tokat e tyre bujqësore si dhe për shkatërrimin e qindra hektarëve pyje, arrestimet e banorëve dhe krijimin e pikave të kontrollit ushtarak.

    Ushtria izraelite ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 bastisje ndërkufitare në provincat jugore që nga dhjetori i vitit 2024, sipas të dhënave qeveritare.

    Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Çlirimit të vitit 1974 me Sirinë.

  • KQZ: 7.7 milionë euro buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    KQZ: 7.7 milionë euro buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhëna nga plani i buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Sipas KQZ-së, buxheti i planifikuar është në vlerën e 7 milionë e 771 mijë e 486 eurove.

    Ky buxhet është miratuar në mbledhjen e KQZ-së.

    Kjo vlerë është e përafërt me buxhetin e planifikuar për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, e cila ishte në shumën e 8.7 milionë eurove

    Ditë më parë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se pasi ky institucion të miratojë planifikimin buxhetor “kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës”.

    Sipas tij, KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur Kosova kishte zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim.

  • Vetëm gjatë këtij viti 18 fëmijë u braktisën në Kosovë

    Vetëm gjatë këtij viti 18 fëmijë u braktisën në Kosovë

    Nga janari deri në tetor në Kosovë, janë braktisur gjithsej 18 fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Podujeva dhe Malisheva mbetën ndër komunat, me numrin më të madh të fëmijeve të braktisur.

    Në Podujevë gjatë këtij viti janë braktisur tre fëmijë, dy në muajin janar dhe 1 në muajin prill.

    E numër të njejtë të braktisjes së fëmijeve është shënuar dhe në Malishevë, aty ku vetëm gjatë muajit maj janë braktisur tre fëmijë.

    Nga dy raste të braktisjeve të fëmijeve janë shënuar dhe në Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Vushtrri.

    Ndërsa me vetëm nga një rast të braktisjes së fëmijeve është shënuar në Prishtinë, Viti, Kamenicë Kaçanik, Gjakovë dhe Deçan.

  • NATO forcon praninë në Finlandë: Selia e re pranë kufirit me Rusinë

    NATO forcon praninë në Finlandë: Selia e re pranë kufirit me Rusinë

    NATO do të jetë shumë më pranë Rusisë, nga sa vetë Moska e mendon.

    Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, konfirmoi se vendi planifikon të presë një njësi të përhershme komanduese të NATO-s.

    Sipas tij, struktura e re do të bëhet pjesë e sistemit operativ të komandës së aleancës, i drejtuar nga Norfolk, SHBA. Vendimi përfundimtar pritet të merret në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në shkurt 2026.

    Ministri Häkkänen theksoi se selia e re do të forcojë ndjeshëm strukturat ekzistuese të NATO-s në Finlandë dhe do të lidhet direkt me sistemin kombëtar të komandës, duke e kthyer Finlandën në një qendër veriore kyçe të NATO-s dhe duke vendosur një prani të përhershme të aleancës në prag të Rusisë.

    Ky zhvillim nënvizon rolin strategjik të Finlandës (e anëtarësuar vetëm së fundmi në aleancë, bashkë me Suedinë, red.) në mbrojtjen e aleancës dhe rritjen e gatishmërisë së NATO-s në rajonin nordik.