ATV

Author: K.B.

  • Dasma e Cristiano Ronaldos dhe Georginës, mësohet data dhe vendi ku do të bëhet

    Dasma e Cristiano Ronaldos dhe Georginës, mësohet data dhe vendi ku do të bëhet

    Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez do të martohen në ishullin e Madeirës në verën e vitit 2026, menjëherë pas Kupës së Botës.

    Sipas medias lokale Jornal da Madeira, ceremonia pritet të zhvillohet në Katedralen e Funchal (Sé do Funchal), e më pas do të shtrohet një pritje në një hotel luksoz në ishull.

    Çifti, i cili njoftoi fejesën në gusht, po përgatitet për një nga momentet më të pritura të marrëdhënies së tyre, e cila filloi në vitin 2017. Cristiano i propozoi Georginës nëntë vjet pasi u takuan në një dyqan Gucci në Madrid.

    Ylli portugez zbuloi në një intervistë të kohëve të fundit me Piers Morgan se propozimi erdhi spontanisht, në një mbrëmje të qetë me familjen:

    “ Mendova se ishte momenti sepse ajo është nëna e fëmijëve të mi dhe personi që dua më shumë”, tha Ronaldo. “Ishte një moment i bukur, mbajta një fjalim të thjeshtë. Nuk jam shumë romantik, jam romantik në mënyrën time.”

    Ronaldo theksoi se dasma do të zhvillohet pas Kupës së Botës dhe nënvizoi se Georgina preferon ceremoni diskrete larg festimeve të mëdha.

    Zgjedhja e Madeirës, ​​vendlindjes së futbollistit, pritet ta kthejë vëmendjen e botës drejt ishullit, pasi aty do të zhvillohet një nga ceremonitë më të përfolura të vitit të ardhshëm.

  • Si të dalloni një tradhtar: Shkencëtarët zbulojnë 4 shenjat që tregojnë rrezikun e mashtrimit

    Si të dalloni një tradhtar: Shkencëtarët zbulojnë 4 shenjat që tregojnë rrezikun e mashtrimit

    Nga Bill Clinton tek Tiger Woods, shumë personazhe të njohur janë përfshirë në skandale të famshme të tradhtisë. Por a ka mënyra për të kuptuar nëse dikush mund të tradhtojë para se të ndodhë?

    Shkencëtarët nga Universiteti Koç në Stamboll identifikuan katër shenja paralajmëruese që mund të tregojnë se dikush është i prirur për të pasur një aferë.

    Çfarë zbuluan studimet

    Ekipi hulumtues intervistoi 280 persona për marrëdhëniet e tyre dhe për çdo qëllim të mundshëm për tradhti. Rezultatet treguan se më të prirur për të tradhtuar janë:

    Ata që kanë tradhtuar më parë – historia e tradhtisë në marrëdhëniet e kaluara ka lidhjen më të fortë me qëllimin për të tradhtuar përsëri.

    Ata me prindër që kanë tradhtuar – personat mund të marrin modele të sjelljes pasive-agresive nga prindërit e tyre, duke mos shfaqur ndjenja të sinqerta në marrëdhënie, gjë që mund të rrisë rrezikun e tradhtisë.

    Ata me shmangie të lartë emocionale (high attachment avoidance) – njerëzit që kanë vështirësi me afeksionin ose intimitetin mund të përdorin tradhtinë si mënyrë për të ruajtur ndjenjën e pavarësisë brenda një marrëdhënieje të përkushtuar.

    Ata me intimitet të ulët emocional dhe seksual – mungesa e afeksionit ose kënaqësisë seksuale mund t’i shtyjë disa persona drejt tradhtisë për të plotësuar nevojat e tyre.

    “Këto zbulime mund të ndihmojnë terapistët e çiftit dhe familjes të adresojnë problemet e tradhtisë, intimitetit dhe shmangies emocionale,” shkruajnë autorët e studimit, Esra Selalmaz dhe Gizem Erdem, në The Family Journal.

    Si mund të parandaloni tundimet

    Një studim i veçantë në Universitetin e New Brunswick analizoi strategjitë e përdorura nga 362 të rritur heteroseksualë për të shmangur tradhtinë:

    Forcimi i marrëdhënies – 75% e pjesëmarrësve përdorën këtë strategji, duke përfshirë dalje të shpeshta me partnerin, përkujdesje për pamjen dhe më shumë intimitet seksual.

    Shmangia proaktive – duke ruajtur distancë fizike ose emocionale nga personi i tundimit.

    Zvogëlimi i tërheqjes ndaj tundimit – duke ndjerë faj dhe duke menduar negativisht për personin që tërheq, duke flirtuar më pak me të.

    Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se asnjë nga këto strategji nuk ka ndikim të madh në tradhtinë reale ose mbijetesën e marrëdhënies, pasi ndjenjat e tundimit shpesh janë të vështira për t’u kontrolluar.

    Psikologia Dr. Alex Fradera, e cila nuk ishte pjesë e studimit, thekson:

    “Pasi tundimi ka filluar, pak mund të bëhet për ta ndaluar. Përpjekjet më efektive janë ato parandaluese, përpara se të lindin ndjenjat e tradhtisë.”

  • Alonso merr vendimin drastik: Ky lojtar nuk do të luajë më për Real Madridin

    Alonso merr vendimin drastik: Ky lojtar nuk do të luajë më për Real Madridin

    Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso ka vendosur të mos llogarisë më në David Alabën, derisa mbrojtësi austriak të largohet nga klubi.

    Kwshtu raporton mediumi spanjoll “El Nacional”.

    Kontrata e Alabës me madrilenët skadon në qershor, por në këtë situatë nuk përjashtohet mundësia që largimi i tij të ndodhë që në afatin kalimtar të janarit.

    Nën drejtimin e Alonsos këtë sezon, Alaba është aktivizuar vetëm në tre ndeshje, duke grumbulluar rreth 150 minuta lojë. Kjo pasqyron qartë mungesën e besimit që trajneri bask ka te ai.

    Alonso vlerëson se Alaba nuk është më në nivelin e kërkuar për të qenë pjesë e formacionit titullar të Real Madridit dhe për të konkurruar për një vend në mbrojtje.

    Nëse austriaku nuk largohet gjatë janarit, ai pritet të ketë hapësirë vetëm në ndeshjet e Kupës së Mbretit, pasi në La Liga dhe Champions League, Alonso e ka përjashtuar përfundimisht nga planet e tij.

  • 28 dhjetor – diaspora voton në ambasada dhe me postë

    28 dhjetor – diaspora voton në ambasada dhe me postë

    Më 28 dhjetor në Kosovë organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote ka edhe diaspora.

    Regjistrimi për shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit do të nis më 26 nëntor e do përfundojë më 6 dhjetor.

    “Regjistrimi i votuesve jashtë vendit do të fillojë me 26 nëntor dhe do të përfundojë me 6 dhjetor. Kjo bëhet përmes platformës së KQZ-së dhe përmes postës, ne inkurajojmë të përdoret platforma elektronike sepse është shumë e lehtë”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlamir Elezi.

    Ai shtoi se votimi bëhet në dy mënyra: votimi fizik në përfaqësitë diplomatike dhe votimi përmes postës.

  • Njëri prej tyre nga Kosova, një gjykatë zvicerane dënon dy burra për ‘mbështetje të ISIS’

    Njëri prej tyre nga Kosova, një gjykatë zvicerane dënon dy burra për ‘mbështetje të ISIS’

    Gjykata Federale Penale e Zvicrës ka dënuar dy burra me 30 dhe 53 muaj burg për siç është thënë “mbështetje të organizatës terroriste Shteti Islamik”.

    Siç raportojnë mediat vendase, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kishte kërkuar dënime më të larta.

    Sipas raportimit, Dhoma Penale i liroi dy burrat nga akuza e pjesëmarrjes në një organizatë terroriste për aktivitetet e tyre brenda kuadrit të grupit të dyshuar terrorist kosovar “Vëllezërit e Vitisë” dhe degës së tij zvicerane në Gjenevë.

    Kështu, theksojnë mediat zvicerane, një kosovar duhet të vuajë 15 muaj nga dënimi prej 30 muajsh. Veç kësaj, gjykata urdhëroi që ai të deportohet për pesë vjet.

    Gjithashtu ajo e shpalli atë fajtor për akuza të shumta mashtrimi, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe marrje të paligjshme të ndihmave familjare.

    Ndërsa siç raportohet më tej, i pandehuri tjetër u dënua gjithashtu për mashtrim tregtar, pastrim parash, falsifikim të shumëfishtë dokumentesh, përshkrime dhune, marrje të paligjshme të përfitimeve të sigurimeve sociale dhe vepra të tjera penale.

  • Shtesat për fëmijët: Qeveria nis nesër ekzekutimin e pagesave të rritura me 50 për qind

    Shtesat për fëmijët: Qeveria nis nesër ekzekutimin e pagesave të rritura me 50 për qind

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga nesër fillon ekzekutimi i shtesave për fëmijët me rritjen e re prej 50%, e cila tashmë është miratuar nga Qeveria.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 400 mijë fëmijë në gjithë Kosovën.

    Sipas shembujve të prezantuar nga Kurti:

    – Një familje me dy fëmijë, që deri tani ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro.

    – Një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, do të marrë 135 euro.

    – Një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, tash do të marrë 180 euro.

    “Urime të gjithë fëmijëve! T’i gëzoni me shëndet”, shkroi Kurti.

  • Edhe Vushtrria pa para për t’i paguar faturat e energjisë, Idrizi thërret seancë të jashtëzakonshme

    Edhe Vushtrria pa para për t’i paguar faturat e energjisë, Idrizi thërret seancë të jashtëzakonshme

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se komuna është përballur ditëve të fundit me shkyçje të ndriçimit publik nga KEDS-i, për shkak të mungesës së mjeteve për pagesën e faturave të energjisë.

    Ai tha se situata është krijuar pas përmbarimit të mbi 3.5 milionë eurove nga buxheti i vitit 2025, si detyrim për Kontratën Kolektive, duke e lënë komunën me më shumë se gjysmën e buxhetit të investimeve kapitale të pakapshëm.

    Idrizi theksoi se janë ndërmarrë hapa për normalizimin e gjendjes dhe se është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për të miratuar tejkalimin e të hyrave vetanake që do të mundësonte pagesën e faturave të energjisë.

    Ai shpreson se situata do të stabilizohet së shpejti.

  • Aktakuzë kundër një personi për krime lufte, s’kishte parandaluar vrasjen e 29 civilëve shqiptarë

    Aktakuzë kundër një personi për krime lufte, s’kishte parandaluar vrasjen e 29 civilëve shqiptarë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër D.N. për “Krim lufte kundër popullsisë civile”. Ai akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, s’ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë.

    Sipas aktakuzës, D.N ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.

    I pandehuri D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.

    “D.N edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes.”

  • Policia arreston një 32-vjeçar që ishte në kërkim – detaje se si u kap

    Policia arreston një 32-vjeçar që ishte në kërkim – detaje se si u kap

    Policia e Rajonit të Ferizajt ka arrestuar sot një person që ishte në kërkim për disa vepra penale. Bëhet fjalë për E.M, 32-vjeçar.

    Reagimi i policisë erdhi pas një ankese të paraqitur nga një qytetar, ku u raportua se i dyshuari e kishte kanosur atë.

    Pejsëtarë të policisë të udhëhequr nga komandanti i stacionit kanë nisur kërkimin e tij.

    “Rreth orës 13:30, policia mori informatë se i dyshuari, së bashku me një të afërm ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit. Gjatë tentimit për tu larguar me një veturë të tipit “Pick-up”, E.M. kishte shfaqur një armë zjarri (pistoletë) dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc. Fillimisht policia ka arrestuar M.M. (43 vjeç), i cili dyshohet se e ka ndihmuar të dyshuarin gjatë arratisjes. Më pas, me vendosjen e njësive policore në zona strategjike në fshatin Carralevë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari kryesor, pa u rrezikuar pjesëtarët e policisë. Gjatë kontrollit tek E.M. është gjetur dhe është sekuestruar një armë zjarri me disa fishekë”, thuhet në njoftim.

    Ai ka qenë në kërkim për: Posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Lëndim të rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe Vrasje të mbetur në tentativë, rast i hapur nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.

    “Ndërsa ndaj të dyshuarit M.M është iniciuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryrje së vepres penale”. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e reja për tregtinë e jashtme për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar dhe të importeve, si dhe një rritje më të moderuar të eksporteve.

    Në tetor 2025, deficiti tregtar arriti në 530 milionë euro, krahasuar me 493 milionë euro në tetor 2024, që përbën një rritje prej 7.5%.
    Eksportet mbuluan vetëm 14.8% të importeve.

    Eksportet: 91.8 milionë euro (+5.1%)

    Importet: 621.8 milionë euro (+7.2%)

    Çfarë eksporton më shumë Kosova?

    Sipas grupeve kryesore të mallrave:

    Metale bazë dhe artikuj prej tyre – 21.0%

    Plastika, goma dhe artikujt prej tyre – 12.5%

    Artikuj të ndryshëm të prodhuar – 10.8%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 10.5%

    Produkte minerale – 8.9%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 6.9%

    Çfarë importon më shumë Kosova?

    Mjete transporti – 13.4%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 12.5%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 11.7%

    Produkte minerale – 11.2%

    Metale bazë – 9.9%

    Eksportet në BE: 31.1 milionë euro (33.8% e totalit), rritje 10.3%

    Partnerët kryesorë: Gjermania (12.9%), Holanda (3.2%), Italia (2.7%)

    Importet nga BE: 284.3 milionë euro (45.7% e totalit), +11.3%

    Gjermania (15.7%), Italia (5.8%), Polonia (3.4%)

    Tregtia me vendet e CEFTA-s

    Eksportet në CEFTA: 39.6 milionë euro (43.1%), rënie -0.8%

    Shqipëria (15.3%), Maqedonia e Veriut (12.5%), Serbia (6.9%), Mali i Zi (6.8%)

    Importet nga CEFTA: 75.5 milionë euro (12.1%), +1.4%

    Maqedonia e Veriut (4.0%), Serbia (3.6%), Shqipëria (3.2%)

    Tregtia me vendet e tjera

    Eksportet: 21.1 milionë euro (23.0%)

    Kryesorët: Zvicra (11.6%), Turqia (3.2%)

    Importet: 262 milionë euro (42.1%)

    Kryesorët: Kina (14.4%), Turqia (12.7%).
    8