ATV

Author: K.B.

  • 44-vjeçari arrestohet në Shijak, dyshohet se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare

    44-vjeçari arrestohet në Shijak, dyshohet se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare

    Një 44-vjeçar është arrestuar në Shijak, pas dyshimeve se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare.

    Policia në Shqipëri ka njoftuar se gjatë kontrollit të banesës së të dyshuar, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shkop gome dhe një armë gjahu, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”, “Mbajtje pa leje të organeve kompetente të armëve të gjahut” dhe “Mbajtje pa leje të organeve kompetente të armëve të ftohta”.

  • Dëmi në kanalin e Ibër-Lepencit rreth 4000 euro

    Dëmi në kanalin e Ibër-Lepencit rreth 4000 euro

    Kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar sërish.

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit.

    Rasti fillimisht është bërë i ditur në raporton 24 orësh. Sipas policisë, kjo ka ndodhur mes datave 22 dhe 25 mars.

    E shefi i operativës rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka bërë të ditur për gazetën online Reporteri.net se se vlera e dëmit është rreth 3000-4000 euro.

    “Më datë 25.11.2025 rreth orës 12:15 ankuesi, punëkryesi në kanalin e Ibër-Lepencit ka raportuar se cerada-najloni i cili ka qenë i shtrirë në bajpas, i është dëmtuar.

    Vlera e dëmit, sipas ankuesit është rreth 3000-4000 euro. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësite policore dhe kanë shikuar vendin. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti është hapur si ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë’. Rasti është nën hetime”, ka thënë Fejza.

    Kujtojmë se më 29 nëntor, 2024 kishte ndodhur një shpërthim në këtë kanal. Kosova e cilësoi atë si një akt terrorist dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij.

  • Përfundon protesta e punëtorëve të transportueseve publikë dhe privatë

    Përfundon protesta e punëtorëve të transportueseve publikë dhe privatë

    Ka përfunduar protesta e punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe përfaqësuesve të operatorëve privatë, të cilët tash e tre ditë kanë ndërpre qarkullimin e autobusëve për shkak se nuk kanë marrë pagat e tyre.

    Ndryshe nga ditët e tjera, sot askush nga Komuna e Prishtinës nuk i takoi, megjithatë, Ilim Gashi, përfaqësues i sindikatës së “Trafikut Urban” paralajmëroi se protestë do të mbajnë dhe nesër.

    “Sindikata e trafikut urban edhe ditën e tret sot vazhduam me protestën deri në ora 13:00 që e kemi pasur të caktuar. Ora 13:00 po e përfundojmë protestë por nuk doli askush nga organet e komunës. Nesër protesta vazhdon me të njëjtin ritëm, për orën e kohën informoheni me vonë”, tha ai.

    E kryetari i sindikatës së re të “Trafikut Urban”, Shaip Selmani kërkoi mbështetje për ta futur punën në binar.

    “Në veçanti i falënderojmë qytetarët, ju bëjë thirrje qytetarëve që brenda mundësive që i kanë, të na përkrahim edhe të na bashkëngjiten në këtë protestë që njëherë e përgjithmonë të qesim punën në binar”, tha ai.

    Edhe sot protestuesit kanë vendosur autobusët tek objekti i Komunës së Prishtinës.

  • Clark zbulon prapaskenat e luftës së Bosnjës më 1995: Ndalimi i ofensivës ndryshoi gjithë rrjedhën

    Clark zbulon prapaskenat e luftës së Bosnjës më 1995: Ndalimi i ofensivës ndryshoi gjithë rrjedhën

    Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, ka folur për Klix.ba rreth operacioneve të fundit ushtarake në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995 dhe negociatave të Dejtonit. Ai ka komentuar mundësinë e avancimit të forcave të Armatës së Bosnjës e Hercegovinës, HVO-s dhe Ushtrisë Kroate drejt Prijedorit e Banjallukës, si dhe rolin e SHBA-ve në frenimin e operacioneve.

    Duke folur për ofensivën e vjeshtës 1995, Clark deklaroi se parandalimi i avancimit të forcave të Bosnjës dhe Kroacisë ndryshoi rrjedhën e luftës.

    “Po të mos ishin ndalur, ndoshta do ta merrnin Banjallukën, por në luftë momenti është vendimtar. Kur e humbën, nuk mundën ta rikthenin”, tha ai.

    Clark mohoi pretendimet se NATO apo SHBA kishin planifikuar bombardime ndaj ARBiH dhe HV-së në rast se do të hynin në Banjallukë.

    “Jo, nuk do t’i bombardonim ato njësi, dhe sipas mendimit tim marrëveshja e Dejtonit do të ishte edhe më e fortë. Por vendimi për ndalimin e avancimit u mor sepse Federata në atë moment kontrollonte rreth 51 për qind të territorit, ashtu siç ishte paraparë. Ekzistonte edhe frika se forcat serbe do të nisnin një kundërofensivë nga Serbia”, theksoi Clark.

    I pyetur për pretendimet se operacioni kroat “Una-95” u nis me kërkesë të Uashingtonit, Clark mohoi një gjë të tillë.

    “Historia zyrtare është se morën vetëm ‘dritë të verdhë’ nga Shtëpia e Bardhë. Në Pentagon, në korrik 1995, i thamë ministrit Šušak: ‘Jo, mos e bëni’”, u shpreh ai.

    Clark sqaroi se një ndërhyrje tokësore e SHBA-ve nën komandon e OKB-së do të kishte qenë e papranueshme.

    “Do të ishte e pakuptimtë të ndërhynim me forca tokësore para Dejtonit nën mandat të OKB-së. SHBA nuk do të lejonte që trupat amerikane të ishin nën kontrollin e OKB-së”, tha ai.

    Sipas Clark, edhe përdorimi i kufizuar i forcës ajrore në shtator 1995 ndikoi direkt te Miloševiqi.

    “Edhe ajo fushatë e kufizuar ajrore e shtatorit e shtyu Milosheviqin drejt negociatave – e di, sepse kam qenë dy herë me të dhe kemi folur për këtë.”

    Clark rrëfen se në negociatat e Dejtonit ishte “anëtari i dytë më i lartë i ekipit amerikan”, duke punuar në aneksin ushtarak, hartat dhe koordinimin me ushtritë serbe e kroate.

    “Izetbegoviqi ishte negociatori më i ashpër, sepse kishte më shumë për të humbur – duhej të dorëzonte pjesë të territorit të vendit”, tha Clark.

    Ai shtoi se Tuxhmani nuk kishte çështje të hapura të mëdha

    “Milosheviqi e donte marrëveshjen sepse kishte arritur kulmin e tij ushtarak dhe diplomatik, ndaj i detyroi serbët e Bosnjës që të pranonin.”

    Clark kujtoi se rreziku më i madh për prishjen e negociatave ishte territori i Brçkos.

    “Pika më kritike ishte ndarja e Brçkos – të dyja palët e donin. Por u shpall zonë e përbashkët e okupuar dhe vendimi u shty, gjë që bëri të mundur marrëveshjen përfundimtare”, tha ai.

    Sipas tij, kishte edhe tensione të tjera – për praninë e NATO-s, aneksin ushtarak dhe statusin e Sarajevës – por vetëm çështja e Brçkos “seriozisht e rrezikoi” arritjen e marrëveshjes.

  • Qytetarët e fshatit Çabër ankohen për shkëputje selektive të rrymës: Shqiptarët pa energji, serbët me furnizim të pandërprerë

    Qytetarët e fshatit Çabër ankohen për shkëputje selektive të rrymës: Shqiptarët pa energji, serbët me furnizim të pandërprerë

    Banorët e fshatit Çabër të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Mitrovicës, janë ankuar se po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike nga ana e operatorit të energjisë, ndërsa sipas tyre, familjet serbe në zonë po furnizohen pa ndërprerje, edhe pse shumë prej tyre nuk posedojnë as matës të rrymës.

    Sipas banorëve, prej disa ditësh situata është bërë e paqëndrueshme, duke shkaktuar shqetësime në jetën e përditshme.

    “Tash e disa ditë, zyrtarë të elektro-serbëve janë duke ardhur për t’i shkëputur shqiptarët nga rryma në fshatin Çabër. Mua personalisht më është ndërprerë rryma sepse nuk kam pasur mundësi ta paguaj menjëherë, dhe pa paralajmërim më kanë shkëputur furnizimin,” ka deklaruar një qytetar për Tëvë1.

    Ai thotë se ndërsa shqiptarët po përballen me masa strikte, në anën tjetër familjet serbe nuk po përjetojnë të njëjtën situatë.

    “Në pjesën ku qëndrojnë serbët, rryma nuk po ndërpritet fare, pavarësisht se shumë prej tyre nuk kanë të regjistruar as orë të rrymës. Kjo është një padrejtësi që po e shohim çdo ditë,” është shprehur ai.

    Banorët kërkojnë trajtim të barabartë dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për të garantuar furnizim të njëjtë me energji elektrike për të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.

  • Vëllai i Shpatit: Shkuan në Itali për ta çuar të birin te mjeku, jemi të shokuar

    Vëllai i Shpatit: Shkuan në Itali për ta çuar të birin te mjeku, jemi të shokuar

    Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare. Lajmi tragjik i ka ardhur familjarëve në orët e vona të së martës, ndërsa ai ndodhej në Itali me bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël, për një kontroll mjekësor për të birin.

    Vëllai i këngëtarit bëri me dije se ndihma e shpejtë i është dhënë në banesë, por mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Dyshohet se shkaku ka qenë një atak kardiak.

    Shpat Kasapi ishte konfirmuar si një nga banorët e “Big Brother Albania VIP 5”, i cili do të nisë në dhjetor. Sipas vëllait të tij, Albin, ai e priste me shumë entuziazëm këtë eksperiencë.

    “E kishe me qejf, e pranoi me entuziazëm… jemi të shokuar, jemi të dëshpëruar. Iku!”, u shpreh ai.

  • Vdes mjekja e UÇK-së, Ajete Bashota

    Vdes mjekja e UÇK-së, Ajete Bashota

    Ka vdekur ish-ushtarja dhe mjekja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Ajete Bashota.

    Për vdekjen e saj, ka shkruar kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili shprehu ngushëllimet e tij.

    “Ajete Bashota do të kujtohet gjithmonë për humanizmin, profesionalizmin dhe kontributin e saj të çmuar, si në shërbim të pacientëve poashtu edhe në shërbim të lirisë së vendit si luftëtare e mjeke e lirisë. Në emër të Komunës së Podujevës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur”, ka shkruar ai.

  • Raport i Kombeve të Bashkuara: Ky është qyteti më i madh në botë

    Raport i Kombeve të Bashkuara: Ky është qyteti më i madh në botë

    Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara ka zbuluar se kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta, është qyteti më i madh në botë me 41.9 milionë banorë, i ndjekur nga Daka në Bangladesh, ku jetojnë 36.6 milionë banorë.

    Një qytet bregdetar i ulët i vendosur në perëndim të ishullit të populluar të Java-s, Xhakarta u ngjit nga vendi i dytë për të zëvendësuar Tokion, i cili ishte emëruar qyteti më i madh në botë në vlerësimin më të fundit të OKB-së të publikuar në vitin 2000.

    Popullsia relativisht e qëndrueshme e kryeqytetit japonez prej 33.4 milionë banorësh e bëri atë të binte në vendin e tretë, pas kryeqytetit të Bangladeshit, Daka, i cili u vendos në vendin e dytë nga vendi i nëntë dhe tani parashikohet të bëhet qyteti më i madh në botë deri në vitin 2050.

    Raporti i Perspektivave të Urbanizimit Botëror 2025 nga Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara zbuloi gjithashtu se numri i megaqyteteve, zonave urbane me më shumë se 10 milionë banorë, është rritur në 33, katër herë më shumë se tetë megaqytetet që ekzistonin në të gjithë botën në vitin 1975.

    Azia është shtëpia e 19 nga 33 megaqytetet e botës, dhe nëntë nga 10 më të mirat. Përveç Xhakartës, Dakës dhe Tokios, qytetet e tjera aziatike në 10 më të mirat janë: Nju Delhi, Indi (30.2 milionë); Shangai, Kinë (29.6 milionë); Guangzhou, Kinë (27.6 milionë); Manila, Filipine (24.7 milionë); Kolkata, Indi (22.5 milionë); dhe Seuli, Koreja e Jugut (22.5 milionë).

    Me një popullsi prej 32 milionë banorësh, Kajroja e Egjiptit është i vetmi qytet në 10 vendet e para që ndodhet jashtë Azisë, sipas OKB-së.Sao Paulo në Brazil, me 18.9 milionë banorë, është qyteti më i madh në Amerikë, ndërsa Lagosi në Nigeri gjithashtu u rrit me shpejtësi, duke e bërë atë qytetin më të madh në Afrikën Subsahariane.

     

  • Ermal Sadiku i bashkohet LDK’së, Abdixhiku: Forcim i ekipit tonë, vizioni i tij profesional vlerë e çmuar për vendin

    Ermal Sadiku i bashkohet LDK’së, Abdixhiku: Forcim i ekipit tonë, vizioni i tij profesional vlerë e çmuar për vendin

    Inxhinieri Ermal Sadiku i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, lavdëroi karrierën e tij profesionale dhe tha se

    “Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global”, ka shkruar Abdixhiku.

    Abdixhiku tha se aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit meqë “ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë”.

    “Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë”.

    Sadiku, i cili është edhe bashkëthemeluesi i LinkPlus, ka shërbyer si ligjërues në fakultet, si kryetar i Bordit të STIKK dhe vazhdon të jetë mentor dhe trajner i shumë të rinjve që synojnë karrierë në teknologji.

    Postimi i plotë i Abdixhikut:

    Mirë se vjen, Ermal!

    Ermal Sadiku, një prej emrave më të shquar të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    I lindur dhe rritur në Prishtinë, Ermal Sadiku që në hapat e parë të karrierës së tij akademike ishte një prej studentëve më të përgatitur të gjeneratës. Studimet e avancuara në Gjermani i dhanë jo vetëm ekspertizë të thellë teknike, por edhe një perspektivë ndërkombëtare mbi inovacionin, standardet moderne të industrisë dhe mënyrat se si ndërtohen ekosistemet e qëndrueshme teknologjike. Pikërisht këto përvoja formësuan vizionin e tij profesional, që sot përbën një vlerë të çmuar për vendin.

    Pas kthimit në Kosovë, Ermal Sadiku u bë një nga zërat udhëheqës të transformimit digjital.

    Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global.

    Ai ka shërbyer si ligjërues universitar, duke ndarë dije me gjenerata të tëra studentësh. Si kryetar i Bordit të STIKK, ai ka ndikuar në hartimin e politikave dhe strategjive që kanë ndërtuar ekosistemin e sotëm të fortë të teknologjisë në vend. Përmes mentorimit dhe trajnimeve, ai vazhdon të jetë inspirim për qindra të rinj që ëndërrojnë një karrierë në fushën e inovacionit.

    Sot, Ermal Sadiku njihet si një prej figurave kryesore të inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë; një profesionist me vizion, një lider me përvojë dhe një kontribues i palodhur në zhvillimin e digjitalizmit.

    Aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit tonë. Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë.

    Ne na udhëheqë besimi në potencialin e të rinjve kosovarë; se ata janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë; një të ardhme ku Kosova qëndron denjësisht në hartën e inovacionit global.

    Ardhja e tij, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të.

    Dyert tona janë të hapura.

    Mirë se vjen, Ermal Sadiku! Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri.

  • Fatmir Limaj: S’ka koalicion me PDK-në, jemi në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje

    Fatmir Limaj: S’ka koalicion me PDK-në, jemi në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje

    Në medie sot u raportua se NISMA Socialdemokrate dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Megjithatë, kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj i ka mohuar kategorikisht këto raportime.

    I pyetur rreth mundësisë për një koalicion me PDK-në, Limaj theksoi se “jo, nuk ka ndodhur asnjë takim” mes dy partive dhe se pretendimet për dakordim janë të pavërteta.

    Limaj për Front Online tha se janë në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje.

    ‘’Siç e keni pa, jemi në kontakt me LDK-në’’, tha Fatmir Limaj.