ATV

Author: K.B.

  • Nga sulmi në zemër dhe në të njëjtën moshë kishte vdekur edhe babai i Shpat Kasapit

    Nga sulmi në zemër dhe në të njëjtën moshë kishte vdekur edhe babai i Shpat Kasapit

    Këngëtari i njohur nga Tetova, Shpat Kasapi, ka vdekur sot në moshën 40-vjeçare si pasojë e një sulmi në zemër.

    Ai ndodhej në Itali bashkë me ish-bashkëshorten, Selvijen, për kurimin e djalit të tyre trevjeçar.

    Po në moshë të njëjtë dhe po nga arresti kardiak, kishte vdekur edhe babai i Shpatit.

    Për vdekjen e parakohshme të këngëtarit, kanë reaguar zemërthyer figura nga politika, shoubizi e qytetarë të thjeshtë.

  • BE: Serbia po shkel Marrëveshjen e Ohrit

    BE: Serbia po shkel Marrëveshjen e Ohrit

    Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia është duke i shkelur obligimet e saja nga procesi i normalizimit të raporteve me Kosovën dhe marrëveshjes nga dialogu, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke reaguar në njoftimet nga Serbia se ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, është lavdëruar se po vazhdon kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë dhe se, sipas këtij ministri, “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e Interpolit”. Daçiq po ashtu ka thënë se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e Interpolit” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mes tjerash, obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. BE insiston se kjo marrëveshje është valide, se ajo duhet të implementohet pa vonesa, dhe se zbatimi i saj mbetet kusht për Kosovën dhe Serbinë, si për integrimin e tyre në BE, ashtu edhe për përfitime financiare nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Këtë, në përgjigjen e tij, e ka thënë për Kohën përsëri një zëdhënës i BE-së.

    “Progresi i Serbisë në rrugëtimin evropian varet nga përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve nga marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit. Duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia është në shkelje të obligimeve nga marrëveshja e Ohrit, neni 4 i marrëveshjes”, ka thënë ky zëdhënës.

    Por në BE akoma nuk saktësojnë se cilat do të jenë pasojat për Serbinë për një sjellje të tillë që vetë BE e konsideron shkelje. Disa shtete anëtare shpesh kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e masave ndaj Serbisë, ndërkohë që Komisioni Evropian i mban në fuqi masat kundër Kosovës. Një qasje e tillë nga disa shtete anëtare të BE-së është vlerësuar si “qasje e pabalancuar”.

    “Sa i përket planit të rritjes, parakushtet e lidhura me progresin në normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës vlerësohen sa herë që të bëhen kërkesa për pagesa, në përputhje me rregulloren”, ka thënë për këtë zëdhënësi i BE-së.

    Serbia ka marrë pagesën e parë nga paketa e rritjes në formën e “parafinancimit”. Kosova nuk ka përfituar akoma nga kjo, për shkak se nuk ka ratifikuar marrëveshjen për kredi me BE-në.

  • Fillon shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave në Prishtinë, do të dërgohen në adresat e kundërvajtësve

    Fillon shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave në Prishtinë, do të dërgohen në adresat e kundërvajtësve

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.

    Në njoftim thuhet se ky sistem i avancuar është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e kryeqytetit, po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme.

    “Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve.

  • Pas LDK-së edhe PDK lajmëron konferencë për media

    Pas LDK-së edhe PDK lajmëron konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë konferencë për media në orën 14:30, në selinë qendrore të partisë.

    Ndërkohë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media më herët gjatë ditës, në orën 14:00.

    Nuk dihet ende arsyeja se pse janë thirrur këto konferenca nga dy ndër partitë më të mëdha në vend.

  • Tenderi mijëra euro për pranga dhe shufra: Policia e Kosovës forcon pajisjet

    Tenderi mijëra euro për pranga dhe shufra: Policia e Kosovës forcon pajisjet

    Policia e Kosovës ka finalizuar së fundi një tender të rëndësishëm për furnizimin me pajisje të reja operative.

    Sipas njoftimit nga E- prokurimi, institucionit policor i janë dorëzuar pranga, shufra ASP si dhe shufra të tipit tonfa, mjete këto që përdoren në operacione të ndryshme të rendit dhe sigurisë.

    Kontrata e arritur është e tipit kornizë dhe do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh.

    Fillimisht, vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte rreth 102,240 euro, mirëpo pas procedurave të prokurimit, shuma e përfituar ka rezultuar më e ulët.

    Tenderi i është besuar operatorit ekonomik “Pricom” Sh.P.K, i cili ka ofruar furnizimin për një vlerë prej 84,252 euro.

    Ky furnizim pritet të rrisë kapacitetet operacionale të Policisë së Kosovës dhe të kontribuojë në efikasitetin e saj në terren.

  • Hungaria thotë se do ta ndihmojë Serbinë me furnizime me naftë

    Hungaria thotë se do ta ndihmojë Serbinë me furnizime me naftë

    Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën për të diskutuar për detajet se si Hungaria do ta ndihmojë Serbinë pasi janë ndërprerë dërgesat me naftë të papërpunuar nga Kroacia.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se rafineria e naftës të Industrisë së Natës të Serbisë (NIS), që është në pronësi ruse, do të mbyllet për katër ditë nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin sanksionet ndaj kompanisë, duke rrezikuar furnizimet me karburante para dimrit.

    SHBA-ja, e cila ka zbatuar një sërë masash kundër subjekteve të lidhura me Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë, vendosi sanksione ndaj rafinerisë muajin e kaluar, duke bërë që Kroacia fqinje të ndërpresë furnizimin me naftë të papërpunuar.

    “Serbia është në një situatë të vështirë. Ne hungarezët, sigurisht, do ta ndihmojmë Serbinë, popullin serb dhe ekonominë serbe, dhe sot në Beograd do të diskutojmë detajet e kësaj ndihme”, tha Szijjarto në një video të publikuar në Facebook më 26 nëntor.

    Në tetor, Szijjarto deklaroi se kompania hungareze e naftës MOL do të rrisë furnizimet për Serbinë, por nuk dha asnjë detaj për sasinë e furnizimit apo mënyrën e transportit.

    Ndërkaq, një tubacion i naftës që lidh Hungarinë dhe Serbinë është në fazën e planifikimit dhe mund të nisë që të plotësojë të gjitha nevojat e Serbisë për naftë të papërpunuar deri në vitin 2028, tha Szijjarto në prill.

    Tubacioni pritet të ketë kapacitet për transportin e 4 deri në 5 milionë tonë naftë ruse në Serbi përmes Hungarisë çdo vit, tha ministri i Jashtëm në atë kohë.

    Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Hungarisë janë forcuar vitet e fundit dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë raporte të mira me Rusinë.

  • Pjetër Shala kërkon nga Supremja që çështjen ta kthehejë në rigjykim ose të korrigjohen shkeljet e pretenduara

    Pjetër Shala kërkon nga Supremja që çështjen ta kthehejë në rigjykim ose të korrigjohen shkeljet e pretenduara

    Pjetër Shala ka bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Speciales kundër vendimit të Apelit, i cili ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim pasi shkalla e parë e kishte dënuar për krime lufte. Në kërkesën e Shalës, kërkohet rrëzimi i vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe çështja të kthehet në rigjykim.

    Si alternativë, Shala kërkon që të korrigjohen shkeljet e pretenduara procedurale në marrjen dhe pranimin e provave si dhe në përcaktimin e dënimit ndaj tij.

    Sa i përket aspektit kronologjik, Apeli konfirmoi dënimet ndaj Shalës për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturë dhe vrasje.

    Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të cilën e kishte dorëzuar më 14 tetor 2025 e që u bë publike së fundi, mbrojtja thotë se gjykimi ndaj Shalës filloi 24 vjet pas ngjarjeve të përshkruara në aktakuzë dhe kjo kohë e kaluar kaq shumë, prek në thelb përcaktimin e saktë të përgjegjësisë penale si dhe cenon integritetin gjyqësor.

    Aty thuhet që dëshmitarët që mund të kishin dhënë dëshmi shfajësuese kanë vdekur prej kohësh ose ata që janë gjallë janë subjekt i dobësimit të pashmangshëm të kujtesës e cila është proces që ndodhë me kalimin e kohës.

    Dhoma e pretenduar e ndalimit, sipas mbrojtjes, është shembur dhe askush s’mund të deklarojë me siguri se çfarë ndodhi brenda atyre mureve apo se çfarë mund të shihej nga dritaret e saj.

    Rrjedhimisht, mbrojtja thotë se nuk ishte në gjendje që të merrte në pyetje individë që supozohet se kanë qenë të pranishëm ose të siguronte materiale që mund të kundërshtonin versionin e Prokurorisë.

    Sipas mbrojtjes, asnjë udhëzim gjyqësor, vendim provash ose garanci procedurale nuk mund të korrigjojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga humbja e kujtesës, humbja e provave materiale dhe humbja e dëshmitarëve kyç.

    Mbrojtja thotë se drejtësia proceduale është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme me kalimin e kohës dhe se ata janë detyruar që të përballen me pretendime të mbështetura në kujtime të dobëta dhe të patestuara apo edhe të riformësuara nga vitet.

    Shpesh këto pretendime, sipas mbrojtjes, janë transmetuar nga babai te i biri, nga bashkëshorti te bashkëshortja, nga miku te miku e nga shoku te shoku, para se më në fund të merrnin formë në deklaratat e dëshmitarëve të dorëzuara mbrojtjes.

    Mbrojtja përmend edhe humbjen e dëshmitarëve potencialë duke përfshirë edhe Ruzhdi Saramatin- një figurë kyçe në Kukës në vitin 1999 — kujtesa e të cilit, për shkak të kalimit të kohës, sipas mbrojtjes ka humbur përfundimisht.

    Baza e dytë e kërkesës së Shalës është kundërshtimi për pranimin dhe mbështetjen në deklarata inkriminuese që vetë ai i kishe dhënë më herët konkretisht në vitet 2005, 2007, 2016 dhe 2019.

    Pra, sipas mbrojtjes, Shala u mor në pyetje si i dyshuar dhe pa konsultimin ose praninë e një avokati, raporton express, transmeton Periskopi.

    “Deklaratat vetë-inkriminuese u dhanë gjatë intervistave me Prokurorinë e TPNJ-së në 2005 dhe 2007, para Policisë Federale të Belgjikës në 2016, dhe para Policisë Federale të Belgjikës dhe ZPS-së më 2019”, thuhet në dokument.

    Sipas mbrojtjes, pranimi i këtyre dëshmive dhe mbështetja në to, ka shkelur të drejtat e Shalës për një gjykim të drejtë.

    Mbrojtja thotë se edhe vetë Apeli pranoi se e drejta e Shalës për ndihmë juriidke ishte shkelur gjatë intervistës së vitit 2016 në Belgjikë, por kishte lejuar që këto deklarata të mbeteshin në dispozicion për shqyrtim.

    “Mungesa e referencave të drejtpërdrejta ndaj tyre në arsyetimin e gjetjeve inkriminuese nuk do të thotë se deklaratat nuk patën ndikim në vlerësimin ose procesin e vendimmarrjes. Të sugjerosh të kundërtën do të ishte injorim i pasojave ligjore dhe praktike të pranimit të tyre në prova dhe deklarimit të qartë se ato ishin të disponueshme për t’u marrë në konsideratë”, thuhet në dokument.

    Mbrojtja thotë se pranimi dhe marrja në konsideratë dhe/ose mbështetja në deklaratat vetë-inkriminuese të marra në mënyrë të paligjshme përbën një shkelje flagrante të së drejtës së Shalës për gjykim të drejtë.

    Sipas mbrojtjes, mjeti i vetëm i përshtatshëm juridik është anulimi i dënimeve dhe urdhërimi i rigjykimit, në të cilin të gjitha deklaratat vetë-inkriminuese të marra në shkelje të të drejtave të Shalës të përjashtohen.

    Mbrojtja thotë se edhe dënimi për ndalim arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar është jo i drejtë, pasi sipas tyre neni 14 i Ligjit për DHSK-në përmban një listë se çka është krim luftës në një konflikt jondërkombëtar, por nuk e përfshinë ndalimin arbitrar.

    “Dënimet e vendosura mbi bazën e përgjegjësisë për PBB (JCE) dhe krimit të ndalimit arbitrar në NIAC duhet të anulohen”, thuhet në kërkesë.

    Sipas mbrojtjes, u bë gabim ligjor duke e dënuar Shalën mbi bazën e një akuze të mangët e cila nuk ofronte të dhëna të mjaftueshme as për viktimat e pretenduara në këtë çështje. Ky gabim i trupit gjykues ishte pranuar edhe nga Apeli.

    “Kjo mungesë specifikimi ia mohoi mbrojtjes njoftimin efektiv dhe mundësinë e sinqertë për të hetuar dhe kundërshtuar akuzat, në shkelje të Nenit 6 të KEDNJ-së dhe Nenit 30 të Kushtetutës së Kosovës. Megjithëse rasti kishte shtrirje të kufizuar dhe Prokuroria i dinte emrat përkatës, Aktakuza thjesht i referohej “ushtarëve, policëve dhe rojtarëve të paidentifikuar të UÇK-së” dhe i linte viktimat të paemërta ose të përshkruara në mënyrë të paqartë, gjë që nuk përmbushte kërkesat minimale të parashtruara në jurisprudencën ndërkombëtare. Në vend se të rregullonte njoftimin e pamjaftueshëm, Paneli i Gjykimit e zgjeroi në mënyrë të papranueshme çështjen e Prokurorisë duke i konsideruar Kryeziun dhe Limajn si anëtarë të NPB-së”, thuhet në kërkesë.

    Tutje, thuhet se edhe pse aktakuza e ngarkonte Shalën për ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor dhe torturë të nëntë individëve, trupi gjykues vendosi dënime për ndalim arbitrar dhe torturë në lidhje me tetëmbëdhjetë individë.

  • Studim: Pirja e duhanit shkakton rënie të flokëve dhe thinja të parakohshme

    Studim: Pirja e duhanit shkakton rënie të flokëve dhe thinja të parakohshme

    Pirja e duhanit po rezulton të jetë një nga faktorët më të fortë të lidhur me rënien e flokëve dhe thinjen e parakohshme, sipas një studimi të ri që ka ngritur shqetësim në komunitetin shkencor dhe mjekësor.

    Sipas kërkuesve, substancat kimike të gjendura në cigare ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut dhe në shëndetin e qelizave të folikulave të flokëve, duke shkaktuar dëmtime që shpesh janë të pakthyeshme.

    Studiuesit shpjegojnë se pirja e duhanit ngushton enët e gjakut, duke reduktuar ndjeshëm furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese drejt skalpit.

    Kjo e bën më të vështirë për flokun të rritet normalisht, duke çuar në rënie të hershme dhe dobësim të strukturës së tij.

    Për më tepër, kimikatet toksike dëmtojnë ADN-në e qelizave të reja të flokëve, çka sjell një ndërprerje të ciklit natyral të rritjes.

    Por lajmet e këqija nuk ndalen këtu.

    Studimi tregon se duhanpirësit janë 2.5 herë më të predispozuar të thinjen më herët sesa mosduhanpirësit.

    Edhe më befasuese është zbulimi se rreziku rritet ndjeshëm edhe te personat që thonë se pinë “vetëm një cigare në vit”.

    Efekti, sipas shkencëtarëve, lidhet me ndjeshmërinë e lartë të folikulave të flokëve ndaj toksinave të tymit, të cilat shkaktojnë stres oksidativ dhe humbje të pigmentit.

    Ekspertët paralajmërojnë se këto dëmtime ndikojnë jo vetëm në pamje, por edhe në mirëqenie psikologjike, pasi rënia e flokëve dhe thinja e hershme shpesh lidhen me ulje të vetëbesimit.

    Mesazhi i studiuesve është i qartë: ndalimi i duhanit është një nga mënyrat më të shpejta dhe më efektive për të mbrojtur shëndetin e flokëve.

    Dhe padyshim, secili prej nesh e di saktësisht kujt duhet t’ia përcjellë këtë paralajmërim.

  • Këto shenja tregojnë se keni probleme me veshkat

    Këto shenja tregojnë se keni probleme me veshkat

    Veshkat janë organet jetësore kryesisht përgjegjëse për detoksifikimin e trupit. Nëse u ndodh diçka, i gjithë trupi vuan.

    Veshkat thithin lëndë ushqyese dhe ruajnë një ekuilibër të lëngjeve të trupit. Pavarësisht rëndësisë së tyre, nuk është gjithmonë e lehtë të identifikohen simptomat e mosfunksionimit të tyre.

    Është e rëndësishme të dini se funksioni i veshkave zvogëlohet me moshën, dhe zbulimi i hershëm i çdo problemi mund të jetë thelbësor për ruajtjen e shëndetit tuaj. Këtu kemi renditur shtatë simptoma që mund të tregojnë probleme me veshkat.

    Edemë

    Një funksion i veshkave është të ruajë ekuilibrin acid/bazë të trupit duke rregulluar lëngjet. Pra, nëse ka një grumbullim jonormal të lëngjeve në trup, kjo mund të nënkuptojë se diçka nuk shkon me veshkat. Ky grumbullim i lëngjeve mund të çojë në ënjtje, e cila zakonisht ndodh në duar, këmbë ose kyçe të këmbëve.

    Ndryshime në modelin e urinimit

    Nëse përjetoni ndryshime në modelin tuaj të urinimit, kjo mund të tregojë probleme me veshkat. Disa nga këto ndryshime mund të përfshijnë:

    Ndjenja e presionit gjatë urinimit,

    Gjak në urinë
    Urinim më pak i shpeshtë, por urina duket e errët kur nxirret jashtë
    Urina duket të jetë e shkumëzuar ose me flluska
    Shpesh zgjoheni në mes të natës dhe ndjeni nevojën për të urinuar.
    Skuqje

    Grumbullimi i acidit urik dhe produkteve të mbeturinave në trup mund të shkaktojë kruarje të lëkurës. Skuqjet janë një simptomë që mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh. Megjithatë, skuqjet e shkaktuara nga mosfunksionimi i veshkave janë më të thella dhe ndihen sikur shtrihen nën sipërfaqen e lëkurës, dhe trajtimet lokale nuk duket se funksionojnë.

    Dhimbje në këmbë dhe në pjesën e poshtme të shpinës

    Dhimbja në këmbë ose në pjesën e poshtme të shpinës mund të tregojë gurë në veshka, por mund t’i atribuohet edhe infeksioneve të veshkave. Nëse kjo ndodh, sëmundja mund të përparojë dhe të shoqërohet me simptoma të tjera, të tilla si vështirësi në urinim ose ndjesi djegieje gjatë urinimit. Është e rëndësishme të dallohet kjo simptomë nga dhimbja normale e muskujve.

    Shije e keqe në gojë

    Kur veshkat nuk arrijnë të largojnë toksinat, ato do të grumbullohen në trup. Kjo mund të shkaktojë një shije metalike në gojë dhe të çojë në erë të keqe të gojës. Gjithashtu mund të ndjeni sikur ushqimet që hani nuk kanë shije të mirë, veçanërisht mishrat. Kjo mund të ulë oreksin tuaj dhe të shkaktojë humbje peshe.

  • Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha në të cilën partitë politike të regjistruara duhet të informojnë institucionin lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Ky afat, i hapur më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025.

    Deri të mërkurën më 26 nëntor 2025, në orën 10:00, është paraqitur një koalicion për pjesëmarrje në zgjedhje.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    “Deri më tani (e mërkurë, 26 nëntor 2025, ora 10:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e një koalicioni për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

    Ai shtoi se partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

    “Gjithashtu, partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, theksoi Elezi.