ATV

Author: K.B.

  • A do të bëjë koalicion me Fatmir Limajn, përgjigjet Hamza i PDK

    A do të bëjë koalicion me Fatmir Limajn, përgjigjet Hamza i PDK

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një konference për media është deklaruar për një koalicion të mundshëm mes PDK’së dhe NISMA’s së Fatmir Limajt, duke thënë se ai ende s’ka pasur takimin e kryetarin e NISMA’s.

    Hamza, ka potencuar se me Limajn kanë shoqëri mes vete dhe kanë miq të përbashkët, porse ende s’ka diçka konkrete, transmeton Gazeta Express.

    ‘‘Unë kam respekt për të gjitha subjektet politike në Kosovë, dhe të gjithë ata që dëshirojnë me garu në këto zgjedhje. Ne jemi në komunikime, deri me tash i keni pa këto çka i kemi finalizu. Nëse do të ketë finalizim të ndonjë marrëveshje ne prapë do të jemi këtu para juve, dhe do ta bëjmë publike. Sidoqoftë, njerëzit kanë të drejt të bëjnë koalicione me ata që gjinden në interesa, unë e vlerësoj atë, dhe se kush me kë bën prapë do të jenë të vlerësuar nga ana e jonë.

    Unë personalisht ende nuk kam mbërri në atë pikë do të thotë që ne të kemi takime. Ne jemi shokë dhe miq, kemi bashkëpunu, por nëse ka diçka konkrete ne do të dalim këtu prapë para juve.’, ka thënë Hamza.

  • Bedri Hamza zyrtarizon koalicionin me Listën për Familje

    Bedri Hamza zyrtarizon koalicionin me Listën për Familje

    Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lista për Familjen e udhëhequr nga Eman Rrahmani sot kanë konfirmuar marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në një konferencë për media, Hamza tha se koalicioni me Listën për Familje, është vlerë e shtuar për partinë.

  • Deçani nderon dy nëna fisnike nga Tropoja – Marrin mirënjohje për mbështetjen e UÇK-së

    Deçani nderon dy nëna fisnike nga Tropoja – Marrin mirënjohje për mbështetjen e UÇK-së

    Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj dy nëna nga malësia e Gjakovës për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 28 Nëntori është ditë madhështore dhe historike.

    Banner

    “Në vigjilje të një date që është madhështore, është historike na kujton vitin e largët 1444 që është Skënderbeu, e vitit 1912 që është Ismail Qemali dhe ngritja e flamurit në Vlorë, vitin 1955 që është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari e po ashtu sot 28 vite më herët në një aksion të policisë të paramilitarëve serbë, të cilët ishin nisur në drejtim të heroit të kombit Abedin Rexhaj, rrugës në këtë destinacion hasin në një organizim të befasishëm nga komandi legjendar Adem Jashari, në Llaushë ku në shenjë hakmarrjeje gjuhet edhe mbi shkollë edhe mbi civil, me ç’rast vdes mësuesi Halit Geci, e që me datën 28 në varrimin e mësuesit bëhet edhe dalja publike e UÇK-së nga tre gjeneralë, ku tash njëri është hero i kombit, Mujë Krasniqi. Rexhep Selimi i cili qëndron padrejtësisht në Hagë dhe gjenerali Daut Haradinaj”, ka thënë Ramosaj.

    Në këtë seancë solemne janë nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti” dy nëna shqiptare, Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin e ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Hate Rexhaj ka falënderuar Komunën e Deçanit për këtë mirënjohje.

    “Ju faleminderit për vlerësimin dhe mirënjohjen që po më bëni, në veçanti me rastin e kësaj feste të shumëfishtë të kombit shqiptar, siç janë Dita e Flamurit, po ashtu dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të UÇK-së. Lavdi dëshmorëve, respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata djem dhe vajza që luftuan për Kosovën dhe për lirinë e kombit. Ju dua shumë, ju jeni gjithçka për mua”, tha ajo.

    Në seancë solemne foli Edhe Feride Hajdinaj, e cila u nderua me mirënjohje nga Komuna e Deçanit.

    “Ju uroj Ditën e Flamurit, ju uroj ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lavdi dëshmoreve të kombit”, tha ajo.

    Ish-doktoresha e UÇK-së dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur për kontributin e çmuar të Feride Hajdinaj, e cila u nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti”.

    “Unë isha pjesë e UÇK-së, isha pjesë edhe e brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, te nëna Feride kam qëndruar shumë, kjo ishte edhe organizatore e një sulmi të parë mbi forcat serbe, kishte edhe familjarët në UÇK, ishin djemtë e nënës Feride, ishte burri i nënës Feride që ishin ushtarë të UÇK-së dhe gjithë ajo rrethinë që i kemi sot miq dhe që i nderojmë që e ruajnë këtë miqësi ”, ka thënë ajo.

  • Haradinaj zyrtarizon Mumin Morinën si kandidat për deputet

    Haradinaj zyrtarizon Mumin Morinën si kandidat për deputet

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Mumin Morina, Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, i është bashkuar partisë që ai udhëheq.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh në mënyrë metaforike se “kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë”, duke iu referuar aderimit të Morinës në AAK.

    “Kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë. Sepse uji është jetë, është siguri për familjet tona. Kur e dimë se furnizimi me ujë të pijshëm është i garantuar edhe për gjeneratat pas nesh, atëherë vendi ynë ecën përpara. Mumin Morina ndër vite ka punuar për ta siguruar ujin e pijshëm për vendin, përmes projektimit, zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve të infrastrukturës hidroteknike. Përvoja e tij profesionale, veçanërisht si Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, dëshmon aftësitë e tij të jashtëzakonshme menaxheriale dhe teknike”, ka shkruar ai.

    Pos tjerash, Haradinaj i ka uruar fat Morinës në garën për deputet.

    “Në Qeverinë e Aleancës, furnizimi me ujë për qytetarët e Kosovës, sipërmarrësit dhe bujqit do të zgjidhet përfundimisht. Ashtu siç do ta zgjidhim një herë e përgjithmonë edhe trajtimin e ujërave të zeza, duke e ngritur Kosovën në standard të zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo do të realizohet përmes ndërtimit të shtatë digave të reja dhe ngritjes së impianteve të reja të trajtimit të ujërave në komunat më të vogla. Mumin, Kosova ka nevojë për ty! Të uroj fat në garën për deputet”.

  • ‘Warner Music’ nis projektin me muzikë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale

    ‘Warner Music’ nis projektin me muzikë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale

    Warner Music Group do të nisë një projekt të ri për krijimin e muzikës me inteligjencë artificiale (AI) në bashkëpunim me start-up-in teknologjik Suno, një vit pas padisë së firmës ndaj kompanisë.

    Sipas marrëveshjes, përdoruesit do të mund të krijojnë muzikë në platformën e Suno duke përdorur zërat, emrat dhe imazhet e artistëve që zgjedhin të marrin pjesë në program.

    Warner Music përfaqëson artistë të njohur si Dua Lipa, Coldplay dhe Ed Sheeran, dhe ishte një nga disa gjigantët e muzikës që paditën Suno dhe platformën e ngjashme Udio, për shkak të përdorimit të paautorizuar të krijimeve të artistëve.

    Krijimi i muzikës me AI ka ngjallur debate të ashpra, pasi shumë artistë kanë shprehur shqetësimin se kjo mund të dëmtojë punën e kompozitorëve njerëzorë. Duke nisur nga viti i ardhshëm, Suno do të prezantojë modele të reja të licencuara për platformën e saj, që lejojnë përdoruesit të krijojnë muzikë bazuar në përshkrime të thjeshta.

    Modeli i ri i Suno për vitin 2026 do të kërkojë pagesë për shkarkimin e këngëve, ndërsa përdorimi falas i platformës do të mbetet i mundur për dëgjim dhe ndarje të këngëve.

    Warner e përshkroi këtë partneritet si një hap të ri në krijimin e muzikës dhe siguroi se artistët dhe kompozitorët do të kenë kontroll të plotë mbi përdorimin e emrit, zërit dhe imazhit të tyre në muzikën e gjeneruar nga AI.

    Marrëveshja gjithashtu zgjidh kontestin ligjor që ekzistonte midis dy kompanive, të cilin Warner, Sony dhe Universal e kishin ngritur ndaj Suno dhe Udio për “kopjim të paautorizuar” të këngëve ekzistuese.

    Lufta ligjore erdhi pas një letre të nënshkruar nga rreth 200 artistë, përfshirë Billie Eilish dhe Nicki Minaj, që kërkonin ndalimin e përdorimit të AI-së në industrinë e muzikës. Mbështetësit e AI-së argumentojnë se kjo është një mënyrë e re për të mësuar dhe krijuar, e ngjashme me mënyrën se si njerëzit mësojnë nga veprat e mëparshme.

  • Ushtarët e KFOR’it dhe Policia e Kosovës dhurojnë gjak

    Ushtarët e KFOR’it dhe Policia e Kosovës dhurojnë gjak

    KFOR ka bërë të ditur se disa ushtarë të këtij misioni, së bashku me oficerë të Policisë së Kosovës, kanë dhuruar gjak si pjesë e fushatës së organizuar nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut të Kosovës në Kampin Vrelo.

    Në postim thuhet edhe se, nisma synon të mbështesë institucionet shëndetësore në mbarë Kosovën dhe të forconte më tej bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, për të mirën e njerëzve në gjithë Kosovën.

    Ushtarët nga Komanda Rajonale Lindje e Forcës së Kosovës (KFOR), që është pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, së bashku me oficerë të Policisë së Kosovës (PK), morën pjesë në një fushatë dhurimi gjaku të organizuar nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut të Kosovës në Kampin Vrelo.

    Nisma synonte të mbështeste institucionet shëndetësore në mbarë Kosovën dhe të forconte më tej bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, për të mirën e njerëzve në gjithë Kosovën.

    Personeli i KFOR-it mbështet rregullisht fushata shtesë të dhurimit të gjakut në kohë dhe vende të ndryshme, duke dëshmuar përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj aktiviteteve humanitare.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si reagues të sigurisë.

  • Siguronte vota për Listën Serbe, ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim

    Siguronte vota për Listën Serbe, ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit, duke e dënuar me 1 vit burgim lidhur me akuzën për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.

    Aktgjykimi ndaj Mirkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndaj Mirkoviq, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

    Gjykata obligoi të akuzuarin që në emër të shpenzimeve gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Sasha Mirkoviq akuzohej se në periudhën kohore janar – shkurt 2021, në territorin e Komunës së Kllokotit, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, në bashkëkryerje me të dënuarin Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore para dhe gjatë zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.

    Në aktakuzë thuhet se, së bashku me kryetarin e Komunës së Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, kanë ushtruar presion dhe kërcënim serioz ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë të Komunës së Kllokotit, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota me metoda të njëjta, për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”, duke i kanosur qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale dhe kështu kanë ndikuar dhe i kanë detyruar qytetarët që të votojnë në mënyrë të caktuar, përkatësisht për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”.

    Me këtë, Sasha Mirkoviq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesve” e sanksionuar me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me një deri në pesë vjet burg.

  • 3 pjesët e trupit që duhet t’i lani çdo ditë

    3 pjesët e trupit që duhet t’i lani çdo ditë

    Dushi ose larja e tepërt në të vërtetë mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Sipas një mjeku, në të vërtetë duhet të lani vetëm tre pjesë të trupit tuaj me sapun: sqetullat, ijët dhe këmbët.

    Një shpëlarje e thjeshtë me ujë është e gjitha që ju nevojitet.

    Sandy Skotnicki, MD, një profesoreshë asistente e dermatologjisë në Universitetin e Torontos, thotë se pastrimi i trupit nga koka te këmbët me sapun dhe ujë mund të çojë në probleme si ekzema dhe probleme të tjera të lëkurës.

    Në vend të kësaj, ai thotë të përqendrohesh vetëm në “pjesë” të caktuara, të cilat “do të ishin sqetullat, ijët dhe këmbët”.

    Nëse e fërkoni të gjithë trupin me sapun, rrezikoni të shkatërroni bakteret e dobishme që ndihmojnë mikrobiomën tuaj të dallojë mikrobet e mira nga ato të këqija, tha Robynne Chutkan, MD, themeluese e Qendrës Digjestive për Gratë në Chevy Chase, Maryland.

    Trupi juaj ka nevojë për baktere të caktuara, thotë ai, dhe kur i largoni ato nga lëkura duke u larë me sapun, kjo ul imunitetin tuaj ndaj viruseve të caktuara, duke rritur rrezikun e sëmundjes.

    “Përveç nëse sapo keni mbaruar një vrapim në baltë, të vetmet vende që kanë nevojë për sapun të përditshëm janë sqetullat dhe ijët”, shton Chutkan. “Pjesa tjetër e trupit tuaj ia del mbanë me një shpëlarje, edhe pas një stërvitjeje me djersitje.”

  • Britanikja e pëson keq nga ‘Black Friday’, vaksinat false për dobësim i’a marrin jetën

    Britanikja e pëson keq nga ‘Black Friday’, vaksinat false për dobësim i’a marrin jetën

    “E premtja e zezë” ose siç njihet edhe si ‘Black Friday’ i mori në qafë britanikët të cilët vuajnë nga obeziteti apo siç njihet mbipesha. Zbritjet e mëdha të vaksinave për humbje peshe e që kushtojnë shumë zakonisht, i bën që britanikët të blejnë me të madhe.

    Duke i paralajmruar dhe alarmuar se sasia është e limituar ara blenë vaksinat nëpër faqe të ndryshme të internetit e që dolën të jenë verzione të falsifikuara.

    Nga krejt kjo çmenduri e blerjes me zbritje të vaksinave që bëjnë “mrekulli” në humbje peshe, mjekët kanë treguar se si pacientët kanë pësuar kriza dhe madje janë lënë në gjendje kome duke iu rrezikuar jeta pasi kanë marrë versione të falsifikuara.

    Një rast i till është edhe vdekja e një gruaje që vdiq pasi iu injektua me vaksinë nga tregu i zi.

    Vajza e saj ka bërë thirrje për një goditje ndaj shitjes së ilaçeve të palicencuara për humbje peshe.

    Në një intervistë ekskluzive me ITV News, familja është e para në Mbretërinë e Bashkuar që flet publikisht për një vdekje të lidhur me injeksione të rreme për humbje peshe.

    Karen McGonigal, 53 vjeç, nga Salford në Greater Manchester, vdiq në maj, vetëm disa ditë pasi iu administrua ilegalisht një dozë semaglutide.

    Ndërkaq Injeksionet një herë në javë, të prodhuara nga gjigantët farmaceutikë Novo Nordisk dhe Eli Lilly, ofrohen në NHS për të ndihmuar pacientët me diabet të tipit 2 të kontrollojnë nivelet e sheqerit në gjak.

    Sipas raporteve thuhet se medikamentete ineksione Semaglutide dhe tirzepatide, emri gjenerik për Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro gjithashtu shkaktojnë humbje peshe dhe përfitime të mëdha.

    Por kërkesa e madhe globale ka bërë që versionet e falsifikuara të përmbyten në treg vitet e fundit.

    Përpara të Premtes së Zezë, ekspertët u kanë kërkuar njerëzve të mos u besojnë faqeve të internetit që ofrojnë kode zbritjeje për të Premten e Zezë, për shkak të shqetësimeve se ato mund të jenë të falsifikuara.

  • Burrë e grua arrestohen në Gjermani, vodhën 1 milion euro nga matësit e parkimit

    Burrë e grua arrestohen në Gjermani, vodhën 1 milion euro nga matësit e parkimit

    Një inspektor parkimi dhe gruaja e tij janë arrestuar me dyshimin për përvetësim të më shumë se 1 milion eurove nga matësit e parkimit të një qyteti të vogël gjerman.

    Punonjësi i paidentifikuar i bashkisë mendohet se ka nxjerrë monedha nga matësit e parkimit në Kempten “në raste të shumta”, dhe i ka vendosur ato në llogari bankare në të cilat gruaja e tij kishte qasje, tha policia lokale në një deklaratë.

    Një raport për pastrim parash nga një institucion krediti i njoftoi hetuesit për vjedhjen e dyshuar. Inspektori përballet me akuza në lidhje me 720 incidente të dyshuara vjedhjeje, ndërsa gruaja e tij përballet me akuza për ndihmë dhe inkurajim të vjedhjes, gjithashtu në 720 raste.

    Kryebashkiaku i Kemptenit, Thomas Kiechle, tha se ishte “i tronditur” nga akuzat.

    Në tetor, zyra e prokurorit publik të Kemptenit u informua se paratë e gatshme po depozitoheshin vazhdimisht në disa llogari bankare, sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA.

    Policia më pas kontrolloi ambientet e zyrës në orët e para të 24 nëntorit, të njëjtën ditë kur u arrestuan burri 40-vjeçar dhe gruaja 38-vjeçare.

    Ata tani po mbahen në ambiente të ndara paraburgimi. Nuk është e qartë se sa kohë mund t’i jetë dashur çiftit për të mbledhur shumën.

    Në përgjigje të akuzave, Kiechle njoftoi emërimin e një komisioni për të “shqyrtuar proceset e punës së kaluar, për të zbuluar dobësitë e mundshme dhe për t’i korrigjuar ato në mënyrë të besueshme për të ardhmen”.

    Kiechle vuri në dukje se emrat e çiftit nuk mund të publikohen aktualisht, për shkak të hetimit të vazhdueshëm dhe shqetësimeve për privatësinë.

    Në një deklaratë me shkrim, Kiechle tha: “Unë natyrisht mbështes zyrën e prokurorit publik dhe policinë në hetimin e tyre të plotë të akuzave”.

    “Derisa të përfundojnë procedurat, zbatohet prezumimi i pafajësisë”, shtoi ai.

    Kempten është një nga vendbanimet më të vjetra në Gjermani. I vendosur në jug të vendit, ndodhet nën kodrat e Allgäu dhe ka rreth 70,000 banorë.