ATV

Author: K.B.

  • Pak para seancës së Kuvendit Komunal, protestojnë transportuesit publik

    Pak para seancës së Kuvendit Komunal, protestojnë transportuesit publik

    Pak para se Kuvendi Komunal i Prishtinës të mbajë seancën e jashtëzakonshme për të hyrat vetanake dhe buxhetin, transportuesit publik kanë nisur protestën para objektit të Komunës.

    Një pjesë e shiritit të rrugës është e bllokuar nga autobusët.

    Trafiku Urban dhe operatorët privatë të transportit kanë pezulluar punën si pasojë e mos pagesës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.

    Asamblistët e Vetëvendosjes kanë thënë do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe do të votojnë pro bartjes së të hyrave vetanake të kryeqytetit.

  • Dogana ndalon kontrabandën me telefona në Vërmicë, vlera mbi 5 mijë euro

    Dogana ndalon kontrabandën me telefona në Vërmicë, vlera mbi 5 mijë euro

    Një kontroll rutinë në pikëkalimin kufitar në Vermicë ka zbuluar një tentim të shmangies së detyrimeve doganore, ku janë gjetur të padeklaruara 4 iPhone 17 Pro Max dhe pjesë të tjera për telefona, me vlerë mbi 5 mijë euro.

    Mallrat janë konfiskuar dhe ndaj personit të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore.

    Dogana e Kosovës njofton se do të vazhdojë forcimin e kontrolleve për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të tregut.

    Njoftimi:

    Vermice 27 nentor 2025

    Gjatë një kontrollit rutinë në pikëkalim kufitar është zbuluar dhe parandaluar një rast i tentim-shmangies së detyrimeve doganore.

    Gjatë inspektimit të detajuar, njësitë doganore kanë gjetur 4 telefona të rinj IPHONE 17 PRO MAX, si dhe pjesë të ndryshme për telefona mobil, të cilat ishin të padeklaruara nga pala përgjegjëse.

    Vlera totale e mallit të sekuestruar është mbi 5000 mije euro.

    Mallrat e padeklaruara janë konfiskuar, ndërsa ndaj personit të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrolleve, mbrojtjen e tregut dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, duke parandaluar çdo tentim të shmangies së detyrimeve doganore.

  • Ankohet Simiqi i Listës Serbe: Në komunën e Graçanicës janë 740 votues serbë më pak

    Ankohet Simiqi i Listës Serbe: Në komunën e Graçanicës janë 740 votues serbë më pak

    Pasi KQZ-ja publikoi numrin e votuesve në komunat për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq ka pretenduar se “ka parregullsi” që, siç thotë ai, “janë inxhinieri e qartë politike”, dhe se në komunën e Graçanicës, sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve është zvogëluar për 740.

    Simiq ka thënë “se vazhdon inxhinieria zgjedhore e regjimit të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit”.

    “Tani pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për vetëm dy muaj, komuna e Graçanicës ka humbur 740 votues serbë sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe sipas këtij numri është e para nga të gjitha komunat e tjera në Kosovë”, ka shkruar Simiqi në një postim në Facebook.

    Simiqi gjithashtu ka pretenduar se komuna e Graçanicës, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt, në zgjedhjet lokale vetëm gjashtë muaj më vonë, ka fituar 2.444 votues.

    “Nëntëdhjetë për qind e tyre ishin votues shqiptarë që duhej ta mbështesnin listën unike shqiptare në zgjedhjet lokale. Biologjikisht, juridikisht dhe logjikisht është i pashpjegueshëm numri i madh i njerëzve që kanë fituar të drejtën e votës, pothuajse 11 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në atë komunë për vetëm gjashtë muaj”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se Lista Serbe për të gjitha këto ka treguar publikisht, i është drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë, por gjithçka ka mbetur njësoj, si dhe se as vëzhguesit e procesit zgjedhor nuk janë interesuar për këtë “fenomen”.

  • Murati nuk do takim me Ramën? Refuzon të përgjigjet, lëshon akuza ndaj LDK-së

    Murati nuk do takim me Ramën? Refuzon të përgjigjet, lëshon akuza ndaj LDK-së

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media, përveç për pagat e RTK-s, është arsyetuar edhe për situatën me Trafikun Urban në Komunën e Prishtinës.

    Ai e akuzoi LDK-në se ka bërë fushatë në kurriz të qytetarëve, ndërsa shtoi se VV në kuvendin komunal, sot do të japë votë mbështetëse.

    “Kemi pasur të bëjmë më një fushatë të LDK-së, të udhëhequr në kurriz të qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Kur ishte seanca, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK në Kuvendin e Kosovës, për buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV në Kuvendin Komunal, duke ofruar mbështetjen, përkundër shpifjeve, ofendimeve dhe fyerjeve që po i shohim çdo ditë”, tha Murati.

    Por kur u pyet nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, a do të takohet me Ramën, Murati refuzoi të përgjigjet.

    Ai ia ‘lëshoi’ radhën kolegut të tij, Ejup Maqedonci për t’u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

  • Murati: Ndarja e mjeteve për RTK-në ishte e pamundur për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare

    Murati: Ndarja e mjeteve për RTK-në ishte e pamundur për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka uruar Ditën e Forcës dhe ka folur për mbështetjen buxhetore të ushtrisë dhe të RTK-së.

    “Mund ta them me krenari, se si qeveri nuk kemi kursyer asnjëherë kur ka ardhur puna për ndarjen e buxhetit dhe për mbështetjen e ushtrisë tonë, e që po besoj që me hapa shumë të shpejtë po merr formën e një ushtrie moderne, ndoshta më moderne në rajon,” u shpreh Murati, duke vlerësuar avancimin e FSK-së.

    Ai gjithashtu komentoi ndarjen e mjeteve për punëtorët e RTK-së, duke e cilësuar këtë si një improvizim të detyruar për shkak të mosformimit të Komisionit të Buxhetit nga partitë opozitare.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ndarja e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka qenë e pamundur deri më tani për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare që duhej të miratonin alokimin.

    “Sa i përket ndarjes së mjeteve, ishte pritur që këtë ta kryente Kuvendi. Por PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë refuzuar kategorikisht, dhe nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të themelohej Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili është përgjegjës për miratimin e alokimit të buxhetit për RTK-në. Për shkak të këtij dështimi, si qeveri na është dashur të sigurojmë mjetet nga burime të tjera buxhetore për të garantuar funksionimin e RTK-së, në vend që të përdorej buxheti i paraparë me ligj,” ka thënë Murati.

    Ai ka theksuar se ky veprim ka qenë një masë emergjente, duke u bazuar në situatën aktuale ku Kuvendi nuk ka kryer detyrën e tij ligjore për të miratuar ndarjen buxhetore.

  • Studimi: Funksioni i tiroides gjatë shtatzënisë lidhet me rrezikun e autizmit

    Studimi: Funksioni i tiroides gjatë shtatzënisë lidhet me rrezikun e autizmit

    Studimi ndoqi më shumë se 51,000 lindje, duke përfshirë 4,409 raste në të cilat nënat kishin nivele anormale të hormoneve tiroide para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë ose të dyjave.

    Hormonet e çrregulluara të tiroides gjatë shtatzënisë tek nënat që kishin një çrregullim të tiroides para shtatzënisë mund të rrisin rrezikun e autizmit tek fëmija, raportojnë studiuesit.

    Edhe pse një çrregullim kronik i tiroides i trajtuar në mënyrë adekuate nuk rriti mundësinë e diagnozës së autizmit tek fëmijët, çekuilibrat hormonalë të vazhdueshëm gjatë tremujorëve të shumtë rritën rrezikun, tha udhëheqësi i studimit Idan Menashe i Universitetit Ben-Gurion të Negevit në Izrael.

    Studimi ndoqi më shumë se 51,000 lindje, duke përfshirë 4,409 raste në të cilat nënat kishin nivele anormale të hormoneve tiroide para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë ose të dyjave, raporton Reuters .

    Për sa kohë që mosfunksionimi ekzistues i tiroides kontrollohej në mënyrë adekuate, ai nuk shoqërohej ndjeshëm me një rrezik më të lartë për çrregullimin e spektrit të autizmit, sipas një raporti në The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism .

    Gjithashtu, mosfunksionimi i tiroides që filloi gjatë shtatzënisë nuk duket se rriti rrezikun.

    Megjithatë, mosfunksionimi i tiroides i pranishëm si para ashtu edhe gjatë shtatzënisë shoqërohej me një rrezik më shumë se dyfish më të lartë të autizmit, zbuluan studiuesit.

    Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për gratë me funksion të reduktuar të tiroides dhe si pasojë nivele të ulëta të hormoneve tiroide.

    Sa më e gjatë të jetë periudha e hipotiroidizmit, aq më i madh është rreziku i autizmit, dhe gjasat ishin më shumë se trefish të rritura kur nivelet e hormoneve ishin të ulëta gjatë të tre tremujorëve të shtatzënisë.

    Shumë pak gra në studim kishin funksion të rritur të tiroides, kështu që ai grup nuk u analizua veçmas.

    Autorët deklaruan se hormonet tiroide të nënës janë thelbësore për zhvillimin e trurit të fetusit.

    “Këto gjetje nxjerrin në pah nevojën për monitorim rutinor dhe rregullim në kohë të terapisë për të ruajtur nivelet normale të hormoneve tiroide gjatë shtatzënisë”, tha Menashe.

  • Ndarja e mjeteve për RTK, Bajrami: Më 28 dhjetor do të merrni përgjigjen për keqtrajtimin që po ua bëni qytetarëve

    Ndarja e mjeteve për RTK, Bajrami: Më 28 dhjetor do të merrni përgjigjen për keqtrajtimin që po ua bëni qytetarëve

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi qeveria në detyrë ndau mjete për pagat e punëtorëve të RTK-së.

    Sipas tij, vetë qeveria në detyrë po ka prodhuar këtë krizë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e pastaj për të dalë si shpëtimtar.

    “Qytetarët paguajnë taksa për me marrë shërbime, jo për me u maltretu nga inskenimet e mashtrimet tuaja”, ka shkruar mes tjerash Bajrami.

    Reagimi:

    I paskan nda mjetet për RTK.

    E kemi thënë prej ditës së parë: këta vetë janë prodhues të krizave. I lanë një muaj pa paga punëtorët e RTK-së, me protesta e greva dhe në fund jo Kuvendi po këta uzurpatorët e Qeverisë paskan gjetë zgjidhje, me 28 ditë vonesë.

    Albin Kurti me klikën e tij jeton duke shkaktuar kriza, duke i bë njerëzit me vuajtë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e tij, e pastaj me dalë si shpëtimtar, por ranë maskat.

    Ndalni bllokadat, tash uluni me Komunën e Prishtinës dhe gjeni zgjdhje!

    Qytetarët paguajnë taksa për me marrë shërbime, jo për me u maltretu nga inskenimet e mashtrimet tuaja.

    28 dhjetori do të jetë dita kur do të merrni përgjgijen për krejt këtë keqtrajtimin që po u bëni qytetarëve!

  • Pronari i konkursit të bukurisë “Miss Universe” akuzohet për trafik droge, armësh dhe karburanti

    Pronari i konkursit të bukurisë “Miss Universe” akuzohet për trafik droge, armësh dhe karburanti

    Presidenti i organizatës së Miss Universe, Raul Rocha, e gjeti veten në qendër të një skandali pasi Prokuroria Meksikane nisi procedurat mbi dyshimet se ai ishte i përfshirë në kontrabandën e drogës, armëve dhe karburantit midis Guatemalës dhe Meksikës.

    Sipas gazetës Reforma, hetimi nisi vetëm pak ditë pasi u mbajt edicioni i këtij viti i konkursit të bukurisë Miss Universe, i shënuar nga një sërë polemikash, duke përfshirë konflikte brenda organizatës, tërheqjen e disa gjyqtarëve dhe akuza për parregullsi në gjykim.

    Konkretisht, Rocha, një biznesmen meksikan dhe konsull nderi i Guatemalës në Meksikë, është identifikuar si kreu i dyshuar i një rrjeti kriminal që kontrabandon karburant me anije përgjatë lumit Usumacinta dhe më pas e transporton atë me kamion në shtetin e Queretaro-s.

    Më 6 gusht, Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Krimin e Organizuar, Jazmin Mayoral Marin, kërkoi një urdhër arresti për Roche për përfshirjen e tij të dyshuar në trafikun e drogës dhe armëve të zjarrit. Gjatë bastisjeve në vende të shumta, hetuesit gjetën dokumente që tregonin transaksionet financiare të Rocha-s me organizatën kriminale, duke përfshirë një pagesë prej 2.1 milionë peso, sipas FGR-së.

    Urdhër-arresti, në të cilin Reforma kishte qasje, thotë se anëtarët e rrjetit të dyshuar të Rocha-s kanë “lidhje me politikanë dhe autoritete në të gjitha nivelet”, gjë që u mundëson atyre të shesin vazhdimisht karburant dhe narkotikë dhe të tregtojnë sasi të mëdha armësh lufte.

    Burime federale pohojnë se Rocha iu drejtua zyrës së prokurorit në tetor, duke u përpjekur të arrinte një marrëveshje për të bashkëpunuar në këmbim të imunitetit.

    As Rocha, as përfaqësuesit e organizatës Miss Universe, sipas revistës amerikane People, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Ky rast e tronditi më tej Miss Universe, e cila u përball me një sërë problemesh në javët e mëparshme. Ndër të tjera, disa konkurrente u larguan nga një aktivitet paraprak pasi një anëtar i organizatës kritikoi publikisht Miss Mexico Fatima Bosch. Jo shumë kohë më pas, muzikanti Omar Harfouch u tërhoq nga juria, duke pretenduar se organizata kishte formuar një “komision ad hoc” që kishte parapërzgjedhur finalistët, gjë që organizata e mohoi.

    Në një intervistë të kohëve të fundit me mediat meksikane, Rocha pranoi se është “lodhur” nga të gjitha problemet dhe se po mendon të shesë ekskluzivitetin e Miss Universe, të cilin e mori përsipër në fillim të vitit 2024.

  • Memli Krasniqi uron ushtarët e Kosovës në Ditën e Forcës

    Memli Krasniqi uron ushtarët e Kosovës në Ditën e Forcës

    Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar “Ditën e Forcës” duke thënë se FSK-ja është besimi se Kosova qëndron e fortë dhe e përgatitur.

    Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se çdo ushtare e ushtar, është shembulli më i pastër i përkushtimit ndaj atdheut.

    “Sot është dita kur urojmë me krenari Forcën që mbron shtëpinë tonë të përbashkët. FSK-ja është besimi ynë se Kosova jonë qëndron e fortë dhe e përgatitur. Çdo ushtare e çdo ushtar është shembulli më i pastër i përkushtimit ndaj atdheut. Me ju, ecim më të sigurt drejt së ardhmes. Urime Dita e Forcës, ushtarë”, ka shkruar Krasniqi.

  • Ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli i bashkohet LDK-së

    Ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli i bashkohet LDK-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar aderimin e radhës në partinë e tij para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Ish-zëvendësministri dhe ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli, i është bashkuar partisë së tij.

    “Gëzim Kasapolli i bashkohet sot Lidhjes Demokratike të Kosovës me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe një angazhim të sinqertë për shtetin. LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve”, shkroi Abdixhiku.

    Mirë se vjen, Gëzim!

    Gëzim Kasapolli, një prej emrave më të njohur të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Me më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, Gëzimi ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillimi i politikave evropiane.

    Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së.

    Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

    Në rolin e Këshilltarit Politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, Gëzimi ka qenë lidhja institucionale me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në prag të negociatave për pavarësinë e Kosovës.

    Gëzim Kasapolli i bashkohet sot Lidhjes Demokratike të Kosovës me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe një angazhim të sinqertë për shtetin. LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve.

    Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, është sinjal i qartë se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është rruga përpara për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike dhe që kërkojnë ndryshim të vërtetë.

    Dyert tona janë të hapura.

    Mirë se vjen, Gezim Kasapolli!

    Paç shëndet, forcë dhe përkushtim në këtë etapë të re të angazhimit tënd për Republikën.